Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AKTUATÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT tek. Pajisje që shndërron energjinë në lëvizje, për të kontrolluar një sistem mekanik, për të kthyer sinjalet elektrike ose hidraulike në veprime fizike, si rrotullimi, shtytja ose tërheqja; aktivizues. Aktuator elektrik. Aktuator hidraulik. Aktuator pneumatik. Aktuatorët si kontrollues të mekanizmash. Aktuatori siguron saktësi të lartë. Aktuator për dyer automatike.
BANKËPRÓV/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT tek. 1. Tryezë e posaçme me pajisjet e nevojshme që shërben për të kontrolluar punën e një motori ose të një vegle pas mbërthimit të plotë. Bankëprovë hidraulike (elektrike). Bankëprovë për motorë.
2. Procedurë e provës së një objekti të ri para futjes në linjë të gjerë prodhimi. E mbaruan bankëprovën.
DEVIATÓR,~E mb. 1. Që shmanget a që shkëputet nga doktrina, nga politika ose nga udhëzimet e një partie politike, të një organizate a të një lëvizjeje. Grup deviator.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit. Deviator i majtë (i djathtë).
3. tek. Pajisje ose sistem që shërben për të ndryshuar ose për të shmangur drejtimin e një procesi, të një vale ose të një gjendjeje të caktuar. Deviator drejtimi në sistemet hidraulike (hidrotek.). Deviator i valës së rrjedhës së fluidit (fiz.).
GËLQÉR/E,~JA f. 1. Lëndë e ngurtë me ngjyrë të bardhë, që del kur djegim gurin gëlqeror, lëng i bardhë dhe i trashë, që përftohet duke shuar me ujë gurin gëlqeror të djegur në furrë dhe që përdoret për të lyer muret e ndërtesave, për të gatuar llaçin etj.; qereç. Gëlqere e pashuar (e gjallë). Gëlqere e shuar (e shurdhuar). Gëlqere kokërr (pluhur). Gëlqere hidraulike përzierje e gëlqeres me rërë e me çimento, që ka vetinë të ngurtësohet edhe në ujë. Llaç me gëlqere. Furrë gëlqereje. Gropë gëlqereje. Sherbet (qumësht) gëlqereje lëng i hollë me gëlqere që përdoret për të lyer muret, pemët etj. Ujë gëlqereje ujë që ka kulluar pasi është tretur në të një sasi e vogël gëlqereje dhe që shërben për të forcuar disa lloje frutash përpara se t’i bëjmë reçel. Djeg gëlqeren. Shuaj gëlqeren. Lyej (zbardh) me gëlqere. Vë (mbaj, forcoj) në gëlqere. Vë në ujë gëlqereje.
2. si mb., edhe fig., I bardhë; i zbehtë.
♦ U bë gëlqere në fytyrë (dikush) u zbeh shumë, u zbardh në fytyrë, i iku gjaku (nga sëmundja, nga frika etj.); u bë çarçaf në fytyrë.
HIDRAULÍK,~E mb. 1. Që ka të bëjë me hidraulikën, që i përket hidraulikës, i hidraulikës; ujor. Pajisje hidraulike. Studimet hidraulike. Makinë (presë) hidraulike. Motor (vinç) hidraulik. Tërheqje (goditje) hidraulike. Metoda hidraulike e nxjerrjes së torfës.
2. Pjesë e dytë e disa emërtimeve të pathjeshta në disa togje specifike fjalësh. Dash hidraulik (tek.) mekanizëm që shërben për ngritjen e ujit. Grusht hidraulik (tek.) rritje shumë e madhe e trysnisë nëpër tuba, që shkaktohet nga zvogëlimi i menjëhershëm i shpejtësisë së lëvizjes së lëndës brenda tyre.
HIDRAULÍK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT Punëtor i kualifikuar që merret me punë hidraulike; specialist për punimet hidraulike. Hidrauliku i ndërmarrjes. Reparti i hidraulikëve. Hidraulik i zoti.
HIDRAULÍK/E,~JA f. sh. ~E, ~ET Punëtore e kualifikuar që merret me vendosjen dhe ndreqjen e pajisjeve dhe gypave të ujit në banesa, ndërtesa etj.; specialiste për punimet hidraulike. Ai kurs përgatit edhe hidraulike.
INSTALÍM,~I m. sh. ~E, ~ET libr. 1. Veprimi kur instaloj diçka ose kur instalohem diku. Instalimi i motorit (i makinerisë). Instalimi i elektrikut (i ujit). Bëj instalimin.
2. Vegël, aparat, makineri, pajisje etj., që është vendosur diku; tërësi veglash, aparatesh etj. në një fabrikë, në një laborator a në një ndërtesë të vendosura sipas punës që kryejnë; ngrehina së bashku me pajisjet. Instalime elektrike (hidraulike, industriale, ushtarake). Instalime nëntokësore. Instalim i përkohshëm (i përhershëm, i posaçëm). Instalimet e centralit (e minierës). Shkatërroj instalimet.
3. Vendosje a ngulitje diku për të jetuar e për të punuar.
✱Sin.: vendosje, ngulim, ngulitje, qëndrim, pajisje.
INSTAL/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr., kal. Vendos pajisjet teknike, aparatet, mjetet, makineritë etj. aty ku ato duhet të punojnë; pajis me vegla, me aparate a me mjetet e nevojshme një fabrikë, një uzinë, një laborator etj. Instaloj radion (aparatin, motorin, makineritë). Instaloj rrjetin elektrik (pajisjet hidraulike) në një ndërtesë.
✱Sin.: vendos, pajis.
PÓMP/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Makinë a pajisje e posaçme që shërben për të nxjerrë nga toka ujë ose naftë, për ta ngritur ujin në një vend më të lartë etj.; tullumb uji, trumbë. Pompë elektrike. Pompë ujitëse (ujëheqëse). Pompë (benzine, nafte). Nxjerr me pompë. Pompë hidraulike. Pompë thithëse. Pompë me avull. Pompë me pedal. Pompë me piston. Pompë rrotullore (vertikale).
2. Vegël e posaçme që shërben për të mbartur një gaz nëpërmjet shtypjes, për të fryrë me ajër gomat e biçikletave, të automjeteve etj. Pompë dore. Pompa e biçikletës. Pompa e zjarrfikëses.
3. Vegël që përdoret për të spërkatur bimët, për të lyer muret me gëlqere etj. me anën e forcës së ajrit. Pompë spërkatëse. Pompë grasatuese. Pompë shpine (dore). Pompë vaji. Pompë për pluhurosje (për lyerje).
4. mjek. Pompëz.
✱Sin.: trumbë, tullumb, fryjëtore, spërkatëse.
QËNDRÉS/Ë,~AII f. sh. ~A, ~AT fiz., tek. 1. Veti e një trupi për të përballuar një forcë a një veprim që ushtrohet mbi të pa iu prishur forma ose ndërtimi i brendshëm; qëndrueshmëri. Qëndresë mekanike. Qëndresa e një metali. Mat qëndresën.
2. biol. Veti e një organizmi për të përballuar lodhjen. Qëndresa e organizmit. Fiton qëndresë.
3. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme rezistence. Qëndresë në përdredhje rezistencë ndaj përdredhjes. Qëndresë në prerje rezistencë ndaj prerjes. Qëndresë e materialeve rezistencë ndaj materialeve. Qëndresë aerodinamike zvarritje aerodinamike, rezistenca ndaj erës. Qëndresë dinamike fortësi dinamike. Qëndresë e fërkimit rezistencë ndaj fërkimit. Qëndresë hidraulike rezistencë hidraulike. Qëndresë hidrodinamike rezistencë hidrodinamike. Qëndresë ndaj abrazionit rezistencë ndaj gërryerjes. Qëndresë ndaj goditjes fortësi e goditjes. Qëndresë ndaj konsumimit rezistencë ndaj konsumit. Qëndresë ndaj lëvizjes rezistencë tërheqëse. Qëndresë ndaj ngjeshjes rezistenca në shtypje. Qëndresë ndaj përkuljes forca e përkuljes, rezistencë ndaj përkuljes. Qëndresë ndaj rrëshqitjes rezistencë rrëshqitëse. Qëndresë termike rezistencë termike (nxehtësie).
✱Sin.: fortësi, durueshmëri, stabilitet, rezistencë, forcë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë