Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BABÁ,~I m. sh. ~LLÁRË, ~LLÁRËT 1. Burri i martuar kundrejt fëmijëve të vet; burrë që ka ose që ka pasur fëmijë; atë. Babai dhe nëna. Baba e bir. Baba dëshmori. Emri i babait. Babai i kreshnikëve. Baba i gjetur burrë i nënës kundrejt fëmijës, që e ëma e ka lindur me burrë tjetër, njerk. Shtëpia (dera) e babait. U bë baba. Unë s’qava beharë, jo të qaj babanë. (fj. u.). Kur qava nënë e baba, pashë mik edhe vëlla. (fj. u.). Pyetën mushkën cilin ka baba, “Kam dajo kalin”, tha. (fj. u.). Culli me dy baballarë mbetet pa kësulë. (fj. u.).
2. vet. sh. Brezi i mëparshëm, paraardhësit, etërit, të parët. Varret e baballarëve tanë. Në gjurmët e baballarëve. Na e kanë lënë amanet baballarët.
3. vet. sh., vjet., iron. Paria e vendit që e mbante veten si ajka e shoqërisë. Hiqeshin si baballarët e kombit.
4. libr. Themeluesi i një fushe të dijes ose nismëtari a udhëheqësi kryesor i një veprimtarie ose i diçkaje tjetër. Babai i filozofisë (i mjekësisë). Herodoti është quajtur babai i historisë.
5. fet. I pari i një teqeje bektashinjsh. Babai i teqesë. Baba Sadiku.
6. vet. nj. Përdoret për vjehrrin (nga nusja e nga dhëndri) ose para emrit të një njeriu të moshuar, në shenjë nderimi. Baba Petroja.
7. bised. Përdoret për t'iu drejtuar bashkëbiseduesit në mënyrë familjare, të afrueshme e me përkëdheli.
✱Sin.: atë, tatë, lalë, babush.
♦ I bëhem *nënë e baba (dikujt). Bëmë baba të të ngjaj thuhet kur fëmija ngjan shumë me prindin në pamje, në sjellje etj.; dardha nën dardhë bie; hiq e vër atë vetë. Ca të babait e ca të njerkut shih ca të nënës e ca të njerkës. Eja (hajde) baba të të tregoj (të të rrëfej) arat (vreshtin)! iron. shih i tregon (i rrëfen) babait arat (dikush) iron. Ta ha babanë në *vesh (dikush). Me *kalin e babait shaka. Kërkon mushka babanë tall. thuhet për një njeri të drejtë e të çiltër, që s’di dredhi, që është i padjallëzuar; nuk di leqe (dikush); kund. ka lindur përpara shejtanit (dikush) keq. (Që) në *kohën e baba Qemos. Sikur të më ngjallet babai (nga varri) bet. kurrsesi, në asnjë mënyrë; edhe sikur nëna të më ngjallet; sikur edhe vëllai të më lindë! Për *shpirt të babait. I tregon (i rrëfen) babait arat (dikush) iron. i shpjegon një tjetri diçka që ai e di më mirë nga përvoja e vet; përpiqet t’i mësojë një gjë që ai e di më mirë dhe para tij; eja baba të të tregoj arat (vreshtin)! iron.; i shet kastraveca bostanxhiut! iron.; mëson veza pulën! iron.; unë në Stamboll, ti më tregon minaretë!
BALLÓR/E,~JAI f. sh. ~E, ~ET 1. Thurimë zakonisht me purteka e cila vihet para dhe pas qerres që të mos bjerë ngarkesa; lesë qerreje. Ballore kallamash. I vë qerres balloret.
2. BallëI, 2. Ballorja e shtëpisë.
3. Kësulë grash e qëndisur që mbulon edhe ballin, ballcë. Ballore prej bronzi. Zbukurohen me ballore.
BILBÍLTH,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. 1. (lat. Locustella luscinoides; Sylvia curruca) Zog shtegtar i përhimë, i viseve të ngrohta, që cicëron buzë mbrëmjes si cinxri. Bilbilthi këngëtar.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të këtij shpendi. Bilbilthi i kallamave (lat. Turdus scirpaceus) zog këngëtar shtegtar, me ngjyrë të përhime, që jeton në vise të buta, sidomos në kallamishte. Bilbilthi këngëtar (lat. Sylvia hortensis; Motacilla hortensis) zog këngëtar shtegtar, me ngjyrë të përhime, me sqep të gjatë e me këmbë të zeza, i përhapur në viset e buta mesdhetare e të Azisë Qendrore, që këndon bukur. Bilbilthi kokëzi (lat. Sylvia atricapilla) zog këngëtar shtegtar, me kësulë në ngjyrë të zezë, i përhapur në gjithë Evropën, në Azinë Perëndimore dhe në Afrikën Veriore, që këndon bukur e ngjashëm me bilbilthin këngëtar. Bilbilthi i kopshtit (lat. Sylvia borin; Sylvia simpleks) zog shtegtar, me bark të përhimë e me kurriz ngjyrë kafe, që jeton në vise të ngrohta e këndon më bukur se gjithë llojet e bilbilave; zogu i fikut. Bilbilthi me mustaqe (lat. Sylvia melanopogon; Acrocephalus melanopogon) zog këngëtar shtegtar, me kurrizin në ngjyrë kafe me vija të errëta dhe me barkun në ngjyrë kafe të çelët, që rri në kallamishte e në zhuka dhe këndon si bilbilthi i kallamishteve dhe ai i zhukave. Bilbilthi i përhimë (lat. Sylvia communis) zog këngëtar shtegtar, me ngjyrë të përhime (mashkulli me gushë të bardhë), që rron në vise të ngrohta të Evropës dhe të Azisë. Bilbilthi i ujit (lat. Acrocephalus paludicola; Sylvia paludicola) zog këngëtar, me ngjyrë të përhime (mashkulli me kurrizin në ngjyrë kafe me vija të errëta), që rron në vise të ngrohta të Evropës dhe të Azisë, në ligatina me bimësi të ulët. Bilbilthi i zakonshëm (lat. Sylvia curruca) zog shtegtar, mjaft i përhapur në viset e buta të Evropës dhe të Azisë Perëndimore e Qendrore, më i vogël se bilbilthi i përhimë, që këndon me cicërimë pa melodi. Bilbilthi i zhukave (lat. Acrocephalus schoenabaenus) zog këngëtar shtegtar, i përhapur në vise të buta, me kurrizin e krahët në ngjyrë kafe me vija të errëta, mashkulli i të cilit imiton këngët e zogjve të tjerë.
BLÉT/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Apis mellifica) Mizë me krahë, me trup të vogël e të murrmë, të mbuluar me push të verdhë, e cila mbledh nektarin dhe polenin e luleve dhe bën mjaltin e dyllin. Bashi i bletës ama e bletës, matka. Mizë blete. Mbretëresha e bletëve. Meshkujt e bletëve. Familje bletësh. Thumbi i bletës. Zgjua (koshere) bletësh. Hoje bletësh. Bar blete (bot.). Bukë blete pite dylli. Qumështi i bletëve lëng shumë i ushqyeshëm që nxjerrin bletët punëtore nga disa gjëndra të posaçme dhe që ua japin larvave të tyre. Lule blete (bot.). Zog blete (zool.). Rritja e bletëve. Zukasin bletët. Bletë e egër bletë e pazbutur ose bletë e ikur nga zgjoi që vendoset në ndonjë zgavër druri ose shkëmbi. Bletë mjaltëse bletë e zbutur që prodhon mjaltë dhe dyllë. Bletë punëtore bletë shterpë që mbledh ushqim dhe mirëmban zgjoin. Bletë bij, bletë, bij, / Hajde hyrë në zgjua të ri. (folk.). Ai që ka mizën në kësulë, ka vjedhur bletën. (fj. u). Miza nuk bëhet bletë. (fj. u). Edhe bleta është mizë, po bën mjaltë. (fj. u). Bleta, para se të bëjë mjaltin, bën dyllin. (fj. u.).
2. përmb. Tërësia e këtyre mizave që rrojnë si familje në një zgjua; zgjoi ku rrinë këto miza. Lëshon (roit, hedh) bleta. Pres (mbyt, vras, qeth) bletën. Gumëzhijnë si bleta. Vjen si bletë e plotë.
✱Sin.: mjalcë, mjaltëz, zgjua.
♦ Kur të bëhet grerëza bletë kurrë, asnjëherë; kur të bëhen dy ditë bashkë. Ia bëri bletë (dikujt) e trullosi, duke ia ngatërruar keq diçka; ia mori mendtë; ia bëri lëmsh. Bletë e plotë. 1. Plot, me të gjithë ata që duhen; së bashku dhe të pasur e të lumtur (për një familje etj.). 2. Me shumicë; me bollëk të mirash. Bletë shkëmbi njeri i padobishëm, që nuk jep fryte në punë; kalli pa bukë. Bletë e vjetër njeri me përvojë të madhe në jetë, njeri që vepron me maturi e pjekuri; (burrë) katërqind dërhemë. Bletë e vulosur njeri në gjendje shumë të mirë ekonomike, me shumë kamje, i pasur e i sigurt. Sa çon bleta me flatër shumë pak; sa mban miza me dy krahë; ç’mban gallofi me dy krahë. *Koshere (zgjua) bletësh. S’e marr arëzën për bletë s’e ngatërroj të ligun me të mirin; s’e marr të keqen për të mirë; nuk ma hedh dot dikush, nuk mashtrohem nga diçka; s’e ha (s’e marr) sapunin për djathë. Mbledh me *bar blete. *Zgjua (koshere) bletësh.
DAHÚK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT bised. 1. Diçka e gjatë dhe me majë; maja e diçkaje të gjatë. Dahuku i minaresë. Dahuku i kësulës.
2. Kësulë e gjatë e me majë; qeleshe. Dahuku i plakut.
3. Ka, cjap etj. me brirë të drejtë e të ngritur përpjetë.
✱Sin.: majë, kulm, kikë, skape, kulmar, feste, kësulë, qeleshe, plis, kapuç, qelepoçe.
DALLFÉS,~I m. sh. ~Ë, ~ËT etnogr. 1. Feste a kapuç me florinj, me temina a me gurë të çmuar, që vënë nuset në kokë. Dallfes për natën e Bajramit. - Sa hije të paska dallfesi! Rri mos qaj, moj lule, / Se dallfesin ta blej vetë. (folk.).
2. Kësula e dhëndrit. Dafes me zbukurime. Vë (heq) dafesin. Sa hije të paska dallfesi, / Si pashallarëve avdesi. (folk.).
3. etnogr. Fejesa e nuses me zbukurime, me feste me florinj e me temina a me gurë të çmuar.
✱Sin.: ballcë, ballore, feste, kapuç, kaçule, qeleshe, plis, kësulë, rrethatore, dahuk, mblesë, shkesë, shkuesi, mblesëri, fjalënuse, dorënuse, lajmësi.
DERVÍSH,~II m. sh. ~Ë, ~ËT [DERVÍSH,~II m. sh. ~LÉRË, ~LÉRËT]1. fet. Murg i sektit bektashian, që jeton e kryen shërbime fetare në një teqe. Si xhybja (si mjekra) e dervishit. Është bërë si dervish (shaka.) nuk është rruar e nuk është qethur prej kohësh, i është rritur mjekra shumë. Marifeti është të bësh xhaminë, pa dervishë gjen sa të duash. (fj. u.). S’ka kësmet dervishi të hajë lepur. (fj. u.).
2. bot. (lat. Phallus impudicus) Lloj kërpudhe me këmbë të gjatë e me kësulë të bardhë.
3. zool. (lat. Alauda cristata) Çafkëlore; laureshë. Fluturonin dervishët.
4. bot. (lat. Typha latifolia) Bimë shumëvjeçare e moçaleve dhe e ligatinave në vise me klimë të butë të gjysmësferës veriore, me kërcell deri një metër e gjysmë të lartë, me kalli të madh bojëkafe si kapuç dhe me një zgjatim si bisht në majë; kallam kënete.
5. Lloj misri me shumë mustaqe në kalli, misër mustaqemadh.
FÉST/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Kësulë prej cohe të bardhë, që e mbajnë kryesisht burrat; takije, fes, qeleshe (pjesë e veshjes sonë popullore). Hoqi festen dhe u përshëndet me të zotin e shtëpisë.
2. Kësulë a kapelë pa strehë, zakonisht prej cohe të kuqe dhe më e ngushtë në majë, e cila mbahet kryesisht nga burrat në disa vende të Lindjes së Afërme dhe të Afrikës Veriore. Miqtë kishin vënë feste me xhufkë.
✱Sin.: fes, kësulë, takije, qeleshe.
♦ E hedh (e vë) festen (*qeleshen, kapelën, kësulën, takijen) mënjanë. E hedh (e vë) festen (qeleshen, kapelën, kësulën, takijen) mbi *sy. I ka mendtë në *tufë të festes (dikush). Sipas *kokës i vënë festen (dikujt). Më vjen (më sillet) festja (takija) *rrotull. Më vjen (më sillet) festja (takija) *vërdallë. Djali pa lerë e festja (djepi) blerë. Peshku në det e tigani në zjarr. E ka mizën nën feste (kësulë, shapkë) ka frikë se mos i zbulohet faji që ka bërë, e ndien veten fajtor dhe rri i shqetësuar. I ka trutë në majë të festes është mendjelehtë, i fluturon mendja.
HARABÉL,~I m. sh. ~A, ~AT zool. (lat. Passer domesticus, fringilla domestica) 1. Zog i vogël, me pendët e kokës e të shpinës ngjyrë kafe dhe ato të pjesës së poshtme ngjyrë hiri të ndritëshme, me sqep të madh e me këmbë të shkurtra, që jeton në tufë zakonisht pranë qendrave të banuara dhe që ushqehet kryesisht me drithë; trumcak. Harabel misri. Tufë harabelash. Si sqep harabeli.
2. zool. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të harabelave. Harabeli bishthollë (lat. Ammodramus caudatus) lloj harabelash që jetojnë në habitatin e kullotave. Harabeli i bjeshkës (lat. Spizella taverneri) harabeli që jeton në bjeshkë. Harabeli bregdetar (lat. Ammodramus maritimus) harabel i madh e i errët, me sqep të gjatë, bisht të shkurtër e të mprehtë, që banon nëpër këneta dhe ujërave të kripura. Harabeli i dhelprës (lat. Passerella iliaca) harabel i madh, me bisht të gjatë dhe sqep dyngjyrësh, të verdhë të errët dhe të zbehtë, bisht të kuq ose të ndryshkur, me gjoks të bardhë me njolla. Harabeli i fushës (lat. Passer, Spizella pusilla) harabel i vogël, me pendë ngjyrë gri ose në përgjithësi me ngjyrë të kuqërremtë, me sqep të vogël ngjyrë rozë, që jeton në fusha dhe zona të tjera me shkurre. Harabeli i gurëve (lat. Petronia petronia) harabel me trup të fryrë, me vija të dendura, me njollë të verdhë në fyt, me sqep të forte, që shihet rrallë në fusha. Harabeli gushëbardhë (lat. Zonotrichia albicollis) harabel me fyt të bardhë, me sqep të errët, këmbë rozë dhe me kurorë të bardhë. Haraberli gushëzi (lat. Amphispiza bilineala) harabel me fyt të zi, me trup ngjyrë gri të zbehtë, me një model dallues të kokës bardhë e zi, që ushqehet kryesisht me insekte dhe fara dhe shtegton në grupe të vogla. Harabeli i heshtur (lat. Arremon taciturnus) harabel me nofull të verdhë që jeton në pyje të ulëta me lagështi. Harabeli këngëtar (lat. Melospiza melodia) harabel i zakonshëm, mjaft i madh, me një bisht të gjatë dhe të rrumbullakosur, me pendë me vijëzime ngjyrash gri dhe kafe, zakonisht me krahë dhe bisht më shumë kafe të kuqërremtë. Harabeli krahëkuq (lat. Aimophila carpalis) harabel gri, me bisht të gjatë e shpinë bojëkafe, mesatarisht i vogël, me krahë të kuq dhe bark ngjyrë gri të zbehtë. Harabeli krahëpraruar (lat. Arremon schlegeli) harabel i bukur me kokë të zezë si helmetë, me sqep të verdhë të ndezur, me fyt dhe pjesë të poshtme të bardhë, kësulë gri të çelët, shpinë të verdhë në jeshile, krahë dhe bisht gri dhe shpatulla të arta. Harabeli i kuqërremë (lat. Aimophila rufescens) harabel mjaft i madh, me sqep të madh, i zi sipër dhe gri-blu poshtë, që jeton në kodra të ulëta, në malësi, në pyje me shkurre etj. Harabeli i shkretëtirës (lat. Passer simplex) harabel i vogël, me ngjyrë të zbehtë të puplave, me vija të zeza para syve me njolla të mëdha të bardha në krahë, që gjendet në habitate ranore dhe të thata. Harabeli i tokës veshbardhë (lat. Melozone leucotis) harabel i madh me model të habitshëm koke, me njolla të mëdha të bardha në fytyrë dhe njolla të verdha në qafë, që preferon plantacionet e kafesë.
3. fig., mospërf. Njeri mendjelehtë.
✱Sin.: trumcak, rabeckë, murrak.
KAPÉL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT [KAPÉL/E, ~JA f. sh. ~E, ~ET] 1. Mbulesë me strehë për të mbrojtur kokën, e bërë prej stofi, prej kashte etj.; kësulë, shapkë, kapë. Kapelë stofi (kashte). Kapelë burrash (grash). Kapelë verore. Kapelë republikë lloj kapele e rrumbullakët, zakonisht prej stofi. Vë (heq) kapelën.
2. Diçka që ka trajtën e kësaj mbulese të kokës; kësulë. Kapelja e kërpudhës.
✱Sin.: kapë, kapelë, kësulë, shapkë, kasketë, feste, qeleshe, takije.
♦ I doli *miza në kapele (dikujt). E hedh (e vë) kapelën (qeleshen, festen, kësulën, takijen) *mënjanë. E hedh (e vë) kapelën (qeleshen, festen, kësulën, takijen) mbi *sy. I heq kapelen (shapkën) (dikujt) e nderoj dikë veçanërisht për një punë të madhe e të rëndësishme që ka bërë, për meritat e aftësitë që ka etj., i përulem si e meriton; i lëshoj vendin; i shtrëngoj dorën; i pi dollinë. E ka vënë kapelën *së prapi (dikush) keq.
KAPÚÇ,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Kapë a kësulë pa strehë, zakonisht e thurur me fije leshi, që mbahet në dimër për t’u mbrojtur nga të ftohtët. Vuri (veshi) kapuçin.
2. Qeleshe. Kapuç i bardhë.
3. Kësulë e qepur në jakën e një mushamaje, të një gune etj., që shërben për të mbrojtur kokën nga shiu, nga era etj. Ngriti (vuri) kapuçin, sepse filloi shiu.
4. Mbulesë e diçkaje në trajtën e kësulës. Kapuçi i cigares.
5. Pupagjel, pufkë.
✱Sin.: qeleshe, jakëz, jakuce, pupagjel, pufkë.
♦ I është bërë kapuç me *hi (dikujt). Më doli kapuç në mëngë (diçka) s’më vajti mbarë; më dështoi një punë, se s’qe menduar mirë; më doli tjetër për tjetër; doli ndryshe nga sa e prisja; më doli gorricë (diçka). Më ka ikur kapuçi (plisi) *përmbas. E kam *lule në kapuç (dikë). I lutem me kapuç në dorë (dikujt) i lutem shumë; i bëhem qen e mace; i puth këmbët; i puth bythën përb. vulg. E vuri kapuçin në një *anë (dikush).
KÁP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. bised. Kapelë, shapkë, kasketë. Vë kapën në kokë.
2. Grumbull a stivë sendesh njëri mbi tjetrin; kapicë, kapule. Kapë duajsh (bari). Kapë rrobash.
3. si ndajf. Në trajtën e një kapeleje a kapuleje. I vuri kapë gurët (tullat).
✱Sin.: kapelë, shapkë, kësulë, kasketë, kapicë, kipi, kapule.
♦ I ka dalë *mendja mbi kapë (dikujt) keq.
KËRPÚDH/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. bot. (lat. Fungus) Bimë e tultë dhe pa klorofil me një kësulë si ombrellë, që shumëzohet me spore dhe rritet nëpër livadhe a pyje. Kërpudhë e ngrënshme kuqëlore, kësulëkuqe. Kërpudha të thara. Kërpudhë qeni (gjarpri, e helmët) kërpudhë që nuk hahet. Kërpudhë dashe kërpudhë në ngjyrë trëndafili a rozë; kuqëlore. Këmba (kësula) e kërpudhës. Mbledh (ziej, fërgoj, pjek) kërpudha.
2. bot. Tumor a mikroorganizëm parazitar, që zhvillohet nga lagështira e tepërt kryesisht në trupin e bimëve, të drithërave etj.; myshk. Kërpudha e grurit. Kërpudha e thekrës.
3. mjek. Sëmundja e rëndë ose kanceri që shfaqet në organizmin e njeriut dhe të kafshëve frymore.
4. në sh. Emërtim i përgjithshëm për të gjitha llojet e bimëve barishtore që shumëzohen me spore. Kafshët ushqehen edhe me kërpudha.
✱Sin.: kuqëlore, myshk, myk, tumor, ndryshk.
♦ Kërpudha pas shiut mospërf. diçka me shumicë, që vjen menjëherë e me bollëk; kërminj pas shiut.
KËSÚL/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Kapelë pa strehë prej pëlhure, prej shajaku etj. Kësula e bardhë prej pëlhure e mjekut. Kësulë kadifeje.
2. Diçka e ngjashme në trajtën e kësaj kapele. Kësula e kërpudhës (bot). Kësulë sferike (gjeom.) secila prej dy pjesëve të barabarta të një sfere që janë prerë në mes nga një rrafsh.
3. Lojë fëmijësh me disa kapela, të cilët përpiqen të gjejnë se në cilën kapelë është fshehur një send me vlerë. Luajmë kësulën.
✱Sin.: kapelë, kasketë, qeleshe, kapë, feste, takije.
♦ I djeg kësula (dikujt) shih e ka mizën nën kësulë (dikush). E hedh (e vë) kësulën (qeleshen, festen, kapelën, takijen) *mënjanë. E hedh (e vë) kësulën (qeleshen, festen, kapelen, takijen) mbi *sy. I ka hipur *mendja mbi kësulë (dikujt). E ka mendjen në *majë të kësulës (të qeleshes) (dikush). Ka *mizën nën kësulë (dikush).
KËSULËBÁRDHË mb. Që mban kësulë të bardhë, me kësulë të bardhë. Mjek kësulëbardhë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë