Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BRÉNG/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT 1. Gjendje shpirtërore e rëndë; dhembje e shkaktuar nga një fatkeqësi a vuajtje, nga malli etj.; hidhërim, kund. lumturi. Brengë e thellë. Brengat e jetës. Brengë dashurie. Me brengë në shpirt. Jetë me brenga. Mall e brengë. Pa halle e pa brenga. Ka (e mundon) një brengë. I shkakton brenga. Brenga e shkuar, brenga e harruar. (fj. u.). Brengat janë armiqtë e jetës. (fj. u.).
2. Shqetësim i madh për dikë a për diçka; vuajtje shpirtërore për diçka që kemi bërë, për dikë për të cilin përkujdesemi, për diçka që nuk e dimë si do të zgjidhet etj.; merak i madh, peng. Kënga për darkë, brenga për drekë. (fj. u.).
✱Sin.: hidhërim, helm, trishtim, plagë, maraz, leqendi, mërzi, gulm, lëngatë, sëndisje, mëllë, taksirat, shqetësim, merak, hall, gajle, dert, sëkëlldi, siklet, kasavet, xanxë.
♦ E kam brengë në zemër (në shpirt) (diçka) më mundon vazhdimisht përbrenda, e kam si plagë; e kam peng në zemër (në shpirt); më mbeti plagë në zemër (në shpirt); e kam gozhdë në zemër (në shpirt); më rëndon në zemër (në shpirt). Më mbeti brengë në zemër (në shpirt) (diçka) më mbeti merak, e kam si plagë, s’e harroj e më mundon; më mbeti peng në zemër (në shpirt).
MERÁ/K,~KU m. sh. ~KE, ~KET dhe ~QE, ~QET bised. 1. Dëshirë e madhe për të marrë vesh a për të mësuar diçka për një njeri, për një ngjarje ose për një gjë tjetër; kureshtje. Ka merak ta dijë. Sa për të hequr (sa për të nxjerrë) merakun.
2. Dëshirë e madhe a lakmi që ka dikush për të provuar diçka, për të pasur një gjë që nuk e ka etj. Kishte merak (i ka hipur merak) për një biçikletë të re. Plasi nga meraku për çokollatën që kishte sjellë ajo. Hëngri dhe e nxori merakun.
3. Shqetësim i madh që ndiejmë për një njeri të afërm a të dashur kur është larg, kur është i sëmurë ose kur ndodhet në një gjendje të keqe; shqetësimi dhe përgjegjësia që ndiejmë për diçka. Ka merak për djalin (për vajzën). U sëmur nga meraku për të birin. Meraket e prindërve s’kanë të sosur. Ka merak për punën. Më ha meraku për diçka shqetësohem shumë, merakosem. S’e zë meraku për asgjë. E futi në merak e shqetësoi shumë. Jam në merak për dikë a për diçka shqetësohem, merakosem. Fle me merak. Mos ki merak! mos u shqetëso! E hoqi merakun nuk shqetësohet më, u qetësua.
4. Dashuri e një mashkulli për një femër dhe anasjelltas, sevda. Pati (zuri, hodhi) merak në të ra në dashuri. E zuri meraku. U martuan me merak. Iu bë merak ajo e dashuroi.
5. Kujdesi i madh që tregojmë për një punë a për diçka tjetër dhe përpjekja për ta kryer atë sa më mirë. Ndërtesë (punë) e bërë me merak. E punoi me merak.
6. Të dhënët me mish e me shpirt pas diçkaje, prirje për t’u marrë me diçka, gjakim. Ka merak për muzikë (për sport). Merakun e ka për gjueti i pëlqen gjuetia. Ka merak të madh pas librave.
7. Dyshim, frikë a pasiguri që kemi përpara diçkaje të panjohur, të dëmshme a të rrezikshme, të papastër etj. Kishte merak se mos i ngjiste sëmundjen. Ka merak t’i japë dorën. Pije pa merak!
8. Dyshim që kemi për dikë. Më ha meraku se ai e ka bërë. Merakun e ka tek ai. M’u hoq meraku për të.
9. fig. Peng; gozhdë. Më mbeti merak që s’ia dhashë. I mbeti merak që s’e pa. Merak në zemër e kam që s’erdha.
✱Sin.: dëshirë, kureshtje, lakmi, shqetësim, kujdes, brengë, kasavet, përgjegjësi, gajle, qeder, dert, dashuri, sevda, sëkëlldi, gjakim, dyshim, frikë, pasiguri, peng.
♦ Bëhem merak (për dikë a për diçka) shqetësohem shumë, merakosem; nuk jam i qetë, se nuk e di si është. Më ha meraku se... dyshoj se..., kam dyshim se... Nuk më ha meraku (për dikë a për diçka) nuk shqetësohem fare për dikë a për diçka, nuk dua t’ia di për të. E kam merak vetë (diçka) iron. di unë si ta vërtis punën, shqetësohem e merrem unë me diçka, që ta bëj si dua vetë. E kam merak (në zemër) (diçka) shihe kam peng (në zemër) (diçka). Më mbeti merak (në zemër) (diçka) shih më mbeti peng (në zemër) (diçka). Nxora merakun (për dikë a për diçka) e pashë a e provova dhe e di si është, jam i qetë që është mirë, nuk kam më merak, nuk jam më i shqetësuar. Vuri (zuri) merak (në diçka) i pëlqeu shumë dhe do patjetër ta ketë, e do; nis t’i pëlqejë dikush e ta dashurojë. S’e zë meraku (dikë) nuk pyet fare për dikë a për diçka, nuk shqetësohet, as që do t’ia dijë; nuk bëhet merak (dikush); nuk i bëhet vonë (dikujt); nuk çan kokën (dikush).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë