Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HARBÚAR (i, e) mb., bised. 1. keq. Që është harbuar dhe bredh pa fre poshtë e lart; bredharak. Njeri i harbuar.
2. Që është harlisur. Bimë e harbuar. Duhan i harbuar.
3. fig., keq. Që është i papërmbajtur dhe si i tërbuar; i tërbuar. Kalë (mëz, ka) i harbuar. Pelë (mushkë) e harbuar. Det (lumë) i harbuar.
4. fig., keq. Që është bërë i papërmbajtur, që s'u vë fre ndjenjave, dëshirave e epsheve; i shthurur e i dhënë pas qejfeve. Njeri (djalë) i harbuar. Grua e harbuar.
✱Sin.: bredharak, i lëvizshëm, i harlisur, i azdisur, i tërbuar, i egërsuar, i shfrenuar, i hardallosur, i papërmbajtur, i shthurur, i kërthndezur, i hedhur, bishtpërdredhur.
KËRTHNDÉZUR (i, e) mb. Që është kërthndezur; i harlisur. Djalë i kërthndezur. Lule (bimë) e kërthndezur.
✱Sin.: i rinuar, i harbuar, i përtërirë, i harlisur, i këndellur.
KËRTHNDÉZËT (i, e) mb. I kërthndezur.
PËRTËRÍRË (i, e) mb. 1. Që është përtërirë; i rinuar. Plak i përtërirë. Natyrë e përtërirë.
2. fig. Që ka fituar forca të reja, i gjallëruar. Me shpirt të përtërirë. Me vëmendje të përtërirë.
3. Që del përsëri, që rishfaqet, që përsëritet. Bari i ripërtërirë. Hënë e përtërirë.
4. Me një pamje të re më të mirë. Fushat dukeshin të përtërira.
✱Sin.: i përtëritur, i ripërtërirë, i rinuar, i ringjallur, i gjallëruar, i ri, i këndellur, i kërthndezur, i freskët, i gjallë, i shëndoshur.
SHËNDÓSHË (i, e) mb. 1. Që ndihet a ka shëndet të plotë, që nuk vuan nga ndonjë sëmundje apo ndonjë lëndim, që është i fortë nga trupi (për qeniet e gjalla dhe për organet e tyre); kund. i sëmurë. Fëmijë i shëndoshë. Fizik i shëndoshë. Mëlçi e shëndoshë. Dhëmbë të shëndoshë. Mendje e shëndoshë në trup të shëndoshë. (fj. u.).
2. Që është i mbushur në trup, i bëshëm; që ka shtuar peshë, i dhjamosur. Djalë i shëndoshë. Vajzë e shëndoshë. Me krahë të shëndoshë.
3. Që është i paprekur nga ndonjë sëmundje, i padëmtuar, i rritur e i zhvilluar mirë (për bimët); që jep prodhim. Ullinj të shëndoshë. Perime të shëndosha. Filiza të shëndoshë. Fruta të shëndosha. Farë e shëndoshë. Tokë e shëndoshë.
4. Që është i fortë, që mban, që nuk thyhet a nuk prishet lehtë, i fortë, i qëndrueshëm; kund. i dobët. Trup (peme) i shëndoshë. Rrënjë lisi të shëndosha. Tra i shëndoshë. Themele të shëndosha. Orendi të shëndosha.
5. fig. Që mbështetet në të dhëna e në parime të drejta, që i qëndron kohës, i fortë, i drejtë. Besim i shëndoshë. Pozitë e shëndoshë. Ekonomi e shëndoshë. Rini e shëndoshë. Miqësi (dashuri) e shëndoshë. Lidhje të shëndosha. Familje e shëndoshë.
6. fig. Që ka themel të thellë e të sigurt, me baza; i fituar pas një pune a studimi të gjatë dhe i provuar në jetë; që nuk lëkundet lehtë, i palëkundur. Arsimim i shëndoshë. Edukim i shëndoshë. Formim i shëndoshë. Drejtim i shëndoshë. Zgjidhje (mendime) të shëndosha. Parime të shëndosha. Traditë e shëndoshë.
7. fig. Që është i drejtë, i arsyeshëm, i mbështetur në fakte e në prova, i bazuar; i fortë, i thellë; që është i aftë të gjykojë mirë e drejt. Logjikë e shëndoshë. Proces i shëndoshë. Mendje e shëndoshë. Argument (gjykim, mendim) i shëndoshë. Kritikë e shëndoshë. Vendim i shëndoshë. Vlerësim i shëndoshë.
8. fig. Që ngrihet mbi parime të drejta, që u qëndron besnik këtyre parimeve; që shtron dhe zgjidh drejt probleme të rëndësishme të kohës. Administratë e shëndoshë. Grup i shëndoshë. Përbërje e shëndoshë. Qeverisje e shëndoshë. Frymë e shëndoshë. Brumë i shëndoshë. Pjesa më e shëndoshë e shoqërisë.
9. Që është shumë i fortë, që bëhet me gjithë fuqinë, i fuqishëm. Gjuajtje (goditje) e shëndoshë. Shkelmim i shëndoshë. I dha një dackë të shëndoshë. Hëngri një dru të shëndoshë e rrahën shumë.
10. fig., bised. Që e ruan të plotë e të pandryshuar vlerën e saj në një kohë të caktuar, që ka qëndrueshmëri, që ka fuqi blerëse të madhe (për monedhën), e fortë, e qëndrueshme. Euroja është e shëndoshë. Sistem monetar i shëndoshë. Dollari ka qenë i shëndoshë gjatë kësaj periudhe.
11. Që është pa hile; kund. mashtrues. Mos dysho tek ai se është i shëndoshë dhe nuk ka hile. Djalë i shëndoshë e i pastër.
✱Sin.: i shëndetshëm, faqembushur, faqerrumbullak, qyp, qafëderr, qafëtrashë, qafëshkurtër, i ngjallur, i dhjamur, i dhjamosur, i mbushur, i bëshëm, dërdëng, i ngjeshur, i plotë, topolak, trupmbushur, shishman, i kërthndezur, sakllam, i majmë, i majmur, i plotë, i rrumbullakët, i fryrë, bullafiq, topç.
SHËNDÓSHË,~A (e) f. sh. ~A, ~AT (të) Ajo që ndihet e shëndetshme a që është shëruar nga ndonjë sëmundje; ajo që është e mbushur në trup. E shëndosha flinte gjithë ditën. E shëndosha nuk ngopej me ushqimin.
✱Sin.: e shëndetshme, faqembushur, faqerrumbullake, qype, e dhjamur, e dhjamosur, e mbushur, e bëshme, e ngjeshur, e plotë, topolake, trupmbushur, shishmane, e kërthndezur, sakllame, e majmë, e majmur, e plotë, e rrumbullakët, e fryrë, bullafiqe, topçe.
♦ I dha (i hoqi) një *dru (një hu) të shëndoshë (të mirë) (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë