Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AH,~UI m. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Fagus) Dru gjethor i pyjeve malore, me trung të trashë, me lëvore të lëmuar të bardheme ose ngjyrë mishi, lënda e të cilit përdoret për orendi, në ndërtim etj. Ah i bardhë (i kuq). Pyll ahu. Në hije të ahut. Gjethe ahu. Ah i ri. Dru ahu. Dyer ahu. Dërrasë ahu. Tryezë (dollap) ahu. Sharroj trungun e ahut.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje ahesh: Ahu amerikan ahu gjethemadh. Ahu i argjendtë (lat. Fagus menziesi, Nathofagus menziesi) ah me trung të trashë, me lëvore të lëmuar të bardheme, me gjethe të vogla, të trasha dhe thuajse të rrumbullakëta në çifte. Ahu evropian ahu i zakonshëm. Ahu i bardhë ahu damaror. Ahu bakëror ahu i purpurt. Ahu damaror (lat. Fagus nervosa, F. procera) ah me lëvore të hirtë, që plasaritet rreth moshës 25-vjeçare të saj, me kreshta të ngushta vertikale, me sytha të hollë e të gjatë konikë ngjyrë kafeje në të blertë me push në ngjyrë të kafenjtë, me gjedhe të bardheme si kurrizi i peshkut e pak të rrudhura midis damarëve kryesorë, me sytha të hollë e të gjatë konikë të kuq në të jeshilët, me gjethe qumështore, të rrumbullakosura në bazë e më pak në majë, që nxjerr me lule treshe kurorë. Ahu gjethemadh (lat. Fagus grandifolia) ah me lëvore të lëmuar me ngjyrë të blertë në të argjendtë, me sytha shumë të hollë dhe të gjatë, me gjethe të mëdha me bisht të shkurtër në ngjyrë të blertë në të errët, të thjeshta dhe të dhëmbëzuara, me lule të dy gjinive në të njëjtën pemë, që lidh fruta si një arrë të vogël të mbledhura në çifte në një shark me katër lobe me gjemba të butë. Ahu japonez (lat. Fagus japonica) ah me lëvore të lëmuar në ngjyrë të hirtë në të blertë, me gjethe të thjeshta vezake të blerta të ndërkëmbyeshme me mjaft damarë dhe me kërcell frutor të gjatë 3-4 cm, që kultivohet në malet e Japonisë, të Koresë etj.; ahu blu japonez, ahu i qenit. Ahu jugor (lat. Nothofagus) ah me lëkurë të ndritshme, me gjethe të dhëmbëzuara ose të plota, që lidh fruta si një arrë të vogël, të sheshtë ose trekëndore, në shark deri në shtatë kokrra, që gjen përdorim të gjerë në zdrukthëtari, në industrinë e letrës, në industrinë e bakrit etj. Ahu i kuq (lat. Fagus fusca, Nothofagus fusca) ah zbukurues, me gjelbërim të përhershëm, me lartësi mesatare deri 50 m e që këkon klimë të butë oqeanike, me kurorë ovale ose cilindrike në pjesën e sipërme, me gjethe të vogla vezake tringjyrëshe: në ngjyrë kuqe në të gjelbër kur janë të reja, në ngjyrë vjollcë kur rriten, që lidh fruta kubore me tri fara. Ahu lindor (lat. Fagus orientalis) ah gjetherënës me trung të trashë, me sytha të gjatë e të hollë, me gjethe të thjeshta dhe të plota e në skaje pak të dhëmbëzuara, me lule të vogla që lidh fruta si arra trekëndëshe të cilat piqen në vjeshtë. Ahu i malit (lat. Nothofagus solanderi cliffortoides) ah i pyjeve malore me gjelbërim të përhershëm që rritet në toka të thata e jopjellore, me lëvore të lëmuar ose me rrudha të imëta horizontale në ngjyrë hiri të errët, me bisqe të holla me qime të dendura në ngjyrë të kuqe në të errët, me sytha konikë të kuqërremtë, me gjethe të ndritshme vezake me majë të rrumbullakët, që lidh fruta me tri arra. Ahu mërsinor (lat. Fagus cunninshami, Nothofasus cunninghami) ah i fortë dhe i qëndrueshëm ndaj ngricave, që rritet në hije e në lugina me gjethe të vogla të thjeshta trekëndëshe e dhëmbëzore, të ndërkëmbyeshme e me ngjyrë të gjelbër në të errët, që pranverë marrin ngjyrë të theksuar të kuqe, rozë dhe portokalli, që lidh me fruta tri arra. Ahu i pjerrët (lat. Fagus obliqua, Nothofagus obliqua) ah malor gjetherënës i Amerikës Latine, me trung të trashë me lëvore të hirtë në ngjyrë kafe të errët, me gjethet që përdridhen mes damarëve dhe skajeve dhëmbëzore, me lulet të vogla të rrethuara me brakte të gjelbra, që përdoret në mobilieri, në ndërtimtari etj.; lisi patagonian. Ahu i praruar (lat. Fagus sylvatica zlatio) ah parku, me degëzime të ulëta, me kurorë rruzullore të hapur, që rritet në toka të pasura me humus me lëvore të butë e të lëmuar ngjyrë hiri, me gjethe të ndritshme vezake me ngjyrë të verdhë të lehtë dhe të artë në të gjelbër, që lidh arra të mëdha në një shark me qime. Ahu i purpurt (lat. Fagus sylvatica purpurea) ah me trung me lëvore të hollë, të lëmuar dhe në ngjyrë hiri, me sythat në ngjyrë të bakërt të ndërkëmbyeshme, me gjethe të kuqe në vjollcë që në vjeshtë kur ato marrin ngjyrë të bakërt; ahu bakëror. Ahu i qenit ahu japonez. Ahu i zakonshëm (lat. Fagus sylvatica) ah gjetherënës, i përhapur në pyje në Evropë, ah i zakonshëm me trung të trashë mbi një metër, me lëvore në ngjyrë hiri, të lëmuar dhe e hollë, me gjethet vezake e me lule me thekë në tufë. Ahu i zi (lat. Fagus solanderi) ah me shumë degë të holla, me lëvore në ngjyrë të hirtë të errët e të lëmueshme me rrudha të imëta horizontale, me bisqe të holla e të kuqe në të errët dhe me qime të dendura, me sytha konikë të kuqërremtë, me gjethe të gjelbra dyvjeçare vezake e me maja të rrumbullakëta, që lidh fruta zakonisht me tri fara e që rritet në toka të thata e më pak pjellore.
✱Sin.: drudet, fag, okshe.
♦ *Ashkë ahu (lisi, dushku). Prish një ah për një bisht kmese (dikush) iron. shih prish bucela (bute) e bën kënaçe (dikush).
AKÁCI/E,~A f. sh. ~E, ~ET bot. 1. (lat. Robinia pseudocacia) Dru bishtajor i vendeve të ngrohta, me lëvore të plasaritur, me gjemba, me gjethe vezake të renditura në të dy anët e një bishti të gjatë dhe që bën lule zakonisht të bardha, të grumbulluara në vile e me erë të mirë; driza e butë, akacia e rreme, druri i shitimit, ferra e detit, ferrana e jashtme. Akacie e bardhë (e verdhë). Pyll akaciesh. Lule akacieje.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloj akaciesh: Akacia e Arabisë (lat. Acacia arabica) akacie me gjelbërim të përhershëm e tokave të thata, me trung në ngjyrë të kuqe kah ngjyra e kafenjtë në të errët që lëshon rrëshirë, me kurorë të rrumbullakosur, me gjethe të vogla të gjelbra, me gjemba në bazë, me lule aromatike të verdha në të artë, që nxjerr si fryt një bishtajë të bardhë, të përdredhur e të varur, druri i së cilës është përdorur për vepra arti, për mobilie; gomë arabike, gomë indiane, akacia egjiptiane, pikantja e zezë, akacia me gjemba. Akacia e argjendtë (lat. Acacia podalyriifolia) akacie me prejardhje nga Australia, që rritet shpejt dhe kultivohet si bimë zbukuruese etj., me lëvore të lëmuar të hirtë e me degëza të mprehta leshtore të mbuluara me një shtresë pluhuri të bardhë të imët, që lulëzon gjatë gjithë vitit me tufa lule të arta të ndritshme; akacia margaritar, gardh argjendi. Akacia e artë (lat. Acacia pycnantha) akacie me gjelbërim të përhershëm, me lule të verdha të ndritshme, me bazë të gjerë rrënjore që nuk lejon erozionin, ndaj mbillet edhe në brigjet ranore, me lëvoren të pasur me tanin që përdoret në mjekësi dhe në industrinë farmaceutike. Akacia e bardhë (lat. Acacia decurrens, Mimosa decurrens) akacie me lëvore në ngjyrë të kafenjtë, të zezë ose të hirtë, me skaje ndërnyjore, me degë kreshtore të larta, me gjethe jeshile në të errët, me tufa lulesh rruzullore të arta e me fryt bishtajor me farëra ngjyrë kafeje. Akacia bregdetare (lat. Acacia sophorae) akacie e njohur si thurimë bregdetare zbukuruese, me trungun dhe me degët e poshtme nëpër tokë, me lule në ngjyrë të verdhë të ndezur që shfaqen si thumba të zgjatur në sqetullat e tyre, që lulëzon në fund të dimrit dhe në fillim të pranverës. Akacia degëgjatë (lat. Acacia coriacea) akacie me gjelbërim të përhershëm, me trung të trashë, që nxjerr gjethe të gjata e të ngushta, me lule të verdha të mbledhura në tufa rruzullore, me bishtajat të përdredhura të mbushura me fara të ngrënshme. Akacia dealbata (lat. Acacia dealbata) akacie, e njohur edhe si mimoza, që rritet shpejt në zonat e ngrohta mesdhetare dhe malore-tropikale në lartësi deri 30 m, me gjethe të gjata, të ndritshme dypalëshe, të gjelbra në të kaltër dhe të hirta kah e argjendta, me lule në vile të mëdha në ngjyrë të verdhë në të ndezur dhe me erë dehëse manushaqeje. Akacia e grathët (lat. Robini hispida, R. Fertilis) akacie gjetherënëse, me degë të dendura, që rritet në zona të thata, e përshtatshme për shartim, që lulëzon në pranverë dhe çel lule në tufa ngjyrë rozë të errët, me gjethe vezake në ngjyrë të gjelbër të lehtë, që përdoret dhe për gardhime parqesh. Akacia gjethebrisk (lat. Acacia cultriformis) akacie zbukuruese me gjelbërim të përhershëm, me gjethe trekëndore të mëdha dhe të mprehta me ngjyrë të gjelbër të hapët kah e hirta, me lule të vogla pa erë në tufë, që mund të kultivohet edhe në vazo parku. Akacia gjethedhertë (lat. Acacia homalophylla) akacie me gjelbërim të përhershëm, me trung të trashë të degëzuar me gjethe të ngushta, zakonisht të sheshta, me lëvore të ashpër të hirtë në të errët, me lule të verdha rruzullore që rritet në lartësi me kurorë të ngritur ose të zgjeruar, me degëza të reja të zhveshura ose me qime të lakuara, druri i së cilës është i fortë, aromatik që përdoret për të bërë shtiza. Akacia gjethegjatë (lat. Acacia longifolia, Mimosa longifolia) akacie mesdhetare që rritet anës lumenjve me lartësi mesatare, me trung të shkurtër dhe me kurorë pak të çrregullt, me lëvore ngjyrë hiri me pjesë të kuqërremta, me gjethe të ndërkëmbyeshme, të ngushta e të gjata, me lule erëmirë, rrënjët e së cilës pasurojnë tokën me azot. Akacia gjetheharpë (lat. Acacia harpophylla) akacie e lartë zbukuruese, me rrënjë të thella, me lëvore të fortë me hulli në ngjyrë të zezë, me degët këndore, me gjethe të rrejshme me damarë të shumtë dhe me lule tufore të gjata e të shtypura, me bishtaja të mbushura me fara gjatoshe, që kultivohet në toka bujqësore dhe në parqe tërheqëse. Akacia e Kaspikut (lat. Gleditsia caspica) akacie gjetherënëse me kurorë si formë kube, me trung me gjemba të rrezikshëm, me lastarë të rinj të lëmuar, me gjethe të mëdha vezake, buzore, me ngjyrë të gjelbër të lehtë, me lule të verdha e të gjelbra pothuajse pa kërcell, që lidh bishtaja të gjata si shpatë. Akacia leshtore (lat. Caragana jubata, Robinia jubata) akacie gjetherënëse, me degë të forta të mbuluara plotësisht me gjemba leshtorë, me gjethe të gjata shumëpalëshe, me kërcell të hollë me push e me majë si gjemb, me lulet të bardha, që lulëzojnë në prill e maj. Akacia e Meksikës së re (lat. Acacia neomexicana) akacie gjetherënëse, që rritet në toka të lagështa gëlqerore etj., me kurorë të hapur dhe të dendur, me bisqe njëvjeçare këndore, me gjethet të gjata me ngjyrë të gjelbër të ndezur, me lule të bardha erëmira dhe të pasura me nektar, bishtajat të gjata me ngjyrë kafeje, që lidh fara me vaj. Akacia qerthullore (lat. Acacia verticillata) akacie me gjemba gjetherënëse ose me gjelbërim të përhershëm e zonave të ngrohta bregdetare, me degë të larta me gjemba, me gjethe me ngjyrë të kaltër të gjelbër kah e hirta e argjendtë, që nxjerrin lëng të ëmbël që tërheq milingonat, bletët etj. Akacia e Siberisë akacia e verdhë. Akacia shelgore (lat. Acacia saligna) akacie me gjelbërim të përhershëm që rritet shpejt e kudo, me rrënjë të gjata dhe trung të trashë, me kurorë të gjerë, me, gjethe të gjelbra kaltëroshe si shtiza, që lidh fruta me një duzinë fara; mimoza blu, akacia blu. Akacia shkurre (lat. Acacia aneura) akacie si shkurre e vogël dhe e ulët, me rrënjë që depërtojnë thellë në tokë për të gjetur lagështi, me trung me gjethe të rrejshme me përmbajtje të lartë vaji. Akacia tregjembëshe (lat. Gleditsia triacanthus) akacie e lartë, me degë si një tendë e madhe, me trung të mbuluar me gjemba trepjesësh, me lëvoren me ngjyrë të hirtë kah e kafenjta, me gjethet të përbëra nga 15-30 fletëza të vogla vezake, me lule të vogla në tuba, të verdha të gjelbra erëmira e plot nektar, që lidh bishtaja të varura me fara të sheshta me ngjyrë të kuqe në të kafenjtë; glediçje. Akacia ujëse (lat. Gleditsia monosperma, G. aquatica) akacie shumë e lartë, me një kurorë të hapur e të gjerë, me degëza të holla me gjemba të dukshëm, me gjethe vezake, me lule të bardha në të gjelbër, me sytha të prerë anësorë dhe me lëvore të lëmuar e me njolla e thjerrëza të ndara; karkalec uji, karkalec kënetor. Akacia e varur (lat. Acacia pendula) akacie me lëvore të hirtë e gri, të plasaritur fort në trung, me degë me degëza të varura e të mbuluara me qime të shkurtra e të imta, me gjethe të rrejshme të ngushta vezake, të hirta të blerta. Akacia e verdhë (lat. Caragana arborescens, C. Fruticosa) akacie e lartë gjetherënëse, me pak fletë zakonisht të përbëra nga 4-6 palë kotiledone, me kërcell që përfundon në një shtyllë kurrizore, me bisqe të gjata e me degëzim të rrallë, me lulet të verdha, që shoqërohen nga gjethe të gjelbra të buta të ngjitura në një kërcell të hollë të varur; akacia siberiane. Akacia veshtullore (lat. Robinia viscosa, R. Glutinosa) akacie gjetherënëse, që rritet në lartësi duke formuar një kurorë të gjerë, të rrumbullakosur ose vezake, me degë pa gjemba në ngjyrë kafe në të kuqe e të mbuluara me qime ngjitëse, me gjethe vezake me maja të mprehta, të lëmuara, me ngjyrë të gjelbër të errët, me lule rozë të çelur në tufa dhe pa erë. Akacia e zezë (lat. Acacia melanoxylon) akacie e fortë me shtat të drejtë e të lartë dhe me gjelbërim të përhershëm, me kurorë vezake e piramidale, me lëkurë të hirtë të errët e me plasaritje vertikale, me gjethe me ngjyrë të gjelbër me shkëlqim, me lule të vogla të bardha rruzullore që lidhin fara të holla që varen në tufa.
✱Sin.: bagrem, çali, çeli, ferrëdeti, ferreckë, robinjë, rogovecë, rogoveckë, sallgam, sollkëm.
AKRÉP,~II m. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Euscorpius flavicandis, E. Italicus) Kafshë e vogël helmuese me ngjyrë të zezë, me këmbë nyja-nyja, me dy gëthapë përpara dhe me një thumb të përkulshëm nga pas; sfurkth, përçollak. Akrep i zi. Helmi i akrepit. Vaj akrepi bar që përgatitet me vaj e me helmin e akrepit dhe që përdoret në mjekësinë popullore. Fole akrepash. E hëngri (e pickoi) akrepi. E ka akrepin në xhep është koprrac, nuk i del gjë nga dora. M’u bë akrep m’u bë ferrë, s’e shoh dot me sy.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloj akrepash: Akrepi afrikan (lat. Pandinus imperator) akrep i madh helmues, i gjatë 20 cm, me ngjyrë të zezë të ndritshme, me katër palë këmbë në pjesën e përparme të trupit, me një palë nofulla si pinca të forta, me bisht me gjëndra helmuese, që jeton në pyjet e nxehta e me lagështi të Afrikës dhe që ushqehet me insekte; akrepi mbretëror. Akrepi i detit (lat. Taurulus bubalis, Cottus bubalis, Enophrys bubalis) lloj peshku kockor i detit, i mbuluar me gjemba dhe kreshta, me gjatësi deri 25 cm, me sy të mëdhenj ovalë, me pendë të mëdha e të gjera, me bisht të rrumbullakët, me ngjyrë që ndryshon, zakonisht me shirita ose njolla të errëta gri ose kafe, që ushqehet me molusqe, me gjarpërinj dhe me peshq. Akrepi fshikullor (lat. Uropygi) akrepi kamxhikor i ngjashëm me merimangën, me bisht të shkurtër, me gjashtë këmbë për të ecur, me dy këmbët e para me antena si organe shqisore, që ka një palë sy në pjesën e përparme të kokës dhe nga tre sy në secilën anë të saj. Akrepi i rremë (lat. Pseudoscorpion &: pseudoakrepi) insekti endemik i ngjashëm me akrepin, që ka dy këmbë si pincë, pa bisht, pa sy, me trup të oval, që është përshtatur për të jetuar në gropa, në shpella etj. Akrepi i shtëpisë (lat. Chelifer cancroides) akrep i rrejshëm, i padëmshëm për njerëzit, i gjatë prej 2,5-4,5 mm, me trup si lot e me bark të segmentuar në dymbëdhjetë pjesë. Akrepi tropikal (lat. Centuioides gracilis) akrep nyjor johelmues, me ngjyrë të kuqërremtë a të zezë, me ballë të kuqërremtë, kafe të errët, me këmbë të verdha dhe me bisht të kuqërremtë e të zi, që ushqehet natën me insekte të ndryshme; akrep i errët, akrep blu. Akrepi i ujit (lat. Nepa cinerea, N. Rubra) akrep që jeton në orizore a në ujërat e ëmbla, me trup vezak, me këmbët e përparme sulmuese, që ushqehet me rrënjët e orizit, me insekte dhe me vertebrorë të imtë ujorë dhe që jep një pickim të dhembshëm kur e ngacmon.
✱Sin.: sfurk, sfurkth, cfurkth, cukth, përçollak, grepi, grepç, hagrep, skarrivojë, skrapth, shkrap.
♦ M’u bë akrep (dikush) shih m’u bë ferrë (dikush). Ra nga akrepi në gjarpër (dikush) shih ra nga shiu në breshër (dikush). (Janë) si *gjarpri me akrepin.
AKTINÍD/Ë,~A f., bot. (lat. Actinidia) Bimë drunore gjetherënëse, kacavjerrëse, me gjethe të mëdha në formë zemre, të mbushura me qime të buta e të vendosura në mënyrë të ndërkëmbyeshme, me lëvore të hollë me push të imët në ngjyrë kafe e rrallë të gjelbër, me lule të bardha e erëkëndshme, që lidh fruta të shijshëm vezak me tul të gjelbër, të lëngshëm e me fara të zeza, që është shumë i pasur dhe me vitaminën C; kivi. Aktinida gjethedhëmbëzuar.
ANTENAGJÁT/Ë,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. 1. (lat. Cerambycidae) Kandërr me trup të vogël, me brirthët të gjatë e me krahët si me gjemb në majë, që dëmton bimët. Antenagjati i jonxhës. Antenagjati i fikut. Antenagjati aziatik. Antenagjati i bukur alpin.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje antenagjatësh: Antenagjati i mermë (lat. Aromia moschata) antenagjatë shumë i përhapur, që jeton në vende të lagështa, në brigje të lumenjve, në pyje të përmbytura, me trup me ngjyrë të gjelbër, blu, të zezë etj. Antenagjati i shtëpisë (lat. Hylotrupes bajulus) antenagjatë me trup ngjyrë kafe në të zezë dhe të mbushur me qime, i gjatë deri në njëzet centimetra, me brirthë të shkurtër; antenashkurtër.
ANTILÓP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Antilope) Gjitar i egër ripërtypës i vendeve të Azisë e të Afrikës, me pamje e madhësi të ndryshme, me brirë të gjatë, me lëkurë me qime të shkurtra, me këmbë të gjata, që vrapon shumë shpejt. Kope antilopash. Këmbëshpejtë si antilopa. Çantë antilope.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje antilopash: Antilopa bricjape (lat. Capricornis sumatraensi) antilopë e zakonshme, gazelë. Antilopa bricjape japoneze (lat. Capricornis crispus) antilopë e ngjashme me dhinë, me brirë të gjatë e me lëkurë në ngjyrë kafe të errët a të hapët. Antilopa bridre (lat. Antilope cervicarpa) antilopë e ngjashme me drerin, me brirë të zgavruar, të drejtë ose të lakuar, me këmbë të gjata e të holla dhe me një tufë flokësh në bishtin e shkurtër. Antilopa bridredhur (lat. Tragelaphus strepsiceros) antilopë me trup të madh, me bisht të gjatë, me lëkurë në ngjyrë kafe a gri e kaltër në të kuqërremtë, me vija të bardha në trup. Antilopa brihollë (lat. Pelea capreolus) gazelë e vogël afrikane shumë e shpejtë dhe e shkathët, me lëkurë në ngjyrë gri të zbehtë në të kuqërremtë e me veshë të gjatë e të ngritur lart. Antilopa brikthyer (lat. Hippotragus niger) antilopë që jeton në savanet e Afrikës Jugore dhe të asaj Lindore, me kreshtë në pjesën e epërme të qafës, me brirë në formë unaze që shtrihen prapa në formën e një shpate. Antilopa brisfurk (lat. Antilocapra americana) antilopë bribardhë, që jeton në perëndim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të Kanadasë dhe të Meksikës, me trup të trashë, me këmbë të gjata e të holla, me thundra të mprehta, që mund të kërcejë deri në tetë metër gjatësi, kur vrapon. Antilopa briunazë e malit (lat. Tragelaphus buxtoni) antilopë me gëzof të hirtë ngjyrë kafe, me dy deri në pesë shirita të bardhë në shpinë, në fytyrë, në fyt e në këmbë, me bisht të gjatë deri te thembrat, me veshë të mëdhenj shumë të ndjeshëm e me qime të bardha, që jeton në pyje të larta malore. Antilopa e butë (lat. Alcelaphus buselaphus) antilopë me lëkurë në ngjyrë kafe të errët te meshkujt e në ngjyrë kafe në të verdhë te femrat, me bisht të gjatë, që jeton në kope dhe ushqehet në mëngjes herët dhe në pasdite vonë. Antilopa e egër (lat. Connochaetes gnu) antilopë njëthundrake, me kokën si të demit e me trupin si kalit; gnuja, antilopa e zakonshme, antilopa afrikane. Antilopa e hirtë e vogël (lat. Raphicerus campestris) antilopë e vogël, me trup të hijshëm, me sy të vegjël, me lëkurë në ngjyrë gështenjë të zbehtë në pjesën shpinës e në ngjyrë të bardhë nga barku, me një njollë të bardhë në fyt dhe mbi sy. Antilopa jugafrikane (lat. Damaliscus lunatus lunatus) antilopë e madhe, me brirë të gjatë unazorë, me gëzof qimeshkurtër dhe të shndritshëm në ngjyrë kafe në të kuqërremtë, me bisht me tufë të zezë, me bark të bardhë, me këmbët e para dhe kofshët me njolla ngjyrë gri, vjollcë të errët ose të kaltër të mbyllët, me gjymtyrët e pasme ngjyrë kafe të verdhë, që jeton në tufa e ushqehet në kullota të hapura. Antilopa gjigante jugafrikane (lat. Taurotragus derbianus) antilopë shumë e madhe, me brirë të përdredhur. Antilopa e kaltër (lat. Boselaphus tragocamelus) antilopë trupmadhe e Azisë, me këmbë të holla, me shpinë të pjerrët, me qafë të thellë me një njollë të bardhë në fyt, me kreshtë të shkurtër e qime përgjatë qafës që përfundon në një tufë dhe me njolla të bardha në fytyrë, që vrapon duke galopuar. Antilopa e kallamishtes (lat. Redunca arundium) antilopë me gëzof të shndritshëm, me lëkurë në ngjyrë të hirtë kah e kafenjta, më e çelët në qafë dhe në kraharor e me barkun në ngjyrë të bardhë, me brirë të shtrembër (mashkulli) e pa prirë (femra); antilopa e kallamishtes malore. Antilopa katërbrirëshe (lat. Tetracerus quadricornis) antilopë e vogël me këmbë të holla dhe me bisht të shkurtër, me katër brirë të gjatë, që rri në tufa të vogla e që ushqehet me barishte, shkurre, gjethe, lule, fruta etj. Antilopa e kepit (lat. Taurotragus oryx) antilopë trupmadhe e fushave dhe e savaneve, që ushqehet kryesisht me bar dhe gjethe e jeton në tufa të mëdha. Antilopa e kënetave (lat. Tragelaphus spekei) antilopë me trup mesatar, me bisht të gjatë, me veshët si disk, me lëkurë në ngjyrë të kuqe dhe gështenjë me njolla të bardha në fyt, afër kokës dhe në gjoks. Antilopa kërcyese (lat. Aepyceros melampus) antilopë me trup mesatar, që rritet në Afrikën lindore dhe jugore, që është shumë e shkathët e që vrapon duke kërcyer. Antilopa larane (lat. Damaliscus dorcas) antilopë trupmesatare briunazore, e ngjashme me rinoqerontin e bardhë, me gëzof ngjyrëgështenjë ose të kafenjtë, me barkun të bardhë, me njolla të bardha te hunda, te sytë dhe midis brirëve, me feçkë katërkëndëshe. Antilopa e lumit (lat. Kobus ellipsiprymnus, Limnotragus silatunga) antilopë trupmadhe, që jeton në vise nënsahariane, me lëkurë në ngjyrë kafeje dhe të hirtë, me brirë të gjatë si spirale (vetëm mashkulli), që ushqehet në tufë e në kullosa pranë burimeve të ujit; dhia e ujit. Antilopa e vogël e malit (lat. Oreotragus oreotragus) antilopë e vogël, e fortë, e shkathët, me veshë të shkurtër të shënuar me ngjyrë të zezë, me mjekër të bardhë dhe me brirë të shkurtër me majë që i ka vetëm mashkulli. Antilopa mbretërore (lat. Neotragus pygmaeus) antilopë trupvogël, në madhësinë e një lepuri, me këmbë të gjata dhe të holla, me këmbët e pasme më të gjata se këmbët e parme, me gëzof të butë me ngjyrë të kuqërremtë dhe kafe në shpinë, me barkun e pjesën e brendshme të këmbëve në ngjyrë të bardhë, me një brez të kafenjtë që përshkon gjoksin e barkun dhe me brirë shumë të vegjël me ngjyrë të zezë të lëmuar në trajtë koni. Antilopa e ujit (lat. Kobus leche) antilopë truplartë e thundërgjerë, me gëzof në ngjyrë si thjerrëza e kuqe, të errët ose të zezë, me barkun të bardhë, brirët e mashkullit janë në trajtë spiraleje, me gjymtyrët e pasme më të gjata se të përparmet. Antilopa xhuxhe (lat. Madoqua) antilopë trupshkurtër, që jeton në vise malore në lartësi deri dy mijë metër në zonat e Afrikës lindore dhe jugore; antilopa mbretërore.
ARÁP/E,~JAII f. sh. ~E, ~ ET bot. (lat. Boletus aereus) Lloj kërpudhe me kapelë ngjyrë kafe të errët, pothuajse të zezë, fillimisht gjysmërrethore, më vonë e hapur, me sipërfaqe kadifeje të trashë dhe me mish të bardhë, të fortë, me buzë të palosura, me kërcell të fortë ngjyrë kafe, i trashë në pjesën e poshtme dhe i mbuluar me një rrjetë të bardhë, me shije dhe erë të këndshme barishteje, që rritet nga vera deri në fund të vjeshtës në pyjet gjetherënëse, në ato halore dhe në skajet e tyre në zonat fushore dhe kodrinore.
✱Sin.: arapeshkë, arapkije, arapkë.
ARÁPËS,~III m. sh. ~A, ~AT zool. (lat. Passer domesticus) Shpend i zakonshëm dhe i përhapur në gjithë botën, me gjatësi e peshë të vogël, me kokë e bark të hirtë, shpinë ngjyrë kafe me vija, krahë të rrumbullakët dhe bisht të shkurtër; harabeli fushor, zogu i çikave, zogu i gardhecit, zogu i kasharit, zogu i kotecit, zogu i malit, zogu i shtëpisë.
✱Sin.: harabel, trumcak, lepurek, murrak, murrash, rabec, rabeckë, spurdhiq, spurdhjakës, spurdhjak, strapac, xhaxhif, xhaxhimës, arravelë.
ARENIKÓL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT zool. (lat. Arenicola marina) Krimb i rërës i segmentuar, që shfaqet në grumbuj në zona të caktuara dhe gërmon rërën për të bërë strofullin e vet në formë të shkronjës J, që ka trup cilindrik, me ngjyrë kafe ose të kuqërremtë, me tentakula të vogla për thithjen e sedimentit të zallit; krimbi i detit.
ARÍ,~U m. sh. ~NJ, ~NJTË 1. zool. (lat. Ursus) Kafshë e egër gjitare, mishngrënëse, me trup të madh e të rëndë, të mbuluar me qime të ashpra, me ngjyrë të murrme a të bardhë. Ariu i murrmë. Ariu i bardhë. Ari pylli. Arinjtë e cirkut. Lëkurë ariu. Putër ariu. Ecën si ari ecën rëndë. Punon si ari punon fort.
2. fig., bised. Njeri i rëndë e i ngathët, por i fortë; njeri i pagdhendur, që sillet në mënyrë të vrazhdë.
3. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme arinjsh: Ariu amerikan (lat. Ursus americanus, Euarctos americanus) ariu i zi. Ariu i bardhë (lat. Ursus maritimus, Thalarctos maritimus) ari trupmadh me gëzof të bardhë që jeton në Polin e Veriut, që është përshtatur për të jetuar në mjedise të ashpra dhe me akull dhe që peshon prej treqind e pesëdhjetë deri shtatëqind kilogramë; ariu polar. Ariu i detit (lat. Enydra lutris) ari me gëzof të dendur e të butë me ngjyrë të kafenjtë, të hirtë ose të zezë, që jeton në ujërat e ftohta, që është i shoqërueshëm dhe përdor një varg tingujsh për të komunikuar; lundra e detit. Ariu i diellit ariu malajas. Ariu i Himalajeve ariu i kuq. Ariu i kuq (lat. Ursus arctos isabellinus) ari me gëzof në ngjyrë kafe, i përshtatur për të jetuar në mjediset e ashpra dhe të ndryshme të rajoneve malore, me trup të gjatë deri në dy metër dhe me peshë nga njëqind deri në dyqind kilogramë; ariu i Himalajeve. Ariu malajas (lat. Ursus malayanus, Helarctos malayanus) kafshë vetmitare, me gëzofin në ngjyrë të zezë a gri të errët, me një shenjë të bardhë karakteristike në gjoks në formën e shkronjës U ose të shkronjës V; ariu i diellit. Ariu i murrmë (lat. Ursus arctos) ari shumë i njohur, me ngjyrën e gëzofit nga e verdha e hapur deri në të kafenjtë të errët ose të zez,ë me gjatësia trupore dhe më pesha të ndryshme, që varen nga nënlloji dhe vendi i jetesës. Ariu panda (lat. Ailuropoda melanolleuca) ari bimëngrënës e rrallë mishngrënës, me gëzof me ngjyrë të zezë e të bardhë, me gjatësi trupore deri në dy metër, me peshë deri njëqind e njëzet e pesë kilogramë dhe që jeton në pyjet me bambu në malet e larta të Kinës. Ariu i përhimë (lat. Ursus arctos horribilis) ari u murrmë, që jeton në vetmi, me gjatësi që arrin deri në dy metër e gjysmë e me peshë deri në dyqind kilogramë. Ariu përtac (lat. Melursus ursinus) lloj i veçantë i arinjve që jeton në territorin indian dhe që peshon deri në njëqind e pesëdhjetë kilogramë, me gjatësi trupore deri në një metër e tetëdhjetë centimetër, që jeton në vetmi dhe ushqehet kryesisht me insekte, termite, milingona etj. Ariu polar ariu i bardhë. Ariu me syze (lat. Tremarctos ornatus) ari që jeton kryesisht në Amerikën e Jugut, me peshë deri në dyqind kilogramë, me gjatësi trupore deri në dy metër, me gëzof të zi ose ngjyrë kafeje të errët dhe me njolla të bardha ose të verdha rreth syve. Ariu i shpellave (lat. Ursus spelaeus) ari bimëngrënës me tru të madh, që ka jetuar në shpella në Evropë para mijëra vjetësh, me peshë deri në një mijë kilogramë. Ariu me xhep (lat. Phascolarctos cinereus) koalë. Ariu i zi aziatik (lat. Ursus thibetanus, Euarctos thibetanus) ari i murrmë e i zi me kraharor të bardhë, që jeton në disa pjesë të Azisë me trup mesatar, me shenjë të bardhë në kraharor në formën e shkronjës V, me kokë e madhe, me veshë të mëdhenj e me kthetra të forta e të mprehta. Ariu i zi (lat. Ursus americanus, Euarctos) ari me gëzof të zi, me gjatësi trupore deri në dy metër, me peshë deri në katërqind kilogramë, që jeton në pyje, në zona të mbrojtura dhe jo rrallë pranë vendbanimeve njerëzore.
✱Sin.: gojëkyçyr, gojëlidhur, tezë.
♦ Bën *gjumin e ariut (e arushës) (dikush). Hahet me ariun (dikush) është shumë i fortë dhe trim; ia shkul gjuhën ujkut. Ia heq *gjuhën ariut (dikush). Mban *shtegun e ariut (dikush) keq. *Pallë ariu thjeshligj. Pinë arinjtë, pinë dhe minjtë shaka. thuhet për ata që dehen shpejt, që pihen me një gotë raki; dehet pa pirë (dikush) iron. E tremb ariun me *shoshë (dikush) iron. I var *zilen ariut (dikush) shaka. E vranë ariun iron. iku ajo kohë, nuk është si më parë, nuk ka më të mira pa fund; ka kaluar ajo kohë kur e gjeje çdo gjë gati, s’ka më aq lehtë ose qyl; s’ka më qofte te daja iron; s’këndon më ajo qyqe.
ARKËKÓSH,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. (lat. Anadara corbuloides) Lloj molusku, butak i njohur për guaskën e tij me ngjyrë të bardhë ose kafe, të brinjëzuar, të trashë e të fortë, në trajtë barke, i cili jeton në dete të cekëta dhe ushqehet me mbetje të lëndëve organike ujore. Rëndësia ekologjike e arkëkoshëve. Guaska e arkëkoshit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë