Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BUDALLÁ,~QE mb., bised. 1. Që nuk e ka gjykimin dhe arsyen e një njeriu të zakonshëm; që nuk kupton a nuk mëson dot as gjërat e lehta, që i ka trutë në fund të këmbëve, që e kanë lënë trutë, i paditur; kund. i mençur, i zgjuar. Djalë budalla. Vajzë (grua) budallaqe. Është pak (fare) budalla.
2. Që sillet a vepron pa menduar, që nuk vepron me arsye dhe si të gjithë; që nuk mendon shumë, që nuk pyet, që sillet e vepron si i krisur; kund. i urtë. Trim budalla.
✱Sin.: matuf, i shushatur, i metë, i trashë, i paditur, budallaçkë, budallonjë, llaçkë, i leshtë, leshko, torollak, trudalë, toroman, teveqel, idiot, i bytyntë, teleshman, qole, qoti, shapakot, farashuk, farëhumbur.
HU,~RI m. sh. ~NJ, ~NJTË 1. Dru i fortë, i gjatë e me majë, që ngulet në tokë dhe shërben për të mbajtur gardhin ose për diçka tjetër; shkop i trashë e i gjatë, dajak. Hu i trashë. Hu gardhi. Hunjtë e domateve (e fasuleve). Hu ahu (pishe, dëllinje). Është i gjatë si hu. E qëlloi (e goditi, e rrahu) me hu. I ra me hu kokës. Nuk mbahet gardhi me një hu.(fj. u.).
2. fig. Rahje me këtë dru, dajak.
3. fig. Njeri i trashë nga mendja, njeri i pagdhendur, që s'merr vesh as kupton; budalla, gdhe. Hu gardhi. Hyri hu e doli dru.
4. si mb., fig. Që është i trashë nga mendja e i pagdhendur. E ka mendjen hu. Është hu (nga mendja).
5. si ndajf. Fillikat, pa njeri. Mbeti hu tërë jetën.
6. euf. Organ seksual i mashkullit.
✱Sin.: dru, shul, shkop, dajak, kërbaç, zdap, budalla, gdhe, i trashë, i pagdhendur, torollak, trudalë, teveqel, idiot, vetëm, fill, fillikat, fillthi.
♦ E bëri për hu qeni (dikë) keq. e poshtëroi, e zhvleftësoi para të tjerëve; ia nxori bojën (dikujt); ia mori erzin (dikujt). E bën mendjen hu (dikush) nuk kupton; nuk bindet me të mirë; nuk do që të kuptojë; nuk ha arsye; s’ha (s’merr) pykë; s’lëshon ashkël; s’lidhet as për bishti e as për krye. I doli huri në majë të kokës (dikujt) ka shkalluar e është bërë i paturpshëm; nuk ndien fare, nuk preket, nuk skuqet, s’do t’ia dijë; i ka plasur cipa (e ballit). Dy (tre, shtatë, dhjetë) hunj e një purtekë shpejt e pa kujdes; jo mirë; shpejt e shpejt; shkel e shko; dy ujë e një oriz. Hu gardhi mospërf. 1. Njeri i trashë nga mendja dhe i pagdhendur, njeri që s’merr vesh, budalla, gdhe që s’e pyet e s’e përfill askush; e ka mendjen hu (dikush). 2. Njeri i shastisur krejt ngaqë s’kupton se ç’bëhet, që nuk thotë dot asnjë fjalë a s’di si të veprojë para një të papriture; njeri i shtangur, i ngrirë. Hu më hu keq. shih breg më breg keq. I hurit e i litarit (dikush) hajdut, kriminel e mizor; keqbërës i papërmbajtur, bandit i pamëshirshëm. Hu i shkulur njeri pa punë e pa shtëpi, që nuk është ngulur në një vend e bën jetë të pasigurt; gardh i shkulur; degë pa rrënjë. Hu pa thupra mospërf. shih njeri pa njeri. Ose hu, ose thupër ose i mirë, i fortë e me vlerë, ose i keq, i dobët e pa vlerë; ose kudhër ose çekan. E ka mendjen hu (dikush) është i trashë nga mendja; nuk kupton, nuk merr vesh, është gdhe; (është) hu gardhi. I dha (i hoqi) një hu (një *dru) të mirë (të shëndoshë) (dikujt). Nuk lidhet (nuk ngulet) në një hu (dikush) është i lëkundshëm, merr herë një anë e herë anën tjetër, është i paqëndrueshëm; s’i mbahet fjalës a premtimit të dhënë. S'lidhet as në hu e as në mullar (dikush) keq. shih e bën mendjen hu (dikush). Mban hurin në dorë (dikush) është inatçi e gjaknxehtë, është gati për t’u zënë me dikë; i rri maçoku në bisht (dikujt). Ngul hunj e shkul hunj (dikush) mospërf. 1. shih tund (luan) derën (dikush). 2. Tallet me të gjithë, thumbon shumë; e ka ves të thumbojë të tjerët. Ngul hunj e heq thupra (dikush) mospërf. shih ngul hunj e shkul hunj (dikush) mospërf. Një më hu e një më kërcu pa e menduar mirë, keq, pa kujdes; shkel e shko. Rri (mbeta) si hu gardhi. 1. Jam i shastisur krejt ngaqë s’kuptoj se ç’thuhet a ç’bëhet; s’mund të them asnjë fjalë a s’di si të veproj para një të papriture; jam i shtangur, kam ngrirë. 2. keq. Nuk punoj a nuk marr pjesë në një punë; rri si i ngrirë e pa interes për atë që thuhet a që bëhet. Më sa rri *sorra në dy hunj. Shkon *lloz e vjen hu (dikush) tall. E shtroi në hu (dikë) e rrahu keq; e bëri për qepë e kripë; ia bëri kurrizin më të butë se barkun (dikujt). I vuri hunë (dikujt) përb. e dëboi, e përzuri me forcë; i tregoi vendin; e bëri def (dikë).
IDIOTIZÍM,~I m., libr. Veprimi kur idiotizoj ose kur idiotizohem; shndërrim në idiot. Idiotizim i menjëhershëm.
IDIOTIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. E bëj idiot dikë. Shqetësimet e mëdha e idiotizuan.
IDIOTËSÍ,~A f. sh. ~, ~TË libr. 1. psikol., mjek. Mungesë e rëndë e zhvillimit mendor, zakonisht që nga lindja, të qenët idiot. Idiotësi e paparë. Lëri idiotësitë! Na mërziti me idiotësitë e tij!
2. Edhe sh. ~RA, ~RAT keq. Veprim, punë a sjellje prej idioti, budallallëk i madh; fjalë a shprehje prej idioti. Idiotësi e madhe. Shprehje idiotësie. Gjithfarë idiotësirash. Arriti deri në idiotësi.
✱Sin.: marrëzi, çmenduri.
PALÁÇO,~JA m. sh. ~, ~T 1. vjet. Njeri hokatar, që e mbante mbreti ose një feudal në oborrin e vet për t’u zbavitur.
2. Kloun. Palaço cirku.
3. përb., shar. Njeri që bëhet qesharak në shoqëri me sjelljet e veprimet e tij; njeri pa karakter e i ulët.
✱Sin.: gaztor, karagjoz, kloun, bufon, hokatar, shakator, rogaç, qesharak, i pakarakter, idiot, i ulët.
♦ E bëri palaço (dikë) e shau rëndë, nuk i la gjë pa i thënë; e talli sa e bëri qesharak; e bëri leckë; e bëri lëvere; ia bëri lëkurën për pesë (për dy) para.
SHERELÉNGO mb., keq. 1. Që është budalla; torollak; kund. i mençur. Djalë sherelengo. Ai burrë sherelengo fliste kot më kot. Mbeti sherelengo edhe pse u burrërua.
2. si em. ~JA m. sh. ~, ~T Ai që është i trashë e i pagdhendur. - Mos e dëgjo sherelengon! Fjalët e sherelengos ngjallin të qeshura. Mezi e prisnin të vinte ai sherelengo.
✱Sin.: trudalë, toroman, teveqel, idiot, matrahul, gomar, kungull, trangull, trung.
TARAVÁC,~I m. sh. ~Ë, ~ËT vjet., përb. 1. Ai që është idiot, gdhe, karabush; kund. i zgjuar. Ik, or taravac!
2. Ai që është ngordhacak; cofëtinë, ngordhësirë. Ec, hidhi këmbët, taravac! Me shkop në dorë, mezi çapitej ai taravac.
✱Sin.: idiot, gdhe, karabush, pisqollë, ngordhacak, ngordhalaq, cofëtinë, ngordhësirë.
TRÁSHË (i, e) mb. 1. Që është më i gjerë se zakonisht, që i kapërcen përmasat e zakonshme, që ka trup a vëllim të madh, që e ka prerjen tërthore të madhe; që është i fryrë e i shëndoshë; kund. i hollë. I trashë e i shkurtër rrondokop, rrapashyt, shulak. I trashë si fuçi. Dru (shkop) i trashë. Trarë të trashë. Litar i trashë. Me trup (me qafë) të trashë. Me gishtërinj të trashë. Me duar të trasha. Me buzë të trasha. Ka vetulla të trasha. I ka eshtrat (kockat) të trasha.
2. Që ka shumë shtresa a shumë fletë, që nuk është shumë i hollë; që është bërë prej diçkaje jo shumë të hollë, i plotë (për sende të rrafshëta e të shtrira); kund. i hollë. Letër (lëkurë, lëvore) e trashë. Dërrasë e trashë. Xham i trashë. Shtresë akulli e trashë. Libër i trashë. Fletore e trashë. Pallto e trashë. Çorape (perde) të trasha. Mbulesë e trashë. Qilim i trashë. Mur i trashë. Bukë e trashë. Rroba të trasha rroba dimri.
3. Që ka dendësi më të madhe se lëngjet e zakonshme e që rrjedh ngadalë, që nuk është shumë i lëngshëm; jo i hollë; kund. i hollë. Qumësht (kos) i trashë. Verë e trashë. Lëng i trashë. Gjak i trashë.
4. Që përbëhet nga kokrriza, thërrmija a fije të mëdha, që është i ashpër; jo i imët; kund. i hollë; i imët. Rërë e trashë. Miell (sheqer) i trashë. Kripë e trashë. Ushqim i trashë bar a kashtë që përdoret si ushqim për bagëtinë.
5. fig. Që i kap gjërat me vështirësi, që nuk është i mprehtë, jo i zgjuar; që nuk bëhet me zgjuarsi; gdhe, i pagdhendur; kund. i hollë, i zgjuar. Njeri i trashë.
6. fig. Që është i pahijshëm e nuk përputhet me sjelljen e mirë e të kulturuar; që nuk ka një sjellje të tillë; që ka shije të ulët; që është fyes e bie në sy menjëherë, fyes; kund. i hollë. Fjalë (shprehje) të trasha. Shaka e trashë. Humor i trashë. Trillim i trashë.
7. Që është punuar pa mjeshtëri, pa shije a pa kujdes të veçantë, që është bërë keq a me të meta; kund. i hollë. Punë e trashë. Punim i trashë. Qëndisje e trashë.
8. I ulët, jo i hollë (për zërat e tingujt); kund. i hollë. Zë (tingull) i trashë.
9. Që është i dendur dhe i ngarkuar me lagështirë; i ngjeshur, i shpeshtë dhe jo i tejdukshëm; kund. i hollë. Mjegull e trashë. Re të trasha. Avull i trashë.
10. I ngrohtë, që të zë frymën, që është i ngarkuar me pluhur. Erë e trashë.
11. Që përfshin lopët, qetë dhe buajt; që ka të bëjë me kafshët e mëdha ose që merret prej tyre; kund. e imët (e hollë). Bagëtia e trashë gjedhi. Gjah i trashë. Mish i trashë.
12. bised. Pjellor, i majmë. Tokë e trashë. Vend i trashë.
13. bised. I majmë, i dhjamur. Dash (qengj) i trashë.
✱Sin.: i fryrë, i shëndoshë, shishman, trashaluq, trashaman, i ngjallur, i vëllimshëm, i madh, i dendur, i ajkët, trupak, allçak, anadollak, avdall, bagëti, budalla, buf, dangall, derdimen, dru, dudum, gallof, gdhe, gërfyell, gomar, hajvan, halldup, hardall, hu, i lehtë, i leshtë, i lënë, i metë, i pagdhendur, i palatuar, i pamend, i shkundur, i shushatur, i trashë, idiot, kapsollë, kaqol, karabullak, karabush, karafil, kastravec, kërcu, kërçep, kokëbosh, kokëbuall, kokëdru, kokëgdhe, kokëgomar, kokëkungull, kokëlopë, kokëmish, kokëtrashë, kokëtul, kokëviç, kokëzbrazët, koqe, kryetul, leshko, matuf, mendjefyell, mendjehu, mendjetrashë, qyp, shul, teleshman, teveqel, trangull, trap, trashanik, trutredhur, trutul, trutharë, truthatë, tul, tulak, tutkun, tytë, thi, zullap.
♦ *Bagëti e trashë shar. Bëj *ujët e trashë (e madh) euf. E ka lëkurën të trashë (dikush) duron shumë, nuk do t’ia dijë nga asgjë; nuk i bën përshtypje asgjë, nuk ndien; nuk preket e nuk vuan, mban shumë; e ka lëkurën shollë; ka lëkurë bualli (ka lëkurën e buallit); i është regjur lëkura (dikujt). I trashë nga mendja (nga trutë, nga koka) budalla, që nuk kupton shumë, që nuk thith; kërcu, gdhe, kungull, kokëtrashë, kokëkungull; i metë nga mendja (nga trutë); pykë nga mendja; rrotë nga mendja; është tapë (tapë topi) (dikush). Sa më *tutje, aq më të trasha. *Ujët e trashë (e madh) euf. Në *vija të trasha.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë