Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AGROMJEDÍS,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Dije shkencore që studion menaxhimin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore me synim përparimin e teknologjisë së prodhimeve bujqësore, mirëmbajtjen, përmirësimin e cilësisë, sigurinë e prodhimit dhe të vetë mjedisit. Laboratori i agromjedisit. Teknologjia e agromjedisit.
2. Degë në arsimimin universitar për përgatitjen e specialistëve dhe studiuesve në fushën e mjedisit, me dije e kompetenca profesionale në përputhje me zhvillimet e sotme mjedisore. Inxhinieri agromjedisi. Sektori i Agromjedisit.
AKUANAUTÍK/Ë,~A f., spec. 1. Fusha e dijes që merret me hulumtime dhe me kërkime në oqeanografi; inxhinieri nënujore; gjeologji detare; biologji detare. Sektori i akuanautikës. Programi i akuanautikës. Studioj akuanautikën.
2. Udhëtim nënujor; zhytje dhe lundrim për të hulumtuar në thellësitë e oqeaneve; gjurmim në detin e thellë.
ANALIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Zbërthej diçka në pjesët përbërëse për ta studiuar, për t’i bërë analizën për të kuptuar më mirë strukturën, përmbajtjen e funksionin e saj. Analizoj gjakun (ujin, ajrin, dheun etj.). Analizoi arsyet e krizës ekonomike. Analizova ndikimin e klimës në bujqësi. Analizoj një vepër. Analizoj një fjali (një fjalë).
2. Shqyrtoj një çështje ose një punë duke e zbërthyer e duke e parë nga të gjitha anët; marr në analizë. Analizoj punën (gjendjen). Analizoi përfundimet. Inxhinieri analizon gabimet në ndërtim. Analizon me sy kritik.
✱Sin.: zbërthej, shkoqit, përimtoj, shqyrtoj, shoshit, qëmtoj, hetoj, zbuloj.
ARPIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET tek. 1. Mjet ose pajisje teknike, që përdoret për të kapur, për të ngulur ose për të tërhequr objekte që përdoren në peshkim, në industri dhe në inxhinieri. Përdor arpion për të zënë peshq. Arpion për të tërhequr objekte.
2. Rrotë me dhëmbë e pajisur me sqep që e lejon të rrotullohet në një kah të caktuar. Arpion për të lëvizur materiale të rënda.
3. Sqep që shërben për shpëtimin e njerëzve në raste fatkeqësie. Arpion shpëtimi.
4. Gjemb, gjilpërë ose një mjet i ngjashëm që shërben për të mbërthyer dhe për të mbajtur diçka.
ASISTÉNT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT libr. 1. Ndihmës i një profesori universitar, i një mjeku, i një inxhinieri etj. Asistent i inxhinierit. Asistent i profesorit (i regjisorit). Mjek asistent.
2. Titulli fillestar i atij ose e asaj që merret me punë mësimore në një shkollë të lartë a në një universitet; ai që mban këtë titull. Asistent në universitet.
ASISTÉNT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ndihmëse e një profesori universitar, e një mjeku, e një inxhinieri etj. Asistente e profesorit. Mjeke asistente.
2. Titulli fillestar i atij ose e asaj që merret me punë mësimore në një shkollë të lartë a në një universitet; ajo që mban këtë titull. Asistentja hyri në sallë me regjistër.
AUTOMATÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT 1. usht. Armë zjarri afërsisht sa pushka, me tytë jo të gjatë, që përdoret për qitje të shpejta automatike. Karikatori i automatikut. Breshëri automatiku. Qitje me automatik. Mbush automatikun. Shtie me automatik. Përdorën automatikë. Blej automatik.
2. tek. Mekanizëm i posaçëm që vë në lëvizje një makinë ose një pajisje pa ndërhyrjen e drejtpërdrejtë të njeriut; automat. Automatiku i ndërruesit të dritave. Automatiku i frenave të dorës.
3. Sistem ose pajisje që funksionon vetvetiu pa ndërhyrje njerëzore (në elektronikë, në inxhinieri, në armatim dhe në mekanikë), përmes teknologjisë dhe programimit të brendshëm.
4. bised. Qendra për lidhjen automatike të telefonave midis tyre. Linja e automatikut. Lidhem me automatikun. S’fola se nuk punonte automatiku.
BIOGJENETÍK/Ë,~A f., spec. Inxhinieri gjenetike. Zhvillimi i biogjenetikës. Metodat e biogjenetikës.
BOTÓR/E,~JA f., bised., vjet. Zyrë që merrej me ndërtimin e me mirëmbajtjen e rrugëve, të ndërtesave shtetërore etj. dhe me punët komunale. Seksioni i botores. Inxhinieri (kryepunëtori) i botores. Nëpunës i botores.
DIPLOMÚAR (i, e) mb. 1. Që ka marrë diplomën pasi ka mbaruar një shkollë të mesme a të lartë ose një kurs të posaçëm. I diplomuar për inxhinieri. Studentë (nxënës) të diplomuar.
2. Që ka marrë një diplomë në një konkurs, në një olimpiadë, në një garë etj. Pjesëmarrës i diplomuar.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit. Uroi të diplomuarit. Të diplomuarat e këtij kursi.
DJALLÓSUR (i, e) mb., bised. Që është prishur e shkatërruar aq keq sa s'ndreqet më ose është vështirë të rregullohet; që është bërë më keq a është shkatërruar krejt në vend që të ndreqej, që është katranosur; që është shpënë në një gjendje të keqe, që është bërë për djall. Punë e djallosur. Muhabet i djallosur. Këtë lëng të djallosur, inxhinieri e përftoi prej dy përbërësish.
✱Sin.: i dreqosur, i nxirosur, i katranosur, i sterrosur, i dhjerë
GJEOINFORMATÍK,~E mb. Që ka të bëjë me gjeoinformatikën; i gjeoinformatikës. Inxhinieri gjeoinformatike.
INXHINIÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Specialist me arsim të lartë, që bën planet e ndjek zbatimin e tyre në ndërtime të ndryshme ose që punon a drejton prodhimin në një fushë të teknikës, të industrisë a të mbrojtjes. Inxhinier gjeolog (mekanik, elektrik). Inxhinier ndërtimi (zbatimi, shfrytëzimi). Inxhinier pyjesh. Inxhinieri i uzinës (i fabrikës). Inxhinier për ndërtimin e makinave (për nxjerrjen e naftës). Bëhem (dal) inxhinier.
INXHINIERÍ,~A f. 1. Fushë e veprimtarisë ekonomike ku punojnë inxhinierët; degë studimi për këtë fushë; specialiteti i inxhinierit, puna e inxhinierit. Inxhinieri pyjore (elektrike, mekanike). Inxhinieri ndërtimi (tekstili). Dega e inxhinierisë. Fakulteti i inxhinierisë. Mëson për inxhinieri.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa inxhinieri: Inxhinieria pyjore inxhinieria që merret me planifikimin, me menaxhimin, me shfrytëzimin e qëndrueshëm, me mbrojtjen e pyjeve dhe të ekosistemeve pyjore për qëllime ekologjike, ekonomike dhe mjedisore. Inxhinieri mekanike inxhinieria që merret me projektimin, me zhvillimin, me prodhimin dhe me mirëmbajtjen e sistemeve mekanike. Inxhinieria kimike inxhinieria që merret me projektimin, me zhvillimin dhe me optimizimin e proceseve për prodhimin, për transformimin dhe për përdorimin e substancave kimike, materiale dhe të energjisë. Inxhinieria elektrike inxhinieria që merret studimin, me projektimin, me zhvillimin dhe mirëmbajtjen e sistemeve dhe pajisjeve që përdorin energjinë elektrike, elektronike dhe me elektromagnetizmin. Inxhinieria elektronike inxhinieria që merret me projektimin, me zhvillimin dhe me mirëmbajtjen e qarqeve, të pajisjeve dhe të sistemeve elektronike që përdorin sinjale elektrike për përpunim informacioni. Inxhinieria mekanike inxhinieria që merret me studimin, me projektimin, me ndërtimin dhe me mirëmbajtjen e sistemeve mekanike. Inxhinieria e metalurgjisë inxhinieria që merret me studimin, me nxjerrjen, me përpunimin dhe me përdorimin e metaleve dhe të lidhjeve metalike. Inxhinieria e gjeomjedisit inxhinieria që merret me studimin dhe me zbatimin e parimeve inxhinierike për të mbrojtur dhe për të menaxhuar mjedisin natyror. Inxhinieria topografike inxhinieria që merret me studimin, me matjen dhe me përshkrimin e sipërfaqes së tokës për qëllime ndërtimore, infrastrukturore dhe planifikimi. Inxhinieria gjeodezike inxhinieria që merret me matjen, me analizimin dhe me interpretimin e formës dhe të përmasave të Tokës, si dhe me përcaktimin e pozicioneve të sakta në sipërfaqen e saj. Inxhinieria e naftës inxhinieria që merret me kërkimin, me nxjerrjen dhe me prodhimin e burimeve të naftës dhe gazit. Inxhinieria e ndërtimit inxhinieria që merret me projektimin, me ndërtimin, dhe me mirëmbajtjen e mjedisit natyror dhe të ndërtuar, përfshirë vepra si urat, rrugët, kanalet, digat dhe ndërtesat. Inxhinieria kompjuterike inxhinieria që merret me kompjuterat. Inxhinieria informatike inxhinieria që merret me studimin dhe zhvillimin e metodave për prodhimin, për disenjimin e pajisjeve kompjuterike. Inxhinieria fizike inxhinieria që merret me aplikimin e parimeve të fizikës në disenjimin, në zhvillimin dhe në optimizimin e sistemeve dhe të teknologjive të ndryshme. Inxhinieria matematike inxhinieria që merret me përdorimin e metodave dhe të modeleve matematike për zgjidhjen e problemeve teknike dhe inxhinierike, për zhvillimin e simulimeve, për analizën dhe për optimizimin e sistemeve komplekse në mënyrë efektive dhe të saktë. Inxhinieria e drurit inxhinieria që merret me përdorimin e njohurive inxhinierike dhe teknologjike për përpunimin, për përdorimin dhe për menaxhimin e drurit si material ndërtimi dhe si produkt industrial. Inxhinieria gjeologjike inxhinieria që merret me studimin dhe me zbatimin e njohurive të gjeologjisë për analizimin, për projektimin dhe për menaxhimin e ndërtimeve dhe të infrastrukturës mbi dhe nën tokë, duke marrë parasysh kushtet dhe rreziqet gjeologjike si dhe karakteristikat e tokës dhe të shkëmbinjve.
KANTIÉR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Vend a shesh i madh për ndërtimin e një fabrike, të një pallati a të një lagjeje etj., së bashku me të gjitha pajisjet e duhura; vendbanim i përkohshëm për punonjësit e atij ndërtimi. Kantier i madh ndërtimi. Kantier detar vend pranë skelës për ndërtimin e anijeve, të motoskafëve etj. Inxhinieri (tekniku) i kantierit. Banonte në kantier.
KOMPJUTERÍK,~E mb. 1. Që lidhet me kompjuterin dhe me veprimet e ndërlikuara që kryen ky aparat në fushën e kibernetikës a të informatikës; që i përket kompjuterit, i kompjuterit. Të dhëna (informacione) kompjuterike.
2. Që lidhet me shkencën e kibernetikës, me informatikën dhe me elektroteknikën; kibernetik. Shkenca kompjuterike. Metoda (njohuri, të dhëna, informacione) të ndërlikuara kompjuterike. Inxhinieri kompjuterike.
LINJIFIKÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. Linjësoj. Inxhinieri linjifikoi kanalet sipas terrenit.
LINJËSÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. I vendos, i rreshtoj ose i orientoj elementet në një vijë të drejtë. Linijësoj oraret e punës me ato të kolegëve. Inxhinieri linjësoi me kujdes dy pjesët e mekanizmit. Në dokument, ai linjësoi të gjithë titujt majtas për një paraqitje më të pastër.
2. fig. Harmonizoj qëndrime, mendime, plane për të arritur një objektiv të përbashkët. Drejtoria po përpiqet të linjësojë politikat e saj me rekomandimet e reja.
PYJÓR,~E mb. 1. Që ka të bëjë me pyjet, që lidhet me pyjet; që u përket pyjeve, i pyjeve; që kalon nëpër pyje. Drurë pyjorë. Pasuritë pyjore. Rrugë pyjore.
2. Që ka të bëjë me dijen për pyjet, që lidhet me njohuritë teorike e praktike për pyjet ose që jep këto njohuri; i pyjeve, i pylltarisë. Teknikumi pyjor. Inxhinieri pyjore.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë