Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AMBITÚS,~I m., libr. 1. Përfshirje, gjerësi e shtrirje e diçkaje. Ambitus i ideve. Ambitus i mesazheve. Ambitus i ligjit. Ambitus i durueshmërisë (i tolerancës). Ka ambitus të gjerë kulturor e shoqëror.
2. soc., pol. Fushë ndikimi a veprimi, diapazon. Ka ambitus të gjerë etik. Ambitus i gjerë i kompetencave. Ai ka ambitus universal. Me ambitus të ngushtë logjik e gjuhësor. Ka ambitus të gjerë ideor.
3. muz. Largësia a përdallimi midis notës më të lartë dhe asaj më të ulët në një melodi etj., tërësia e notave në një masë muzikore. Zë me ambitus të gjerë (të ngushtë). Instrumentet frymore kanë ambitus të kufizuar. Violina ka ambitus shumë të gjerë.
✱Sin.: shtrirje, gjerësi, zgjerim, hapësirë, përreth, rrethinë, diapazon.
AVANGARDÍZ/ËM,~MI m. 1. Lëvizje, rrymë ose prirje që shpreh ide të reja, praktika të panjohura dhe eksperimentuese, të paprovuara më parë, shpesh duke sfiduar normat dhe traditat ekzistuese në fusha të ndryshme, si në art, në kulturë, në politikë ose në shkencë; lëvizje përparimtare, avangardë. Avangardizëm krijues. Avangardizëm eksperimentues. Avangardizmi në artin modern. Shkrimtarët që ndjekin avangardizmin. Shënjuesit e avangardizmit. Periudha e avangardizmit.
2. usht. Urdhri i parë i betejës për një ushtri.
3. Forcë shoqërore që hap rrugë, që merr drejtimin në një lëvizje. Avangardizëm kulturor. Avangardizëm politik. Avangardizëm ideor.
✱Sin.: novatorizëm, eksperiment.
IDEOLOGJÍK,~E mb. Që ka të bëjë me ideologjinë, i ideologjisë; që shpreh, përçon e mbron një ideologji të caktuar, që i shërben një ideologjie. Çështje ideologjike. Bindje ideologjike. Nivel ideologjik. Ndikim ideologjik.
✱Sin.: filozofik, ideor, botëkuptimor.
IDEÓR,~E mb. 1. Që ka të bëjë me një ideologji të caktuar; që shpreh, përçon e mbron ide të caktuara a që udhëhiqet prej tyre, ideologjik. Kufizim ideor. Çështje ideore. Baza ideore. Me vlerë ideore. Paqartësi (gabime) ideore.
2. Që ka të bëjë me idetë kryesore të një vepre artistike, të një shfaqjeje etj. Përmbajtja (ana) ideore (e një romani, e një drame, e një vepre). Pasuri ideore.
TENDENCIOZITÉT,~I m. 1. libr. Të qenët tendencioz në sjellje, në mendime, në pikëpamje etj.; njëanshmëri e dikujt a e diçkaje; karakter tendencioz a fryma tendencioze e diçkaje; anshmëri. Tendencioziteti i punimit (i fjalimit). E tha (e bëri) me tendenciozitet.
2. art. Drejtim i caktuar ideor që ndiqet nga autori i një vepre artistike, sipas ideologjisë së tij; karakteri tendencioz që i jep autori veprës artistike; të qenët tendencioz i një vepre të tillë. Tendenciozitet i hapur. Tendenciozitet (politik, ideologjik, shoqëror). Tendencioziteti i veprës (i romanit, i operës). Temë (çështje) e trajtuar me tendenciozitet të theksuar.
✱Sin.: anshmëri, anësi, njëanshmëri.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë