Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DHËMB,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Secila nga eshtrat e vogla të ngulura në të dyja nofullat, që i shërbejnë njeriut a kafshës për të copëtuar e për të përtypur ushqimet ose për të kafshuar diçka. Dhëmbë të gjatë (të mëdhenj, të vegjël, të dalë). Dhëmbë të bardhë (të zverdhur, të nxirë). Dhëmbë të mprehtë. Dhëmb i prishur (i krimbur). Dhëmbë të vënë. Dhëmbët e njeriut (e maces, e qenit, e ujkut, e luanit, e tigrit, e dhelprës). Dhëmbët e brejtësve. Me (pa) dhëmbë. Nervi i dhëmbit. Rrënja (palca) e dhëmbit. Pastë (furçë, kruese) dhëmbësh. I dolën (i ranë) dhëmbët. M’u mpinë dhëmbët. Shkul (heq) dhëmbin. Thyej (kafshoj, copëtoj) me dhëmbë. Laj (pastroj) dhëmbët. Mishi i dhëmbëve (mishrat e dhëmbëve) mishi përqark fundit të dhëmbëve, trysat. Flas (them) nëpër dhëmbë nuk i shqiptoj mirë fjalët dhe nuk i sqaroj mirë gjërat.
2. Secila nga eshtrat e vogla që ndodhen në pjesën e përparme të nofullave dhe që janë më të hollë e më të mprehtë se ata që ndodhen anash. Dhëmbët e përparmë. Dhëmbët prerës. Dhëmbët e dhëmballët. Kap me dhëmbë. I ngul (i fut) dhëmbët kafshoj. I armatosur gjer (deri) në dhëmbë i armatosur shumë mirë, i pajisur me të gjitha armatimet. Kush luan këmbët, luan dhëmbët (fj. u.). Ku dhemb dhëmbi, vete gjuha (fj. u.).
3. kryes. sh. Varg të dalash, zakonisht të mprehta ose me majë, në një vegël, në një mekanizëm etj.; dhëmbëz. Dhëmbë të hekurt (të çeliktë). Dhëmbët e sharrës (e frezës, e ingranazhit). Dhëmbët e krehrit. Rrotë (lesë, frezë) me dhëmbë.
4. Fije e hollë kallami a metali e krehrit të tezgjahut. Rregulloj dhëmbin e vegjës.
5. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme dhëmbësh. Dhëmb katarosh stërdhëmb. Dhëmbët e parë (dhëmbët e qumështit) dhëmbët e foshnjërisë. Dhëmbët e syrit (e qenit) të katër dhëmbët me majë që gjenden midis dhëmbëve prerës dhe dhëmballëve. Dhëmb floriri dhëmb i vënë prej floriri.
6. bujq. Pjesë e parë e një emërtimi të pathjeshtë për një lloj pajisjeje për çarjen e tokës në thellësi. Dhëmb injektor.
✱Sin.: dhëmbëz, çatall, fije.
♦ Ta bësh dhëmbin sa të *kalit! Ia bëri dhëmbët *misër (dikujt) keq. Më kanë rënë dhëmbët (dhëmbë e dhëmballë). 1. U plaka; jam plak; jam shumë i vjetër diku, kam shumë kohë aty, u plaka në atë vend, në atë punë, në atë zanat etj. 2. E kam humbur fuqinë e s’jam më në gjendje të dëmtoj njeri; s’jam më i rrezikshëm, s’i bëj dot gjë askujt. Ma pruri (ma solli) shpirtin ndër dhëmbë (dikush a diçka) shih ma pruri (ma solli) shpirtin në fyt (dikush a diçka). S’i kanë dalë (ende) dhëmbët (dikujt) shpërf. është ende i ri e i papjekur; nuk ka ende fuqi e mundësi për të bërë diçka; i ka buzët me qumësht (dikush).*Ditën të lëpin këmbët e natën të ngul dhëmbët (dikush). (E di vetë) ku më dhemb dhëmbi e di vetë se për çfarë kam më shumë nevojë a ku e kam pikën më të dobët; vetë e di ku e kam hallin; i zoti e di ku i pikon çatia. Dhëmb për dhëmb në mënyrë të vendosur e të rreptë, ballazi e me ashpërsi të madhe, pa ngurruar e ashtu si ma bën dikush; pa u tërhequr e pa u thyer para dikujt; grusht për grusht; për jetë a vdekje. (Ia di) sa dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush) shih (e njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë). (E njoh) me dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë) e njoh shumë mirë, hollësisht, me virtytet e veset që ka, deri në imtësi, pa asgjë të fshehtë, ashtu si është; (ia di) sa dhëmbë e dhëmballë ka në gojë (dikush); (e njoh) me rrënjë e me degë; (ia di, ia njoh) zorrët e barkut (dikujt); (ia di) fundin e barkut (dikujt); ia di sa lugë ka në shportë (dikush); ia di lugët e pirunët (dikujt); ia kam pirë lëngun (dikujt); i kam marrë erë në qafë (dikujt). Me *gojë të lan e me dhëmbë të çan (dikush). Ha *baltë me dhëmbë (dikush). Ha *dheun me dhëmbë (dikush). Hahet me dhëmbë (me dikë) zihet keqas me një tjetër; kacafytet keq me dikë. E ha me dhëmbë. 1. (diçka). Jam i sigurt që e bëj një punë duke vënë të gjitha forcat, ia dal sado e vështirë të jetë. 2. (dikë). E dënoj rëndë, e ndëshkoj rreptë. Ha *frerin me dhëmbë (dikush). Ha (bren) *hekurin (çelikun) (me dhëmbë) (dikush). Ha edhe *malin me dhëmbë (dikush). Ha *veten me dhëmbë. Jam dhëmbë për dhëmbë (me dikë) jam shumë i acaruar me dikë në çdo çast, e kam shumë inat a e urrej; jam në armiqësi me të; s’ia falim njëri-tjetrit; jam në thikë e në pikë; shkoj thikë e brisk. Kafshoj *buzën (me dhëmbë). E kafshon *frerin me dhëmbë (dikush). (Sikur) sa të kalit (kaq) ta bësh dhëmbin! mundohu sa të duash!, hidhu përpjetë po të duash!, nuk ke për ta marrë a për ta arritur kurrë diçka. I ka dhëmbët me bukën time (dikush) ma ka harruar të mirën që i kam bërë, është mosmirënjohës edhe pse ende rron falë ndihmës a përkrahjes sime. S’ka *shpirt (s’ka pikë shpirti) ndër dhëmbë (dikush). *Kleçkë për të kruar dhëmbët vulg. keq. Kruan dhëmbët (dikush) iron. 1. Nuk ka të hajë; s’ka futur gjë në gojë. 2. Rri kot e tallet, s’do t’ia dijë për punën; merret me diçka të kotë a pa vlerë; kruan thonjtë; tund derën; ngrohet (theket) në diell; vret (numëron) miza; dredh (tund) zinxhirin; numëron qimet e postiqes; rruan vezë; kërcet gishtërinjtë. Nuk më lë të kruaj (të qëroj) dhëmbin (dikush) më rri vazhdimisht pranë, më ngjitet pas; s’më lë të bëj asgjë, më pengon orë e çast; nuk më lë të marr frymë. E lidh gjuhën për dhëmbësh (dikush) e përmban veten kur flet, flet pak dhe mendohet mirë para se të flasë. Ta merr *arrën nga dhëmbët (dikush). Ma mbajtën dhëmbët (diçka) gati sa s’e thashë atë që mendoja, desh e thashë diçka që s’duhej thënë, gati më shpëtoi; më erdhi në dhëmbë; e kisha në majë të gjuhës; e kisha në gojë. E mban *gjuhën prapa dhëmbëve (ndër dhëmbë) (dikush). Mbeti me dhëmbët jashtë (dikush) mbeti duke qeshur, nuk pushon së qeshuri; zbardh (hap) dhëmbët keq. Mpreh dhëmbët (dikush). 1. iron. E quan diçka që më parë, pa e pasur ende në dore, si gjënë a si pronën e tij, përgatitet shpirtërisht për ta pasur si të tijën; shpreson më kot se do të ndodhë diçka ose se do të shkojnë punët ashtu si do a si mendon ai; lëpin buzët. 2. Fillon ta kërcënojë dikë, bëhet gati për ta sulmuar; i tregon dhëmbët (dikujt); i skërmit (i kërcet) dhëmbët (dikujt); i ndrit sytë. I numëron dhëmbët (dhëmbë e dhëmballë) (dikujt) e shtrëngon mirë dikë dhe e detyron të bëjë diçka; e ndëshkon si duhet; ia ndreq qejfin. Ia nxori dhëmbë e dhëmballë (dikujt) e mundoi shumë, e sfiliti, s’i la gjë pa bërë; ia mori shpirtin; i nxori shkumë (nga goja). Njëri ha *kumbulla (thana) e tjetrit i mpihen dhëmbët iron. S’i pushon dhëmbi (dikujt) keq. ha pa pushim, ha ç’gjen përpara, s’ngopet së ngrëni, sado që t’i japësh; është llupës, grykës. Të qëron dhëmbin (dikush) është shumë kërkues, të kërkon deri në hollësi; nuk të lë të luash me diçka, të shtrëngon mirë për ta bërë diçka. E ruan *bukën ndër dhëmbë (dikush). I skërmit (i kërcet) dhëmbët (dikujt) e kërcënon ashpër, i flet me kërcënim; e sheh me të egër e i kanoset; i tregon dhëmbët; i ndrit sytë (dikush). Nuk i rri *gjuha prapa dhëmbëve (në vend, rehat) (dikujt). I shkuli dhëmbët (dhëmballët) (dikujt) e detyroi dikë të përgjigjej gjer në një për një veprim a për një sjellje të padrejtë; e ndëshkoi rreptë. E shpie *gjuhën te dhemb dhëmbi. Me *shpirt ndër dhëmbë (në gojë). Shtrëngoj dhëmbët mbledh të gjitha fuqitë, edhe me zor, për të kryer një punë, për të përballuar një gjendje të vështirë, për të duruar një dhembje etj. Ia shtrëngon dhëmbët (dikujt) e qorton rëndë a e rreh; ia mbledh mirë; ia tregon qejfin. I tregon dhëmbët (dikujt). 1. E kërcënon, i kanoset; e sheh me të egër; mpreh dhëmbët (dikush); i skërmit (i kërcet) dhëmbët; i ndrit sytë (dikush). 2. I zbulon qëllimet e veta grabitqare, armiqësore etj., e tregon natyrën e vet të egër; e zbulon veten se sa i pamëshirë e i rrezikshëm është. I tregon dhëmbët e ujkut (dikujt) shih i tregon lëkurën e ujkut (dikujt). Me *thikë ndër dhëmbë keq. Me *thonj e me dhëmbë. Theu dhëmbët (dikush) humbi keq, pësoi humbje të rëndë, u dëmtua shumë; dështoi në një punë dhe mori pasojat e këqija. I theu dhëmbët (dikujt) përçm. 1. E rrahu mirë, e rrahu paq; e goditi rëndë; i dha dënimin e merituar; e mundi keqas e me turp; e shtroi (e shqepi, e zhdëpi, e ngordhi, e kalbi, e dendi) në dru; i theu brinjët. 2. Ia mblodhi mirë; s’e la të shiste mend; i theu hundët; i tregoi vendin. *Ujk pa dhëmbë mospërf. Më erdhi në dhëmbë (një fjalë) gati sa s’e thashë, për pak s’e nxora, gati isha ta thosha; e kam në majë të gjuhës; e kam në gojë; ma mbajtën dhëmbët. Iu vranë dhëmbët! (dikujt) iron. në të vërtetë nuk ka vuajtur a nuk është munduar, nuk e ka gjetur gjë e keqe (zakonisht për dikë që ankohet). Zbardh dhëmbët (dikush) keq. zgërdhihet; qesh me të tallur; mbeti me dhëmbët jashtë. I zbërthej dhëmbët (dikujt) shih i zbërthej gojën (dikujt). S’ta zë dhëmbi (diçka). 1. Është një copë fare e vogël (për t’u ngrënë), s’është për t’u ngopur. 2. S’është për t’u thënë, nuk duhet përmendur; s’e ngre (s’e mban) kandari. I zë dhëmbi bukë (dikujt) është në gjendje më të mirë, e ka marrë veten ekonomikisht; është pasuruar; përfiton diçka, merr diçka, s’është më nevojtar; edhe iron. ka arritur të jetë në gjendje disi më të mirë dhe i duket vetja kushedi ç’është. S’i zë gjuha *vend (ndër dhëmbë) (dikujt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë