Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ANGAZHÚAR (i, e) mb., libr. 1. Që është përfshirë aktivisht në një detyrë, në një veprimtari apo në një marrëdhënie. Ai është i angazhuar në një projekt hulumtues. Student i angazhuar.
2. Që shpreh, me veprën e tij një angazhim të qartë politik, shoqëror, intelektual, kulturor në mbrojtjen e qëllimeve të tij të përgjithshme shoqërore e humanitare. Politikan i angazhuar. Intelektual i angazhuar për të drejtat e njeriut. I angazhuar si ekolog i mjedisit.
3. si em. m. e f. Sipas kuptimeve të mbiemrit.
ANTIKUÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Mbledhës e shitës sendesh që çmohen për vjetërsinë a për vlerën e tyre historike; mbledhës e shitës librash të vjetër, të rrallë, të përdorur. Antikuar i pasionuar. Antikuar i pasur me sende antike. Antikuar sendesh metalike.
2. Hulumtues dhe studiues i sendeve dhe objekteve antike; njohës dhe ekspert i antikiteteve dhe monumenteve të moçme. Antikuar gjurmues.
ANTROPOLÓG,~U m. sh. ~Ë, ~ËT Specialist në fushën e antropologjisë, ai që studion origjinën dhe zhvillimin e njeriut si qenie biologjike dhe shoqërore, duke analizuar strukturën fizike dhe ndryshimet racore, si dhe duke hulumtuar zakonet, kulturat dhe marrëdhëniet shoqërore midis popujve. Antropolog kulturor. Antropolog i specializuar. Antropolog hulumtues.
ARITMETIKÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT mat. Ai që merret me studimin dhe zbatimin e aritmetikës; studiues, hulumtues ose specialist i aritmetikës. Aritmetikan i shquar. Aritmetikanët e vjetër.
ARTÍKU/LL,~LLII m. sh. ~J, ~JT libr. 1. Shkrim me përmbajtje publicistike a shkencore, që trajton një çështje të caktuar dhe që botohet në një gazetë, në një revistë, në një përmbledhje, në një faqe interneti, në blogje ose në mediume të tjera dhe që ka strukturë të qartë (hyrja, tema, përfundimi); tekst që informon, analizon ose shpreh mendime mbi një temë të caktuar. Artikull kryesor. Artikull kritik (shkencor, informativ, publicistik). Artikull analitik. Artikull hulumtues. Artikull udhëzues. Artikull lajmesh. Artikull editorial. Artikull përkujtimor. Artikull gazete. Artikuj politikë. Autori (titulli) i artikullit. Përmbledhje artikujsh. Lexoj një artikull shkencor. Shkruaj (botoj) një artikull. Artikull i mirë (i dobët).
2. gjuh. Ndarje në një fjalor, pjesë e makrostrukturës së fjalorit, që përfshin fjalën titull, shpjegimet dhe të gjitha të dhënat e tjera për të; zë leksikografik, njësi leksikografike, lemë. Artikujt e fjalorit. Artikulli për fjalën. Artikull leksikografik. Radhitje e artikujve. Përzgjedhje e artikujve. Artikuj konceptualë. Artikuj alfabetikë. Hartimi i artikujve.
3. drejt. Pjesë ose nen i veçantë brenda një ligji, një akti ose një kushtetute; njësi që përmban dispozita, rregulla ose udhëzime që përcaktojnë një çështje specifike ligjore në një dokument juridik. Artikulli i parë i ligjit. Artikull ligjor. Artikulli i Kodit Penal. Artikujt e Kushtetutës. Artikujt e rregullores.
✱Sin.: shkrim, ese, kronikë, trajtesë, analizë, shqyrtim, nyjë, pjesëz, nen, pikë, klauzolë, akt, dispozitë, rregull, udhëzim.
ASTROFIZIKÁN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT fiz., astr. Hulumtues dhe studiues i gjithësisë dhe i dukurive të saj; specialist në fushën e astrofizikës. Astrofizikan profesional. Astrofizikanët e rinj.
ASTROGJEODEZÍST,~I m. sh. ~Ë, ~ËT astr., gjeod. Hulumtues dhe studiues që merret me përcaktimin e përmasave të kupës qiellore dhe të formave të sipërfaqes së saj. Astrogjeodezist i certifikuar. Astrogjeodezist ekspert.
GJURMÚES,~E mb. 1. usht. Që ka për detyrë të ndjekë e të zbulojë dikë; ndjekës. Togë gjurmuese.
2. Që kërkon të hetojë a të zbulojë diçka, që ndjek me kureshtje e me vëmendje; hetues. Sy gjurmues. Shikim gjurmues.
3. Që ka të bëjë me kërkime në një fushë të caktuar të dijes; kërkimor. Punë gjurmuese.
4. fiz. Atom gjurmues që ndjek rrugën e lëvizjes së lëndëve e të elementeve në një organizëm, në një proces etj.
✱Sin.: ndjekës, hulumtues, hetues, kërkimor, kërkues, gjurmëlënës.
HETIMÓR,~E mb., drejt. Që ka të bëjë me hetimin e rrethanave në të cilat kryhet një vepër kriminale ose një kundërvajtje penale; që merret me hetimin e një vepre penale. Veprim (akt) hetimor. Pyetje hetimore. Procesi hetimor. Metodat hetimore. Komisioni (grupi) hetimor. Organet hetimore. Nga ana hetimore.
✱Sin.: vëzhgues, gjurmues, hulumtues.
HETÚES,~E mb., drejt. 1. Që kërkon të gjejë a të zbulojë diçka, që heton; që bëhet me vëmendje të veçantë, i vëmendshëm. Shikim (vështrim) hetues. Me sy hetues.
2. Që merret me hetimin e një krimi a të një kundërvënieje ligjore. Organet hetuese. Komisioni hetues. Gjykatësi (gjyqtari) hetues. vjet.
✱Sin.: shqyrtues, vëzhgues, gjurmues, hulumtues.
HETÚES,~I m. sh. ~, ~IT drejt. 1. Ai që kërkon të gjejë a të zbulojë diçka duke u nisur nga disa të dhëna paraprake, ai që shqyrton diçka sipas të dhënave që njeh dhe i plotëson këto me të dhëna të tjera për ta sqaruar punën më tej, ai që bën hetimin e diçkaje.
2. drejt. Punonjësi a specialist që merret me shqyrtimin e rrethanave në të cilat është kryer një krim ose një kundërvajtje penale; gjyqtar që merret me hetimin e një çështjeje gjyqësore. Puna (detyra) e hetuesit. Hetuesi i çështjeve penale.
✱Sin.: shqyrtues, vëzhgues, gjurmues, hulumtues.
KËRKÚES,~E mb., 1. edhe zyrt. Që kërkon diçka; që bën një kërkesë a një lutje (me shkrim ose me gojë).
2. Që merret në mënyrë sistematike me punë kërkimore e shkencore; kërkimtar; hulumtues. Ekspeditë kërkuese për naftë.
3. Që ka kërkesa të mëdha ndaj vetes për zbatimin e normave, të rregullave, të disiplinës etj. Mësues (drejtor, shef) kërkues.
✱Sin.: kërkimor, hulumtues, gjurmues.
LËVRÚES,~I m. sh. ~, ~IT 1. bujq. Ai që punon tokën për ta mbjellë, lërues; bujk. Lëvrues i mirë (i zoti).
2. Ai që bën kërkime e studime të zellshme e frytdhënëse në një fushë të shkencës, të artit e të kulturës, që e zhvillon dhe e shpie atë përpara; ai që krijon diçka me vlerë në fushën e letërsisë, të artit e të shkencës. Lëvrues i zellshëm (i palodhur). Lëvruesit e gjuhës shqipe. Lëvruesit e prozës tregimtare (e poezisë).
✱Sin.: lërues, bujk, kërkues, hulumtues, studiues, krijues.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë