Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BAÇKALLÓM/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bised. Send i vjetër jashtë përdorimit, gjë e prishur; shkatërrinë, karakatinë. U bë baçkallomë shtëpia. - Si mbete, or mik, baçkallomë, baçkallomë e karakatinë?!
✱Sin.: gërmadhë, shkatërrinë, karakatinë, harvallinë, shpartallinë, shkatërr, zhgardhinë.
GËRMÁDH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Mbetjet e një ndërtese, të një kështjelle, të një ure etj. të shkatërruar a të shembur; vet. sh. rrënojat e një qyteti a të një qendre dikur të banuar. Gërmadhat e qytetit të vjetër. Kaluan nëpër gërmadhat. Mbetën gërmadha. Do të bëhet një grumbull gërmadhash.
2. bised. Shtëpi e keqe banimi, ndërtesë e vjetër; mekanizëm i vjetër, që është shkatërruar nga përdorimi i gjatë. Banonin në një gërmadhë. Punonte me atë gërmadhën.
3. fig., bised., mospërf. Njeri me trup të dobët e të pafuqishëm (nga pleqëria a nga ndonjë sëmundje). Gërmadhë e vjetër. U bë gërmadhë.
4. fig. Mbeturinat e diçkaje të kaluar, të zhdukura të përmbysur. Mbi gërmadhat e regjimit të vjetër.
5. si mb. I shkretë, i gjorë. Gërmadha plakë! Ç’e gjeti, gërmadhën!
6. si mb. Që është shkatërruar. Shtëpi gërmadhë. Qytet gërmadhë. Njeri gërmadhë. Kemi sot një arsim publik gërmadhë.
✱Sin.: rrënojë, rrënore, rrënim, leranë, murishtë, shembë, kërmalle, gumëratë, vjetërsirë, karakatinë, ngordhësirë, mbeturinë, pasojë, gjurmë, i shkretë.
♦ U bë gërmadhë. 1. (diçka) U shkatërrua krejt (për një ndërtesë a për një qytet). 2. (dikush) U dobësua e u tret nga trupi dhe s’ka fare fuqi (nga pleqëria a nga një sëmundje). Më ka qarë gërmadha nuk presin nga unë që të ndihmoj shtëpinë, familjen; s’jam i zoti të mbaj shtëpinë në këmbë, nuk di të bëj asnjë punë.
HARDALLÍN/Ë,~AIII f. sh. ~A, ~AT 1. Shtëpi a gjë e vjetër e shkatërruar, që është gati për t’u rrëzuar; gardhishtë, karakatinë. E ka shpinë si hardallinë.
2. gjell. Gjellë shumë e hollë, pa yndyrë e pa shije; lëtyrë; spirilëng.
3. gjell. Qumësht shumë i holluar me ujë.
✱Sin.: gardhishtë, karakatinë, lëngëtyrë, lëtyrë, spirilëng, spirë.
HARVALLÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shtëpi e vjetër, e prishur dhe e shkatërruar; shkatërrinë, karakatinë. Është bërë harvallinë.
2. keq. Grua me trup të madh e të shëmtuar; gërdallë.
3. si ndajf. Në gjendje të shkatërruar. Shtëpinë e gjeta harvallinë.
✱Sin.: shkatërrinë, karakatinë, shpartallinë, gërdallë.
KARAKATÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT ndërt., mospërf. 1. Ndërtesë, shtëpi etj. pa mobilie ose që është lënë e pameremetuar a e prishur; gërmadhë; shkatërrinë. Banonte në një karakatinë.
2. si mb. Që është lënë gërmadhë (për një ndërtesë). Shtëpi (pallat) karakatinë.
✱Sin.: gërmadhë, shkatërrinë.
PADËRNÍC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT mospërf., krahin. Karakatinë. Banonte në një padërnicë.
SHKARDHÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Shtëpi e shpartalluar, që fut erën nga të katër anët, shkartinë, shkatërrinë. Jetonte në një shkardhinë. Dukej si një shkardhinë nga larg ajo shtëpi.
✱Sin.: karakatinë, harvallinë, gërmadhë, shkartinë, shkatërrinë.
SHKARTÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Dru që i ka hyrë krimbi. E preu atë shkartinë. Shkartinën do ta përdorte për zjarr.
2. Shtëpi e shkatërruar; zhgardhinë. E përdorte shkartinën si ahur. Nuk shihej me sy ajo shkartinë. Ndërtesa ishte kthyer në një shkartinë.
✱Sin.: shkatërrinë, karakatinë, harvallinë, gërmadhë, shkartinë.
SHKARVALLÍ/NË, ~A f. sh. ~A, ~AT Shtëpi apo ndërtesë e vjetër dhe e shkatërruar. Jetonte në një shkarvallinë. E krahasoi pallatin me shkarvallinën e vet.
✱Sin.: shkartinë, shkatërrinë, karakatinë, harvallinë, gërmadhë.
SHKATARRÁQ,~E mb., mospërf. 1. Që është prishur, i shkatërruar, që mezi qëndron më këmbë; që punon keq, që është si karakatinë. Tryezë shkatarraqe. Bujtinë shkatarraqe. Furgon shkatarraq. Mbante në dorë një ombrellë shkatarraqe.
2. Që nuk tregon kujdes në paraqitjen e jashtme dhe në punët e tij, i çrregullt, i pakujdesshëm. Veshje shkatarraqe.
3. Që nuk di veçse të prishë e të shkatërrojë; trazovaç. Fëmijë shkatarraq.
4. fig. Që nuk është bërë si duhet, përdoret keq. Gjuhë shkatarraqe.
✱Sin.: i rrëzuar, i shkallmuar, karakatinë, zhabzhyrr, shufalak, i zhargët, llosh, xhanavar, llapazhar.
SHKATËRRÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Shkatërrim, rrënim, rrafshim. Shkatërresë e plotë. I shpëtoi shkatërresës.
2. Gjë e shkatërruar; shkatërrinë, karakatinë, gërmadhë, harvallinë. Jetonte në një shkatërresë. U shemb shkatërresa.
✱Sin.: shkatërrinë, karakatinë, gërmadhë, harvallinë, rrënim, rrafshim.
SHKATËRRÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Ndërtesë a shtëpi e vjetër që është gati në të rënë, karakatinë, harvallinë, shpartallinë. Jetonte në një shkatërrinë. Ishte kthyer në një shkatërrinë.
✱Sin.: karakatinë, gërmadhë, harvallinë, shpartallinë, shkartinë, shkatërr, baçkallomë, zhgardhinë, zhargavinë.
SHPARTALLÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT Ndërtesë a diçka tjetër e vjetër dhe e shkatërruar, shkatërrinë, karakatinë. Banonin në një shpartallinë. Shpartallina e anijes.
TALLAHÁÇ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bised. Shtëpi pa dyer e pa dritare, karakatinë. Jetonin në një tallahaçë.
✱Sin.: harvallinë, karakatinë, shkatërrinë, shpartallinë.
TALLAHÁÇË ndajf., bised. Si karakatinë, në mënyrë të rrënuar, të prishur e të shkatërruar. La shtëpinë tallahaçë dhe u zhduk.
ZHARGAVÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT krahin., keq. 1. Makinë, karrocë a mjet tjetër që është vjetruar a që mezi ecën; karakatinë; shkatërrinë. Hipi në një zhargavinë.
2. fig. Njeri tepër i ligështuar, që mezi heq këmbët zvarrë e që s'është i aftë për të bërë ndonjë punë. Nuk të mbaron punë zhargavina. U bë fare zhargavinë.
3. Njeri pa asnjë vlerë; parazit. Mos u merr me atë zhargavinë.
✱Sin.: karakatinë, shkatërrirë, vjetërsirë, shëndetlig, parazit, dështak.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë