Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DYSTABÁN,~E mb., bised. 1. Që nuk ka urë (për këmbën); që i ka shputat e këmbëve të sheshta, këmbësheshtë (për njeriun). Këmbë dystabane. Njeri dystaban.
2. Që e ka tabanin të sheshtë, i sheshtë (për këpucë). Këpucë dystabane.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimit 1 të mbiemrit. Këpucë (atlete) për dystabanët (për dystabanet).
TABÁN,~II m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Shtresë dheu nën pjesën e shkrifët e të butë të tokës; tokë e fortë dhe e ngjeshur që përbën themelin e një ndërtese; capë, truall. Taban i fortë. Tabani i tokës (i lumit, i pusit, i kanalit). Hapën tabanët e themeleve. Shtëpi me taban shtëpi përdhese pa dysheme, shtëpi që ka si dysheme truallin. Tokë me taban të thellë (të cekët). E punuan tokën deri në taban. Tokë pa taban tokë që është e paqëndrueshme, tokë që rrëshqet. Mos ndërtoni në atë brinjë se është tokë pa taban. Taban kanali (bujq.) bazë e kanalit nëpër të cilën rrjedh uji, që ndërtohet pingul me kanalin shkarkues.
2. fig. Truall mbi të cilin lind, krijohet, ngrihet a mbështetet diçka, mbështetje e fortë dhe e sigurt. Tabani kombëtar. I ka rrënjët në tabanin popullor.
3. anat. Shputë e këmbës, shuall i këmbës, patomë. Këmbë me taban të sheshtë dystaban, këmbësheshtë. Tabanët e këmbëve. Më përvëlojnë (më dhembin, më djegin) tabanët. Shkel me taban. Shpoi tabanët, ngaqë ecte zbathur.
4. Pjesë e këpucës ku mbështetet shputa e këmbës; shuall që i vihet këpucës nga poshtë. Taban i sheshtë. Tabanët e këpucëve. Shket me taban. I ranë tabanët. I ishin ngrënë tabanët e këpucëve. U hedh këpucëve tabanë të rinj.
5. Kapak i kokës, but, shesh i kokës. E goditi (e qëlloi, i ra) në taban. I kishte rënë flaku në taban.
6. det. Kallumë barke. Rregulluan tabanin e barkës.
7. bised. Qytë e pushkës. Tabani i pushkës. Ushtari e goditi (i ra) me taban.
8. ndërt. Tra i trashë i çatisë mbi të cilin mbështeten trarët e tjerë. Hodhi (vuri) tabanët e shtëpisë. Taban i dyshemesë tra kryesor që vihet kryq në radhën e trarëve dhe që shërben si mbështetje e tyre; kryetra.
9. Qerpiç i gjatë i qemerit të furrës së kaminës.
✱Sin.: capë, truall, shuall, shputë, patomë, pllaz, çafkë, çaçkë, but, qytë, kallumë, tra, kryetra, qerpiç.
♦ Më iku (më luajti) tabani (*kapaku) i kokës. I nxori tabanin (diçkaje). 1. E mbaroi diçka, e hëngri a e piu krejt, s’la asnjë grimë a asnjë pikë; i nxori (i gjeti) fundin. 2. I shkoi deri në fund diçkaje, e zbuloi me themel; e shqyrtoi diçka mirë, e njohu me rrënjë, e pa thellë; i nxori (i zbuloi) rrënjët; i shkoi (iu fut) në taban; i nxori ujët. I puth tabanin (dikujt) vjet. i përulem, e nderoj me përulësi dikë. I shkoi (iu fut) në taban (diçkaje) shih i nxori tabanin2 (diçkaje).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë