Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FUNKSIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. zyrt. Detyrë që i ngarkohet dikujt në një institucion, në një kompani ose në një organizatë; shkalla që zë dikush në një hierarki administrative. Funksion administrativ. Funksioni i drejtorit. Ka një funksion të rëndësishëm.
2. Puna a shërbimi që bën një vegël, një mekanizëm ose një pjesë mekanizmi. Funksionet e motorit (e gypit të gazrave).
3. zyrt. Veprimtaria a puna që kryen shteti ose një organ shtetëror. Funksion ligjvënës (ekzekutiv, administrativ). Funksionet e shtetit.
4. fiziol. Puna e veçantë që kryen rregullisht organizmi i qenieve të gjalla ose një organ i tij. Funksionet e organizmit. Funksionet e zemrës. Funksionet e mëlçisë.
5. mat. Madhësi e ndryshueshme, vlera e së cilës varet nga vlera e një madhësie tjetër të ndryshueshme dhe që i përgjigjet asaj. Funksion algjebrik. Teoria e funksioneve.
6. gjuh. Roli që luan gjuha në shoqëri; roli që luan çdo njësi a element i gjuhës në procesin e ligjërimit. Funksioni shoqëror i gjuhës. Funksioni kumtues (shprehës). Funksioni i emrit (i mbiemrit, i nyjës). Funksioni i kryefjalës (i kallëzuesit, i kundrinës). Funksioni i rasës emërore (dhanore, rrjedhore). Funksioni i fonemës.
✱Sin.: detyrë, veprimtari, punë, rol.
HIERARKÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Rendi i titujve, i gradave ose i përgjegjësive në administratën civile, ushtarake e fetare, nga më të ulëtat deri në më të lartat, sipas lidhjeve dhe varësive që kanë ndërmjet tyre; titujt, gradat ose përgjegjësitë në këtë rend; organizim shoqëror, i cili ndërtohet mbi bazën e këtij rendi titujsh, gradash etj., që kanë nëpunësit sipas pushtetit, sipas varësisë ose sipas të drejtave. Hierarki administrative (ushtarake). Shkallët e hierarkisë. Ndoqi hierarkinë. Veproi sipas hierarkisë.
2. fig. Shkallëzimi i dukurive të veçanta ose i pjesëve të një veprimtarie të caktuar, në të cilin njëra dukuri a pjesë është më e lartë se tjetra që e ndjek. Hierarkia e ngjarjeve. Hierarkia dhe klasifikimi i sistemeve.
✱Sin.: rend, shkallëzim, nënndarje, përshkallëzim.
HIPERTÉKST,~I m. sh. ~E, ~ET inf. Tekst elektronik i shfaqur në një ekran kompjuteri ose pajisje të tjera elektronike, që përmban koleksion informacionesh (kryesisht tekstuale, grafike etj.), të lidhura njëra me tjetrën, sipas një shfaqjeje grafike, që lejon konsultim nga çdo pikë në hipertekst, pra me referenca (hiperlidhje) për tekste a informacione të tjera që lexuesi mund t’i qaset menjëherë; dokumentet e hipertekstit janë të ndërlidhura nga hiperlidhjet, që aktivizohen nga një klikim i miut, shtypja e tasteve të kompjuterit ose prekja e ekranit; faqet e internetit shkruhen në gjuhën e shënimit të hipertekstit (formatit HTML, që lejon aktivizimin e lidhjeve të tekstit a hipertekstit dhe materialit grafik për të shkuar nga faqja në faqe. Hiperteksti mundëson publikimin e lehtë të informacionit në internet. Lidhje hiperteksti. Hiperteksti i ofron përdoruesit mundësin e shtigjeve të lira, të hapura të leximit dhe konsultimit me tekste të tjera. Hiperteksti ofron strukturë tekstuale vijuese jo të ngurtësuar.
2. libr. Grup elementësh, faqesh teksti ose objektesh multimediale jo lineare, të organizuar në metoda të lidhura ose të asociuara midis tyre pa hierarki fizike, që mund të shihen sipas renditjes së zgjedhur nga lexuesi, renditja e së cilës mund të ndryshojë sa herë që lexuesi kthehet tek ai tekst.
MERITÚESHËM ndajf. Me meritë, siç i takon, ashtu siç e meriton. I ngre heronjtë meritueshëm në piedestalin e lavdisë. Meritueshëm u është dhënë ai vlerësim. Caktoj meritueshëm hierarki të reja.
NËNKOMANDÁNT,~I m. sh. ~Ë, ~ËT vjet. Oficeri i dytë që vjen pas komandantit si hierarki, zëvendëskomandant. Nënkomandant i operacioneve ushtarake. Nënkomandant i Forcave të Armatosura. Nënkomandant policie.
NËNKOMANDÁNT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Oficerja e dytë që vjen pas komandantit si hierarki, zëvendëskomandante.
SHÁL/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT 1. Ndenjëse prej lëkure e vendosur në një strukturë të drunjtë dhe e përbërë nga disa pjesë, që i vihet kalit a mushkës në shpinë, shtrëngohet me rrip pas trupit të tyre dhe shërben për t’u ulur në të. Rrinte në shalën e kalit. E kishte shaluar kalin me shalë. Kalë (kafshë) shale kalë (kafshë) që shërben për t'i hipur dhe për të shkuar nga një vend në një tjetër. U bë kali për shalë. Në mollë të shalës së kalit. I rregulloi shalën kalit (mushkës). Ra nga shala e kalit.
2. Pjesa që shërben për t’u ulur në një biçikletë ose mjet motorik, zakonisht si trekëndësh, që bëhet prej lëkure të trashë dhe prej disa sustash metalike. Biçikletë me shalë lëkure. Rrinte drejt mbi shalën e biçikletës. I vuri biçikletës (motorit) një shalë të re.
3. fig. Niveli më i lartë në një hierarki, në majë. Qëndronte mbi shalën e pushtetit.
✱Sin.: ndenjëse, ulëse, majë.
♦ Është në shalë të kalit (dikush) është shumë i pasur; ka të gjitha të mirat, asgjë s’i mungon; është (flet) kaluar. Shalë mbi samar barrë a detyrë e re, të cilën ia ngarkojnë dikujt që është i zënë me shumë punë të tjera dhe nuk e përballon dot; kërcu mbi samar. I shkon (i rri) si shala gomarit (dikujt) iron. duket shëmtuar, nuk i shkon fare, nuk i përshtatet (për një rrobë etj). I vë gomarit shalë (dikush) tall. bëj diçka jo si duhet, si nuk shkon, në të kundërt; mbath pleshtin me potkonj (dikush). Zbriti nga shala e hipi në samar (dikush) tall. ra nga përgjegjësia një shkallë më poshtë, zbriti nga një detyrë a nga një punë e lartë në një detyrë a në një punë më të ulët; zbriti nga kali e hipi në gomar.
ZËVENDËSNDIHMËSSEKRETÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Ai që është zëvendës i ndihmësit të sekretarit; funksionar me rol mbështetës në një strukturë, zakonisht nën një hierarki të madhe administrative.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë