Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AEROTROPÍZ/ËM,~MI m., bot. Veçori e një bime, e cila, gjatë rritjes, lakohet ose anohet kah ana që ka më shumë ajër (oksigjen) dhe rrymime ajri. Aerotropizëm pozitiv kthim a anim i një bime nga rrymimet e ajrit. Aerotropizëm negativ kthim a anim i një bime nga rrënjët, kur i mungojnë kushtet e volitshme për rritje. Aerotropizëm rrënjor kthim a anim i rrënjëve të një bime nga rrymimet ajrore. Alga (kërpudha) që shfaqin aerotropizëm.
AFR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. E çoj afër dikujt ose diçkaje; i sjell më afër ose më pranë njëri-tjetrit; kund. largoj. Afroj dollapët (tryezat, karriget). Afroi librat në tryezë. Afruan shtretërit te muri. Afroj këmbët (duart). Ma afroi kokën (shpinën). Afroj kompjuterin.
2. kal. Shkurtoj kohën, sjell më pranë një ndodhi, një ngjarje a një festë; e sjell një punë pothuajse në mbarim, e shpie kah përfundimit; kund. largoj. Afroi ditën e shkuarjes. Afroj ditën e martesës. Ia afroi shlyerjen e borxhit. Afroj ditën e përurimit të autostradës. Afroj hapjen e punimeve të konferencës.
3. fig., kal. Miqësoj, shoqëroj ose lidh mes vete dy a më shumë veta; i bëj të ngushtë ose të afërt.
4. fig., kal. Zvogëloj ndryshimet ose dallimet mes dy a më shumë gjërave. Afrojmë teorinë me praktikën. Afrojmë kushtet e jetesës së tyre. Asfalti afroi fshatin me qytetin.
5. fig., kal. Bëj për vete dikë; tërheq dikë për t’u shoqëruar a miqësuar, miqësoj; e bëj dikë timin, e bëj dikë më të afërt për një qëllim të caktuar, e fut në rrethin e ngushtë; kund. largoj. Afroj me fjalë e me sjellje të mirë. Puna i afroi më shumë. E afroi me lajka. E afroi në shoqëri të keqe.
6. kal., vet. v. III E bën diçka të duket më afër, zmadhon (për thjerrëzat); kund. largon. Syze (dylbi) që afrojnë. Afroj me xham zmadhues.
7. jokal. Afrohem.. Afroi mbrëmja shpejt. Afroi stuhia. Afroi dita e ditëlindjes. Afroi dielli në të perënduar. Afrojnë nga shprehitë.
♦ I afron *fundin (dikujt).
AFËRLÍNDJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET Anë e afërt kah lind dielli. Fshati gjendet në afërlindje. Jemi në afërlindje.
AGÁV/E,~JA f. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Agave) Bimë e vendeve të ngrohta, me kërcell të trashë, zakonisht të shkurtër, me gjethe shumë të gjata, të trasha, me tul, të dhëmbëzuara e me gjemba, nga të cilat nxirren fije për industrinë e tekstileve, për litarët etj. Fije agaveje. Lulet e agaves. Rritja e agaves. Agavja përdoret edhe si bimë zbukuruese.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të ndryshme të kësaj bime: Agavja amerikane (lat. Agave americana) bimë zbukuruese, që rritet zakonisht në toka shkëmbore, që lulëzon vetëm njëherë në fund të jetës së saj të gjatë prej 10 deri 30 vjet. Agavja meksikane (lat. Agave fourcroydes) bimë barishtore shumëvjeçare me kërcell të gjatë, i cili formon një kurorë të dendur, me gjethe në formë shpate në ngjyrë të hirtë kah e blerta, që çel lule të bardha në të blertë me erë pakëndshme. Agavja sizalane (lat. Agave fourcroydes) bimë barishtore njëvjeçare me kërcell të lartë dhe një kurorë gjethesh në formë shpatash, që lulëzon në temperaturën mbi 25°C në diell, nga e cila nxirren fije për të bërë thasë, pëlhurë, letër, litarë, çanta, qilima etj.; kërpi sizalan. Agavja shekullore (lat. Agave parrtyi, A. utahensis) bimë barishtore e qëndrueshme ndaj të ftohtit, që rritet deri në 2-3 m në lartësi, me gjethe të gjata e të dobëta në ngjyrë të hirtë në të blertë, me lule në formë kalliri.
ÁJDËS,~I m. sh. ~A, ~AT bot. 1. (lat. Laburnum vulgare, Citysus laburnum) Dru gjetherënës i pyjeve malore, me lule të verdha në vile, lënda e të cilit është e fortë dhe përdoret për orendi, për sende a zbukurimi etj., karthë. Dru ajdësi. Ajdësi malor.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje ajdësi: Ajdësi i alpeve (lat. Laburnum alpinum) ajdës që rritet sidomos në toka gëlqerore, me lëvore të butë, me degë të gjera dhe me degëza me qime në pjesën e tyre sipërme, me gjethe të gjera vezake e me bisht të gjatë në ngjyrë të gjelbër në të mbyllët, me lule të dendura erëmira me ngjyrë të verdhë në të artë e me fara të zeza helmuese për njerëz, kuaj e dhi, që lulëzon në maj e qershor dhe që përdoret në industrinë e drurit, për djegie etj. Ajdësi jugor (lat. Laburnum anagyroides) ajdës zbukurues, që rritet në zona me diell e gjysmë hije, në shpate të ngrohta shkëmbore e gëlqerore, me lëvore të butë me ngjyrë të gjelbër në të mbyllët kah e zeza, me gjethe të gjelbra e qime të mëndafshta, me sytha vezorë e lule të verdha të mbledhura në një degë që lidhin fara helmuese, që përdoret për instrumente muzikore dhe në industrinë e drurit.
✱Sin.: ahafte, arzën, arrëz, ashkël, bobosfent, bubusfrat, donodfrat, hithkë, karthë, lin, perushan, vojës, vojmës, zgorofetë.
AKÁCI/E,~A f. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Robinia pseudocacia) Dru bishtajor i vendeve të ngrohta, me lëvore të plasaritur, me gjemba, me gjethe vezake të renditura në të dy anët e një bishti të gjatë dhe që bën lule zakonisht të bardha, të grumbulluara në vile e me erë të mirë; driza e butë, akacia e rreme, druri i shitimit, ferra e detit, ferrana e jashtme. Akacie e bardhë (e verdhë). Pyll akaciesh. Lule akacieje.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloj akaciesh: Akacia e Arabisë (lat. Acacia arabica) akacie me gjelbërim të përhershëm e tokave të thata, me trung në ngjyrë të kuqe kah ngjyra e kafenjtë në të errët që lëshon rrëshirë, me kurorë të rrumbullakosur, me gjethe të vogla të gjelbra, me gjemba në bazë, me lule aromatike të verdha në të artë, që nxjerr si fryt një bishtajë të bardhë, të përdredhur e të varur, druri i së cilës është përdorur për vepra arti, për mobilie; gomë arabike, gomë indiane, akacia egjiptiane, pikantja e zezë, akacia me gjemba. Akacia e argjendtë (lat. Acacia podalyriifolia) akacie me prejardhje nga Australia, që rritet shpejt dhe kultivohet si bimë zbukuruese etj., me lëvore të lëmuar të hirtë e me degëza të mprehta leshtore të mbuluara me një shtresë pluhuri të bardhë të imët, që lulëzon gjatë gjithë vitit me tufa lule të arta të ndritshme; akacia margaritar, gardh argjendi. Akacia e artë (lat. Acacia pycnantha) akacie me gjelbërim të përhershëm, me lule të verdha të ndritshme, me bazë të gjerë rrënjore që nuk lejon erozionin, ndaj mbillet edhe në brigjet ranore, me lëvoren të pasur me tanin që përdoret në mjekësi dhe në industrinë farmaceutike. Akacia e bardhë (lat. Acacia decurrens, Mimosa decurrens) akacie me lëvore në ngjyrë të kafenjtë, të zezë ose të hirtë, me skaje ndërnyjore, me degë kreshtore të larta, me gjethe jeshile në të errët, me tufa lulesh rruzullore të arta e me fryt bishtajor me farëra ngjyrë kafeje. Akacia bregdetare (lat. Acacia sophorae) akacie e njohur si thurimë bregdetare zbukuruese, me trungun dhe me degët e poshtme nëpër tokë, me lule në ngjyrë të verdhë të ndezur që shfaqen si thumba të zgjatur në sqetullat e tyre, që lulëzon në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës. Akacia degëgjatë (lat. Acacia coriacea) akacie me gjelbërim të përhershëm, me trung të trashë, që nxjerr gjethe të gjata e të ngushta, me lule të verdha të mbledhura në tufa rruzullore, me bishtajat të përdredhura të mbushura me fara të ngrënshme. Akacia dealbata (lat. Acacia dealbata) akacie, e njohur edhe si mimoza, që rritet shpejt në zonat e ngrohta mesdhetare dhe malore-tropikale në lartësi deri 30 m, me gjethe të gjata, të ndritshme dypalëshe, të gjelbra në të kaltër dhe të hirta kah e argjendta, me lule në vile të mëdha në ngjyrë të verdhë në të ndezur dhe me erë dehëse manushaqeje. Akacia e grathët (lat. Robini hispida, R. Fertilis) akacie gjetherënëse, me degë të dendura, që rritet në zona të thata, e përshtatshme për shartim, që lulëzon në pranverë dhe çel lule në tufa ngjyrë rozë të errët, me gjethe vezake në ngjyrë të gjelbër të lehtë, që përdoret dhe për gardhime parqesh. Akacia gjethebrisk (lat. Acacia cultriformis) akacie zbukuruese me gjelbërim të përhershëm, me gjethe trekëndore të mëdha dhe të mprehta me ngjyrë të gjelbër të hapët kah e hirta, me lule të vogla pa erë në tufë, që mund të kultivohet edhe në vazo parku. Akacia gjethedhertë (lat. Acacia homalophylla) akacie me gjelbërim të përhershëm, me trung të trashë të degëzuar me gjethe të ngushta, zakonisht të sheshta, me lëvore të ashpër të hirtë në të errët, me lule të verdha rruzullore që rritet në lartësi me kurorë të ngritur ose të zgjeruar, me degëza të reja të zhveshura ose me qime të lakuara, druri i së cilës është i fortë, aromatik që përdoret për të bërë shtiza. Akacia gjethegjatë (lat. Acacia longifolia, Mimosa longifolia) akacie mesdhetare që rritet anës lumenjve me lartësi mesatare, me trung të shkurtër dhe me kurorë pak të çrregullt, me lëvore ngjyrë hiri me pjesë të kuqërremta, me gjethe të ndërkëmbyeshme, të ngushta e të gjata, me lule erëmirë, rrënjët e së cilës pasurojnë tokën me azot. Akacia gjetheharpë (lat. Acacia harpophylla) akacie e lartë zbukuruese, me rrënjë të thella, me lëvore të fortë me hulli në ngjyrë të zezë, me degët këndore, me gjethe të rrejshme me damarë të shumtë dhe me lule tufore të gjata e të shtypura, me bishtaja të mbushura me fara gjatoshe, që kultivohet në toka bujqësore dhe në parqe tërheqëse. Akacia e Kaspikut (lat. Gleditsia caspica) akacie gjetherënëse me kurorë si formë kube, me trung me gjemba të rrezikshëm, me lastarë të rinj të lëmuar, me gjethe të mëdha vezake, buzore, me ngjyrë të gjelbër të lehtë, me lule të verdha e të gjelbra pothuajse pa kërcell, që lidh bishtaja të gjata si shpatë. Akacia leshtore (lat. Caragana jubata, Robinia jubata) akacie gjetherënëse, me degë të forta të mbuluara plotësisht me gjemba leshtorë, me gjethe të gjata shumëpalëshe, me kërcell të hollë me push e me majë si gjemb, me lulet të bardha, që lulëzojnë në prill e maj. Akacia e Meksikës së re (lat. Acacia neomexicana) akacie gjetherënëse, që rritet në toka të lagështa gëlqerore etj., me kurorë të hapur dhe të dendur, me bisqe njëvjeçare këndore, me gjethet të gjata me ngjyrë të gjelbër të ndezur, me lule të bardha erëmira dhe të pasura me nektar, bishtajat të gjata me ngjyrë kafeje, që lidh fara me vaj. Akacia qerthullore (lat. Acacia verticillata) akacie me gjemba gjetherënëse ose me gjelbërim të përhershëm e zonave të ngrohta bregdetare, me degë të larta me gjemba, me gjethe me ngjyrë të kaltër të gjelbër kah e hirta e argjendtë, që nxjerrin lëng të ëmbël që tërheq milingonat, bletët etj. Akacia e Siberisë akacia e verdhë. Akacia shelgore (lat. Acacia saligna) akacie me gjelbërim të përhershëm që rritet shpejt e kudo, me rrënjë të gjata dhe trung të trashë, me kurorë të gjerë, me, gjethe të gjelbra kaltëroshe si shtiza, që lidh fruta me një duzinë fara; mimoza blu, akacia blu. Akacia shkurre (lat. Acacia aneura) akacie si shkurre e vogël dhe e ulët, me rrënjë që depërtojnë thellë në tokë për të gjetur lagështi, me trung me gjethe të rrejshme me përmbajtje të lartë vaji. Akacia tregjembëshe (lat. Gleditsia triacanthus) akacie e lartë, me degë si një tendë e madhe, me trung të mbuluar me gjemba trepjesësh, me lëvoren me ngjyrë të hirtë kah e kafenjta, me gjethet të përbëra nga 15-30 fletëza të vogla vezake, me lule të vogla në tuba, të verdha të gjelbra erëmira e plot nektar, që lidh bishtaja të varura me fara të sheshta me ngjyrë të kuqe në të kafenjtë; glediçje. Akacia ujëse (lat. Gleditsia monosperma, G. aquatica) akacie shumë e lartë, me një kurorë të hapur e të gjerë, me degëza të holla me gjemba të dukshëm, me gjethe vezake, me lule të bardha në të gjelbër, me sytha të prerë anësorë dhe me lëvore të lëmuar e me njolla e thjerrëza të ndara; karkalec uji, karkalec kënetor. Akacia e varur (lat. Acacia pendula) akacie me lëvore të hirtë e gri, të plasaritur fort në trung, me degë me degëza të varura e të mbuluara me qime të shkurtra e të imta, me gjethe të rrejshme të ngushta vezake, të hirta të blerta. Akacia e verdhë (lat. Caragana arborescens, C. Fruticosa) akacie e lartë gjetherënëse, me pak fletë zakonisht të përbëra nga 4-6 palë kotiledone, me kërcell që përfundon në një shtyllë kurrizore, me bisqe të gjata e me degëzim të rrallë, me lulet të verdha, që shoqërohen nga gjethe të gjelbra të buta të ngjitura në një kërcell të hollë të varur; akacia siberiane. Akacia veshtullore (lat. Robinia viscosa, R. Glutinosa) akacie gjetherënëse, që rritet në lartësi duke formuar një kurorë të gjerë, të rrumbullakosur ose vezake, me degë pa gjemba në ngjyrë kafe në të kuqe e të mbuluara me qime ngjitëse, me gjethe vezake me maja të mprehta, të lëmuara, me ngjyrë të gjelbër të errët, me lule rozë të çelur në tufa dhe pa erë. Akacia e zezë (lat. Acacia melanoxylon) akacie e fortë me shtat të drejtë e të lartë dhe me gjelbërim të përhershëm, me kurorë vezake e piramidale, me lëkurë të hirtë të errët e me plasaritje vertikale, me gjethe me ngjyrë të gjelbër me shkëlqim, me lule të vogla të bardha rruzullore që lidhin fara të holla që varen në tufa.
✱Sin.: bagrem, çali, çeli, ferrëdeti, ferreckë, robinjë, rogovecë, rogoveckë, sallgam, sollkëm.
ALKEMÍL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bot. (lat. Alchemilla) Bimë zbukuruese me gjelbërim të përhershëm, që rritet buzë të pyjeve të lagështa, me gjethe të buta e të gjera me damarë të dallueshëm, me ngjyrë të hirtë në të gjelbër e me buzë të dhëmbëzuara mirë, që nxjerr lule të gjelbra kah e verdha dhe që shquhet për vetitë shëruese. Alkemila e alpeve. Alkemila shqiptare. Alkemila e verdhë.
ÁMB/ËR,~RAI f. 1. bot. (lat. Liquidambar styraciflua) Druri i rrëshirës së ëmbël, që rritet deri në 20-35 m, që ka gjethe me 5-7 lobe (si yll), ngjyrë jeshile gjatë verës dhe ngjyra shumë të ndezura në vjeshtë – nga e portokallta kah e kuqja e purpurt, me fruta në formë boçash me gjemba, të drunjta, që qëndrojnë në pemë edhe pasi bien gjethet, lëshon një lëng aromatik me ngjyrë të hirtë, të errët, që ka përdorime mjekësore dhe aromatike, qelibar.
2. Rrëshirë aromatike e ngurtësuar e disa drurëve halorë, me ngjyrë të verdhë në të kuqe a në të murrme, pothuaj e tejdukshme, e cila përdoret për të bërë sende të ndryshme zbukurimi ose si veçues në aparatet që punojnë me elektrik; qelibar. Ambër i verdhë (i kuq). Gur ambri. Shufër ambri. Rruaza ambri. Çibuk ambri. I verdhë (i kulluar) si ambër.
3. Rrëshirë aromatike që përdoret në ritualet shpirtërore dhe medituese në vendet e lindjes, në shumë kultura lindore dhe të lashta (hinduiste, budiste etj.), për të tymosur dhomat dhe për ta pirë bashkë me duhanin me qëllim qetësimi; temjan.
4. Lëndë e hirtë aromatike që gjendet në barkun (zorrët) e balenës.
✱Sin.: rrëshirë, qelibar, temjan.
ANASJÉLLË (i, e) mb. 1. Që ka rend ose drejtim të përkundërt me të parin ose me të zakonshmin, që është vënë në rend të përmbysur; ndodh në kah të kundërt me një tjetër; i përkundërt. Rend i anasjellë. Ndërtim i anasjellë. Strukturë e anasjellë.
2. mat. Që ka renditje të përmbysur të madhësive ose që ka drejtim të përkundërt të ndryshimit të madhësive; inversion, anastrofë. Numra të anasjellë numra, të cilët po të shumëzohen midis tyre japin Raport i anasjellë raporti në të cilin njëra madhësi rritet aq sa zvogëlohet madhësia tjetër.
✱Sin.: i anasjelltë, i përkundërt, i praptë, i prapmë, i prapsëm, inversiv.
ANATOMÍZ/ËM,~MI m., mjek. 1. Dija e anatomisë; përgatitje e lartë në dijen e anatomisë.
2. Zbërthimi dhe përshkrimi i hollësishëm i strukturës së brendshme të trupit; hulumtim anatomik. Anatomizëm i thelluar. Është i prirë kah anatomizmi.
3. fig. Prirje për analizim të hollësishëm i përbërësve të një ideje, të një teksti, të një ngjarjeje etj. Anatomizëm i tepruar. Anatomizmi si stil i autorit.
ANTILÓP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Antilope) Gjitar i egër ripërtypës i vendeve të Azisë e të Afrikës, me pamje e madhësi të ndryshme, me brirë të gjatë, me lëkurë me qime të shkurtra, me këmbë të gjata, që vrapon shumë shpejt. Kope antilopash. Këmbëshpejtë si antilopa. Çantë antilope.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje antilopash: Antilopa bricjape (lat. Capricornis sumatraensi) antilopë e zakonshme, gazelë. Antilopa bricjape japoneze (lat. Capricornis crispus) antilopë e ngjashme me dhinë, me brirë të gjatë e me lëkurë në ngjyrë kafe të errët a të hapët. Antilopa bridre (lat. Antilope cervicarpa) antilopë e ngjashme me drerin, me brirë të zgavruar, të drejtë ose të lakuar, me këmbë të gjata e të holla dhe me një tufë flokësh në bishtin e shkurtër. Antilopa bridredhur (lat. Tragelaphus strepsiceros) antilopë me trup të madh, me bisht të gjatë, me lëkurë në ngjyrë kafe a gri e kaltër në të kuqërremtë, me vija të bardha në trup. Antilopa brihollë (lat. Pelea capreolus) gazelë e vogël afrikane shumë e shpejtë dhe e shkathët, me lëkurë në ngjyrë gri të zbehtë në të kuqërremtë e me veshë të gjatë e të ngritur lart. Antilopa brikthyer (lat. Hippotragus niger) antilopë që jeton në savanet e Afrikës Jugore dhe të asaj Lindore, me kreshtë në pjesën e epërme të qafës, me brirë në formë unaze që shtrihen prapa në formën e një shpate. Antilopa brisfurk (lat. Antilocapra americana) antilopë bribardhë, që jeton në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Kanadasë dhe të Meksikës, me trup të trashë, me këmbë të gjata e të holla, me thundra të mprehta, që mund të kërcejë deri në tetë metër gjatësi, kur vrapon. Antilopa briunazë e malit (lat. Tragelaphus buxtoni) antilopë me gëzof të hirtë ngjyrë kafe, me dy deri në pesë shirita të bardhë në shpinë, në fytyrë, në fyt e në këmbë, me bisht të gjatë deri te thembrat, me veshë të mëdhenj shumë të ndjeshëm e me qime të bardha, që jeton në pyje të larta malore. Antilopa e butë (lat. Alcelaphus buselaphus) antilopë me lëkurë në ngjyrë kafe të errët te meshkujt e në ngjyrë kafe në të verdhë te femrat, me bisht të gjatë, që jeton në kope dhe ushqehet në mëngjes herët dhe në pasdite vonë. Antilopa e egër (lat. Connochaetes gnu) antilopë njëthundrake, me kokën si të demit e me trupin si kalit; gnuja, antilopa e zakonshme, antilopa afrikane. Antilopa e hirtë e vogël (lat. Raphicerus campestris) antilopë e vogël, me trup të hijshëm, me sy të vegjël, me lëkurë në ngjyrë gështenjë të zbehtë në pjesën shpinës e në ngjyrë të bardhë nga barku, me një njollë të bardhë në fyt dhe mbi sy. Antilopa jugafrikane (lat. Damaliscus lunatus lunatus) antilopë e madhe, me brirë të gjatë unazorë, me gëzof qimeshkurtër dhe të shndritshëm në ngjyrë kafe në të kuqërremtë, me bisht me tufë të zezë, me bark të bardhë, me këmbët e para dhe kofshët me njolla ngjyrë gri, vjollcë të errët ose të kaltër të mbyllët, me gjymtyrët e pasme ngjyrë kafe të verdhë, që jeton në tufa e ushqehet në kullota të hapura. Antilopa gjigante jugafrikane (lat. Taurotragus derbianus) antilopë shumë e madhe, me brirë të përdredhur. Antilopa e kaltër (lat. Boselaphus tragocamelus) antilopë trupmadhe e Azisë, me këmbë të holla, me shpinë të pjerrët, me qafë të thellë me një njollë të bardhë në fyt, me kreshtë të shkurtër e qime përgjatë qafës që përfundon në një tufë dhe me njolla të bardha në fytyrë, që vrapon duke galopuar. Antilopa e kallamishtes (lat. Redunca arundium) antilopë me gëzof të shndritshëm, me lëkurë në ngjyrë të hirtë kah e kafenjta, më e çelët në qafë dhe në kraharor e me barkun në ngjyrë të bardhë, me brirë të shtrembër (mashkulli) e pa prirë (femra); antilopa e kallamishtes malore. Antilopa katërbrirëshe (lat. Tetracerus quadricornis) antilopë e vogël me këmbë të holla dhe me bisht të shkurtër, me katër brirë të gjatë, që rri në tufa të vogla e që ushqehet me barishte, shkurre, gjethe, lule, fruta etj. Antilopa e kepit (lat. Taurotragus oryx) antilopë trupmadhe e fushave dhe e savaneve, që ushqehet kryesisht me bar dhe gjethe e jeton në tufa të mëdha. Antilopa e kënetave (lat. Tragelaphus spekei) antilopë me trup mesatar, me bisht të gjatë, me veshët si disk, me lëkurë në ngjyrë të kuqe dhe gështenjë me njolla të bardha në fyt, afër kokës dhe në gjoks. Antilopa kërcyese (lat. Aepyceros melampus) antilopë me trup mesatar, që rritet në Afrikën lindore dhe jugore, që është shumë e shkathët e që vrapon duke kërcyer. Antilopa larane (lat. Damaliscus dorcas) antilopë trupmesatare briunazore, e ngjashme me rinoqerontin e bardhë, me gëzof ngjyrëgështenjë ose të kafenjtë, me barkun të bardhë, me njolla të bardha te hunda, te sytë dhe midis brirëve, me feçkë katërkëndëshe. Antilopa e lumit (lat. Kobus ellipsiprymnus, Limnotragus silatunga) antilopë trupmadhe, që jeton në vise nënsahariane, me lëkurë në ngjyrë kafeje dhe të hirtë, me brirë të gjatë si spirale (vetëm mashkulli), që ushqehet në tufë e në kullosa pranë burimeve të ujit; dhia e ujit. Antilopa e vogël e malit (lat. Oreotragus oreotragus) antilopë e vogël, e fortë, e shkathët, me veshë të shkurtër të shënuar me ngjyrë të zezë, me mjekër të bardhë dhe me brirë të shkurtër me majë që i ka vetëm mashkulli. Antilopa mbretërore (lat. Neotragus pygmaeus) antilopë trupvogël, në madhësinë e një lepuri, me këmbë të gjata dhe të holla, me këmbët e pasme më të gjata se këmbët e parme, me gëzof të butë me ngjyrë të kuqërremtë dhe kafe në shpinë, me barkun e pjesën e brendshme të këmbëve në ngjyrë të bardhë, me një brez të kafenjtë që përshkon gjoksin e barkun dhe me brirë shumë të vegjël me ngjyrë të zezë të lëmuar në trajtë koni. Antilopa e ujit (lat. Kobus leche) antilopë truplartë e thundërgjerë, me gëzof në ngjyrë si thjerrëza e kuqe, të errët ose të zezë, me barkun të bardhë, brirët e mashkullit janë në trajtë spiraleje, me gjymtyrët e pasme më të gjata se të përparmet. Antilopa xhuxhe (lat. Madoqua) antilopë trupshkurtër, që jeton në vise malore në lartësi deri dy mijë metër në zonat e Afrikës lindore dhe jugore; antilopa mbretërore.
ANÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. Ai që anon nga njëra anë ose nga njëri krah, ai që përkulet nga një anë; i përkulshëm. Ishte anues. Anues kah këmba e djathtë.
2. fig. Ai që i mban krahun dikujt; ai që priret nga një anë në një diskutim, në një qëndrim etj.; anësues. Anues i padrejtë. Anues kah shumica.
✱Sin: hileqar, mashtrues.
ANÚES/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ajo që anon nga njëra anë ose nga njëri krah, ajo që përkulet nga një anë; i përkulshëm. Ishte anues. Anuese kah drita.
2. fig. Ajo që i mban krahun dikujt; ajo që priret nga një anë në një diskutim, në një qëndrim etj.; anësuese. Shquhet si anuese. Anuese kah pakica.
✱Sin.: hileqare, mashtruese.
ARPIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET tek. 1. Mjet ose pajisje teknike, që përdoret për të kapur, për të ngulur ose për të tërhequr objekte që përdoren në peshkim, në industri dhe në inxhinieri. Përdor arpion për të zënë peshq. Arpion për të tërhequr objekte.
2. Rrotë me dhëmbë e pajisur me sqep që e lejon të rrotullohet në një kah të caktuar. Arpion për të lëvizur materiale të rënda.
3. Sqep që shërben për shpëtimin e njerëzve në raste fatkeqësie. Arpion shpëtimi.
4. Gjemb, gjilpërë ose një mjet i ngjashëm që shërben për të mbërthyer dhe për të mbajtur diçka.
ARTÍZ/ËM,~MI m., art. 1. Mënyrë e shprehjes artistike, posaçërisht e shprehjes artistike-letrare, që është më shumë rezultat i mjeshtërisë dhe i njohjes sesa i dhuntisë (i talentit), i ndjesisë dhe i ndjeshmërisë artistike, prandaj shfrytëzon më shumë mjete të jashtme, si: fjalë, stilema e përftesa stilistike, figura e shprehje zbukuruese etj.; prirje e sforcuar kah forma e jashtme e veprës letrare; lojë fjalësh. Artizmi në letërsi (pikturë, skulpturë, muzikë etj.). Artizmi në realizëm. Funksioni i artizmit në arkitekturë. Artizmi francez.
2. Mënyrë e veçantë e shprehjes artistike, që shfrytëzon përbërës dhe elemente të reja tematike, lëndore, teknike, mjete të reja stilistike, përvoja të reja, edhe pamore, për të përçuar ndjenja, ide e mesazhe me qëllim krijimin e efekteve të larta emocionale te lexuesit, te shikuesit e te përjetuesit e krijimeve artistike; zotërim i lartë i teknikës dhe i anës formale të një arti (letrar, muzikor, figurativ, arkitekturor etj.). Artizëm i lartë. Artizëm i kritikuar.
ASPÍD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Aspida) Gjarpër helmues me kokë trekëndëshe, me dy dhëmbë në gojë, me bisht të shkurtër e trup ngjyrë të hirtë kah kafja ose me ngjyrë të errët, shpesh me lara zigzag në shpinë, që jeton në vise të ngrohta, në fusha, kodra shkëmbore dhe afër mureve e gropave, nepërkë. Helmi i aspidës. Fishkëllima e aspidës. Dhëmbët e aspidës.
2. fig. Grua e ligë, shpirtkeqe. U tregua aspidë e vërtetë.
AZIMÚT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. astr., gjeod. Këndi që formohet në pikën e vrojtimit ndërmjet rrafshit të meridianit dhe rrafshit pingul të trupit qiellor ose të sendit që vrojtohet. Azimuti i drejtimit. Azimuti i objektivit. Shënoj (mat) azimutin. Mat azimutin e yjeve. Azimuti i Diellit sot në mesditë ndodhet në jug. Studentët mësuan të llogarisin azimutin e objektivit.
2. gjeod., usht. Këndi horizontal që formohet ndërmjet drejtimit të një lëvizjeje të caktuar dhe drejtimit të veriut. Azimuti magnetik. Mat azimutin. Hedh azimutin në hartë. Përdor azimutin.
3. fig. Drejtimi që merr dikush ose diçka. Azimut strategjik. Zhvillimi i projektit mori azimut të ri.
✱Sin.: drejtim, orientim, kah, anë, rrymë, vijë, rrugë, ecuri.
DREJTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur drejtoj; vënia drejt e diçkaje të shtrembër, të lakuar, të përkulur a të kërrusur; rregullim i diçkaje të shtrembëruar. Drejtimi i trupit (i këmbës). Drejtimi i supeve. Drejtimi i shufrave (i telit). Drejtimi i syve vështrimi drejt përpara (për dikë që shikon shtrembër).
2. edhe fig. Pikë drejt së cilës shkon dikush a diçka; ana nga është kthyer diçka ose drejt së cilës lëviz diçka për të arritur në një vend; hapësira nga gjendet ose nga shkon dikush a diçka. Drejtimi i lëvizjes. Pa drejtim të caktuar pa adresë. Në drejtim të paditur. Në drejtim të veriut (të jugut). Drejtimi kryesor. Në drejtim të kundërt. Në drejtim të pyllit. Drejtimi i makinës. Drejtimi i lëvizjes (i forcës) (edhe fiz.). Me drejtim nga e djathta (nga e majta). Në disa drejtime. Në këtë (në atë) drejtim. Në çdo drejtim. Në të gjitha drejtimet. Top pa drejtim (sport.). Merr (ndjek) drejtimin. Ndërroi (ndryshoi, ktheu) drejtimin. Përcaktoi (humbi, ngatërroi) drejtimin. - Në ç’drejtim bie fshati? Shkon (lëviz) vetëm në një drejtim. Iku pa ndonjë drejtim.
3. Qëndrimi që ka ose që merr një trup, mënyra e vendosjes ose e qëndrimit të tij. Drejtim horizontal (i pingultë, i pjerrët). E vë në drejtim të murit. S’ka drejtim s'është drejt.
4. Ecuria që ndjek zhvillimi i diçkaje, vija a rruga e zhvillimit të një veprimtarie, të një dukurie etj.; synimi a qëllimi që ndjek dikush; prirja drejt një fushe të jetës. Me drejtim shkencor (mësimor). Me drejtim industrial (bujqësor, blegtoral).
5. Rrymë e caktuar në një fushë të jetës politike, shoqërore, mendore, kulturore, artistike etj.; parim drejtues politik, ideologjik, kulturor etj.; prirja drejt një rryme të caktuar filozofike. Drejtim ideologjik (filozofik, letrar, artistik).. Drejtim idealist (metafizik). Drejtim romantik (realist). Drejtim përparimtar (demokratik). Drejtimi letrar (i realizmit kritik, i klasicizmit).
6. Pikëpamje. Në këtë (në atë) drejtim. Shqyrtoj nga të gjitha drejtimet. Nga çdo drejtim që ta shohësh.
7. Detyrat a funksionet që i jepen dikujt për të drejtuar një veprimtari, njëkompani, një organizatë etj.; organi drejtues, udhëheqja. Është (punon) në drejtimin e koorporatës (të firmës, të biznesit, të kompanisë). I dhanë drejtimin artistik (teknik) të festivalit.
8. fig. Rruga e veprimeve ose e sjelljes së dikujt. Drejtim i mirë (i keq, i shtrembër). Mori drejtim të mirë. I dha një drejtim.
9. Emri e mbiemri dhe vendbanimi i marrësit a i dërguesit, që shënohen mbi një dërgesë postare ose që i jepen dikujt për ta ditur se ku të drejtohet; të dhënat për vendin ku gjendet një institucion etj.. Drejtimi i vjetër (i mëparshëm, i ri). Drejtimi i marrësit (i dërguesit). Jep (lë) drejtimin. Pa drejtim të caktuar. Mungon drejtimi. - Cili është drejtimi i tij (i saj)?
✱Sin.: shtrirje, zgjatje, rrafshim, kthim, sjellje, përqendrim, orientim, hedhje, kryesim, dirigjim, udhëheqje, qeverisje, komandim, kah, rreshtim, prirje, profil, rrugë, udhë, vijë, hulli, ravë, rrymë, këndvështrim, adresë.
♦ I jap drejtim (diçkaje) libr. e vë në rrugën e zgjidhjes; ia gjej zgjidhjen si t’ia bëjë; vendos, nuk lëkundem më për diçka.
NJËKÁHËSH,~E mb. Që është njëdrejtimësh; që shkon vetëm në një kah. Rrugë njëkahëshe. Qarkore njëkahëshe.
TATËPJÉTË ndajf. Në drejtim të pjerrët nga lart poshtë, në kah zbritës; teposhtë; tatëposhtë, poshtë; kund. përpjetë. Me kokë tatëpjetë. Iku (mori, bëri) tatëpjetë. Mos shiko (mos vështro) gjithnjë përpjetë, po shiko (vështro) edhe tatëpjetë. (fj. u.) kush çan përpara, duhet të shohë edhe rrugën që ka bërë, duhen nxjerrë gjithnjë mësime nga e kaluara, s'duhet harruar e kaluara.
✱Sin.: teposhtë tatëpjetë, tatëposhtë, poshtë.
♦ S’bën as *përpjetë e as tatëpjetë (dikush). Njëri *përpjetë e tjetri tatëpjetë. Shkon tatëpjetë (dikush a diçka) bëhet gjithnjë e më keq, shkon drejt një gjendjeje gjithnjë e më të rëndë; po humbet e po shkatërrohet; mori tatëpjetën; mori teposhtën; bën (shkon) poshtë; mori rrokullimën; shkon rrokullimë; kund. bën (shkon) përpjetë. E shkoj tatëpjetë (diçka) e pranoj a e duroj në heshtje diçka nga e keqja; e gëlltit, e kapërdij, e kapërcej nga zori.
TENDÉNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. 1. Drejtim që dikush e ndjek me paramendim në veprimet, në sjelljet, në mendimet e në pikëpamjet e tij. Tendenca politike (konservatore, intelektualiste, shoviniste, altruiste, lokaliste, reaksionare, përparimtare). Ka tendencë ka prirje. Çmimet kanë tendencë rritjeje. Tendencë e përgjithshme prirje e përgjithshme. Me tendencë qëllimisht, me dashakeqësi. Pyet me tendencë.
2. Prirje e evolucionit të diçkaje; drejtim që merr diçka gjatë lëvizjes ose gjatë zhvillimit; synim, kah, drejtim. Tendenca e zhvillimit. Tendenca rehatie (vetëkënaqësie). Tendenca e modës. Tendencat e muzikës (e letërsisë) bashkëkohore.
3. art. Përfundim, ku autori i një vepre artistike, sipas gjendjes klasore dhe ideologjisë së tij, synon të të shpjerë me anë të tablove të jetës e të karaktereve të paraqitura në këtë vepër. Tendencë përparimtare. Çdo veprim është bërë me tendencë.
✱Sin.: drejtim, kah, krah, prirje, trend, synim, përfundim.
TRÉND,~I m. sh. ~E, ~ET Prirje, drejtim a kah i zhvillimit të diçkaje. Trendi i ditës (i kohës).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë