Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
QÍM/E,~JAI f. sh. ~E, ~ET 1. Fije e hollë dhe e brirtë mbi lëkurën e njeriut dhe të kafshëve; përmb. Tërësia e fijeve të holla që mbulojnë trupin e një kafshe. Qime e zezë (e verdhë, e bardhë, e kuqe). Qime e gjatë (e hollë, e trashë). Qime maceje. Lëkurë me qime. Qimet e kokës flokët. Qimet e lëkurës. Qime të bardha thinja. E ka qimen të butë. Ndërron qimen. I bie qimja.
2. Fije e hollë leshi, pambuku etj.; fije të holla zakonisht nga bishti i kalit, që përdoren për furça etj. Qimet e qilimit. Furçë me qime. Qime leshi. I kanë dalë qimet.
3. bot. Fije e hollë në rrënjët a në kërcellin e disa bimëve. Qime djegëse qime të ashpra, shpuese, kreshtake, të cilat nxjerrin lëng ngacmues ose djegës kur preken, si te gjethet e hithrës. Qime jargore qime që sekretojnë jargë. Qime gjëndërore lloj qimeje që ka në majë një qelizë gjëndërore, e cila sekreton lëndë organike jashtë bimës. Qime e ndjeshme qime e gjatë dhe e hollë, shumë e ndjeshme ndaj prekjes. Qime rrënjore qime që zmadhojnë dhe zgjerojnë sipërfaqen përthithëse të ujit. Qime thithëse zgjatime të holla në cipën e një organi të trupit. Qimet e zorrëve.
4. tek. Fije e hollë metali, e përdredhur në mekanizmin e një ore. Qimja e orës. Iu këput qimja. I ndërroi qimen.
✱Sin.: lesh, lëmishte, fill.
♦ Asnjë qime (*fije) floku. U bë qime (dikush) iku me vrap, vrapoi me shpejtësinë më të madhe, fluturoi menjëherë; u zhduk shumë shpejt; u bë erë; u bë lepur; ia mbathi me të katra. E bën qimen *tra (dikush). E bën trarin qime (dikush) i zvogëlon shumë gjërat, e paraqit diçka më të vogël a më të lehtë sesa është; e bën buallin mizë; kund. e bën qimen tra. Më kanë rënë qimet e kokës (me diçka) shih më ka rënë leshtë e kokës2 (me diçka). Ka rënë qimja në lesh keq. shih gjeti tenxherja kapakun keq. Iu çel qimja (dikujt) u gëzua shumë, u çel; i qeshi fytyra. Më dolën qimet e bardha (*thinjat). Sa të digjet qimja shumë shpejt, për një kohë shumë të shkurtër; menjëherë, në çast; sa rreh qerpiku; sa të thuash pesë. S’më dridhet qimja nuk trembem fare, nuk tutem nga askush e nga asgjë, s’dua t’ia di; s’e tremb qimen; s’më trembet (s’më fiket) syri. M’u drodhën qimet e kokës shih m’u drodhën flokët. (Futet) si qimja në qull (dikush) shih fut hundët (hundën) (dikush). Gjen qime në vezë (dikush) i zbulon e i përmend dikujt një të metë sado të vogël, që ta bëjë patjetër fajtor për diçka. S’e ha *bukën me qime (dikush). Të heq qimen në sy (dikush) është shumë i zoti; është shumë trim; të ha (të qëron) të bardhën e syrit; të merr gjak në vetull; të lan në shpatull; të thyen arrën në dorë. E ka në qime (dikush) i shkon çdo gjë mbarë, është si s’ka më mirë; nuk ka vështirësi a halle, nuk ka arsye ta prishë gjakun; e gjen e mira vetë (dikë); i lulëzon (i lulon) bahçja në dimër (dikujt); kund. s’e mbush barkun me bukë (dikush). Kam qimen e derrit gjithmonë më vete ters, nuk kam fat, nuk më del asgjë mbarë, dështoj vazhdimisht; jam fatkeq; kam qimen e ujkut. Kam qimen e ujkut. 1. Më ndjekin gjithmonë të këqijat, nuk më ndahen të zezat a mbrapshtitë; dështoj vazhdimisht, nuk më ecën fare; kam qimen e derrit. 2. Më vërsulen të gjithë edhe pa të drejtë, tërheq mërinë e të tjerëve; kam lëkurën e ujkut. Ka tri qime në majë (dikush) përçm. është fare i metë nga mendja, ka shumë të meta mendore, s’ka tru fare, është fare budalla; ka një dërrasë (ca dërrasa) mangët tall.; i mungon një dërrasë (dikujt); i ka krisur një dërrasë (dikujt); ka një hatull mangët. Këput qimen (dikush). 1. Di të qëllojë mirë me armë; e ndan qimen (më) katërsh (dysh). 2. Ka sy të mprehtë, e dallon diçka që atje tej. (Kërkon) qimet e kokës (dikush) kërkon një shpërblim shumë të madh; jep një çmim jashtëzakonisht të lartë; e mban shumë shtrenjtë diçka. Kërkon qimen në vezë (në përpeq) (dikush) mundohet të gjejë medoemos ndonjë të metë, sado të vogël, në një punë a në diçka tjetër, edhe aty ku nuk ka; kapet pas gjërave fare të vogla e pa rëndësi; kërkon halën në përpeq; gjen qime në vezë. S’i la qime në faqe (dikujt) e njollosi dikë, i hodhi baltë, e bëri me turp, e turpëroi; i la hijen e marres; i ra boja përtokë. E ndan qimen (më) katërsh (dysh) (dikush). 1. Është shumë i zoti; është mendjehollë; këput qimen. 2. keq. Është shumë dorështrënguar. 3. E ka zakon të kapet pas gjërave fare të vogla; i vë fre pleshtit. Ka ndërruar qimen (dikush) keq. ka ndryshuar vetëm në dukje, por ka mbetur po ai njeri i keq; shtiret si i mirë, sillet me hipokrizi. I është ngritur qimja (dikujt) është inatosur, është nxehur shumë; nuk i flitet me gojë. M’u ngritën qimet e kokës (flokët) *drizë, *përpjetë. S’i ngjitet qimja (dikujt). 1. Është shumë i pastër e i rregullt në veshje, i ndrijnë rrobat në trup nga pastërtia. 2. E ruan me kujdes nderin dhe emrin e vet, s’ka bërë asnjë faj a mëkat; është tepër i prerë e i rreptë për të mos u përlyer sadopak në punë të këqija. Kur të numërosh qimet e gomarit tall. kurrë, asnjëherë; kur të pëllasë gomari në çati. Numëron qimet e postiqes (dikush). 1. Shikon edhe gjërat më të vogla e pa rëndësi, merret me cikërrima të parëndësishme. 2. Nuk ka punë e humbet kohën kot, nuk di me se të merret; merret me diçka që nuk duhet a nuk vlen; bën punë të mundimshme, por kot; vret (numëron) miza; numëron (heq) tespihet; tund (luan) derën; dredh (tund) zinxhirin; shtie rruaza në pe; rruan vezë; prashit (mih, lëron) në ujë; trazon baltën me shkop; sit rërë. Nuk nxjerr (dot) qimen nga qulli (dikush) nuk është i zoti e i shkathët, është shumë i plogët, nuk bën as një punë sado të lehtë a të vogël, nuk e ke për asgjë; nuk e nxjerr (dot) pulën nga kopshti; as turbullon e as kthjellon; fle në këmbë. S’ia pret njeri qimen (dikujt) është i zoti e i zgjuar; nuk e prek dot askush; nuk mund t’ia hedhë dot njeri, s’e mashtron dot; s’ia ha qeni shkopin. Qime e gjallë. 1. Njeri shumë i shkathët në punë e në veprime; e ka gjakun shpuzë (dikush). 2. keq. Tinëzar i madh, ai që të dëmton pa u ndier fare. Qimet e kokës shumë shtrenjtë, sa s’ka më shtrenjtë; shumë, tepër; leshtë e kokës. Qimja e ndan (dikë a diçka) është shumë afër një rreziku dikush, fare pak e ndan nga një dënim, nga një fajësim etj.; fare afër është diçka me diçka tjetër; (është) në teh të thikës (të briskut, të shpatës) (dikush); varet (mbahet) në një qime (dikush a diçka). Qime në qere diçka shumë e rrallë; diçka që ndodh shumë rrallë. Qimja e tjetrit i duket tra (dikujt) e ka më të lehtë të shohë të metat e të tjerëve, sesa të vetat; i zmadhon të metat e tjetrit. Shkul një qime nga një derr (dikush) shih shkul një gur nga një mur (dikush). Sheh qimen në syrin e tjetrit dhe nuk sheh trarin në kurrizin e vet (dikush) nuk sheh të metat e gabimet e veta të mëdha, por merret me gjërat e vogla të të tjerëve; qimja e tjetrit i duket tra (dikujt). S’i shpëton qimja (dikujt) përpiqet të dëgjojë mirë e me kujdes që të mos i shpëtojë asgjë, rri i përqendruar e i vëmendshëm; hap veshët (dikush); i mban veshët ngritur (dikush); rri me veshë përpjetë (dikush); i mban (i bën) veshët bigë (dikush); kund. i ka mendtë në tra (dikush) mospërf. (Shpëtoi) për një qime (dikush) shih (shpëtoi) për një fije (floku) (dikush). S’e tremb qimen nuk frikësohem fare, nuk tutem nga askush e nga asgjë, as që dua t’ia di; s’më dridhet qimja; s’më trembet (s’më fiket) syri. Varet (mbahet) në një qime (dikush a diçka) është gati duke u prishur diçka a duke vdekur dikush, pak gjë e ndan nga prishja a nga vdekja, mezi mbahet; qimja e ndan (dikë).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë