Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►GRÍND/EM jovep., ~A (u), ~UR vetv. 1. Bëj fjalë me dikë, zihem a hahem me fjalë me dikë; zihem. U grindën keq. U grindën me fjalë. U grindën kot (për hiçmosgjë). Grindet me të gjithë.
2. Qaj, bërtas, përplas këmbët (për një fëmijë kur është i sëmurë ose kur është i shqetësuar). Grindet fëmija. Është grindur tërë natën (tërë ditën).
3. vet. v. III. Leh (për qenin); hungëron. Grindet qeni. Grindet derri.
4. fig., vet. v. III Fishkëllen, uturin (për erën). Grindet era.
✱Sin.: zihem, kapem, merrem, fërkohem, ndeshem, ngecem, ngatërrohem, qortohem, rragatem, shamatohem, shqyhem, pritem, therem, fjalëtoj, fjalohem, fjalosem, flas, hahem, mbrijohem, kapërthehem, keqem, keqësohem, mbrehem, gërnjitem, degatem, gramshaleshem, mbërthehem, përflitem, pickohem, hasem, leh, hungëroj, ankohem, uturin.
►KEQËS/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Bëhem më keq se ç’kam qenë, keqem; përkeqësohem; ligështohem; tukeqem. Të nesërmen i sëmuri u keqësua.
2. vetv., kryes. v. III Përkeqësohet diçka (shëndeti, një situatë a gjendje etj.); acarohet; prishet; liget. Iu keqësua shëndeti (plaga). U keqësuan marrëdhëniet ndërmjet tyre.
3. pës. e KEQËSÓJ.
✱Sin.: përkeqësohem, keqem, ligështohem, ligem.
►ZEMËRÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR vetv. 1. Më hipën inati, nxehem, inatosem, më ngrihen nervat. Zemërohet shpejt (për hiçgjë). Tani nuk zemërohem më. Kur zemërohet ai nuk di se ç'bën. Nuk zemërohet kurrë, s’e prish terezinë.
2. Më prishet qejfi nga dikush dhe i prish marrëdhëniet e mira që kisha me të e nuk flas më. Janë zemëruar e s'flasin. Por unë prapë nuk të zemërohem. - A ia vlen të zemërohemi e të mbajmë inat? Mos iu zemëro për aq sa nuk është. (fj. u.). Atij që ta thotë “brramp”, mos iu zemëro. (fj. u.).
✱Sin.: inatosem, nevrikosem, prekem, mështekohem, tërhuzem, keqem, keqësohem, prishem, dufohem, rrëfketohem, përprishem, hidhërohem.
►ZÍHEM jovep. ~ZURA (u), ~ZËNË 1. vetv. Grindem a rrihem me dikë; bëj fjalë me dikë. U zunë keqas. U zunë për hiçmosgjë. - Mos u zini kot! U zunë për pesë para spec (për mustaqet e Çelos). U turr të zihej. - Mos u zër me të, as me fjalë, se të fëlliq, aq ia pret atij. Zihen minjtë, kënaqet daci. (fj. u.). Po u zure me çezmën, mbetesh pa ujë. (fj. u.). As pula kam, as me dhelpra zihem. (fj. u.).
2. vetv. Kapem pas dikujt a pas diçkaje për t'u mbajtur ose për t'u mbështetur; kapem për dore a për krahu me dikë tjetër, rrokem. U zu pas degës (hekurit, karrikes). U zunë për dore (krahu). U zunë në valle hynë në valle të zënë dorë për dore. U zunë e u puthën mu te pragu, se kishin shumë vjet pa u parë e kishin mall të madh. (folk.). Edhe pas kashtës zihet ai që mbytet (fj. u.). S’zihet pleshti me dorashka. (fj. u.). Kali që zihet e shin lëmin. (fj. u.).
3. fig., vetv. Lidhem, bëhem mik me dikë, bëhem i afërt me të; lidhem për gjithnjë me dikë, U zunë shokë (shoqe). U zunë byrazerë. U zunë për martesë. Që nga ajo ditë u zu me djalin me yll në ballë e u martua me të. (folk). Gjarpri nuk zihet mik. (fj. u.).
4. vetv., vet. v. III Fillon, nis. U zu lufta. Puna u zu që kur u zu bota. (fj. u.).
5. vetv., vet. v. III Mbin, trevon, mbarset, merr; formohet, ngjizet. - Kalemi i ftoit në shegë nuk u zu. U zu me barrë. U zu pjella.
6. vetv., vet. v. III Mpikset, ngjizet, vjen (me farë, me maja etj.). U zu kosi. Zihet brumi. - Kur brumi nis të zihet, e heqim nga magjja. Pa brumë nuk zihen kuleçët. (fj. u.).
7. bised., vetv. Përmirësohem nga gjendja ekonomike, filloj ta marr pak veten. U zu ca.
8. vetv., vet. v. III Njihet, llogaritet, numërohet, merret parasysh, quhet e drejtë, vlerësohet si e dobishme. Kjo lojë nuk zihet.
9. vetv., vet. v. III Mbushet me diçka e mbyllet, nuk është i lirë; vështirësohet kalimi i zakonshëm i diçkaje, ngec, bllokohet. Iu zunë hundët. Iu zu fryma. Iu zu zëri. Iu zu buka në fyt. S’zihen të gjitha vrimat e gardhit! (fj. u.). Shkoi të zërë zogj, po u zu në leqe. (fj. u.). Majmuni nuk zihet në lak. (fj. u.).
10. vetv., vet. v. III Mbulohet tërësisht a pjesërisht. U zu dielli (hëna). Pa u zënë dielli ende plotësisht nga retë, e shkrepi aparatin fotografik. Nuk zihet (nuk mbulohet) dielli me plisa (me shoshë). (fj. u.).
11. pës. e ZË. Majmuni nuk të zihet më lak. (fj. u.).
✱Sin.: grindem, keqem, hahem, shamatohem, ngatërrohem, kapem, mbërthehem, kacafytem, rrokem, zaptohem, përqafohem, pushtohem (me dikë), qepem, mbahet, qëndron, ngec, mbyllet, mbushet, bllokohet, mbulohet, plotësohet, vuloset, taposet, fillon, nis, pllakoset, vishet, mbulohet, lidhem, njihet, quhet, vlerësohet, numërohet, llogaritet, mbin, trevon, mbarset, ngjizet pikset, vjen,
♦ U zu (u kap) për *fyti me dikë. U zu (u kap) për *gryke (me dikë). Është zënë në *mulli (dikush) tall.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë