Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ABSTRAKTÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur abstraktoj ose kur abstraktohet.
2. Largimi me anë të të menduarit nga vetitë, nga tiparet e nga lidhjet e ndryshme të sendeve e të dukurive konkrete dhe dallimi, veçimi e përgjithësimi i tipareve të tyre më thelbësore; përgjithësim; kund. konkretizim. Abstraktim shkencor. Abstraktim gramatikor. Abstraktim leksikor. Abstraktim kuptimor. Abstraktim matematikor (gjeometrik). Abstraktimi nga e veçanta. Bëj abstraktim.
3. psikol. Përpunim dhe kategorizim i informacionit për të arritur në koncepte më të përgjithshme që përfaqësojnë ide të shumta. Abstraktim psikologjik. Abstraktim i përngjashmimit. Abstraktim i përvojës.
4. filoz. Veçim i koncepteve dhe i ideve themelore për të ndërtuar një kuptim të përgjithshëm për botën; reduktim i përmbajtjeve të shumëfishta për të nxjerrë thelbin e saj. Procesi i abstraktimit. Abstraktim logjik. Abstraktim real. Abstraktim ideal. Abstraktim i thellë. Abstraktim i drejtpërdrejtë. Abstraktim i ideve (i koncepteve, i nocioneve etj.).
5. art. Ikje nga përshkrimi i saktë i formave dhe i ngjarjeve të njëmendta për të krijuar një përvojë më subjektive dhe të lirë të ngjyrave, të linjave dhe të formave. Abstraktim lirik. Abstraktim pamor. Abstraktim i shprehjes artistike përmes ngjyrave.
6. shkenc. Procesi i thjeshtimit të problemeve dhe i zgjidhjeve të tyre duke hequr detajet fizike, hapësinore ose kohore të panevojshme për të krijuar gjedhe ose algoritme më të përgjithshme, më të rëndësishme dhe më të zbatueshme në situata të ndryshme. Abstraktim kompjuterik. Abstraktimi i një programin softuerik.
ARKETÍP,~I m. sh. ~A, ~AT 1. libr. Model ose gjedhe që shërben për të nxjerrë kopje; formë e parë burimore, origjinalja; modeli i një personi, i një personaliteti ose i një sjelljeje; model parak, model ideal, ekzemplar konkret; shembulli i parë, prototipi. Arketipi i Skënderbeut. Arketipi i ujkut. Arketipi i heroit.
2. psikol. Model ose gjedhe themelore e sjelljes dhe e përfytyrimit, që ekziston në nënvetëdijen njerëzore. Arketipi i nënës.
3. filoz. Njëra ndër format e qenieve të krijuara në mendjen hyjnore. Arketipi i autoritetit.
4. let. Personazh, situatë, ndjenjë, ndjesi, simbol ose ndodhi, që përsëritet në histori a në rrëfime të ndryshme nga shumë kultura dhe që janë shndërruar në simbole universale. Arketip mitik. Arketip simbolik. Arketip tematik. Arketipi folklorik. Arketip i situacionit. Arketipat e karaktereve. Rëndësia e arketipave në letërsi. Arketip i kulturës popullarizuese. Arketip i prozës moderne.
✱Sin.: gjedhe, model, paramodel, kopje, figurë, variant, origjinal, simbol, prototip.
ATDHETARÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT libr. Atdhetari. Shembull atdhetarizmi. Himn atdhetarizmit. I brumosur me atdhetarizëm. Ngjall atdhetarizëm. Atdhetarizëm ideal (veprues).
✱Sin.: mëmëdhetarizëm, patriotizëm.
BESNÍK,~E mb. 1. Që e mban besën e dhënë; që e mban deri në fund zotimin ose që nuk i shmanget asnjëherë detyrës së marrë përsipër; që ndjek pa u lëkundur një tjetër me të cilin është lidhur nga një ideal a nga një qëllim i përbashkët; që nuk tradhton; që nuk i ndryshon ndjenjat dhe qëndrimin kundrejt dikujt a diçkaje, që e ruan deri në fund dashurinë për të ose që e ndjek dhe e mbron atë deri në fund, i besuar; kund. i pabesë. Luftëtar (ushtar, shok, mik) besnik. Shoqe besnike. Grua besnike. Rojë besnike. Doli besnik. Bir besnik i popullit. I qëndroj (i rri, i mbetem) besnik. Më foli si shok i vjetër e besnik. Qeni është një kafshë besnike. Njeriu besnik gjen shok e mik. (fj. u.).
2. Që e pasqyron diçka me vërtetësi e përpikëri, që nuk largohet nga e vërteta, që përputhet plotësisht me diçka tjetër, që mund t’i besohet; i përpiktë. Përkthim (riprodhim, përshkrim) besnik. Kopje besnike. Pasqyrë besnike e diçkaje. Historian besnik. Pasqyrim besnik i realitetit. U qëndron besnik porosive të të atit.
3. Besimtar; që ndjek me përpikëri ritet dhe kërkesat e një feje.
✱Sin.: i besuar, besar, besëtar (besatar), besimtar, besëmirë, shtyllak, i përpiktë, i ngushtë.
♦ *Qen besnik (rojë) (i dikujt) përb.
DONKISHOTÍZ/ËM,~MI m. sh. ~MA, ~MAT libr., keq. Qëndrim, veprim a ideal donkishotesk. Njihet si donkishotizëm. Mund të shpjerë në donkishotizëm. Mungesa e realizmit deri në donkishotizëm.
FLAMÚR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT [FLÁMU/R,~RI m. sh. ~J, ~JT] 1. Pëlhurë e hollë dhe e lehtë me forma e me ngjyra të ndryshme, që vihet në një shtizë dhe është simboli i një shteti, i një kombi, i një organizate, i një ushtrie, i një skuadre në sport etj.; figura e këtij simboli, e qëndisur ose e vizatuar diku. Flamuri shqiptar. Himni i flamurit. Dita e Flamurit 28 Nëntori - dita e shpalljes së Pavarësisë; festa që bëhet për nder të kësaj dite. Ngre (ngul, ul, mbaj) flamurin. Shpaloset (valëvitet, valon) flamuri.
2. Copë pëlhure me ngjyra të ndryshme, e varur në një shkop, që shërben për t’i dhënë shenja dikujt ose për t’i tërhequr vëmendjen për diçka. Flamur i bardhë. Jap shenja me flamur.
3. fig. Idetë themelore që frymëzojnë njerëzit dhe u tregojnë rrugën që duhet të ndjekin në jetën e në veprimtarinë e tyre; ideal i lartë frymëzues. Flamuri i lirisë. Nën flamurin e demokracisë.
4. hist. Bajrak. Malësia ndahej në flamurë.
♦ Doli me flamur (dikush) i shfaqi haptazi idetë, pikëpamjet a qëllimet e veta; doli hapur, faqe të gjithëve; ngriti (shpalosi) flamurin. (Është) me dyzet (me njëqind) flamurë (dikush) keq. është njeri i paqëndrueshëm, nuk i mbahet një bindjeje a një ideali; bëhet herë me njërën e herë me tjetrën palë, sipas interesit të vet; sillet a vepron si t’i bëhet më mirë atij vetë, pa ndjekur parime e pa e vrarë ndërgjegjja; kthen gunën (shpinën, kurrizin, krahët) nga të fryjë era. Mban flamurin (dikush) është në krye, qëndron kudo në radhë të parë, vihet në ballë, kryeson; është me nam, shquhet mbi të gjithë për diçka të mirë a të keqe. Ndërroi flamur (dikush) tradhtoi; u bë me dikë tjetër, u lidh me kundërshtarin; ndërroi bajrak vjet. Ngriti (shpalosi) flamurin (dikush) doli i pari hapur e me guxim për të shprehur diçka ose për të mbrojtur një njeri a një çështje; doli me flamur. Ngriti flamurin e bardhë (dikush) u dorëzua, pushoi qëndresën (në luftë a para një vështirësie); uli flamurin. *Tregtar flamurësh përb. Uli flamurin (dikush) hoqi dorë nga qëndresa, u dorëzua; ngriti flamurin e bardhë.
FLAMURTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ai që mban flamurin e një njësie ushtarake ose në një demonstratë, në një manifestim sportiv etj., flamurmbajtës. Flamurtari i togës (i brigadës). Flamurtarët e ekipeve të olimpiadës.
2. fig. Ai që u prin të tjerëve në një punë a në një veprimtari; ai që qëndron në ballë të luftës për një çështje të madhe a për një ideal, mbrojtës i shquar dhe i zjarrtë, luftëtar i madh; flamurmbajtës. Flamurtar i arsimit kombëtar. Flamurtar i demokracisë.
3. hist. Kreu që drejtonte bajrakun në bazë të kanuneve; bajraktar. Kullat e flamurtarit. Flamurtarët e malësisë.
4. etnogr. Krushku që mbante flamurin kur shkonin të merrnin nusen. Flamurtari u printe dasmorëve.
✱Sin.: flamurmbajtës, bajraktar.
FLAMURTÁR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Ajo që mban flamurin e një njësie ushtarake ose në një demonstratë, në një manifestim sportiv etj., flamurmbajtëse. Flamurtarja e skuadrës olimpike shqiptare.
2. fig. Ajo që u prin të tjerëve në një punë a në një veprimtari; ajo që qëndron në ballë të luftës për një çështje të madhe a për një ideal, mbrojtëse e shquar dhe e zjarrtë, luftëtare e madhe; flamurmbajtëse. Flamurtare e të drejtave të gruas.
HIMNIZÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Bërja e një himni a marrje e një kënge që mbahet si simbol i kombit dhe i shtetit ose i një shoqate a i një grupi shoqëror.
2. Përgatitja e një fjalimi, një shkrimi, i një kompozimi poetik me melodi, për të himnizuar një njeri a një ngjarje të shquar, thurje lëvdatash, vlerësim i lartë për një veprim, ideal a ndjenjë. Himnizimi i punës. Himnizimi i vetive të larta. Himnizimi i forcës krijuese. Himnizimi i lirisë dhe i pavarësisë. Himnizimi i së ardhmes së lumtur.
HIMNIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Bëj një himn; këndoj himnin e një kombi, një shteti, një shoqate a një grupi shoqëror.
2. fig. Lartësoj dikë a diçka duke thurur lavde e duke dhënë vlerësime të larta për një veprim, ideal a ndjenjë, i ngre himne. Himnizon punën. Himnizon burrërinë (dashurinë). Himnizon trimat (heronjtë).
IDÉ,~JA f. sh. ~, ~TË 1. logj., filoz. Koncept që pasqyron në ndërgjegjen e njeriut një send, një dukuri, një marrëdhënie a një tipar të përgjithshëm të botës materiale objektive dhe që përbën një shkallë të veçantë në procesin e njohjes së realitetit. Ide shkencore (e gabuar). Ideja e së bukurës (e së mirës). Materia dhe ideja. Shenja dhe ideja. Lidhje idesh. Ide absolute koncept themelor i filozofisë idealiste të Hegelit, sipas të cilit para natyrës, para njeriut e pavarësisht prej tyre ka ekzistuar një “ide absolute”, e përjetshme, që krijon gjithçka.
2. zakon. sh. Tërësia e mendimeve dhe e pikëpamjeve të një njeriu a të një grupi shoqëror në një fushë të caktuar.
3. Parim themelor teorik i një botëkuptimi, i një shkence etj., i cili shpjegon thelbin a ligjësorinë e dukurive; teoria për diçka. Ide politike (filozofike, shkencore, estetike). Ide themelore. Ide të qarta (të reja, të vjetra). Idetë e Rilindjes. Përhapja e ideve të reja.
4. Mendimi që na lind për të kryer një punë, qëllim, synim. Ide e drejtë (e qartë, e mirë, e bukur). Ide origjinale (gjeniale, interesante). Ide e gabuar (e parealizueshme). Më lindi (më erdhi) një ide. Kam (jap) një ide.
5. Mendimi kryesor që përshkon një krijim a një vepër artistike, shkencore etj.; parim themelor, mbi të cilin ngrihet diçka ose mbështetet ndërtimi i saj. Ideja kryesore. Ideja e veprës (e romanit, e tregimit, e novelës). Ideja e tablosë. Zgjidhja e idesë. I pasur me ide.
6. Njohuri, dije që kemi fituar për diçka; përfytyrim i përafërt a mendim i përgjithshëm që kemi formuar për një gjë a për një njeri; përshtypje. Ide të kufizuara (të ngulitura). Ka shumë ide. Sa për të dhënë një ide. Krijoj (formoj) një ide (të përgjithshme). Nuk e kam idenë (s’kam ide) nuk e njoh fare; s’mund ta marr me mend, s’mund ta përfytyroj.
7. Ideal. Ide të larta (fisnike). Ide e shtrenjtë (e shenjtë). Pa dallim krahine dhe ideje. Punojmë për një ide. Kemi (mbrojmë) një ide. I qëndroj besnik një ideje.
✱Sin.: koncept, nocion, mendim, pikëpamje, përfytyrim, shllim, shembëllim, shembëllesë, parim, qëllim, sugjerim, projekt, përshtypje.
IDEÁL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Qëllim i lartë, që mbështetet në bindjen dhe që përbën pikësynimin kryesor të dëshirave, të veprimtarisë e të përpjekjeve të një njeriu, të një grupi njerëzish, të një klase etj.; qëllimi më i lartë, që udhëheq gjithë veprimtarinë e dikujt. Ideale të larta. Ideal i përbashkët. Pa kurrfarë idealesh. Kemi (na frymëzon, na udhëheq) një ideal. Punojmë për një ideal.
2. Diçka që mbahet si mishërim i tipareve më të larta, i vlerave më të mira, i vetive më të përsosura dhe që merret si model; përfytyrim a shëmbëllim i përkryer që kemi për dikë a për diçka. Ideali i së bukurës (i së mirës). Është ideali i tij.
✱Sin.: qëllim, synim, model.
IDEÁL,~EI mb., psikol., logj., filoz. Që ka të bëjë vetëm me idenë a me ndërgjegjen, që vetëm përfytyrohet mendërisht; kund. material. Përfytyrim ideal. Figurë ideale. Qenie ideale.
IDEÁL,~EII mb. 1. Që mbahet si mishërim i tipareve më të larta, i vlerave më të mira, i vetive më të përsosura, që merret si model. Mbrojtës ideal.
2. Që është shembull i përkryer i diçkaje, shembullor. Burrë ideal. Grua ideale. Zgjidhje ideale. Marrëdhënie (sjellje) ideale. Dashuri ideale.
3. bised. I përkryer e i përsosur, që qëndron mbi të gjithë, shumë i mirë, i shkëlqyer. Jetë ideale. Kushte ideale. Zë ideal. Bukuri ideale. Lojë ideale. Në rastin më ideal në rastin më të mirë, më të përshtatshëm ndër të gjitha rastet e tjera.
✱Sin.: i përkryer, i përsosur, imagjinar.
IDEALIZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. E përfytyroj a e paraqit një gjë shumë më të mirë e më të bukur nga ç’është në të vërtetë, e zbukuroj; e mendoj dikë a diçka si të përsosur, e kthej në shembull të përkryer, e quaj si ideal. Idealizoj jetën. Idealizon të kaluarën. Idealizoj një figurë historike. Mos e idealizo!
IMAGJINÁR,~E mb. Që nuk është i vërtetë e real, që vetëm merret me mend, që është pjellë e mendjes; që përfytyrohet a që mendohet si i vërtetë; që duket ose që bëhet sikur të ishte i vërtetë; kund. i vërtetë, real. Qenie (figurë) imagjinare. Vend imagjinar. Përfytyrim imagjinar. Udhëtim imagjinar. Rrezik imagjinar Sëmundje imagjinare. Sulm imagjinar. Veprime ushtarake imagjinare. Numër imagjinar (mat.) numër që shpreh rrënjën katrore të një madhësie a të një njësie negative (p.sh. a2 = - 1 ose a = - 1).
✱Sin.: fantastik, i përfytyruar, i imagjinuar, ideal, jolëndor, joreal, i paqenë.
KURBÁN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. fet. Bagëti që theret për një ditë të kremte. Kurban për Bajram.
2. etnogr. Bagëti që flijohet kur hidhen themelet e një shtëpie a të një ndërtese tjetër.
3. fig. Fli, theror për një ideal ose në emër të një kauze a të një çështjeje të madhe. U bë (ra) kurban për atdhe ra dëshmor për atdhe. U bë kot kurban i dikujt ra viktimë e dikujt.
✱Sin.: theror, fli.
♦ T’u bëfsha kurban! përk. vdeksha për ty! (i thuhet zakonisht një fëmije me dashuri ose kur i lutemi dikujt për diçka); të marrsha të keqen! M’u bëfsh kurban! mallk. pësofsh të keqen më të madhe që do të më binte mua, të zëntë ty e keqja!; vdeksh ti për mua!; më marrsh të keqen. E bëj kurban (dikë a diçka) e fal, e sakrifikoj për dikë a për diçka të dashur e të shtrenjtë. *Dashi i kurbanit (dash kurbani). Shkoi kurban (dikush) vdiq kot, u vra pa qenë e nevojshme për diçka; e pësoi kot; (shkoi) për dhjamë qeni.
KUSHT/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. (me trajtë të shkurtër përemërore) 1. Sakrifikoj jetën ose jap gjithçka për një ideal a për një kauzë të lartë; flijoj veten. Tërë jetën ia kushtoi atdheut (shkencës).
2. Botoj diçka (një libër, një vepër etj.) në shenjë kujtimi, nderimi e respekti për dikë a diçka, duke vënë në ballinë edhe një shkrim të shkurtër; përkushtoj. Ia kushtoj nënës sime të dashur!
✱Sin.: flijoj, dedikoj, përkushtoj.
LABËRÇÓK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT zool. Levrek. Peshkatarët e përshkruajnë labërçokun si një peshk të fortë dhe të shijshëm, ideal për gatime.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë