Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
KARASHTÍS vep., ~A, ~UR bised., kal. 1. Përziej zakonisht gjëra a sende të një lloji; shpërndaj andej e këndej në mënyrë të çrregullt kafshë shtëpiake etj.; çakërdis. Karashtisi fletët (fijet). Karashtisi bagëtinë (pulat).
2. Kthej diçka përmbys (lëmin, vrahun etj). Karashtis vrahun (kallinjtë) në lëmë.
3. fig., edhe jokal. Hutoj dikë, ia marr mendtë; çakërdis. Karashtisi nga mendtë.
✱Sin.: përziej, shpërndaj, hutoj, çakërdis.
PËR/ZÍEJ vep., ~ZJÉVA, ~ZÍER kal. 1. Hedh a vë bashkë në një vend gjëra të ndryshme a lloje të ndryshme të një lënde etj., i tund, i trazoj, i ngatërroj etj. deri sa të dalë prej tyre një masë pak a shumë e njëllojtë. Përziej dy ngjyra. Përziej të kuqen me të verdhën. Përziej disa pije bëj koktej. Mos e përziej miellin me krundet! Bota është helm e mjaltë përzier. (fj. u.).
2. Vë bashkë sende të ndryshme pa rend e pa rregull; ndryshoj radhën e vendosjes së gjërave; bëj bashkë, ngatërroj. Përziej letrat. Përziej gurët e dominosë. Përziej librat. I përzjenë nxënësit e klasave të ndryshme. Mos i përziej drutë e thata me drutë e njoma! Gjella (jeta) na ndan e varri na përzien. (fj. u.).
3. Trazoj me dorë, me këmbë, me një vegël etj. diçka në një enë a në një gropë që të bëhet e tëra njëlloj. Përziej gjellën me lugë.
4. fig. Vë bashkë gjëra që nuk mund a nuk duhet të bashkohen, bashkoj dy a më shumë gjëra të ndryshme në mënyrë të parregullt, ngatërroj. Përzien fjalët e autorit me fjalët e veta.
5. Lëroj tokën për së dyti. E thyejnë tokën dhe e përziejnë.
6. fig., keq. Shtie në grindje e në ngatërresa njerëzit që janë bashkë ose afër njëri-tjetrit, ngatërroj. Përzjeu një lagje (një mëhallë). Përzjeu tërë dynjanë (botën).
7. fig. E fut a e ngatërroj dikë në një punë të papëlqyer ose me të tjerë. Mos më përziej në atë punë! E kishte përzier me ca rrugaçë.
✱Sin.: trazoj, nakatos, shkartis, karashtis, tollovit, bashkoj, tok, ngatërroj, gramshalesh, pështjelloj, tutëloj, tretoj, llokoçis, çuk, çrregulloj, lëroj, lëvroj, grind.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë