Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HÚND/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Organ i nuhatjes; pjesë e dalë e fytyrës mbi gojë e nën sy, me dy vrima, nëpër të cilat kalon ajri gjatë frymëmarrjes. Me hundë të vogël (të madhe, të shkurtër, të gjatë, të drejtë, të shtypur, të kthyer). Hunda e njeriut. Hunda e kafshëve. Vrimat e hundës. Maja e hundës. Kurrizi i hundës. Shami hundësh. Shfryu hundët. Merr frymë me hundë. I doli gjak nga hundët. Ra më hundë (më hundë e më buzë). Para hundës (mu te hunda) shumë afër, para syve.
2. det. Kiç; pjesa e përparme dhe e dalë e diçkaje, që vjen me kurriz e duke u ngushtuar. Hunda e anijes (e vaporit, e lundrës). Hunda e malit (e shkëmbit). Hunda e çekanit. Hunda e plorit. Këpucë me hundë.
3. bised. Lëfyt. Hunda e ibrikut. Enë me hundë.
4. gjeogr., bised. Kep. Hundë deti. Hundë dheu. Hunda e Karaburunit.
6. bised. Sasia e diçkaje që thithet njëherësh a i mbahet erë vetëm një herë. Një hundë burnot.
7. si mb., fig. Që është i fortë, i vendosur; që nuk lëshon rrugë a pe; kokëfortë.
✱Sin.: feçkë, kep, kiç, e dalë, lëfyt.
♦ Ia bëri hundët (turinjtë) *përshesh (dikujt). I ra hunda (dikujt) tall. 1. E ndjeu veten të fyer, u zemërua, u inatos, u hundua. 2. I ra krenaria, nuk mburret më, u bë më i thjeshtë; i ra hunda në dhe (përdhe, në shesh); e uli hundën (dikush); i ranë veshët; i ranë pendët; e bëri bishtin palë (dikush); iu këput rripi i pallës. Ra më hundë (dikush) keq. përfundoi shumë keq, e pësoi vetë me veprimin që bëri; ia bëri të keqen vetes. I ra në hundë (diçka) e nuhati, e ndjeu; më në fund e kuptoi; i ra në bri. Të bie hunda përdhe (diku) është shumë ftohtë, mbërdhin shumë, thahesh së ftohti; të bëhet pështyma akull; të ngrin gjuha në gojë; të bien thonjtë. I ra hunda përdhe (dikujt) tall. shih i ra hunda2 (dikujt) tall. Ma pruri (ma solli) (shpirtin) në *majë të hundës (dikush). *Breshri e rreh e hunda me majë iron. M’u ça hunda (për duhan) nuk duroj dot më pa pirë duhan, plasa për të pirë duhan. E ka çuar (e ka ngritur) hundën (përpjetë) (dikush). 1. Është bërë mendjemadh, mburret shumë; shet mend; kund. e uli hundën. 2. Është zemëruar me dikë, nuk i flet fare ose i flet me inat; (rri) me (tërë) hundë (hundë e buzë). Më doli nga hundët (për hundësh) (diçka) e pagova shtrenjtë diçka që mora a që fitova; në të vërtetë nuk përfitova, por u dëmtova, nuk e gëzova atë që mora; e nxora për qafe. (Hëngri) sa i doli nga hundët (për hundësh) (dikush) hëngri tepër, sa nuk i nxinte më barku. Nuk di të fshijë hundët (dikush) tall. nuk është i zoti për asgjë, është krejt i paaftë; është fare i humbur, as për vete nuk është i zoti; i rrjedhin hundët (dikujt). Ia do *buza po s’e lë hunda (dikë). Ia do hunda (dikë a diçka) e do, i pëlqen, e dëshiron, do që ta ketë a ta shjerë në dorë; e lakmon; ia ka qejfi. I duket hunda *dyfek (dikujt) keq. Ecën drejt hundës (së vet) (dikush) sheh punën e vet, nuk përzihet në punët e të tjerëve; merret me hallet e veta. Nuk fshin dot hundët e veta (dikush) përb. shih s’di të lidhë (as) ushkurin (dikush) bised. Fut hundët (hundën) (dikush) keq. ndërhyn në një çështje që s’i takon, përzihet në një punë, në të cilën nuk duhet të përzihet, futet pa e kërkuar askush ndërhyrjen e tij; fut turinjtë; futet (hyn) si pykë; (hyn) si fanti spathi; hedh kripë në gjellë të botës; s’ka pula e bën “ish”; s’ka pula e hahet me dhelprat; (përzihet) si bolla me ngjalën. I hanë hundët (i ha hunda) (dikujt) do sherr, kërkon të zihet a të rrihet; i ha kurrizi; i ha koka; i hanë brirët. E heq (e tërheq) për hunde (për hundësh) (dikë) keq. e bën dikë të sillet si do ai, t’i bindet verbërisht; e mashtron; luan e tallet me dikë, bën ç’të dojë me të; e tërheq (e heq) për veshi; e tërheq për gjuhe; e tërheq për kapistre; e sjell rrotull. (Sikur) e ka hequr prej *hunde (dikë) shih (sikur) e ka nxjerrë nga hunda (për hundësh) (dikush). Gjithë (tërë) hundë (hundë e buzë) (dikush) gjithë inat e buzëvarur; i mërzitur, i ngrysur e i zemëruar; duke folur me inat a duke qëndruar rëndë; me një pëllëmbë hundë; gjithë (tërë) buzë; me buzë varur (të varura); me këmbët e para; me një grusht miza; e ka çuar (e ka ngritur) hundën (përpjetë). Hundë më buzë shpejt e shpejt, me ngut, pa humbur kohë; në këmbë e në dorë (në duar). Hundë më hundë. 1. Shumë pranë njëri-tjetrit, fare afër; ballë për ballë; sy për (më) sy. 2. Përpara syve, haptas, sheshit, pa u fshehur, mu përpara dikujt; nën hundën e mjekrën (e dikujt); përpara (para) hundës (së dikujt); sy ndër sy (me dikë). Nën hundën e mjekrën (e dikujt) haptas, sheshit, mu përpara syve të dikujt; hundë më hundë; përpara (para) hundës (së dikujt); sy ndër sy (me dikë). Me hundën përpjetë me mendjemadhësi; me kryet në qiell; me bishtin përpjetë. Me hundë e me turinj keq. shih gjithë (tërë) hundë (hundë e buzë). Me hundë varur (të varura) (dikush) i mërzitur a i zemëruar; i pezmatuar, i ngrysur; me zemërim e me inat, pa folur, i ngrysur; me një pëllëmbë hundë; me buzë varur (të varura); me turinj varur; gjithë (tërë) buzë. I hyn ndër hundë (dikujt) i afrohet shumë dikujt dhe e pengon, e bezdis; i hyn e i përzihet në punët e tij. E ka në hundë (dikë) përbuz. shih e ka halë në sy (dikë). Nuk ka hundë (dikush) mospërf. nuk e meriton dikë a diçka, nuk është për të, është më poshtë se ai a se ajo; nuk ka turi. S’ka hundë e buzë (dikush) ka bërë diçka të keqe a të turpshme dhe nuk ka guxim t’i dalë përpara dikujt; s’ka sy e faqe. E ka hundën *të gjatë (dikush). E ka hundën *të hollë (dikush). Ka hundë të hollë (dikush). 1. shih e ka hundën të hollë (dikush). 2. E mban veten lart; është mendjemadh, është hundëpërpjetë; është shumë i zgjedhur, ka pretendime shumë, është hundëhollë. E ka hundën në *lis (dikush) iron. I kullot hunda *lart (dikujt) iron. E ka hundën *të madhe (dikush). S’e lë hunda të hajë (të kullotë) bar (dikë) tall. është mendjemadh dhe kjo e dëmton, nga krenaria e kotë dëmtohet vetë; vret (rreh) lart (dikush). Merr hundë (dikush) guxon të nisë a të bëjë diçka; ka guxim të tepruar, trimërohet shumë. E mban hundën lart (*përpjetë) (dikush) iron. E mban hundën në *qiell (dikush) iron. Mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) hundën (dikush) shih mbledh (tharton, rrudh, përdredh, shtrembëron) buzët (dikush). Iu nxi hunda (dikujt). 1. U turpërua. 2. U inatos; u tërbua nga inati. Ia nxori nga hundët (nga hunda, për hundësh) (dikujt). 1. Ia mori me zor diçka, ia zhvati, ia rrëmbeu me forcë. 2. Bëri që të mos e gëzonte atë që kishte fituar, që ta shpaguante nga zori; ia zuri shul. (Sikur) e ka nxjerrë nga hunda (për hundësh) (dikë) ngjan shumë me dikë, i ngjet aq shumë sa s’e dallon dot; është krejt si ai; (sikur) i ka prerë kokën (dikujt); (sikur) i ka prerë kryet (dikujt); bëmë baba të të ngjaj; hiq e vërë atë vetë. E nxori hundën *jashtë (dikush). I nxorën *uthull nga hundët (dikujt). Me një *pëllëmbë hundë. Përpara (para) hundës (së dikujt) duke qenë i pranishëm edhe ai vetë (sidomos kur vepron pranë tij dhe e dëmton, por ai nuk e sheh ose bën sikur nuk sheh); në sy, pa iu përmbajtur rrethanave; hundë më hundë (me dikë); nën hundën e mjekrën (e dikujt); sy ndër sy (me dikë). Ia përsheshi hundët (turinjtë) (dikujt) përb. 1. E goditi rëndë në fytyrë dhe e gjakosi; e rrahu keq; ia theu turinjtë; ia bëri hundët (turinjtë) përshesh. 2. I dha një mësim të mirë me një dënim të rreptë; i theu hundët; ia përsheshi hundët (turinjtë); ia bëri hundët (turinjtë) përshesh. I pikon *shpirti nga hundët (dikujt). I rri me *grushte hundëve (dikujt) keq. I është rritur hunda (dikujt) tall. shih i është rritur mendja (dikujt). I rrjedhin hundët (dikujt) mospërf. është njeri i humbur, nuk është i zoti për asgjë; as veten nuk mban e nuk mbron dot; nuk di të fshijë hundët (dikush); i ha pula qurrat. Ma solli te hunda (dikush) shih ma pruri (ma solli) (shpirtin) në majë të hundës (dikush). E sheh nën *hundë (dikë) e përçmon, e shpërfill; e përbuz e nuk i jep asnjë ndihmë. Nuk sheh më larg (më tutje) se hunda e vet (përtej hundës së vet) (dikush). 1. Është i mbyllur në punën e vet, ka horizont a pamje të kufizuar për diçka; nuk është i zgjuar, nuk i kap shpejt gjërat, nuk kupton shumë, nuk është largpamës, është dritëshkurtër; sheh gjer te maja e hundës. 2. Sheh vetëm dëshirat e interesat e vetë, nuk bëhet merak për të tjerët, mjaft që të jetë mirë vetë. Sheh gjer te *maja e hundës (dikush) keq. Shpohem në hundë (për diçka) e them me bindje të plotë diçka, jam shumë i sigurt, pranoj çdo dënim po nuk doli kështu si them unë; pres kokën; pres kryet; e vë kokën në satër; e vë kokën në kandar2; vë dorën (duart) në zjarr; vë dorën (duart) në prush. I theu hundët (dikujt) përçm. i dha një mësim të mirë dikujt, e shtrëngoi, e detyroi a e dënoi që të ulet, të bindet ose të sillet si duhet; ia uli hundën; i theu dhëmbët; i theu turinjtë; ia preu veshët; e shtroi në havan (dikë); ia theu bririn (brirët). E uli *hundën (dikush). 1. iron. Hoqi dorë nga krenaria dhe nga mburrja e kotë, nuk krekoset më; u bë më i shtruar, më i bindur e më i thjeshtë; i ra hunda (dikujt); i ranë pendët (dikujt); i ranë veshët (dikujt); i vari (i uli) veshët; e uli bishtin; kund. e ka çuar (e ka ngritur) hundën (përpjetë). 2. moh. keq. Mbahet me të madh, nuk afrohet e nuk pajtohet me dikë a me diçka; nuk i bindet dikujt; nuk shtrohet, nuk pranon se ka gabuar ose se dikush tjetër ka të drejtë; bën sikur s’ka ndodhur gjë. Ia uli hundën (dikujt) e shtroi, e urtësoi, e bëri të lërë fodullëkun a mendjemadhësinë dhe të jetë më i thjeshtë; ia theu hundët; ia preu veshët. I vari (i lëshoi) hundët (një pëllëmbë) (dikush) shih i vari (i lëshoi) buzët (një pëllëmbë) (dikush). I vari hundët në tokë (dikush) keq. shih i vari (i lëshoi) buzët (një pëllëmbë) (dikush). Më erdhi te hunda shih më erdhi (qumështi i nënës, shpirti) në majë të hundës. Më erdhi (qumështi i nënës, shpirti) në *majë të hundës. Të vjedh hundën midis (në mes të) syve (dikush) është hajdut i regjur e i fshehtë, të vjedh pa e diktuar; është shumë i shkathët e nuk e kap dot në hiletë që bën; të heq (të merr) opingat nga këmbët; të vjedh vezët nën klloçkë; të heq (të vjedh) potkonjtë. Ma zë (ma kap, ma ndien, ma heq) hunda (diçka) e ndiej diçka, e nuhat, e parandiej; e kap, e kuptoj shpejt ç’është. Ta zësh (ta kapësh) për hunde i del shpirti (dikujt). 1. Është shumë i lodhur, është rraskapitur dhe s’ka më fuqi fare; është tepër shëndetlig. 2. Është shumë i hidhëruar, i pikëlluar. Zgjat hundët (dikush) përpiqet fshehtas të marrë vesh diçka, që pastaj të ndërhyjë, edhe pse nuk duhet; përzihet në punët e dikujt, ndërhyn në çështje që nuk i takojnë; fut hundët (hundën). Iu zverdh hunda (dikujt) u tremb shumë; u inatos keq, u tërbua nga inati.
PÚP/Ë,~AIV f. sh. ~A, ~AT 1. Pjesa e prapme e anijes a e barkës, kiç; kund. bash. Pupa e anijes (e vaporit, e lundrës). Qëndronte në pupë. E ka erën në pupë.
2. Pjesa më e ngritur në bordin e një anijeje. Velat (kabinat) e pupës. U ngjit (doli) në pupë.
3. Pjesë e ngritur e një mjeti, ku zakonisht ulen njerëz. Pupa e karrocës. U ul në pupë.
4. fig., bised. Rregull, terezi. E ka në pupë me të. I kishte punët në pupë.
✱Sin.: kiç, pufe, rregull, terezi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë