Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ÁFRO-AZIATÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që ka prejardhje nga Afrika dhe jeton në Azi; ai që i takon një bashkësie etnike të Afrikës që është vendosur disa qindra vite më parë në nënkontinentin indian (në vende, si Bangladesh, Pakistan, Sri Lankë, Indi etj.). Afro-aziatik i ardhur vonë. Valle afro-aziatike. Klimë afro-aziatike.
ALIZÁR,~I m., bot. 1. Bimë me gjethe vizake heshtore me lule të vogla e të verdha të mbledhura tufë dhe me rrënjë të tultë, që përdoret e tharë dhe e bluar si bojë e kuqe për ngjyrosje; lulja e pinit, rrëzë. Alizar i egër. Alizar indian.
2. Pigment me ngjyrë të kuqe, që përdoret për të ngjyrosur pëlhura etj. Alizari sintetik alizarina.
✱Sin.: rrëzë, brosht, garancë, rrëzojë, rrojë, shqeme, alizarinë.
AMÚR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Ctenpharyngodon idella) Peshk i ujërave të ëmbla, me ballë të gjerë e luspa të mëdha, me shpinën të gjelbër e me barkun në ngjyrë të çelët, që mund të rritet mbi një metër dhe të peshojë deri 30 kg e që ushqehet me bimë ujore (kallamishte, kërpudha, thjerrëza uji, bar etj.); amuri i bardhë; krapi i barit, krapi indian Amuri i zi (lat. Mylopharyngodon piceus) krapi aziatik mishngrënës, që jeton në ujëra të ëmbla, me gjatësi mbi një metër, me peshë deri njëqind kilogram e që ushqehet kryesisht me kërmij, molusqe dhe midhje.
2. fig. Ai që ikën e fshihet nga sytë e të tjerëve. Iku, u bë amur humbi nga sytë, u tret larg,
ANGLOFÓN,~E mb. Që ka anglishten si gjuhë amtare; që flet anglisht, zakonisht në një vend ku flitet një gjuhë tjetër. Shtetet anglofone. Popujt anglofonë. Bota anglofone. Kultura anglofone. Letërsia anglofone. Opinioni anglofon. Popullsia anglofone. Komunitet anglofon. Vendet anglofone. Indian anglofon. Është anglofone.
ANGLOINDIÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Indian me prejardhje nga Anglia. Roli i rëndësishëm i angloindianëve në administratën britanike.
ARÍ,~U m. sh. ~NJ, ~NJTË 1. zool. (lat. Ursus) Kafshë e egër gjitare, mishngrënëse, me trup të madh e të rëndë, të mbuluar me qime të ashpra, me ngjyrë të murrme a të bardhë. Ariu i murrmë. Ariu i bardhë. Ari pylli. Arinjtë e cirkut. Lëkurë ariu. Putër ariu. Ecën si ari ecën rëndë. Punon si ari punon fort.
2. fig., bised. Njeri i rëndë e i ngathët, por i fortë; njeri i pagdhendur, që sillet në mënyrë të vrazhdë.
3. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme arinjsh: Ariu amerikan (lat. Ursus americanus, Euarctos americanus) ariu i zi. Ariu i bardhë (lat. Ursus maritimus, Thalarctos maritimus) ari trupmadh me gëzof të bardhë që jeton në Polin e Veriut, që është përshtatur për të jetuar në mjedise të ashpra dhe me akull dhe që peshon prej treqind e pesëdhjetë deri shtatëqind kilogramë; ariu polar. Ariu i detit (lat. Enydra lutris) ari me gëzof të dendur e të butë me ngjyrë të kafenjtë, të hirtë ose të zezë, që jeton në ujërat e ftohta, që është i shoqërueshëm dhe përdor një varg tingujsh për të komunikuar; lundra e detit. Ariu i diellit ariu malajas. Ariu i Himalajeve ariu i kuq. Ariu i kuq (lat. Ursus arctos isabellinus) ari me gëzof në ngjyrë kafe, i përshtatur për të jetuar në mjediset e ashpra dhe të ndryshme të rajoneve malore, me trup të gjatë deri në dy metër dhe me peshë nga njëqind deri në dyqind kilogramë; ariu i Himalajeve. Ariu malajas (lat. Ursus malayanus, Helarctos malayanus) kafshë vetmitare, me gëzofin në ngjyrë të zezë a gri të errët, me një shenjë të bardhë karakteristike në gjoks në formën e shkronjës U ose të shkronjës V; ariu i diellit. Ariu i murrmë (lat. Ursus arctos) ari shumë i njohur, me ngjyrën e gëzofit nga e verdha e hapur deri në të kafenjtë të errët ose të zez,ë me gjatësia trupore dhe më pesha të ndryshme, që varen nga nënlloji dhe vendi i jetesës. Ariu panda (lat. Ailuropoda melanolleuca) ari bimëngrënës e rrallë mishngrënës, me gëzof me ngjyrë të zezë e të bardhë, me gjatësi trupore deri në dy metër, me peshë deri njëqind e njëzet e pesë kilogramë dhe që jeton në pyjet me bambu në malet e larta të Kinës. Ariu i përhimë (lat. Ursus arctos horribilis) ari u murrmë, që jeton në vetmi, me gjatësi që arrin deri në dy metër e gjysmë e me peshë deri në dyqind kilogramë. Ariu përtac (lat. Melursus ursinus) lloj i veçantë i arinjve që jeton në territorin indian dhe që peshon deri në njëqind e pesëdhjetë kilogramë, me gjatësi trupore deri në një metër e tetëdhjetë centimetër, që jeton në vetmi dhe ushqehet kryesisht me insekte, termite, milingona etj. Ariu polar ariu i bardhë. Ariu me syze (lat. Tremarctos ornatus) ari që jeton kryesisht në Amerikën e Jugut, me peshë deri në dyqind kilogramë, me gjatësi trupore deri në dy metër, me gëzof të zi ose ngjyrë kafeje të errët dhe me njolla të bardha ose të verdha rreth syve. Ariu i shpellave (lat. Ursus spelaeus) ari bimëngrënës me tru të madh, që ka jetuar në shpella në Evropë para mijëra vjetësh, me peshë deri në një mijë kilogramë. Ariu me xhep (lat. Phascolarctos cinereus) koalë. Ariu i zi aziatik (lat. Ursus thibetanus, Euarctos thibetanus) ari i murrmë e i zi me kraharor të bardhë, që jeton në disa pjesë të Azisë me trup mesatar, me shenjë të bardhë në kraharor në formën e shkronjës V, me kokë e madhe, me veshë të mëdhenj e me kthetra të forta e të mprehta. Ariu i zi (lat. Ursus americanus, Euarctos) ari me gëzof të zi, me gjatësi trupore deri në dy metër, me peshë deri në katërqind kilogramë, që jeton në pyje, në zona të mbrojtura dhe jo rrallë pranë vendbanimeve njerëzore.
✱Sin.: gojëkyçyr, gojëlidhur, tezë.
♦ Bën *gjumin e ariut (e arushës) (dikush). Hahet me ariun (dikush) është shumë i fortë dhe trim; ia shkul gjuhën ujkut. Ia heq *gjuhën ariut (dikush). Mban *shtegun e ariut (dikush) keq. *Pallë ariu thjeshligj. Pinë arinjtë, pinë dhe minjtë shaka. thuhet për ata që dehen shpejt, që pihen me një gotë raki; dehet pa pirë (dikush) iron. E tremb ariun me *shoshë (dikush) iron. I var *zilen ariut (dikush) shaka. E vranë ariun iron. iku ajo kohë, nuk është si më parë, nuk ka më të mira pa fund; ka kaluar ajo kohë kur e gjeje çdo gjë gati, s’ka më aq lehtë ose qyl; s’ka më qofte te daja iron; s’këndon më ajo qyqe.
GANDÍZ/ËM,~MI m., filoz. Doktrinë filozofike e Mohatma Gandit, udhëheqës shpirtëror dhe politikan indian, i cili bënte thirrje për reforma shoqërore e politike për përparimin e njerëzimit në sferat sociale, ekonomike, morale e shpirtërore.
INDIÁN,~E mb. 1. Që ka të bëjë me Indinë ose me indianët, që është karakteristik për Indinë ose për indianët, i Indisë ose i indianëve; që është krijuar nga indianët. Populli indian. Gjuha indiane. Letërsia indiane.
2. Që ka të bëjë me indianët e Amerikës, që është karakteristik për indianët e Amerikës, i indianëve të Amerikës; që është krijuar nga indianët e Amerikës. Fiset indiane. Gjuhët indiane. Valle (këngë) indiane. Kultura indiane.
LUÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Panthera leo) Kafshë e egër gjitare, e madhe, mishngrënëse, me lesh të shkurtër e të verdhemë, me një tufë qimesh në fund të bishtit (dhe te mashkulli me një kreshtë a kurorë qimesh të gjata në qafë e rreth kokës), që ndodhet në disa vise të Afrikës, të Azisë etj. dhe që mbahet si kafsha më e fortë në përleshje me të tjerat. Gjuetia e luanëve. I fortë si luan. Luftoi si luan.
2. fig. Njeri trim, guximtar e i fortë. Luan i fushës sportist shumë i fortë. Luan në zemër njeri shumë trim.
3. si mb., fig. Sipas kuptimit 2 të emrit. Djalë luan.
4. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për kafshë që lidhen me këtë emër. Luani i detit (lat. Zalophus) lloj foke e madhe, që mund të ecë në katër gjymtyrë, që jeton kryesisht në ujërat e buta tropikale dhe subtropikale të Oqeanit Paqësor. Luani aziatik (lat. Panthera leo persica) luan që rritet kryesisht nw Indi, që është më i vogël në trup, me kreshtë më të shkurtër dhe më të rrallë; luani indian, luani persian.
✱Sin.: trim, i guximshëm, guximtar, asllan, sypatrembur, i fortë.
♦ Ka *zemër luani (dikush). *Pjesa e luanit libr. Me *zemër luani.
LËKURËKÚQ,~E mb. 1. Që e ka lëkurën të kuqe.
2. Që i përket popujve indigjenë të Amerikës. Njerëzit lëkurëkuq. Indian lëkurëkuq.
3. Që e ka lëvoren të kuqe, që është me lëkurë të kuqe. Fik lëkurëkuq. Shegë lëkurëkuqe.
4. si em. Sipas kuptimeve të mbiemrit.
✱Sin.: cipëkuq, lëvorekuq, zhapëkuq, i kuq.
NËNKONTINÉNT,~I m. sh. ~E, ~ET Një sipërfaqe e madhe toke më e vogël se një kontinent; veçanërisht një nënndarje e madhe e një kontinenti. Nënkontinenti indian.
OQEÁN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Hapësirë e madhe me ujë të kripur, që shtrihet ndërmjet kontinentesh. Thellësia e oqeanit. Përtej oqeanit. Fundi i oqeanit. Në brigjet e oqeanit. Në dete dhe oqeane. Kaluan oqeanin. Dallgët e mëdha të oqeanit.
2. gjeog. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta që lidhet me hidrosferën. Oqeani Atlantik oqean midis Evropës e Afrikës në lindje dhe Amerikës në perëndim. Oqeani Arktik i njohur edhe si Oqeani i Ngrirë i Veriut, shtrihet rreth Polit të Veriut, në skajin më verior të Tokës. Oqeani i Ngrirë i Jugut oqean rreth Polit të Jugut, i mbuluar me akuj gjatë pjesës më të madhe të vitit, i kufizuar nga Oqeani Paqësor dhe Oqeani Atlantik. Oqeani Indian oqean në jug të Indisë, që shtrihet nga brigjet lindore të Afrikës deri në Australi. Oqeani Paqësor oqeani më i madh i botës, i kufizuar nga Amerika në lindje dhe nga Azia dhe Australia në perëndim.
3. fig. Sasi shumë e madhe, diçka e pamasë dhe e pafund. Oqean njerëzish. Oqean fjalësh. Oqean lotësh. Në oqeanin e punëve.
♦ Një *pikë ujë në oqean (në det).
PORTOKÁ/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JTË [PORTOKALL/E,~JA f. sh. ~E, ~ET] 1. bot. (lat. Citrus sinensis, Citrus aurantium) Pemë e familjes së agrumeve, me gjethe të zgjatura, të lëmuara e gjithnjë të gjelbra, me lule të bardha e të murrme, që rritet në vende me klimë të ngrohtë dhe bën kokrra të rrumbullakëta, me lëkurë të trashë e të verdhë në të kuqe kur piqen. Lulet e portokallit. Portokall i kuq lloj portokalli me tul të kuq e shumë të ëmbël, gjakoshare. Portokall i egër nerënxë. Miza e portokalleve (zool.). Vjelja e portokajve. Fidanishte me portokaj.
2. Kokrra e kësaj peme, që ka tul të ndarë në disa pjesë, me shumë lëng, të ëmbël dhe me erë të mirë. Lëvozhgë (lëkurë) portokalli. Lëng (reçel) portokalli. Arkë me portokaj. Qëroi (hëngri) një portokalle.
3. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje portokajsh: Portokalli i artë (lat. Fortunella). Portokalli i artë vezak (lat. Fortunella margarita). Portokalli i egër nerënxa. Portokalli gjakoshar (lat. Citrus sinensis sanguinea). Portokalli indian (lat. Citrus indica). Portokalli japonez (lat. Citrus japonica, Fortunella japonica).
PËLLË́MBËZ,~A f. sh. ~A, ~AT zool. 1. (lat. Megalobrama terminalis, Brama brama) Kocë që jeton në ujërat e Atlantikut, të Oqeanit Indian dhe të Paqësorit Jugor.
2. Pjesë e parë e emërtimeve për disa lloj pëllëmbëzash: Pëllëmbëza e bardhë kocë e bardhë. Pëllëmbëza e bardhë pekineze (lat. Parabramis pekinensis) kocë e bardhë pekineze. Pëllëmbëza buzoçe (lat. Spondyliosoma cantharus, Megalobrama terminalis) kocë e Detit të Zi. Pëllëmbëza e detit (lat. Stromateus fiatola) kocë e detit Adriatik. Pëllëmbëza e zezë (lat. Megalobrama terminalis) kocë me ngjyrë të errët të luspave.
RÍNOCERÓNT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT zool. Kafshë gjitare barngrënëse e viseve të nxehta të Afrikës e të Azisë, me trup të madh e me kokë të zgjatur, me lëkurë të trashë e të rrudhur, që ka në turi një bri a dy brirë; hundëbri. Rinoceront afrikan (indian). Rinoceront i bardhë (lat. Ceratotherium simum) përfaqësues i species që ka përmasat më të mëdha.
SATRÁP,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. hist. Sundimtar me pushtet të pakufizuar i një krahine në perandorinë e vjetër persiane dhe në Indi. Kishte shumë histori për satrapin indian.
2. Sundimtar ose drejtues i egër e despotik që merr nëpër këmbë çdo të drejtë të njerëzve a të vartësve; ai që shtyp dhe shfrytëzon të tjerët pa mëshirë. Satrapët e kohëve të shkuara. Dëbuan pushtuesit dhe satrapët e brendshëm. Ka prirje prej satrapi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë