Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
AZDÍSUR (i, e) mb., bised. 1. Që është rritur tej mase, që është zhvilluar shumë, i harlisur. Grurë (misër) i azdisur. Lule (pemë) e azdisur.
2. fig. Që nuk përmbahet dot, i harbuar, i harlisur, i dalldisur, i tërbuar (për kafshët); që lëviz me vrull; i papërmbajtur (për dallgët etj.). Kalë (mëz) i azdisur. Pelë (mushkë) e azdisur. Erë e azdisur. Dallgë të azdisura.
3. fig. Që është i papërmbajtur; që nuk njeh kufi, i shfrenuar, i shthurur. Djalë i azdisur. Grua e azdisur. Dëshira të azdisura. Fantazi e azdisur. Vajzë (djalë) e azdisur. Fëmijë të azdisur.
✱Sin.: i zhvilluar, i rritur, i harlisur, i harbuar, i dalldisur, i shfrenuar, i shthurur.
DALËDÓRE (i, e) mb. Që ka dalë jashtë kontrollit të dikujt; që ka marrë rrugë të gabuar; i zvetënuar, i shthurur. Djalë i dalëdore. Vajzë e dalëdore.
✱Sin.: i azdisur, i tërbuar, i harbuar, i papërmbajtur, i pafre, i shthurur, i zvetënuar, i çoroditur, i përdhosur, i prishur, i përçudnuar, i bastarduar, i degjeneruar.
HÁMSH,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Hamshor.
2. fig. Djalë beqar që nuk i përmban ndjenjat, që është i pakontrolluar dhe i harbuar pas femrave.
3. si mb. I ngjashëm me hamshorin; i papërmbajtur. Burrë hamsh. Nëpër fshat, djemtë hamsh nuk duroheshin.
4. si ndajf. Në mënyrë të papërmbajtur, të pakontrolluar, pa frena. Endeshin hamsh nëpër rrugë.
5. si pasth. Përdoret për të ndjellë kalin hamshor.
✱Sin.: hamshor, hajger, harmozi; i papërmbajtur.
HAMSHÓR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. Kalë i patredhur që mbahet për ndërzim. Hamshor i zgjedhur. Hamshor race. Tufa e hamshorëve.
2. fig., iron. Njeri i ushqyer mirë; shtatlartë i lidhur dhe i fortë; shtathedhur dhe i papërmbajtur; guximtar e i shkathët. Djalë hamshor.
3. fig., iron. Ai që është i harbuar pas femrave dhe nuk arrin të përmbajë ndjenjat, hajger.
4. si mb. I ngjashëm me një kalë që mbahet për ndërzim; si hamshor; i harbuar.
✱Sin.: hajger, hamsh, hanor, harmoz, i papërmbajtur.
♦ Del si *mëzi para hamshorëve (dikush) keq.
HARBÚAR (i, e) mb., bised. 1. keq. Që është harbuar dhe bredh pa fre poshtë e lart; bredharak. Njeri i harbuar.
2. Që është harlisur. Bimë e harbuar. Duhan i harbuar.
3. fig., keq. Që është i papërmbajtur dhe si i tërbuar; i tërbuar. Kalë (mëz, ka) i harbuar. Pelë (mushkë) e harbuar. Det (lumë) i harbuar.
4. fig., keq. Që është bërë i papërmbajtur, që s'u vë fre ndjenjave, dëshirave e epsheve; i shthurur e i dhënë pas qejfeve. Njeri (djalë) i harbuar. Grua e harbuar.
✱Sin.: bredharak, i lëvizshëm, i harlisur, i azdisur, i tërbuar, i egërsuar, i shfrenuar, i hardallosur, i papërmbajtur, i shthurur, i kërthndezur, i hedhur, bishtpërdredhur.
HARDALLÓSUR (i, e) mb., bised. 1. Që është hardallosur; i harlisur (kryesisht për bimët). Hardhi të hardallosura.
2. Që ka hapur gjoksin, i shpartalluar (për veshjen). Njeri i hardallosur. Me veshje të hardallosur.
3. I zgafulluar.
4. fig. I çakërdisur; i çmendur. Ecte si i hardallosur. Erdhi me një të hardallosur.
✱Sin.: i harbuar, i harlisur, i shpartalluar; i zgafulluar, i çakërdisur, i çmendur.
HARLÍSUR (i, e)I mb., bised. 1. Që është harlisur, që është rritur e është shtrirë tej mase (kryes. për bimët). Misër (grurë) i harlisur. Pemë (lule) të harlisura. Bar i harlisur.
2. fig. Që është bërë i papërmbajtur, që nuk përmbahet dot; i harbuar, i tërbuar, i shfrenuar. Kalë i harlisur. Fantazi e harlisur.
3. fig. I hutuar. Djalë i harlisur.
✱Sin.: i harbuar, i papërmbajtur, i shfrenuar, i tërbuar, i azdisur, i hardallosur, i shthurur, i hedhur, i krasitur, i hutuar.
HOPARÁSH,~E mb., iron., krahin. I papërmbajtur, i rrëmbyer.
✱Sin.: i papërmbajtur, i papërmbajtshëm, i rrëmbyer, i shfrenuar, i ngutur, i pafre, frelëshuar, i furishëm, i azdisur, kryekërcyer, i harlisur, i harbuar, i vrullshëm.
KËRTHNDÉZUR (i, e) mb. Që është kërthndezur; i harlisur. Djalë i kërthndezur. Lule (bimë) e kërthndezur.
✱Sin.: i rinuar, i harbuar, i përtërirë, i harlisur, i këndellur.
LUKUNÍ,~A f. sh. ~, ~TË 1. Tufë ujqish, zakonisht të uritur e të egërsuar, që lëshohen në bagëti a në njerëz; kope ujqish, zogori. Lukuni ujqish. Iu vërsul një lukuni.
2. fig., keq. Turmë njerëzish të harbuar, që sulen kundër të tjerëve me synime keqbërëse. Lukuni armiqsh. Lukuni të dehurish.
✱Sin.: llavë, zogori, zhgan, hordhi, bandë, turmë.
PAFRÉ (i, e) mb. 1. Që sillet a vepron si t’i shkrepet e si t’i dojë qejfi; që nuk e përmban veten për dëshirat e tekat e veta, që jepet pa fre pas qejfeve, i shthurur, i papërmbajtur. Njeri i pafre.
2. Që nuk njeh asnjë kufi, që shfaqet a që bëhet me forcë të papërmbajtur, i shfrenuar. Egoizëm i pafre. Argëtim i pafre.
✱Sin.: i papërmbajtur, frekëputur, frelëshuar, i shfrenuar, i harbuar, i tërbuar, i shthurur, i ethshëm, i azdisur, azat.
PAPËRMBÁJTUR (i, e) mb. 1. Që nuk është në gjendje ta përmbajë veten, që merr zjarr menjëherë; që rrëmbehet përnjëherë, i nxituar; kund. i përmbajtur. Njeri i papërmbajtur.
2. Që është veti e një njeriu të rrëmbyer; që shfaqet me forcë, menjëherë e në mënyrë shumë të dukshme; kund. i përmbajtur. Karakter i papërmbajtur. E qeshur e papërmbajtur. Dëshirë (ndjenjë) e papërmbajtur.
3. I papërmbajtshëm; kund. i përmbajtshim. Hov i papërmbajtur. Zhvillim i papërmbajtur.
✱Sin.: i papërmbajtshëm, i rrëmbyer, i pafre, i shfrenuar, i furishëm, i azdisur, i harbuar, i tërbuar, i zijosur, i nxituar, gjaknxehtë, i ngutur, kryekërcyer, frelëshuar, kokëkrisur, kokëndezur, shkumëzues, frekëputur, i turrshëm, i nxehtë, i shkalluar, i çmendur, zemërak, i rrefkët, i egër, i tërhuzur, i trentë, i vrullshëm, hergjele.
PËRSHKÚNDUR (i, e) mb. 1. I shkundur fort. Deti i harbuar i priti të përshkundur.
2. I shkundur shpirtërisht, i tharë shpirtërisht; i pandjenjë.
SHFRENÚAR (i, e) mb. 1. Që i janë lëshuar frenat (zakonisht një automjeti); kund. i frenuar. Gjendje e shfrenuar e mjetit. Fren i shfrenuar.
2. fig. Që është i papërmbajtur, i pafre, që nuk njeh masë e kufi; i ethshëm. Inat i shfrenuar. Guxim i shfrenuar. Korrupsion i shfrenuar. Jetë e shfrenuar. Festa të shfrenuara. Vallëzim i shfrenuar. Rritje e shfrenuar e popullsisë. Goditje të shfrenuara. Fantazi e shfrenuar.
3. fig. Që nuk e frenon fare veten; që është shthurur. Rini e shfrenuar. Djalë i shfrenuar. Vajza më e shfrenuar në kompani.
✱Sin.: i papërmbajtur, i pafre, i ethshëm, i shthurur, i shkrehur, i azdisur, i harbuar, i tërbuar, i harlisur.
SHTAZARÁK,~E mb. 1. I egër, mizor, i pamëshirshëm, çnjerëzor. Krim shtazarak. Rrahje shtazarake. Urrejtje shtazarake. Në mënyrë shtazarake.
2. I harbuar, i shfrenuar; që është karakteristik për kafshën. Epshe Shtazarake.
TËRBÚAR (i, e) mb. 1. Që e ka zënë sëmundja e tërbimit, i sëmurë nga tërbimi. Qen i tërbuar. Njeri i tërbuar.
2. I zemëruar aq shumë me dikë a me diçka sa nuk e përmban dot veten, që është bërë si i marrë nga inati, shumë i egërsuar. Armik (kundërshtar) i tërbuar. Hyri (erdhi) si i tërbuar.
3. fig. Që është i papërmbajtur në shfaqjen e dëshirave a të tekave; që sillet e vepron në mënyrë të papërmbajtur; i shfrenuar, i harbuar; i llastuar a i përkëdhelur tej masës. Fëmijë i tërbuar.
4. fig. Që lëviz a shpërthen me vrull e me forcë, që vërshon pa u përmbajtur, që lëshohet me rrëmbim; që ka dallgë të mëdha e të furishme. Erë e tërbuar. Tufan (murrlan) i tërbuar. Det (oqean) i tërbuar.
5. fig. Që është i përgjakshëm e shumë i ashpër; që bëhet pa mëshirë, i egër, mizor, barbar; që bëhet me tërbim. Luftë e tërbuar. Sulm i tërbuar. Fushatë (garë) e tërbuar. Terror i tërbuar.
✱Sin.: i ndërkryer, i trenuar, i çmendur, i shkalluar, i marrosur, i xhindosur, i papërmbajtur, histerik, i çartur, i harbuar, i harlisur, i shfrenuar, i azdisur, i llastuar, i përkëdhelur, i papërmbajtur, i vrullshëm, i përgjakshëm, gjakatar, barbar, i egër, mizor.
♦ *Ujë i tërbuar (i bekuar) shak.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë