Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABHÁZ,~E mb. Që lidhet me Abhazinë ose me abhazianët, që është karakteristikë për Abhazinë ose për abhazianët, i Abhazisë ose i abhazianëve. Shteti abhaz. Kultura abhaze. Qytet abhaz.
ATRIBU/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. I jap ose i përshkruaj dikujt ose diçkaje një cilësi, karakteristikë ose një përgjegjësi, duke u mbështetur në lidhjen e këtij me një person, një objekt ose një ngjarje të caktuar; caktoj, lidh, përshkruaj; mvesh. Suksesin ua atribuon prindërve. Këtë të arritur ua atribuoj rrethanave të krijuara.
BANDITÉSK,~E mb. Që është karakteristikë për banditin. Sulm (veprim) banditesk. Sjellje banditeske. Në mënyrën më banditeske.
BART vep., ~A, ~UR kal. 1. Mbart; kund. zhbart. Bart ujë (qymyr). Bart mbi shpatulla. Bart merakun e tjetrit e vetë rri pa gjumë. (fj. u.).
2. fin. Kaloj ose hedh të dhëna a shifra nga një llogari në një tjetër.
3. fig. Përcjell; transmetoj. Ka bartur tiparet më të mira.
4. Mbaj; kam diçka si tipar a karakteristikë; ruaj, zotëroj, trashëgoj. Bart një emër të mirë. Të bartësh këtë bukuri.
DAGESTANÉZ,~E mb. Që lidhet me Dagestanin ose me dagestanezët, që është karakteristikë për Dagestanin ose për banorët e tij, që është e lidhur me kulturën, gjuhën dhe traditat e Dagestanit. Gratë dagestaneze. Grup etnik dagestanez. Veshje dagestaneze.
DALLÚES,~E mb. Që e dallon a e bën të shquhet nga të tjerët; që është një tipar i veçantë për të. Shenjë dalluese. Tipar dallues. Karakteristikë dalluese. Veçori dalluese.
2. Që nuk i trajton në mënyrë të barabartë, por parapëlqen pa të drejtë njërin a disa; që i vlerëson sipas disa veçorive e kritereve të ndryshme; që bën dallim. Qëndrim (trajtim) dallues.
✱Sin.: dallimor, dallimtar, shques, diskriminues, veçues, ndarës.
DOLIKOCEFALÍ,~A f., antrop. 1. Të qenët dolikocefal; kokëgjatësi.
2. mjek. Karakteristikë morfologjike normale (e trashëguar gjenetikisht) ose anomali zhvillimore e kafkës. U diagnostikua me dolikocefali.
DYFYTÝRËSH,~E mb., fig., keq. Që hiqet sikur është i mirë e i virtytshëm, që shtiret; që e fsheh fytyrën e vërtetë, që mban qëndrim me dy faqe; që bëhet për të mbuluar qëllimin e vërtetë dhe për të mashtruar të tjerët; që është karakteristikë për një njeri me dy faqe; i dyfytyrshëm, dyfytyrak, që e kthen pjatën nga të katër anët. Njeri dyfytyrësh. Qëndrim dyfytyrësh. Sjellje dyfytyrëshe. Politikë dyfytyrëshe.
EKZAGJER/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal., libr. E paraqit diçka më të madhe nga ç’është, e zmadhoj shumë. I ekzagjeron vështirësitë. E ka zakon t’i ekzagjerojë gjërat. Karikatura ekzagjeron te një individ një karakteristikë. Të mos e ekzagjerojmë shqetësimin.
✱Sin.: zmadhoj, teproj, fryj.
EMOCIONÁL,~E mb., libr. 1. Që lidhet me emocionet, i emocioneve; që është shkaktuar prej emocioneve, që është karakteristikë e emocioneve; emocionues. Gjendje emocionale. Brendi emocionale. Lojë emocionale. Forcë emocionale. Kujtesë emocionale. Inteligjenca emocionale.
2. Që preket a mallëngjehet shpejt, i ndjeshëm, i prekshëm. Tip emocional. Vajzë emocionale. Karakter emocional.
✱Sin.: emocionues, emocionor, mallëngjyes, i ndjeshëm, i prekshëm.
ENTROPÍ,~A f. 1. fiz. Funksion i gjendjes së sistemit dhe matja e energjisë termike të tij me njësi të temperaturës që nuk është e disponueshme për të kryer një punë; shkalla e çrregullimit dhe e rastësisë në një sistem. Entropia e një substance. Entropia negative. Entropia është një karakteristikë e universit. Entropia dhe temperatura e një vrime të zezë. Shpërndan energjinë dhe për rrjedhojë rrit entropinë.
2. inf. Sasia mesatare e informacionit që përmban një mesazh i marrë. Entropia e imazhit. Të minimizojnë entropinë e informacionit. Tendenca e përhershme e gjuhës në tërësi është të rrisë entropinë e saj.
EPÓK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Periudhë e gjatë historike me ngjarje a tipare të veçanta; periudhë që lidhet me një ngjarje të madhe a me një kthesë të rëndësishme në zhvillimin e diçkaje. Epokë historike. Epoka e re (e sotme). Epoka e Rilindjes. Epoka e zbulimeve të mëdha gjeografike. Epoka e gurit (e bronzit, e hekurit). hist. Nis (fillon) një epokë. Karakteristikë e epokave të ndërrimeve rrënjësore. Kujtime tronditëse të epokave të shkuara.
2. gjeol. Nënndarje e një periudhe gjeologjike. Fillimi i një epoke të re gjeologjike. Epoka antropocene. Epokat e tjera zgjasin mijëra vite.
3. astr. Çast i caktuar nga ku fillon të njehsohet koha e lëvizjes së një trupi qiellor.
♦ Bëri epokë (dikush a diçka) libr. solli një gjendje të re, të veçantë e shumë të rëndësishme historike, hapi e krijoi një periudhë të shënuar zhvillimi, që mbetet e paharruar. Epoka e artë libr. periudha më e mirë për dikë a për diçka, kur gjithçka shkon mbarë; koha kur mbretëron paqja, mirëqenia e humanizmi, lulëzojnë kultura, shkencat, artet etj.
EVOLUCIONÁR,~E mb. Që bëhet me evolucion; zhvillimor. Në aspektin evolucionar. Në një fazë të re evolucionare. Kuptimi evolucionar i kulturës. Ndryshimet evolucionare. Karakteristikë evolucionare.
HEROÍK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me heroin; që është karakteristikë për heroin; që i përket heroit, i heroit. Shpirt heroik. Jetë heroike. Vdekje heroike.
2. Që bën vepra të larta trimërie dhe vetëmohimi, që shquhet për heroizëm; që karakterizohet nga heroizmi. Vepër heroike. Akt heroik. Popull heroik. Gratë heroike shqiptare. Qëndresë heroike. Frymë heroike. Lufta heroike. Gjesti heroik i të riut shqiptar.
3. spec. Që ka të bëjë me njerëzit e shquar në punë a në veprimtari të veçanta; i karakterizuar nga vepra heroike. Vepra heroike e Nënë Terezës është vlerësuar me çmimet dhe nderimet më të larta.
4. let., muz. Që ka të bëjë me protagonistin a personazhin kryesor në një legjendë, gojëdhënë, rrëfim, tregim, roman etj., që është i dalluar për tipare të veçanta të forcës, trimërisë dhe fisnikërisë; legjendar. Eposi heroik. Poemë heroike. Simfoni (sonatë, dramë muzikore) heroike. Eposi heroik është krijimtari e lashtë artistike, kulturore e kombit shqiptar.
✱Sin.: trim, trimëror, triumfues, fisnik, legjendar, kreshnik, titanik, vigan, fitimtar
HIMARJÓT,~E mb. Që ka të bëjë me Himarën ose me himarjotët, që është karakteristikë për Himarën ose për himarjotët, i Himarës ose i himarjotëve; që është krijuar nga himarjotët. Luftëtar himarjot. Grua (vajzë) himarjote. Familje himarjote. Këngë (valle) himarjote.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë