Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HYZMÉT,~I m. sh. ~E, ~ET bised. Shërbim për vete, për njerëz a kafshë shtëpiake; kujdesje për diçka. I bënte hyzmet dikujt i shërbente, kujdesej për të. Do hyzmet të madh. E mbanin me shumë hyzmet. Ia bëri të gjitha hyzmetet.
✱Sin.: shërbim, kujdesje.
♦ Ia bëj hyzmetin (diçkaje) krahin. kujdesem që ta kryej një punë a një detyrë me përpikëri e me të gjitha mundësitë, në mënyrë që të mos e humbas e të kem sa më shumë përfitim prej saj.
SHËRBÉS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Punë të vogla në shtëpi a bujqësi. Nuk lodhet asnjëherë me shërbesat e shtëpisë. Ishte koha për shërbesa. Bëjnë çdo ditë shërbesa të ndryshme.
2. fet. Zhvillimi i ceremonisë a i ndonjë riti fetar. Shërbesat liturgjike. Shërbesa e mëngjesit. Shërbesa e fejesës (e kurorëzimit). Shërbesa mortore. Libri i shërbesave.
3. vjet. Shërbim; detyrë, punë. Shërbesa e detyrueshme ushtarake. E mori shërbesën. Kërkonte një shërbesë për të jetuar.
✱Sin.: shërbim, detyrë, punë, kujdesje, përkujdesje, hyzmet.
SHËRBÍM,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Përmbushje e një detyre në vendin e punës (në ushtri, mjekësi etj.). Shërbimi në marinë (në kufi, në aviacion). Personeli i shërbimit. Mjeku i shërbimit.
2. Veprimtaria a puna që bëjmë në shërbim të të tjerëve. Shërbimi ndaj pacientëve. Shërbimi i klientit. Shërbimi ndaj tatimpaguesve.
3. Mënyrë se si bëhet një detyrë e caktuar. Shërbim i ngadalshëm (i shpejtë, i mirë, i kulturuar). Etika e shërbimit. Shërbim i kualifikuar. Shërbim me pagesë (pa pagesë).
4. Një ndërmarrje që bëjmë për dikë duke i shërbyer. E kryen mirë shërbimin. Shërbim në dhomë.
5. Të ngarkuarit me punë për një kohë të caktuar; puna që bëjmë kur shkojmë diku për të kryer një detyrë shtetërore, koha sa zgjat kjo punë. Pasaportë (vizë) shërbimi. Shërbim diplomatik. Shkoj me shërbim (në një ambasadë). Shërbim konsullor.
6. kryes. sh. Punime të ndryshme bujqësore që u bëhen bimëve; përkujdesjet për kafshët shtëpiake, puna që bëjmë për rritjen dhe mirëmbajtjen e tyre. Shërbimet bujqësore (agroteknike). Shërbimet për perimet (fidanët, të lashtat). U bëj bimëve (bagëtive) të gjitha shërbimet. Kush nuk i bën shërbim kalit, bën udhën me këmbë. (fj. u.).
7. Të qenët në marrëdhënie pune gjatë një kohe të caktuar. Kam tridhjetë vjet në shërbim. Shërbim i gjatë.
8. Puna që bëhet nga një sistem i organizuar njësish të posaçme tekniko-administrative për të përmbushur nevoja të popullsisë. Zona e shërbimeve. Zyra e shërbimit. Rrjeti i shërbimit. Pikë shërbimi. Qendrat e shërbimeve. Drejtoria e shërbimeve. Shërbime digjitale.
9. Veprimtaria që zhvillohet nga institucione shtetërore të caktuara në disa fusha të ekonomisë, të transportit, të shëndetësisë, të kulturës etj.; njësia, institucioni etj. që kryen këtë veprimtari. Shërbimi postar (detar, hekurudhor, ajror). Shërbim shëndetësor (veterinar, zooteknik). Shërbim farmaceutik. Shërbimi i ndihmës së shpejtë. Shërbimi meteorologjik. Shërbimi i ndihmës së shpejtë. Shërbime ligjore. Shërbime sociale. Shërbime arsimore. Shërbime transporti. Shërbimet e pagave. Shërbimi i mbrojtjes së bimëve. Agjencia e Shërbimeve Sportive. Qendra e Shërbimeve Arsimore.
10. usht. Të qenët në radhët e ushtrisë për të kryer detyrën; detyra që i ngarkohet një ushtaraku nga komanda e tij. Shërbim në Forcat e Armatosura. Shërbim i detyrueshëm ushtarak. Shërbimi ushtarak aktiv. Shërbimi alternativ. Shërbimi në rezervë. Shërbim i detyrueshëm. Shërbim nate. Shërbim jashtë radhe. Kryej (marr, lë) shërbimin. Jam në shërbim.
11. Puna që bëjmë në të mirë të dikujt a të diçkaje. Shërbime të shquara. I bëj shërbim të madh atdheut. Për shërbime të larta.
12. sport. Veprimi i futjes së topit në lojë sipas disa rregullave të caktuara për të rinisur lojën (në volejboll, në pingpong e në tenis). Shërbim i gabuar. Vendi i shërbimit. Kreu (humbi) shërbimin.
13. fet. Shërbesë. Shërbim fetar punët që kryen famullitari a ndonjë person tjetër në detyrë për besimtarët e famullisë së vet a të bashkësisë së vet fetare.
14. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme ndihmesash që ofrohen në mënyrë shtetërore ose private në mënyrë të organizuar institucionale. Shërbimi bankar (ek). Shërbimi bankar elektronik (ek.) shërbim që i lejon klientët të përdorin lehtësisht shërbimet bankare përmes internetit. Shërbimi bankar nga shtëpia (ek.) transaksionet bankare që mund të kryhen nga shtëpia dhe jo në degë. Shërbimi Informativ Shtetëror (shkurt SHISH) organ shtetëror për mbledhjen e informatave të fshehta. Shërbim administrativ (drejt.) punë administrative të specializuara, të cilat, në raste të shpeshta, janë të organizuara në organe të mëvetësishme. Shërbim i huazimit shërbimi që u mundëson klientëve të një biblioteke të huazojnë materialet që mban një biblioteke. Shërbime për fëmijë kujdesje profesionale dhe të individualizuara për fëmijët e të gjitha moshave dhe aftësive. Shërbim bibliografik procesi i përpilimit të një liste përshkruese të materialeve të botuara (libra, artikuj periodikë etj.), si dhe të materialeve të pabotuara.
✱Sin.: kujdesje, përkujdesje, hyzmet, mirësi, e mirë, nder, detyrë, mision.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë