Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HAPSHPÉJTË mb. Që ecën shpejt, që e ka hapin të shpejtë, çapshpejtë; kund. hapshtruar.
✱Sin.: çapshpejtë, këmbëlehtë.
KËMBËLÉHTË mb. 1. Që ecën shpejt dhe pa u ndier; këmbëshpejtë. Dre (kaproll) këmbëlehtë.
2. edhe si ndajf. Këmbëpandier, këmbëpambuk. Njeri këmbëlehtë.
✱Sin.: këmbëshpejtë, këmbëpandier, këmbëpambuk.
KËMBËPANDÍER mb. Këmbëlehtë; që ecën pa iu ndier këmbët.
2. si ndajf. Pa iu ndier këmbët. Ecnin këmbëpandier.
✱Sin.: këmbëlehtë, këmbëpambuk.
KËMBËSHPÉJTË mb. Që vrapon shumë shpejt; këmbëlehtë. Akili këmbëshpejtë.
LÉPU/R,~I m. sh. ~J, ~JT 1. zool. (lat. Lepus timidus europaeus) Kafshë gjitare brejtëse, me kokë të rrumbullakët e me veshë të gjatë, me trupin të mbuluar me qime të gjata në ngjyrë të murrme ose të bardhë, me këmbët e prapme më të gjata se të përparmet, që rend shumë shpejt dhe që njihet si frikacake. Lepur i egër. Lepur i butë. Lepur i bardhë. Lepuri i fushave. Lëkurë (lesh) lepuri. Bishti i lepurit. Mish lepuri. Gjurmë lepujsh. Vrau një lepur. Lepuri i madh rri në ferrë të vogël. (fj. u.).
2. fig., mospërf., shar. Njeri që ka shumë frikë, frikacak i madh.
3. fig. Njeri shumë i shpejtë në të ecur.
4. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje lepujsh. Lepuri i butë (lat. Lepus cuniculus) lepur i zbutur që mbahet në mjedise shtëpiake a në komplekse industriale. Lepuri i egër (lat. Lepus europaeus) lepur me gëzof ngjyrë kafe dhe një nga llojet më të përhapur në vendin tonë.
✱Sin.: begun, kunel, buzëçarë, frikacak, frikaman, frikanjos, i shpejtë, këmbëshpejtë, këmbëlehtë.
♦ Është bërë lepur (dikush). 1. shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). 2. Është shumë i trembur; ua mbathi këmbëve nga frika; u bë erë; u bë veri. U bë *lëkurë lepuri (dikush). E bëri lepur (dikë) e frikësoi shumë, i futi tmerrin, e bëri të dridhej nga frika; i ka futur (i ka shtënë) lepurin në bark (dikujt). Më doli (më erdhi) lepuri në *shteg. Nga *ferra e vogël del lepur i madh. (Ku) fle lepuri ku qëndron e vërteta, përse është fjala, ku është thelbi i një çështjeje të fshehur etj. I ka futur (i ka shtënë) lepurin në bark (dikujt) e ka trembur shumë, e ka tmerruar; e ka bërë të dridhet nga frika; e bëri lepur (dikë). Gjuan për lepuj (dikush). 1. shih vret (numëron) miza (dikush). 2. Flet kot, flet për gjëra që s’i di mirë, ia këput; flet në tym. E humbi si lepuri në thekra (dikush) u hutua, u shastis; e humbi toruan; e humbi vulën; iu bënë mendtë bletë (dikujt). I ka hyrë lepuri në bark (dikujt) është trembur shumë, dridhet nga frika; është frikacak i madh, nuk guxon për asgjë; ka lepurin në bark (dikush); i ka hyrë frika në palcë; i shkojnë (i venë) shtatë (në qase) bised. S’është *kësmet të hajë dervishi lepur vjet. shaka. I jep lepurit *qepë (dikush) tall. Ka *gjak lepuri (dikush) tall. Ka lepurin në bark (dikush) është frikacak i madh, dridhet nga frika; i ka hyrë lepuri në bark (dikujt). Ka *zemër lepuri (pule) (dikush). Lepuri në mal e kusia në zjarr tall. shih peshku në det e tigani në zjarr tall. Nuk nxjerr lepur nga strofulla (dikush) nuk është i zoti për diçka, as një punë të lehtë a një shërbim të thjeshtë nuk bën dot; nuk e nxjerr gomarin nga balta. *Stan me lepuj tall. Shkoi *zagari e zuri një lepur. I erdhi lepuri në qerre (dikujt) i erdhi e mira në derë; i erdhi grifsha te çarku; i lulon bahçja në dimër. Më erdhi lepuri në shteg më erdhi rasti më i volitshëm për të goditur dikë a për të bërë diçka, m’u krijua mundësia më e mirë; u krijuan rrethana më të përshtatshme; më erdhi në shteg. Zuri lepurin (dikush) shaka. ra, u rrëzua përtokë, u shtri sa gjatë e gjerë; zuri zogun. E zë lepurin në lak i jap fund diçkaje, e kryej punën, e mbyll; ia dal në krye (diçkaje); ia dal mbanë (diçkaje). E zë (e kap) lepurin (dhelprën) me *qerre (dikush). (U zunë) për një *lëkurë lepuri. Zuri *qeni një lepur! iron.
SHPÉJTË (i, e) mb. 1. Që lëviz, ecën, shkon, vrapon a rrjedh me shpejtësi; që ka shpejtësi të madhe; kund. i ngadalshëm. Tren i shpejtë. Kalë i shpejtë. Anije e shpejtë. Me hapa të shpejtë. Ecje e shpejtë. Rrjedhje e shpejtë. Lojë e shpejtë. Rrotullim i shpejtë. Me ritme të shpejta. I shpejtë si shigjeta.
2. Që është i aftë t'i kryejë shpejt punët e tij, që punon shpejt, i shkathët, i gjallë; kund. i ngadalshëm. Shitës i shpejtë. I shpejtë në punë.
3. Që bëhet brenda një kohe a brenda një afati të shkurtër, që bëhet në pak kohë a pa kaluar shumë kohë; i menjëhershëm; kund. i ngadalshëm. Ngrohje (ftohje) e shpejtë. Përgatitje e shpejtë. Zhvillim i shpejtë. Vdekje e shpejtë. Përgjigje e shpejtë. Helm (bar) me veprim të shpejtë. I hodhi një vështrim të shpejtë.
4. I afërt (në kohë); që dëshirojmë të ndodhë sa më parë, në një kohë sa më të afërt. Me shërim të shpejtë! (ur.) E ka fundin të shpejtë.
5. I shpejtuar, që bëhet shkel e shko. Punë e shpejtë.
6. krahin. I hershëm; i vjetër; i lashtë. Të lashta të shpejta. Fik i shpejtë
✱Sin.: i shkathët, i gjallë, i rendur, i papërtueshëm, i papërtuar, i virgjilltë, i shpitë, i lehtë, i zhdërvjellët, hapshpejtë, lepur, bletë, dre, flutur, flugtar, fluturak, fluturashkë, gjeraqinë, hapshpejtë, hapdrenushë, këmbëlehtë, këmbëshpejtë, këmbësutë, çapshpejtë, rrufe, shigjetë, vetëtimë; i menjëhershëm, i rrufeshëm.
♦E ka të shpejtë. 1. (dikush). Do të vdesë pas pak kohe, nuk do ta shpjerë gjatë, do të mbarojë shpejt; po jep (po heq) shpirt; i ka ditët të numëruara; i ka ditët të shkurtra. 2. (diçka). Nuk do të shkojë gjatë, nuk do të vonojë, do të marrë fund brenda një kohe të shkurtër; i ka ditët të numëruara.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë