Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ARAKNÍDE,~T f. kryes. sh. zool. (lat. Arachnida) Jokërbishtorë (merimanga, akrepat, këpushat dhe insekte të tjera), trupi i të cilëve përbëhet prej kokës që është e ngjitur te kraharori, prej barkut, prej dy pincave që zëvendësojnë antenat dhe shërbejnë si nofulla si dhe prej katër palë këmbëve të segmentuara dhe dy tentakula, dhe të cilat jetojnë në mjedise të ndryshme, në tokë, në ujërat e ëmbla dhe në mjedise të thata e të ngrohta. Araknidet e ujërave të ëmbla. Llojet e araknideve.
DHJETËKËMBËSH,~I m. sh. ~A, ~AT zool. 1. Kafshë jokërbishtore që jeton kryesisht në ujëra, me trup të ndarë në unaza, secila me dy këmbë të nyjëtuara. Dhjetëkëmbësh deti (lumi, liqeni). Gaforrja është dhjetëkëmbësh. Dhjetëkëmbëshi që rron në det. S’e mund dot dhjetëkëmbëshin.
2. vet. sh. Klasë e këtyre kafshëve.
FÉÇK/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Zgjatim i madh i hundës së elefantit në trajtën e një gypi të lëvizshëm; zgjatim i turirit të disa kafshëve si derri etj. Feçka e elefantit. Rrëmon me feçkë.
2. Zgjatim i kokës te disa kafshë jokërbishtore a të disa insekte që u shërben atyre për të kapur gjahun, për t’u mbrojtur etj. Feçka e hardhucës. Feçka e bletës. E kap me feçkë.
3. Pjesë e zgjatur në anën e përparme të disa përdorëseve, të makinave etj., që ka pamjen e turirit të kafshëve. Feçka e gjyrykut. Feçka e frezës.
✱Sin.: noçkë, hundë, turi, turiçkë, meçkë, cyle, çulzë.
♦ Feçkë derri përb. njeri budalla; i trashë nga mendja, që s’kupton. E ngriti feçkën (dikush) shak. është gati për të nisur punën me vrull, mezi pret që të bëjë sa më parë diçka.
GJÚHËZ,~AII f. sh. ~A, ~AT 1. zool. Peshk i ujërave të kripura, me trup petashuq, me të dy sytë në njërën anë, i murrmë, me mish të shijshëm e pa hala; shojzë deti. Peshkatari solli disa gjuhëza të freskëta.
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje peshqish. Gjuhëz bari (lat. Arnoglossus kessleri) peshk i vogël që ushqehet në fundin e detit. Gjuhëz bregu (lat. Solea solea) gjuhëz e vogël me mish të shijshëm, që fshihet në fundin ranor a baltak. Gjuhëz deti (lat. Pegusa nasuta) peshk deti, i ngjashëm me gjuhëzën e rërës, që gjendet në detin Mesdhe. Gjuhëz e bardhë (lat. Arnoglossus rueppelii) peshk deri 15 cm i gjatë, që jeton në thellësi të detit Jon dhe ushqehet me jokërbishtorë të vegjël në fundin ranor ose baltak. Gjuhëz e Adriatikut (lat. Pegusa impar) peshk deri me trup të zgjatur dhe me shumë hala, që jeton në ujëra të cekëta deri mesatare dhe njihet për mishin e tij të shijshëm. Gjuhëz e egër (lat. Arnoglossus thori) peshk deri 18 cm i gjatë, që rron në thellësi 15-300 m dhe ushqehet me peshq të vegjël dhe jokërbishtorë. Gjuhëz e verdhë (lat. Limanda aspera) peshk me pendë notuese të verdha, që jeton në thellësi të ujërave të ngrohta të Paqësorit. Gjuhëz kanali gjuhëz bregu. Gjuhëz me brezare (lat. Microchirus variegatus) peshk me breza kafe të errët dhe të murrme, deri 20 cm i gjatë, i përhapur në ujërat e Mesdheut dhe të Adriatikut, që ushqehet me jokërbishtorë të vegjël në fundin ranor ose baltak. Gjuhëz me njolla gjuhëz syzake. Gjuhëz rëre (lat. Pegusa lascaris) peshk deri 40 cm i gjatë, i përhapur në Atlantikun lindor dhe në detin Mesdhe. Gjuhëz toke (lat. Solea kleinii) peshk deti me ngjyrë murrme dhe me pulla të bardhëme, që jeton në thellësi të ujërave të kripura.
3. bot. Cipë e vogël që ndodhet në pjesën e sipërme të këllëfit të gjethes dhe që mbështjell kërcellin (zakonisht te gramoret). Gjuhëz e bardhë.
✱Sin.: shojzë, pllashicë.
JO- fjalëform. Parashtesë që përdoret për të formuar kryesisht mbiemra e më rrallë emra, të cilët shprehin të kundërtën ose mungesën e asaj që shënojnë mbiemrat përgjegjës pa këtë parashtesë (p.sh. jokohor, jonjerëzor, jopërparimtar, joshoqëror, jovëllazëror etj.; jofrymorët, jokërbishtorët, jotokësorët etj.).
JOKËRBISHTÓR,~E mb., zool. Që nuk ka bosht të kurrizit a kërbisht, që nuk është kërbishtor (për qeniet e gjalla); kund. kërbishtor. Kafshë jokërbishtore.
JOKËRBISHTÓR,~I m. kryes. sh. ~Ë, ~ËT Kafshë jokërbishtore; kund. kërbishtor. Kërbishtorët dhe jokërbishtorët.
MERIMANGÓRE,~T m. vet. sh., zool. Klasë e disa kafshëve të vogla jokërbishtore (si merimanga, akrepi, këpusha etj.), të cilat e kanë kokën të bashkuar me kraharorin.
PESHKAQÉN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Squalus, Eugalus galeus; Cucullia artemisae) Peshk deti grabitqar, me trup të madh, të fuqishëm e të mbuluar me lëkurë të ashpër, me gojë të lakuar si hark në pjesën e poshtme dhe me dhëmbë të fortë e të mprehtë. Peshkaqeni i bardhë. Mish (dhjamë) peshkaqeni. E hëngrën peshkaqenët. E ka çarë rrjetën peshkaqeni. Gjuajtën (zunë) peshkaqenë.
2. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje peshkaqenësh: Peshkaqeni balenë (lat. Rhinocodon typus) peshkaqeni më i madh me gjatësi deri në pesëmbëdhjetë metër, me kokë të gjerë dhe të sheshtë, me dhëmbë të shumtë e të mprehtë, me pesë hapje të mëdha në gushë, me njolla të bardha, të kaltra ose kafe në të gjelbër në shpinë e me bark të bardhë. Peshkaqen i bardhë (lat. Carcharodon carcharias) peshkaqen me lëkurë të bardhë, tre-katër metër i gjatë, që noton shpejt, që ushqehet me peshq, me shpendë deti etj., të cilët i gjen me anë të valëve elektromagnetike. Peshkaqeni i barit (lat. Somniosus microcephalus, Laemargus microcephalus) peshkaqen i madh dhe i ngadaltë, me kokë të gjerë e sheshtë, me gojë të madhe, me hundë të shkurtër e të rrumbullakosur, pa pendë anale, me ngjyrë gri ose në të kafenjtë e ndonjëherë me shirita ose me njolla të vogla. Peshkaqen bishtdhelpër (lat. Alopias volpinus) peshkaqen i ujërave tropikale e nëntropikale, i gjatë deri gjashtë metër, me pendën e sipërme të bishtit shumë të gjatë, që jeton deri në thellësi prej 500 m. Peshkaqen blu (lat. Prionace glauca) peshkaqen me lëkurë në ngjyrë të kaltër, që ushqehet me peshq të vegjël, me kallamarë etj. dhe që ka mish të ngrënshëm. Peshkaqeni buall (lat. Eugomphodus taurus, Heptranchias perlo) peshkaqen deri tre metër i gjatë, me kokë të zgjatur, me kurriz të përhimë me pulla të kuqe, që jeton në ujërat e cekëta dhe që merr frymë duke dalë mbi sipërfaqen e ujit; peshkaqeni e egër. Peshkaqeni çekiç (lat. Sphyrna tiburo) peshkaqeni kokëçekiç. Peshkaqeni derr (lat. Oxynotus centrina) peshkaqen me trup të vogël e si trekëndësh, me kokë të madhe e të shtypur, me dhëmbë heshtakë në nofullën e sipërme dhe me dymbëdhjetë radhë dhëmbësh në nofullën e poshtme që jeton në Mesdhe, Detin e Zi, në brigjet perëndimore të Evropës dhe të Afrikës e që ushqehet me krimba, gaforre dhe butakë. Peshkaqeni dreq (lat. Etmopterus spinax) peshkaqen shumë i vogël, me bark të zi dhe kurriz ngjyrë kafe që jeton në thellësi e që ushqehet me karkaleca deti, peshq të vegjël, kallamarë etj. Peshkaqeni dhelpër (lat. Alopias volpinus) peshkaqeni bishtdhelpër. Peshkaqen dhëmbëgjarpër (lat. Odontapsis ferox) peshkaqen tigër me gjemba të vegjël që rron në afërsi të fundit ranor të deteve. Peshkaqen i egër (lat. Heptranchias perlo) peshkaqen me trup të vogël e të hollë, me sy të mëdhenj e të blertë, me kokë me majë, me nëntë - njëmbëdhjetë dhëmbë në nofullën e sipërme dhe nga pesë dhëmbë në të dyja anët e nofullës së poshtme, me shtatë palë verza që shkojnë deri afër fytit. Peshkaqeni gojëzi (lat. Galeus melastomus) peshkaqen deri në një metër, me gojën në ngjyrë të zezë dhe me pendën e sipërme të bishtit si sharrë. Peshkaqen gjembaç (lat. Dalalias licha) peshkaqen me lëkurë ngjyrë kafe të errët ose të murrme, me trup të hollë dhe turi të rrumbullakët, me dymbëdhjetë radhë dhëmbë në nofullën e sipërme dhe deri në njëzet radhë dhëmbësh në nofullën e poshtme. Peshkaqen i hirtë (lat. Carcharhinus plumbeus) peshkaqen rreth një metër e gjysmë i gjatë, me pendën e kurrizit shumë të lartë, me pendët e të gjoksit shumë të gjata që jeton në fundin me lym ose rërë të detit e që ushqehet me peshq, rraxha, gaforre etj. Peshkaqeni i kaltër (lat. Carcharias glaucus, Prionace glauca) peshkaqeni blu. Peshkaqen kokështypur (lat. Hexanchus griseus) peshkaqen trupmadh me gjashtë verza, me turi të shtypur, me gjashtë radhë dhëmbësh si sharrë në nofullën e poshtme dhe me dhëmbë më të vegjël në nofullën e sipërme, me lëkurë në ngjyrë kafe të errët deri në të zezë me pulla përgjatë barkut, që jeton në thellësi në ujëra e ngrohta. Peshkaqen kokëçekiç (lat. Sphyrna fudes) peshkaqen, me hundë të shtypur e të zgjatur në të dyja anët në trajtë çekiçi, që jeton në brigjet lindore të Amerikës Jugore, në thellësi deri në tridhjetë metër. Peshkaqen lëkurashpër (lat. Lamna nasus) peshkaqen me kurriz të përhimë e bark të bardhë që jeton në grupe, që ushqehet me peshq, me butakë, me gaforre, me iriqë deti dhe me kafshë të tjera jokërbishtore. Peshkaqen njeringrënës (lat. Carcharodon carcharies) peshkaqen i bardhë që sulmon dhe njeriun. Peshkaqeni pullaverdhë (lat. Orectolobus maculates) peshkaqen me njolla të verdha në trup. Peshkaqeni shtegtar (lat. Cetorhinus maximus). peshkaqen që shtegton, që ushqehet me planktone, me peshq të vegjël, me jokërbishtorë etj. e që shumëzohet me vezë. Peshkaqeni tigër (lat. Galeocerdo cuvier) peshkaqen me një pendë të sipërme të madhe, e cila lejon lëvizje të ngadalta dhe por dhe shpejtësi të menjëhershme. Peshkaqen turishkurtër (lat. Isurus oxyrinchus) peshkaqen deri në pesë metër i gjatë, me trup cilindrik, me kurriz blu të ndritur dhe bark të bardhë që jeton në ujëra tropikale e nëntropikale dhe që ushqehet kryesisht me peshkun shpatë, me ton etj. Peshkaqeni xhuxh peshkaqen lëkurashpër. Peshkaqeni i zi (lat. Etmopterus spinax, Carcharinus melanopterus) peshkaqen trupvogël, me majën e kreshtës a të majat e pendëve në ngjyrë të zezë, që jeton në shkëmbinj nënujorë e që ushqehet me gaforre të vogla, me peshq të vegjël etj.; peshkaqeni derr.
3. fig. Njeri grabitqar e i pamëshirshëm, që sulmon të tjerët dhe i shfrytëzon egërsisht; ai që pasurohet duke shfrytëzuar pa mëshirë të tjerët; shfrytëzues. Peshkaqenët e bursës.
✱Sin.: grabitqar, egërsirë, i pamëshirshëm, mizor, gjakpirës, shfrytëzues.
SKOLOPÉND/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT zool. Krimb shumëkëmbësh i vendeve të ngrohta dhe tropikale, që ushqehet kryesisht me jokërbishtorë të vegjël dhe kandrra. Panë një skolopendër. Skolopendra kishte një pamje të neveritshme.
VRAPÚES,~II m. sh. ~, ~IT zool. (lat. Charadriidae) 1. Nënfamilje zogjsh të vegjël shumë të përhapur në të gjithë botën, me përjashtim të shkretëtirave dhe zonave akullnajore, që rrojnë afër ujërave e bëjnë çerdhen nëpër gropa në tokë dhe ushqehen me kandrra, krimba dhe jokërbishtorë të vegjël.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që shënojnë lloje të ndryshme të këtij zogu. Vrapuesi gushëbardhë (lat. Charadrius alexandrinus) zog me sqep të zi, me kokë e kurriz të murrmë në kafe dhe bark të bardhemë, që jeton buzë ujërave, kryesisht këneta e laguna, por hasen edhe në djerrina; ushqehet me brumbuj, larva, karkaleca, miza dhe jokërbishtorë të vegjël të ujërave. Vrapuesi i madh (lat. Charadrius haiticula) zog me sqep të kuqërremë me majë të zezë, me kokë e kurriz të murrmë dhe bark të përhimë, me shirit të zi në gushë dhe këmbë të verdha; në periudhën e shumimit shkon në viset nënakullnajore. Vrapuesi i vogël (lat. Charadrius dubius) zog i vogël i kësaj nënfamiljeje, me kurriz ngjyrë kafe të çelët, bark të bardhemë, me shirit të zi në gushë dhe në kokë, gjithashtu ka një rreth të zi përqark syve, jeton buzë ujërave në Evropë, Azi dhe Afrikën Veriore.
YLL,~I m. sh. ÝJE, ÝJET dhe YJ, ÝJTË 1. astr. Trup qiellor i ngjashëm me Diellin, që ndodhet shumë larg Tokës dhe që duket natën në qiell si pikë e ndritshme; çdo trup qiellor, përveç Diellit dhe Hënës, që ndrit natën në qiell. Yll i largët (i ndritshëm, i madh). Yjet e qiellit. Drita e yjeve. Harta e yjeve. Grumbull yjesh. Natë me yje (pa yje). Dolën yjet. Xixëllojnë yjet. U shua ylli i fundit. Shkëlqen si yll. I bukur si yll.
2. bised. Meteor që ndriçon në qiell gjatë rënies në Tokë. Ra një yll. U këput një yll.
3. fig., vjet. Fat, lumturi (sipas besimit se ka një yll që ndikon në jetën a në fatin e secilit). Ka lindur me yll ka shumë fat, është fatlumtur. Lindi në yll të mirë (të keq). E ndihmoi ylli i vet. Ishte njeri me yll. Ylli si dylli. (fj. u.) fati është i paqëndrueshëm. Të humbtë ylli! (mallk.) vdeksh! T’u shoftë ylli! (mallk.) u shofsh!
4. fig., bised. Emri i mirë i një njeriu, famë. Ylli i tij. Ka yll në rreth të burrave.
5. fig. Njeri që shquhet në një veprimtari të caktuar; artist me emër të madh në kinematografi etj. Yll i kinematografisë. Ylli i baletit. Ylli i futbollit.
6. Figurë me pesë a me më shumë cepa, që ka kënde dhe brinjë të barabarta. Yll me pesë cepa. Cepat e yllit. Vizatoj një yll.
7. Shenjë dalluese në trajtën e kësaj figure, me pesë cepa, që vihet në veshje a diku tjetër si simbol, që përdoret në gradat ushtarake ose që i jepet dikujt për merita të veçanta në një veprimtari të caktuar. Ylli i artë. Me yll në kapele.
8. Send, qëndismë ose diçka tjetër që ka trajtën e kësaj figure. Ylli i mollës lulja e mollës; zemra e mollës kur pritet si rreth. Qëndisi një yll.
9. fig. Diçka që ndriçon rrugën. Yll ndriçues. Është yll për Shqipërinë.
10. shtypshkr. Yllth, asterisk.
11. bised. Lez, lyth.
12. përd. mb. Shumë i bukur. E ka vajzën yll.
13. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje yjesh dhe planetësh që perceptohen si yje: Ylli i Dritës planeti Afërdita. Yll i dyfishtë (astr.) sistem prej dy yjesh që ushtrojnë një forcë tërheqëse mbi njëri-tjetrin dhe rrotullohen rreth një qendre të përbashkët. Ylli i Mëngjesit planeti Afërdita. Ylli i Mbrëmjes planeti Afërdita. Ylli i Karvanit planeti Afërdita. Ylli Polar ylli në bisht të Arushës së Vogël, i cili shënon gjithnjë Veriun.
14. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa bimë: Ylli i alpeve (lat. Leonlopodium alpinum, Gnaphalium leontopodium) bimë e viseve alpine me kërcell të ulët, me gjethe si luspa me push të dendur dhe lule të vogël me dy palë petla pesëshe të bardha. Ylli i artë (lat. Bloomeria aurea, Bloomeria Crocea aurea, Nothoscordum aurea) bimë me lule të verdha, me zhardhok të plotë, me gjethe të holla e të gjata që rritet më shumë në Kaliforni. Ylli kalorës (lat. Hippeastrum) bimë me lule në ngjyrë të kuqe ose vjollcë, në formën e konit. Ylli i këputur (lat. Dodecatheon) bimë që rritet më shumë në Amerikën e Veriut dhe në Azi, me gjethe në fillim të kërcellit dhe me lule në majë që përkulen drejt tokës. Ylli i mbrëmjes (lat. Oenothera) bimë me lule që çelin në mbrëmje, që përdoren në barna natyrore dhe për vajin që fitohet nga farat e tyre; aguliçja e mbrëmjes. Ylli i ndezur (lat. Mentzelia albicaulis) bimë me lule zakonisht me pesë petale me ngjyrë të verdhë të shndritshme. Ylli shqiptar (lat. Aster alpinus) bimë me lule në ngjyrë violetë, blu dhe të bardhë, që rritet më shumë në malet e Evropës, përfshirë edhe Alpet shqiptare; astera shqiptare Ylli i tokës (lat. Geastrum triplex) lloj kërpudhe, muri i jashtëm i së cilës hapet si yll me katër deri në tetë cepa. Ylli i ujit (lat. Callitriche hermaphroditica, Callitriche Autumnalis) bimë barishtore, që rritet zakonisht në ujëra të ëmbla, me kërcell të hollë e të gjatë, me gjethe të vogla në formë heshtash ose vezake, të vendosura në tufëza, që duken si yll.
15. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa kafshë: Ylli i brishtë (lat. Ophiuroidea) yll deti i brigjeve koralore me koracë në shtresën e sipërme e mbuluar me thjerra mikroskopike. Ylli i çukës bishtbardhë (lat. Urochroa bougueri) lloj kolibri me sqep të zi, të drejtë e të gjatë, me pjesët e sipërme në ngjyrë të blertë të errët. Ylli i çukës bolivian (lat. Oreotrochilus estella bolivianus) lloj kolibri me pendë të errëta, me sqep të gjatë dhe me gushë me pulla të bardha, që përshtatet në temperatura të ulëta e që gjendet në Bolivi. Ylli i çukës gjokszi (lat. Oreotrochilus melanogaster) lloj kolibri me gushë në ngjyrë të gjelbër të errët, me gjoks e me bark në ngjyrë blu, që gjendet më shumë në zonën e Andeve të Amerikës Jugore. Ylli i detit (lat. Astropecten aurantiacus) kafshë jokërbishtore deti me trup të shtypur, që ka pesë a më shumë rreze. Ylli i detit i kuq (lat. Echinaster sepositius) kafshë jokërbishtore deti me trup të shtypur, që ka pesë rreze në ngjyrë të kuqërremtë. Ylli i detit i rërës (lat. Astropecten irregularis) kafshë jokërbishtore deti me trup të shtypur, me pesë rreze, që qëndron kryesisht nën rërë gjatë ditës, ndërsa pasditeve dhe gjatë natës ushqehet me molusqe. Ylli i detit thepak (lat. Astropecten spinulosus) kafshë jokërbishtore deti me trup të shtypur, me pesë rreze, në ngjyrë kafe ose kafe të çelët, që qëndron kryesisht nën rërë gjatë ditës, ndërsa pasditeve dhe gjatë natës ushqehet me molusqe.
✱Sin.: meteor, fat, lumturi, zë, emër, fener, yllth, lez, lyth, i bukur.
♦ U bë yll e pyll (dikush) u vesh bukur; u zbukurua shumë, i ka rënë nur. Sa të ketë *hënë e yje në qiell. Ka lindur me yll (dikush) shih ka lindur me këmishë (dikush). I ndrit ylli (dikujt) i del fati, i vjen e mira, po i ecën gjithçka mbarë. Numëroj yjet rri pa gjumë, s’më zë gjumi gjithë natën, rri gjithë natën me sytë hapur; nuk mbyll sy1; e kam syrin filxhan; i kam sytë xham2. I perëndoi (i ra) ylli (dikujt). 1. Po e mbyll jetën dikush, edhe pak kohë i ka mbetur për të jetuar; e hëngri çairin (dikush). 2. I ka kaluar koha dikujt, e kapërceu kulmin e vet e tani shkon drejt rënies; po i bie autoriteti. 3. (diçkaje). Nuk vlen më, i ka kaluar koha dhe i kanë humbur vlerat. Më pjek ylli (me dikë) kam një natyrë ose të njëjtat zakone, dëshira e synime me dikë, shkojmë mirë njëri me tjetrin; kemi gjetur njëri-tjetrin, pajtohemi në shumë gjëra; më piqet (më ujdis) gjaku. Rrëzon yjet (dikush) shih shtie (rrëzon) hënën përdhe (dikush). Sheh yllin e merr pyllin (dikush) nuk matet e nuk përgatitet para se të bëjë diçka, nuk i mendon mirë gjërat më parë; rrëmbehet e ngutet, kuturiset me të parën; shkon pas berihasë. Iu shua ylli. 1. (diçkaje). U sos fare diçka, mbaroi krejt, s’ka më asnjë pikë prej saj; është zhdukur diçka, s’gjendet më; i humbi gjurma. 2. (dikujt). S’ka më fat dikush, e ka marrë jeta për keq; nuk është më në pozitë të mirë; i ka rënë vlera. Me yll në ballë i shquar midis të tjerëve për bukuri, për trimëri etj.; i shkëlqyer, i jashtëzakonshëm. Yll i rënë (i këputur) nga qielli njeri me bukuri të veçantë, që s’e ka askush mbi dhe; yll me bisht. Yll me bisht njeri shumë i bukur, që shquhet mbi gjithë të tjerët nga pamja, njeri me bukuri të rrallë; yll i rënë (i këputur) nga qielli. Yll drite shumë i bukur, shumë i pashëm; me yll na ballë. Ylli i karvanit dikush a diçka që përcakton rrjedhën e ngjarjeve dhe që është si shembull a si orientim për të tjerët; dikush që prin e përçon të tjerët atje ku duhet, prijës; ylli i mëngjesit; ylli polar libr. Ylli i mëngjesit shih ylli i karvanit. Ylli polar libr. shih ylli i karvanit.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë