Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GRÓP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. E thelluar në tokë a në sipërfaqen e diçkaje; vrimë e madhe. Gropë e thellë (e cekët). Gropa e gëlqeres. Rrugë me gropa. Ra në gropë. Vend gropë. Faqe gropë.
2. gjeogr. Gropësirë. Fshati ndodhet në një gropë mes kodrave.
3. bised., edhe fig. Varr. Ia bëri gropën ia bëri varrin. Kush i bën gropën tjetrit, bie vetë brenda. (fj. u.).
4. Zgavër. Gropa e syrit. Gropë ajrore (av.) zonë ku ajri ka temperaturë tjetër në krahasim me atë të mjedisit përreth. Gropa e bilardos. Gropë thithëse. Gropa e zezë (e nevojtores).
✱Sin.: gropim, gropore, gropere, hep, kapt, kaptë, kapth, qore, trap, gllofkë, gomën, gorgë, gorrë, zgorkë, vrimë, hallkomë, humbellë, humbë, e thelluar, e hyrë, rroshponjë, skërkë, shtrojerë, matorik, pus, grofolok, pellg, varr, zgavër.
♦ Ia bëri (i hapi) gropën (dikujt) shih ia bëri (i hapi) varrin (dikujt). Të bëfsha (të hapsha) gropën! mallk. vdeksh!; të bëfsha varrin! mallk.; të ngrënça grurin! mallk.; të këndoftë prifti trisainë mallk. tall. M’u bë barku gropë. 1. Kam uri të madhe; kam shumë kohë pa ngrënë, jam bosh në stomak; m’u bë barku petë. 2. shih m’u bë zemra gropë. E bëri gropën me *dorën e vet (dikush). E bën gjoksin gropë (dikush) tall. mburret shumë; i bie gjoksit; rreh gjoksin; rreh kraharorin; vret veten me gishtin e madh; shet mend. M’u bë zemra gropë u hidhërova shumë, u dëshpërova thellë (nga një fatkeqësi etj.); m’u bë barku gropë. Ra në gropë (dikush) e pësoi keq; e gjeti një fatkeqësi. Gjeti gropën e gurit (dikush) u mëkëmb shpejt e papritur nga ana ekonomike, ra në kamje të madhe; gjeti hazinenë. (Është) në *buzë të gropës (të varrit) (dikush). Kur të shohë gropën e qafës (dikush) iron. kurrë, asnjëherë; kur të shohë qafën (zverkun) pa pasqyrë iron. E shtiu (e vuri) në gropë (dikë) shih e shtiu (e vuri) në varr (dikë). Më zë plumbi gropave gjithmonë më vete ters, nuk kam fat, nuk më del asgjë mbarë, dështoj vazhdimisht; jam fatkeq; kam qimen e ujkut; kam qimen e derrit; kam lëkurën e ujkut; kund. më doli (më erdhi) lepuri në shteg.
KAPËRCÝE/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JTË 1. Shteg kalimi; vendkalim i ngushtë (për një grykë a qafë mali etj.). Mbeti në kapërcyell të malit (të kodrës, të gardhit, të rrjedhës së lumit).
2. Mjet i thjeshtë (shkallë, shkop a diçka tjetër) për të kapërcyer një shteg të ngushtë, një përrua, një pengesë natyrore etj. Mori (përdori) kapërcyellin. E ndihmoi kapërcyell për t’u hedhur matanë.
3. Kufi tokësor a hapësirë e ngushtë gjeografike. Kapërcyelli për ndarjen e pronave.
4. fig. Fundi i një periudhe a kufiri ndërmjet dy etapave që vijnë njëra pas tjetrës; tranzicion kohor; gjendje e përkohshme kalimi, fazë kalimtare; kapërcim. Në kapërcyell të vitit (të shekullit të ri).
5. anat. Gurmaz, ezofag. Kafshata kaloi kapërcyellin.
✱Sin.: kaptë, kapth, vendkalim, kufi, grykë, gurmaz, ezofag, kapërcim, tranzicion.
♦ E hodhi kapërcyellin (dikush) shih e hodhi lumin (dikush). (Është) me këmbë në kapërcyell (dikush) nuk ka mundur ende ta kapërcejë një gjendje të vështirë, të rrezikshme a të ndërlikuar ku gjendet; nuk di ku t’ia mbajë; është duke kërkuar një zgjidhje për një çështje a është duke e zgjidhur atë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë