Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KAÚLL,~I m., bised. 1. Garanci a provë që blerësi merr nga shitësi për një mall a produkt me cilësi të mirë. Bostan me kaull. E bleu me kaull.
2. Kusht ose bast që shërben si kontratë a si dëshmi besimi në një marrëveshje ndërmjet dy vetave, dy palëve etj. U lidhën (u miqësuan, e vendosën) me kaull.
✱Sin.: provë, kusht.
PRÓV/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. E dhënë që sillet për të vërtetuar, për të mbrojtur ose për të hedhur poshtë diçka; dëshmi, fakt, argument. Provë bindëse (e gjallë). Provë lëndore (materiale) (drejt.). E vërtetoi me prova. E liruan për mungesë provash. Gur prove (libr.) parimi a kriteri themelor që shërben për të provuar qëndrimin ndaj diçkaje.
2. Copë e vogël që merret nga diçka për analizë a për eksperiment; diçka që mbahet a ruhet si mostër. E mori (e mban) për provë.
3. Vërtetim në praktikë i të dhënave të diçkaje që duam ta njohim a ta studiojmë më thellë e në kushte të caktuara; eksperiment që bëhet për të marrë të dhëna për diçka ose për ta vërtetuar atë. Prova e parë (e dytë...). Provë laboratorike. Prova e fortësisë (durueshmërisë). Provë teknologjike. Bëri një provë.
4. Veprim paraprak që bëhet për të kontrolluar saktësinë a masën e diçkaje, para se ta përfundojmë (për një petk, për një vegël që prodhohet etj.). Bëri provë fustanin (kostumin). Bëri provë protezën (urën e dhëmballëve). Provë pa ngarkesë.
5. Tërësia e veprimeve ose shfaqja që bëhet për të kontrolluar shkallën e përgatitjes a të gatishmërisë para se të ndërmerret një punë, të jepet shfaqja e rregullt etj. Prova e përgjithshme. Salla e provave. Ishte vetëm një provë. Kanë provat.
6. Diçka e vështirë që duhet ta bëjë dikush për të parë aftësitë e tij para se t’i ngarkohet një detyrë me përgjegjësi. Provë e vështirë. Prova e zjarrit. Provë kontrolli. E vuri në provë dikë e provoi.
7. Gjendje e vështirë, fatkeqësi etj. që dikush duhet ta përballojë dhe që vërteton qëndrueshmërinë e tij; sprovë. Vite prove. Kishte kaluar sa e sa prova. Provë e lodhjes. Provë shkatërruese. Provë e durimit. Shërbim prove (drejt.).
8. vjet. Provim. E mori në provë. Provë tip.
9. mat. Veprimi me të cilin vërtetojmë se një llogaritje është e përpiktë. Prova e mbledhjes (e zbritjes, e shumëzimit, e pjesëtimit). Bëri provën.
✱Sin.: dëshmi, fakt, argument, dëftim, sprovë, eksperiment, demonstrim, provim, e dhënë, arsye, arsyetim, shkak, parashfaqje, kaull, vërtetim.
♦ *Balonë prove libr. *Gur prove libr. Prova e zjarrit libr. punë a detyrë shumë e vështirë, të cilën e kryen dikush dhe me këtë provon sa është i aftë, i përshtatshëm a i besueshëm për punë ose për detyra të tilla.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë