Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BASTÁRD,~E mb. 1. biol. Që ka dalë nga kryqëzimi i dy llojeve ose i dy racave të ndryshme dhe që ka humbur cilësitë e mira të paraardhësve. Kalë bastard. Qen bastard.
2. përb. I zvetënuar, që ka humbur gjithë vetitë e mira, që është përdhosur e është çoroditur; i prishur, i bastarduar, i përçudnuar. Njeriu bastard. Bij bastardë të vendit të vet.
3. spec. I përzier me diçka tjetër, që ia prish cilësinë e ia ul vlerën, jo i pastër; që ka cilësi të këqija, i keq. Llaç bastard. Duhan bastard. Verë bastarde.
4. keq. Që ka lindur jashtë martese, i jashtëligjshëm, dobiç, kopil. Fëmijë bastard.
✱Sin.: i zvetënuar, i prishur, i bastarduar, i shthurur, i përdhosur, i përçudnuar, i ndyrë, jashtëligjshëm, i paligjshëm, jashtëligjor, ilegal, dobiç, kopil.
GJERDHÁC,~EII mb., bised. Që është i lindur jashtë martese; bastard; dobiç.
✱Sin.: bastard, dobiç, i jashtëligjshëm, i paligjshëm, jashtëligjor, ilegal, kopil.
ILEGÁL,~E mb. 1. Që jeton, që vepron e që lufton i fshehur kundër regjimit e rendit në fuqi; kund. legal. Luftëtarët (të rinjtë) ilegalë.
2. Që bëhet a që zhvillohet fshehurazi organeve qeveritare të një vendi për të luftuar e për të përmbysur regjimin e pushtetin e këtij vendi. Mbledhje ilegale. Veprimtari (punë, luftë) ilegale. Jetë ilegale. Bazë (qendër) ilegale.
3. Që është i fshehur e që s’duhet ta dinë të tjerët. Njeri ilegal. Në mënyrë ilegale.
4. I ndaluar me ligj, i paligjshëm; që botohet fshehtas; kund. legal. Shtypi ilegal. Gazetë (revistë) ilegale. Organizatë ilegale.
✱Sin.: i paligjshëm, i ndaluar, i fshehur, konspirativ.
ILEGALITÉT,~I m. 1. Të qenët ilegal; të jetuarit e të vepruarit si ilegal. Në ilegalitet të plotë. Në kohën e ilegalitetit. Në kushtet e rënda të ilegalitetit. Ishte (u hodh) në ilegalitet. Jetonte (punonte) në ilegalitet. Doli nga ilegaliteti.
2. përmb., hist. Tërësia e organizatave që luftonin kundër pushtuesve të huaj në Shqipëri gjatë Luftës Nacionalçlirimtare duke punuar e duke vepruar në mënyrë konspirative. Njerëzit (luftëtarët, heronjtë) e ilegalitetit.
JASHTËLÍGJSH/ËM (i), ~ME (e) mb. 1. Që nuk mbështetet në ligjet a që vjen në kundërshtim me to, që nuk merr parasysh a që i shkel ligjet; që nuk ka marrë formë ligjore, që s’është vendosur me ligj; që është ndaluar me ligj, që i janë hequr të drejtat e ligjshme. Veprime (kërkesa) të jashtëligjshme. Ndërhyrje (fitime, shpenzime) të jashtëligjshme. Martesë e jashtëligjshme. Metodë (mënyrë) e jashtëligjshme. Organizatë (parti) e jashtëligjshme. Veprimet e jashtëligjshme mund të jenë vepra penale ose delikte civile.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
✱Sin.: jashtëligjor, jolegal, ilegal, bastard, i paligjshëm.
KONTRABANDÍST,~E mb., edhe si em., drejt., keq. Që lidhet me kontrabandën dhe me kontrabandizmin, që merret me kontrabandë a me kontrabandizëm; që bëhet me kontrabandë a në kundërshtim me ligjin. Grup kontrabandist. Veprimtari (punë) kontrabandiste. U gjykua (u dënua) si kontrabandist.
✱Sin.: ilegal, jolegal.
KONTRABÁND/Ë,~A f. 1. ek., drejt., mospërf. Futja ose nxjerrja e kundërligjshme dhe e dënueshme e mallrave nga një shtet në një shtet tjetër, pa kontroll doganor; tregti ilegale dhe e palejueshme. Kontrabandë cigaresh. Bënte kontrabandë.
2. fig., keq. Punë a veprimtari që bëhet fshehurazi; punë e zezë; kontrabandizëm. Është marrë me kontrabandë.
3. si mb., edhe fig., keq. Që është në kundërshtim me ligjin, kontrabandist; jolegal. Punë kontrabandë. Naftë kontrabandë.
4. si ndajf., keq. Në mënyrë të fshehtë, në mënyrë të kundërligjshme dhe të dënueshme; fshehurazi. Punonte (hynte) kontrabandë.
✱Sin.: kontrabandizëm, jolegal, ilegal, kontrabandist, fshehurazi, konspirativisht.
KËLÝSH, ~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Pjella në moshë të vogël e gjitarëve mishngrënës (e qenit, e maces, e ujkut etj.); pjellë. Këlysh qeni (ujku, miu). Polli dy këlyshë.
2. fig., shpërf. Fëmijë ilegal që lind nga prindër të pakujdesshëm.
3. fig., keq., shar. Servil i madh; shërbëtor i verbër i dikujt.
4. bot. Filiz jo i rregullt i një bime a i një pemë, çatall; frutë e papjekur nga ky filiz. Bima ka lëshuar këlyshë.
5. mjek., bised. Çiban a tumor i vogël rreth një lunge; metastaza e këtij çibani tumori. Një lungë me disa këlyshë. Këlyshë tumori.
6. zool. Baldosë.
7. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta. Këlysh dheu (zool.) dosëz.
✱Sin.: pjellë, çatall, çiban, baldosë, dosëz.
♦ *Bli qen e shit këlyshë. Këlysh i pagoditur njeri shumë i përkëdhelur; njeri i parrahur në jetë. E ka barkun me këlyshë (dikush) iron. shih e ka zemrën (shpirtin) katran.
LEGÁL,~E mb. Që vepron, që bëhet ose që zhvillohet jo fshehurazi organeve shtetërore të një vendi, që e dinë të gjithë, i hapët; që lejohet nga ligjet në fuqi, që nuk është nxjerrë jashtë ligjit dhe nuk ndalohet e nuk përndiqet zyrtarisht nga regjimi në fuqi; kund. ilegal. Organizatë legale. Lëvizje legale. Veprimtari legale. Mbledhje legale. Shtypi legal. Me mjete legale.
✱Sin.: i hapur, i ligjshëm.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë