Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMBÍCI/E,~A f. sh. ~E, ~ET libr. 1. Dëshirë e fortë dhe synim këmbëngulës për të bërë diçka me vlerë, që të ngre në sytë e të tjerëve dhe të shtyn përpara. Kam ambicie. Ajo ka shumë ambicie. Ambicie reale. Ambicia do përkushtim. Mungesë e ambicies. Ambicie pushtuese.
2. keq. Dëshirë e fortë dhe synim këmbëngulës për të arritur diçka të madhe, për t’u dalluar, ose për të pasur sukses në një fushë të caktuar, për lavdi personale, për pushtet, për famë, për suksese, për ngritje në karrierë; synim për të dalë me çdo mënyrë mbi të tjerët në përpjekjet për të arritur një qëllim të caktuar. Ambicie e sëmurë. Ngjall ambicien. Kënaq ambiciet e dikujt.
✱Sin.: mëtesë, mëtim, mësim, synim, pretendim.
AMBICIÓZ,~E mb., libr. Që ka ambicie të madhe, vendosmëri, përkushtim për të arritur sukses, pushtet, pozitë, njohje apo qëllime të larta, që ushqen ambicie të sëmurë; që shtyhet a që niset nga një ambicie. Njeri ambicioz. Plane (qëllime, dëshira) ambicioze. Me shpirt ambicioz.
✱Sin.: mëtues, synues, pretendues, këmbëngulës, i vendosur, lakmues, lakmitar.
BARRÁSH,~E mb. 1. Që është i përgjegjshëm për ato që thotë a që bën, që mban përgjegjësi duke i peshuar mirë gjërat sipas fuqisë së vet; i vetëdijshëm. Burrë barrash. Grua barrashe.
2. Që merr përsipër një detyrë, një barrë etj. dhe e çon deri në fund, që nuk tërhiqet, që nuk kthehet prapa; këmbëngulës, ngulmues. Njeri barrash.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit.
CÉNSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. I zellshëm e këmbëngulës, me vullnet të fortë. Vetëm një njeri i censhëm mund t’i përballojë sfidat.
2. Që bëhet me vullnet të fortë, me kujdes dhe ndjenjë përgjegjësie. Shkollim i censhëm. Punë e censhme. Punëdore e censhme nusesh.
3. edhe fig. I fortë dhe këmbëngulës. Ndjenja të censhme. Përpjekjet më të censhme qenë të padobishme.
DAJÁK mb. 1. Që është i fortë e i qëndron trysnisë; që nuk prishet, që nuk çahet, që nuk thyhet a që nuk këputet lehtë; dajan.
2. fig. Këmbëngulës.
3. fig. I mirë në shpirt; zemërmadh.
✱Sin.: i fortë, i qëndrueshëm, i ashpër, i pathyeshëm, i gurtë, i ngurtë, i stralltë, ngulmues, shpirtmirë, babaxhan, i shtruar, i patëkeq, zemërmadh, zemërgjerë, zemërbardhë, shpirtmadh.
DERR,~I m. sh. ~A, ~AT 1. zool. (lat. Sus, Sus scrofa domesticus) Kafshë shtëpiake me trup e me qafë të trashë, me këmbë të shkurtra e me turi të zgjatur, që rritet për t'i marrë mishin, dhjamin e kreshtën; mashkulli i kësaj kafshe. Mish (dhjamë) derri. Qime (kreshtë, lëkurë, këmbë) derri. Kërpudhë derri (bot.). Lule derri (bot.). Fermë (thark) derrash. Rritës (bari) derrash. Fruthi i derrave (veter.). Tifoja e derrave (veter.). Ushqim për derrat. Ruan derrat. Është bërë sa një derr. Ha si derr. E ka kokën sa të derrit. Zhgërryhet (gërrhin) si derr. S’ka pyll pa derra. (fj. u.). Të gjithë derrat një turi kanë. (fj. u.). Nuk fshihet derri në thes. (fj. u.). Derri do plumb. (fj. u.).
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje të kësaj kafshe. Derr i butë (lat. Sus domesticus) kafshë shtëpiake që ha çdo lloj ushqimi, me qime të ashpër e me feçkë të zgjatur, që rritet kryesisht për mish e për dhjamë. Derr deti (lat. Phocaena) gjitar mishngrënës që jeton në det, më i vogël se delfini, me një feçkë të gjerë e të rrumbullakët dhe me fletë trekëndëshe. Derr i egër (lat. Sus scrofa) derr me kreshtë të murrme, që jeton në tufë nëpër pyje. Derr pylli (lat. Sus scrofa) derr i egër.
3. Mishi i kësaj kafshe, që përdoret për ushqim; copë mishi nga kjo kafshë (e zier, e pjekur etj.). Derr i skuqur (i pjekur, i tymosur). Bërxollë derri.
4. fig., bised., keq. Njeri shumë i shëndoshë dhe i majmur. Gjithë ai derr.
5. fig., bised., keq. Njeri shumë i trashë nga mendja e kokëfortë; njeri shumë këmbëngulës e kryeneç. - S’do t’ia dijë fare, derri! - Si nuk e kupton, derri! Derr me zile (shar.).
6. fig., bised., keq. Njeri i papastër; njeri i ndyrë, i keq a maskara. Bjeri, derrit! Derr i poshtër. - Ma punoi ndyrë, derri i derrit! Derr e thi një feçkë kanë. (fj. u.).
7. si mb., bised. Shumë i madh; shumë i rëndë; alamet, goxha. Një derr lopate. Një derr shkëmbi. Një derr hundë. Një derr vape. Derr pune.
♦ U bëra derr u mërzita shumë, plasa nga mërzia, u fryva; m’u bë shpirti derr. M’u bë derr (dikush a diçka) m’u mërzit shumë, m’u neverit, s’e duroj dot më; nuk e shoh dot me sy. M’u bë shpirti derr u mërzita shumë nga dikush a nga diçka, s’e duroj dot më, po pëlcas nga mërzia; u bëra derr; m’u bë shpirti gomar bised. Ta bën shpirtin derr (dikush) të mërzit shumë, sa s’e duron dot më; pëlcet derrin. *Çorbë derri (derrash, thish) përb. Derr në kotec (në thark) i mbyllur e i mërzitur; shumë i mërzitur ngaqë nuk kam dalë a nuk kam lëvizur. Derr në thes keq. pa ditur gjë, pa e parë ose pa e njohur fare dikë a diçka; njeri a send që nuk e kemi parë e nuk e njohim, por që na jepet për ta marrë. Derr me zile përb. njeri shumë i trashë nga mendja dhe shumë i neveritshëm. Ku di derri këmborë! mospërf., tall. nuk merr vesh (dikush) nga një punë a nuk kupton dot përse bëhet fjalë; nuk di të vlerësojë diçka të mirë; ku di dhia ç’është tagjia (ç’është kulumbria)! *Feçkë derri përb. I ka ngrënë derri (macja) *brumin (dikujt). Sa të hajë derri dhe dosa shumë, pa hesap, pa masë, sa të duash; sa të hanë qentë; sa dushk e bar; sa t’i gërryesh me lopatë; sa ujët e detit. Hiq *dosën dhe vër derrin tall. Kur të hipë derri në fik iron. kurrë!; është diçka e pamundur; kur të hipë gomari në fik; kur të pjellë mushka; kur të flasin lopët; kur të bjerë shi i kuq; kur të bëjë larushku rrush; kur të bëjë qarri arra; kur të bëhen dy ditë bashkë. Hyn derri e dosa (diku) keq. nuk ka ndalim a pengesë për të hyrë diku, është pa kontroll, hyn e del gjithkush si në një shtëpi pa zot; (është) han me dy (me katër) porta; (është) derë hani; (është) derë pa mandall. Kam *qimen e derrit. *Kripë derri bised. Pëlcet derri (diku) është shumë nxehtë, bën shumë vapë; ziejnë fasulet në diell; po bie dielli përdhe; merr kashta flakë. Pëlcet (edhe) derrin (dikush a diçka) të fryn e të zemëron pa masë; të mërzit shumë; ta bën shpirtin derr. *Stallë derrash keq. I shkrin *dhjamët derrit (diku). Shkul një *qime nga një derr (dikush). *Thark derrash. I thotë derrit *dajë (dikush) bised. *Vath i florinjtë në vesh të derrit mospërf.
DURÚESH/ËM (i),~ME (e) mb. 1. Që ka aftësinë të durojë e të përballojë vështirësitë, shqetësimet, vuajtjet, fatkeqësitë etj. i qetë e gjakftohtë, pa u ankuar dhe pa u ligështuar; kund. i padurueshëm. Është njeri i durueshëm. U tregua i durueshëm.
2. Që ka durim, që është i përmbajtur e që nuk ngutet, që vepron e sillet me durim e pa u rrëmbyer me të tjerët; kund. i padurueshëm. I durueshëm me të tjerët. - Bëhu i durueshëm me fëmijët!
3. Që ka vullnet e aftësi të merret me diçka për një kohë të gjatë e pa u mërzitur, këmbëngulës në një punë, që ka durim; që mund të presë dikë a diçka i qetë për një kohë të gjatë. Nxënës (punëtor) i durueshëm. I durueshëm në punë.
4. Që i bën ballë a i qëndron një veprimi të jashtëm pa u dëmtuar, pa u prishur, pa humbur vetitë a cilësitë e mira; që duron. Bimë e durueshme ndaj ngricave. Dru i durueshëm.
5. Që mund të kalohet me durim; që mund të përballohet; që mund të durohet nga organizmi; kund. i padurueshëm. Gjendje e durueshme. Vapë e durueshme. Të ftohtë i durueshëm. Dhembje e durueshme.
✱Sin.: i duruar, durimtar, durimfortë, durimmadh, durimshumë, durimplotë, i fortë, i qëndrueshëm, qëndrestar, i gajretshëm, i përmbajtur, zemërgjerë.
ENERGJÍK,~E mb. 1. Që ka shumë energji fizike ose mendore, që vepron me shumë energji. Njeri energjik. Mjek energjik. Dorë energjike. Grua energjike. Skuadër energjike.
2. Që bëhet a shfaqet me shumë forcë; i fuqishëm. Masa energjike. Veprim energjik. Fjalim energjik. Protesta energjike.
✱Sin.: i gjallë, këmbëngulës, i fuqishëm, i fortë, i rreptë, i ashpër.
HÉKUR,~I m. sh. ~A, ~AT 1. vet. nj. kim. Metal i rëndë, me ngjyrë hiri në të argjendtë, që farkëtohet e punohet mirë dhe përdoret në teknikë e në industri (simboli Fe); emërtim i përgjithshëm për çeliqet që kanë pak karbon; prodhim a diçka tjetër që del prej këtij metali. Hekur i butë (i pastër, i derdhur). Mineral hekuri. Pllakë (paftë) hekuri. Tel (shufër, rreth) hekuri. Një copë hekur. Shul hekuri. Plor hekuri. Pluhur (ashkla) hekuri. Shtyllë hekuri. Lidhje (aliazh) hekuri. Skuq hekurin. Rrah (farkëtoj) hekurin. Hekuri njihet në zjarr, miku në nevojë. (fj. u.). Hekur i rrahur hekur i punuar në farkë. Hekur i zinkuar hekur i galvanizuar, i veshur me zink. Hekur fonderie hekur i derdhur në kallëp. Koha (periudha) e hekurit (hist.) periudhë historike (pas periudhës së bronzit) rreth një mijë vjet para erës së re, kur nisi të punohej hekuri.
2. kim. Kripa e këtij metali. Barna me hekur. Spinaqi ka shumë hekur.
3. Send ose pajisje që është bërë me këtë metal a me lidhje të tij. Hekurat e dritares. Hekuri i zgjedhës. Hekurat e kalit pengojcë. Hekurat e frerit ngojëza. Merret me hekura është hekurpunues. Udhë hekuri (e hekurt) vjet. hekurudhë.
4. Përdorëse prej metali, që nxehet me mënyra të ndryshme dhe shërben për të hekurosur rrobat. Hekur me korrent (me prush). Hekur i shkallëzuar. I jap një hekur hekuros. Nuk mban hekur nuk qëndron gjatë në gjendje të hekurosur (për rrobat).
5. det. Çengel, spirancë. Hedh (ngre) hekurin.
6. sport. Shul i rrumbullakët çeliku, i mbërthyer horizontalisht mbi dy shtylla, që shërben për ushtrime gjimnastikore. Ushtrime në hekur.
7. bised., vet. sh. Pranga; zinxhirë për të lidhur. I vuri (i hodhi) hekurat. E lidhi me hekura. E vuri në hekura.
8. mjek. Teknikë kirurgjikale e vënies së një pllake metalike për lidhjen e kockave të thyera të trupit të njeriut ose të kafshëve, që fiksohet me vidha. Vuri hekur në këmbë.
9. si mb. Shumë i fortë. Është hekur. E ka zemrën hekur. Është bërë hekur është forcuar shumë.
✱Sin.: ujti, pranga, zinxhirë, çengel, spirancë.
♦ U bë për hekura (dikush) u zemërua e u egërsua shumë sa nuk e ndal dot veten; është marrosur, është tërbuar e s’e përmban veten fare, s’është fare në vete. E ka bërë jeta hekur (dikë) e ka kalitur jeta, e kanë forcuar vuajtjet; është rrahur me vaj e me uthull (dikush). Me *fshesë të hekurt libr. Ha (bren) hekurin (çelikun) (me dhëmbë) (dikush) është i fortë, nuk thyhet, nuk përkulet nga rreziqet e vështirësitë; është shumë këmbëngulës për të arritur diçka; është shumë inatçor dhe nuk tërhiqet para askujt e para asgjëje; ha (bren) plumbin (me dhëmbë); ha dheun me dhëmbë. E ka zemrën hekur (dikush) është shumë i fortë shpirtërisht, është shumë i durueshëm, nuk thyhet (nga fatkeqësitë, nga varfëria etj.); është zemërhekur; e ka zemrën të fortë; e ka zemrën gur; ka lindur prej gurit. Merr hekurat zvarrë (dikush) ka besim të tepruar në vetvete, i është rritur mendja sa nuk ka më frikë nga njeri, ka marrë vrull e kujton se nuk e pengon dot askush; thyen me shpërfillje çdo rregull që e pengon, nuk pyet më për askënd e për asgjë; rrëmbehet shumë; nuk e përmban më veten; nuk sheh ç’ka përpara; merr frerin nëpër këmbë. I pret gjuha (goja) hekur (dikujt) shih e ka gjuhën (gojën) brisk (dikush). E rreh hekurin të ftohtë (dikush) nuk e bën diçka në kohën e duhur e shpejt, e zvarrit; e lë pas dore (diçka); kund. e rreh hekurin të nxehtë (dikush). E rreh hekurin të nxehtë (dikush) e bën çdo gjë në kohën e duhur e shpejt, nuk e lë një punë për më vonë; nuk e lë pas dore (diçka); kund. e rreh hekurin të ftohtë (dikush). Shkojnë hekur më kizë shih (shkojnë) si eshka me urorin (me masatin); kund. shkojnë në dorë e në thembër. U vesh me hekur (me çelik) (dikush) u armatos gjer në dhëmbë; u bë gati plotësisht për të përballuar një sulm a një goditje; është plotësisht i mbrojtur para një rreziku; Me *zjarr e me hekur.
INSISTÚES,~E mb. Këmbëngulës, ngulmues. Po bëhet padrejtësisht gjithnjë e me shumë insistues. Politikan insistues. Sa më zemërgjerë ndaj kërkesave të saj, aq më e egër dhe insistuese bëhet ajo.
INSISTÚES,~I m. sh. ~, ~IT Këmbëngulës, ngulmues. Insistuesi kryesor ishte Bashkimi Evropian.
INTRANSIGJÉNT,~E mb., libr. Që nuk jepet përballë lutjeve, kërkesave ose arsyes. Djalë intransigjent.
✱Sin.: i papajtueshëm, këmbëngulës.
JOKËMBËNGÚLËS,~E mb. Që nuk është këmbëngulës; kund. këmbëngulës.
KOKËFÓRTË mb. 1. Që mendon e vepron sipas kokës së vet; këmbëngulës në të vetën, megjithëse mund të mos ketë të drejtë; i pabindur. Njeri kokëfortë.
2. fig. Që shpreh kokëfortësi, që nuk mund të kundërshtohet dot (për një fakt, për një mendim a gjykim etj.). Faktet janë kokëforta.
✱Sin.: i pabindur, i pamarrëvesh, i padëgjuar, kryeneç.
KONSEKUÉNC/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT libr. 1. Të qenët konsekuent a këmbëngulës; të qenët këmbëngulës dhe i vendosur në pikëpamje, në ide ose bindjet e veta etj. Zbaton (ndjek) me konsekuencë vijën (idenë) e vet.
2. Pasojë; rrjedhim. Kjo punë ka (do të ketë) konsekuenca.
✱Sin.: pasojë, rrjedhim.
KËMBËNGÚLJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Ngulje këmbësh, të qenët këmbëngulës; kërkesë a përpjekje këmbëngulëse; ngulm. Këmbëngulje e vendosur (me kokëfortësi). Studion me vullnet e me këmbëngulje.
2. mospërf., iron. Kokëfortësi e madhe; vendosmëri e tepruar; ngulmim. Kundërshtonte me këmbëngulje.
✱Sin.: ngulmim, ngulm, kokëfortësi.
KËMBËNGÚLËS,~E mb. 1. Që ngul këmbë me vendosmëri ose ka a tregon vullnet për t’ia arritur qëllimit; që punon a vepron me këmbëngulje; i ngulët, ngulmues. Njeri (studiues) këmbëngulës.
2. mospërf., iron. Kokëfortë e tekanjoz; që shpreh këmbëngulje. Fëmijë këmbëngulës. Punë këmbëngulëse.
✱Sin.: i ngulët, ngulmues, kokëfortë.
LUFTËTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që merr pjesë në luftë, ai që bën luftë. Luftëtar i guximshëm (trim). Luftëtarët e çetave.
2. Ai që përpiqet shumë, me këmbëngulje e me guxim për të arritur diçka; ai që lufton për një çështje të madhe a të përbashkët. Luftëtar i paepur. Luftëtarët e lirisë. Luftëtar për të drejtat e grave.
3. fig. Ai që është trim e i zoti, njeri sypatrembur.
✱Sin.: ushtar, këmbëngulës, militant, trim, i zoti, sypatrembur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë