Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BOTËRÍSHT ndajf. Në prani të të gjithëve, para të gjithëve; haptas, sheshit, faqe botës. Shpall (deklaroj, njoftoj) botërisht. Pohoj (pranoj) botërisht. Nderohet (vlerësohet) botërisht. Dënoj (kritikoj) botërisht. Fakte të ditura botërisht. I njohur (i ditur, i shfaqur) botërisht. Fyerje që bëhen botërisht.
✱Sin.: haptas (haptazi), sheshit, faqeza, publikisht.
FASHÍZ/ËM,~MI m. Forma më e egër e diktaturës, që shtyp haptazi çdo liri demokratike e synon të pushtojë me luftë vende të tjera; rrymë ideologjike e politike tejreaksionare, që përligj e propagandon filozofinë e urrejtjes së njeriut për njeriun, ndarjen e njerëzve në të ashtuquajturat raca “të ulëta” e “të larta” dhe nxit terrorin e shovinizmin. Fashizmi e nazizmi. Përmbysja e fashizmit.
FLAMÚR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT [FLÁMU/R,~RI m. sh. ~J, ~JT] 1. Pëlhurë e hollë dhe e lehtë me forma e me ngjyra të ndryshme, që vihet në një shtizë dhe është simboli i një shteti, i një kombi, i një organizate, i një ushtrie, i një skuadre në sport etj.; figura e këtij simboli, e qëndisur ose e vizatuar diku. Flamuri shqiptar. Himni i flamurit. Dita e Flamurit 28 Nëntori - dita e shpalljes së Pavarësisë; festa që bëhet për nder të kësaj dite. Ngre (ngul, ul, mbaj) flamurin. Shpaloset (valëvitet, valon) flamuri.
2. Copë pëlhure me ngjyra të ndryshme, e varur në një shkop, që shërben për t’i dhënë shenja dikujt ose për t’i tërhequr vëmendjen për diçka. Flamur i bardhë. Jap shenja me flamur.
3. fig. Idetë themelore që frymëzojnë njerëzit dhe u tregojnë rrugën që duhet të ndjekin në jetën e në veprimtarinë e tyre; ideal i lartë frymëzues. Flamuri i lirisë. Nën flamurin e demokracisë.
4. hist. Bajrak. Malësia ndahej në flamurë.
♦ Doli me flamur (dikush) i shfaqi haptazi idetë, pikëpamjet a qëllimet e veta; doli hapur, faqe të gjithëve; ngriti (shpalosi) flamurin. (Është) me dyzet (me njëqind) flamurë (dikush) keq. është njeri i paqëndrueshëm, nuk i mbahet një bindjeje a një ideali; bëhet herë me njërën e herë me tjetrën palë, sipas interesit të vet; sillet a vepron si t’i bëhet më mirë atij vetë, pa ndjekur parime e pa e vrarë ndërgjegjja; kthen gunën (shpinën, kurrizin, krahët) nga të fryjë era. Mban flamurin (dikush) është në krye, qëndron kudo në radhë të parë, vihet në ballë, kryeson; është me nam, shquhet mbi të gjithë për diçka të mirë a të keqe. Ndërroi flamur (dikush) tradhtoi; u bë me dikë tjetër, u lidh me kundërshtarin; ndërroi bajrak vjet. Ngriti (shpalosi) flamurin (dikush) doli i pari hapur e me guxim për të shprehur diçka ose për të mbrojtur një njeri a një çështje; doli me flamur. Ngriti flamurin e bardhë (dikush) u dorëzua, pushoi qëndresën (në luftë a para një vështirësie); uli flamurin. *Tregtar flamurësh përb. Uli flamurin (dikush) hoqi dorë nga qëndresa, u dorëzua; ngriti flamurin e bardhë.
HÁPTAS ndajf. 1. Drejtpërdrejt, ballë për ballë, hapur; kund. fshehtas. I doli haptas. E ndihmoi haptas. Vepronte haptas. E luftoi haptas. E bëri haptas.
2. Me zemër të hapur, me çiltërsi; sheshit, shqip. I foli (ia tha) haptas. Bisedoi haptazi. E këshilloi haptazi.
✱Sin.: drejtpërdrejt, hapur, shkoqur, sheshit, shqip, sheshazi, ballas, ballazi.
HÁPUR ndajf. 1. Në mënyrë që lejon të hyjë brenda, të dalë a të kalojë lirisht dikush a diçka, çelur; pa çelës; kund. mbyllur. E la derën hapur. Mbeti dritarja hapur. Mbaje hapur.
2. Me pjesët a anët të larguara ose të mënjanuara njëra nga tjetra, çelur; kund. mbyllur. Me sytë hapur. Me gojë hapur.
3. Duke punuar, duke zhvilluar veprimtari, çelur (për një institucion, një shkollë, një dyqan etj.); kund. mbyllur. E gjeti dyqanin hapur. Rri hapur gjithë ditën.
4. fig. Drejtpërdrejt, ballë për ballë, pa u fshehur, haptas; kund. fshehtas. I doli hapur. E kundërshtoi hapur.
5. fig. Me zemër të hapur, me çiltëri; shkoqur, sheshit, shqip. I foli hapur. Ia tha hapur.
✱Sin.: çelur, hapët, lirish, haptas, haptazi, çiltas, çiltazi, sheshas, sheshazi, ballas, ballazi, qartë, drejtpërdrejt, troç, copë, shkoqur, sheshit, publikisht, botërisht.
♦ Me *ballë hapur. *Ëndrra me sy hapur. Fle me *sy hapur. Me gjoks*hapur. Me *krahë hapur. Me *kraharor hapur. Më la me *gojë hapur (dikush a diçka). E mban derën hapur (çelur) (dikush). 1. Pret kurdoherë me bujari miq e shokë, është i pritur, derëçelë. 2. Është vazhdues i mëtejshëm i atyre që rrjedhin nga një fis a nga një familje, bën që të mos i shuhet fisi, është pasardhës. I mbaj sytë hapur kam kujdes e vëmendje të madhe që të mos pësoj gjë, të mos ma hedhin etj., jam syçelë; rri zgjuar; më mbetën sytë dollap. I mban veshët hapur (dikush) rri e dëgjon me kujdes e me vëmendje të madhe; tregohet i vëmendshëm e përgjon që të mos ia hedhin; i mban veshët përpjetë; i mban veshët ngritur; i mban veshët bigë. Mbes me *gojë hapur. Me *sy hapur. Thur *livadhin e lë shtegun hapur (dikush).
HÁPËT ndajf. Drejtpërdrejt, ballë për ballë, me ballë hapët; haptas, hapur. kund. fshehtas. I foli hapët. Ballafaqoi hapët. Tregomi hapët!
✱Sin.: çelur, hapët, haptas, haptazi, drejtpërdrejt, ballas, ballazi, çiltas, çiltazi, qartë, qartazi, ashiqare, shkoqur, copë, troç, botërisht, publikisht, sheshit, shqip.
MÁJ/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Skaji më i hollë dhe i mprehtë i diçkaje, pjesa e sipërme dhe më e lartë që vjen duke u holluar; thumb. Maja e shpatës (e thikës, e bajonetës, e gjilpërës, e turjelës). Maja e gozhdës. Maja e shkopit. Majë pene pjesa e metaltë e penës për të shkruar. E bëj me majë diçka e mpreh. I bëj majën lapsit e mpreh që të shkruajë.
2. Pjesa e fundit e diçkaje që vjen e zgjatur dhe më e hollë a më e ngushtë; skaji i fundit të diçkaje. Maja e gishtit. Maja e hundës. Maja e gjuhës. Këpucë me maja. Gur me majë. Eci në majë të gishtërinjve.
3. Pjesa më e lartë e një mali, e një druri, e një trupi etj., që vjen më e ngushtë nga pjesa tjetër; pjesa e sipërme e diçkaje. Hipi në majë të malit. Rri në majë të shkëmbit. Mbjell vreshtin në majë të kodrës. Shoh nga maja e kullës (e çatisë). Hipi (u ngjit) në majë të pemës. Maja e kësulës. Nga maja e shkallës vërej bulevardin. Maja e kokës çaçka e kokës. Pa hipur në majë nuk mund të shohësh luginën. (fj. u.).
4. fig., bised. Pika më e mirë ose në niveli më i lartë që arrin diçka, kulmi. Drejt majave më të larta të diturisë. Këto poezi përbëjnë majën më të lartë të artit të tij.
5. fig. Pjesa më e mirë a më e zgjedhur e diçkaje; ajkë. Maja e miellit. Maja e djalërisë.
✱Sin.: thumb, cep, çukë, majoke, majole, majuc, cikol, xip, xipë, kreshtë, puç, shtang, skape, çupejkë, krecë, çyçë, kulm, paskajë, paskaq, paskraq, ajkë.
♦ Bën majë (diçka). 1. Nis të mbijë, sapo ka shpërthyer e po del në sipërfaqe. 2. Sapo fillon të duket së largu; shfaqet a duket tutje. 3. Duket sheshit, shfaqet haptazi. Ia bëj me majë (dikujt) e nderoj, e pres me gjithë të mirat; i bëj hatrin; kund. nuk e vë në shpatull të pulës (dikë). E bëj majë e krye (dikë) e çmoj shumë, ia vlerësoj lart meritat e cilësitë; e lavdëroj; e ngre lart. Më ra maja e gjuhës përdhe u lodha shumë së foluri për të njëjtën gjë; më vajti goja prapa qafës; më vajti (më shkoi) goja (buza) te veshi (prapa veshit); më ra goja; më zuri gjuha (goja) lesh. Ma pruri (ma solli) (shpirtin) në majë të hundës (dikush) më mërziti shumë, sa s’e duroj dot; më inatosi aq shumë sa nuk e përmbaj dot veten; më plasi shpirtin; më plasi buzën; m’u bë gur në opingë. *Breshri e rreh e hunda me majë iron. I doli *huri në majë të kokës (dikujt). Më ka dalë në majë të flokëve (diçka a dikush) më ka mërzitur shumë, s’e duroj dot, nuk e përmbaj dot veten; më plasi buza (me dikë a me diçka); ma solli në majë të hundës; ta pjek peshkun në buzë (dikush); ma poqi buzën (dikush); jam mbushur deri në fyt (me dikë a me diçka). I fërkon majat e gjilpërave (dikush) shih i hedh benzinë (vajgur) zjarrit (hedh benzinë në zjarr) (dikush). (Flet) si *e ëma e Zeqos në majë të thanës (dikush) bised. Fle në majë të dëllinjës (dikush) fle dosido, nuk ka kërkesa, e zë gjumi edhe pa rehati; bën si të ndodhet a si të vijë puna, bën si bën në çdo rrethanë a në çfarëdo kushtesh. *Fund e majë (e krye). Në *fund e në majë (e në krye). *Gjel (këndes, kaposh) në majë të plehut. *Gjilpërë pa majë. Të hedh e të pret në majë të gishtit (dikush) është shumë i shkathët dhe i fortë; duron shumë a qëndron pa u mposhtur, është më i zoti; s’do t’ia dijë, nuk ke ç’i bën; t’i ha arrat; e tredh dashin; t’i shkosh nën krah (dikujt); kund. s’ka këllqe (kërçikë, kryqe) (për diçka). Më ka hipur në majë të kokës (dikush a diçka) më ka mërzitur e më rëndon shumë, mezi po e duroj, nuk e duroj dot më; nuk më përfill fare. (Është) me dy *fara në majë (dikush) mospërf. (Janë) si *gjilpërat majë më majë. Jam në majë të gjembit jam shumë i shqetësuar e në merak të madh për diçka, s’jam i qetë fare deri sa ta zgjidh; jam mbi gjemba. Është në majë të kalit (dikush) shih është (flet) kaluar (dikush). Jam majë më majë (me dikë) nuk shkoj mirë me dikë, zihem e grihem orë e çast, jam në grindje të vazhdueshme me të; i kemi marrëdhëniet shumë të acaruara e nuk i bëjmë lëshime njëri-tjetrit; e kundërshtoj haptas e me guxim; (jemi) si gjilpërat majë më majë; shkoj majë më majë (majë e brisk. (Është, bie) shtatë *hostenë e një në majë (me dikë). (Është) tri në *degë e dy në majë (dikush) iron. (S’të jep) një majë gjilpëre (dikush) nuk të jep asgjësend, është shumë dorështrënguar; s’të jep asnjë thërrime. E ka arsyen në majë të shpatës (dikush) keq. nuk vepron me urtësi e drejtësi, i zgjidh çështjet si do vetë, sepse hiqet si më i fortë se të tjerët; është sherrxhi i madh, grindet e zihet me të tjerë për hiçmosgjë, është i gatshëm të bëjë sherr në çdo rast; e kërkon sherrin me qiri; tërheq buallin për bishti. I kanë (i kanë vënë, i shpunë, i ngritën) gjilpërat majë më majë shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, janë shumë të acaruar, zihen e grihen dhe nuk pajtohen, nuk i bëjnë asnjë lëshim e nuk i hapin rrugë njëri-tjetrit; shkojnë majë më majë (majë e brisk); (shkojnë) si macja me miun; (shkojnë) si qeni me macen; shkojnë thikë e brisk; shkojnë gjak e lak. S’ke ku të futësh majën e gjilpërës (diku) shih s’ke ku të hedhësh mollën (diku). E ka hundën në majë të çatisë (dikush) përb. shih e mban hundën në qiell (dikush). I ka (lotët) në majë të syrit (dikush). 1. Qan lehtë, është gati të qajë edhe për gjënë më të vogël. 2. Është shumë i ndjeshëm, preket shpejt; është zemërbutë. 3. Ankohet shumë, qahet për hiçmosgjë; është qaraman. E ka në majë të gjuhës. 1. (dikush). Ta jep përgjigjen menjëherë, ta kthen përgjigjen në çdo rast, aty për aty; është i shkathët nga goja; e ka te buza. 2. (diçka). E përsërit shpesh diçka; s’e ka zor ta thotë a ta kërkojë diçka. 3. v. I. Jam gati ta them diçka, por s’e them dot në këtë çast; e di mirë, por s’më vjen ndërmend tani, nuk më kujtohet aty për aty a nuk më del nga goja; e kam në gojë; më erdhi në dhëmbë. E ka në majë të thoit (diçka) e bën pa vështirësi diçka, e ka fare të lehtë; e përballon pa u munduar fare; e zotëron mirë (një punë, një mjeshtëri); nuk e ka për gjë; e ka bukë e djathë; e ka një kafshatë bukë; e ka gjethe; s’e ka për gajle. E ka mendjen në majë të kësulës (të qeleshes) (dikush). 1. Është mendjelehtë, nuk mendon e nuk gjykon thellë; i ka mendtë në majë të thanës. 2. Mendon gjithnjë për të njëjtën gjë; i rri (i rreh) mendja në një vend (dikujt). I ka mendtë në majë të thanës (dikush) është shumë mendjelehtë e i papjekur; e ka mendjen në majë të kësulës (të qeleshes); nuk i ka mendtë në kokë. Ka tri *qime në majë (dikush) përçm. Ka tri *thërrime në majë (dikush) mospërf. E luan (e sjell) në majë të gishtit (të gishtave) (dikë) e sorollat a e tall si do vetë; ia hedh, ia punon; e vë në lojë; e luan në tel; e luan në litar. Maja e ajsbergut libr. pjesa e dukshme, më e vogël, e diçkaje të keqe a të rrezikshme, pas së cilës fshihet gjithë e keqja. Majë e brisk me inat e i zemëruar, duke e kundërshtuar në çdo çast, pa u frikësuar prej dikujt; dhëmbë për dhëmbë; brisk më brisk. Nga maja e flokut te thonjtë e këmbëve në të gjithë trupin, krejt; i tëri; tërësisht. Në majë të gishtave shumë mirë, duke e njohur plotësisht, duke e ditur ujë; përmendsh. Majë më majëI mbushur plot, sa nuk nxë më (për një enë etj.); buzë më buzë. Majë më majëII duke ia kthyer fjalën dikujt në çast, duke iu përgjigjur aty për aty; flakë për flakë. Majë mielli diçka shumë e mirë ose e zgjedhur. Maja e piramidës libr. grup njerëzish në krye të shtetit, të një partie etj., drejtuesit më të lartë, udhëheqësia; paria. Majë plori shih buzë gjyshi. Majë pa rrëzë gjë e pamundur; diçka që nuk mund të ekzistojë. Mban *draprin në thes e majën jashtë (dikush). (E mbaj) si *zogun në majë të gjembit (dikë). Më mbinë *qepët nga maja (me dikë). Ç’ngre maja e boshtit shumë pak (për ushqime etj.), me kursim, sa për të jetuar; sa për të mbajtur shpirtin; sa për të mbajtur frymën. E nxjerr në majë (diçka) e zgjidh a e përfundoj një punë, e mbaroj, e çoj deri në fund; i jap majë (diçkaje); e nxjerr në krye; ia dal mbanë (diçkaje); i jap rrugë (diçkaje); e nxjerr në dritë. E sjell (e luan) në *majë të gishtit (majë gishtave) (dikë). Shkova në majë të briskut shih shkova në teh të briskut. Shkojnë majë më majë (majë e brisk) shkojnë shumë keq njëri me tjetrin, grinden vazhdimisht; janë majë më majë; i kanë (i kanë vënë) gjilpërat majë më majë; shkojnë thikë e brisk; (shkojnë) si qeni me macen; (shkojnë) si macja me miun. Sheh gjer te maja e hundës (dikush) keq. shih nuk sheh më larg se hunda e vet (përtej hundës së vet) (dikush). Kur të shohë majën e veshit pa pasqyrë (dikush) shih kur të shohë zverkun pa pasqyrë (dikush). (Shpëtoi) për një majë gjilpëre (dikush) shpëtoi për pak gjë; (shpëtoi) për një fije floku; (shpëtoi) për një qime. I vë majën (diçkaje) e çoj deri në fund, e mbaroj; ia vë majën mullarit. S’e vë as në majë të gishtit (dikë) as që mund të krahasohet me mua; nuk hahet dot ai me mua, as që dua t’ia di për të; s’e vë as në gishtin e vogël. E vë në majë të hostenit (dikë) e tall, e qesëndis; e bën fare qesharak; e vë në bisht të lahutës; e vë në lojë. Ia vë majën mullarit e çoj punën deri në fund, e kryej ashtu si duhet; e zgjidh diçka drejt; i vë majën (diçkaje). Vë majat nga thembrat (dikush) iron. shkon andej nga ka ardhur; ia mbath, kthehet e ikë me turp; vë thembrat nga majat; vë ballin nga thembrat. Vë *thembrat nga majat (dikush) iron. Më erdhi (qumështi i nënës, shpirti) në majë të hundës. 1. Jam lodhur shumë, jam rraskapitur; s’mbaj më; më erdhi (shpirti) te hunda; më erdhi (shpirti) në fyt. 2. keq. Jam shumë i mërzitur a i inatosur me dikë a me diçka; nuk e duroj dot më, më është neveritur fare; më hipi (më erdhi) zemra në fyt; më erdhi mëlçia në grykë; më plasi buza; jam mbushur deri në fyt.
MES,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Pika a vendi në qendër të diçkaje, pjesa e diçkaje që ndodhet në largësi të barabartë ose gati të njëjtë nga të gjitha anët a skajet e saj; qendër. Mesi i fushës (i sheshit). Mesi i tepsisë (i tryezës). Në mes të ballit (të faqes). Në mes të oborrit. E vuri në mes të dhomës. Shënoj mesin e rrethit.
2. Pjesa e diçkaje që ndodhet midis kreut e fundit të saj, midis fillimit e mbarimit, midis një ane e anës tjetër etj. Mesi i kërcellit. Mesi i kallirit. Mesi i rrugës. Mesi i litarit. Mesi i vijës. E pres (e këput, e thyej) në mes.
3. Pjesa qendrore brenda diçkaje a pjesa që ndodhet në thellësi të diçkaje; diçka që është e rrethuar nga gjëra të tjera përqark ose që ndodhet në qendër të një rreshti, të një grupi, të sendeve të ndryshme etj. Mesi i rruzullit. Mesi i lakrorit. Gishti i mesit. Në mes të djemve (të vajzave). Në mes të turmës. Në mes të të mirave. Mbeti në mes të pyllit. Në mes të luleve. E vunë (e futën) në mes.
4. Pjesa më e ngushtë e trupit të njeriut midis kraharorit dhe kërdhokullave, bel; pjesa e veshjeve që mbulon këtë pjesë të trupit të njeriut. Me mes të hollë (të ngushtë, të këputur). Rripi (gjerdani) i mesit. Fustan me mes. E kapi për mesi. Më dhëmb mesi. Rri me duar në mes. U zhveshën nga mesi e lart. U zhyt deri në mes. Përkulem deri në mes. M’u këput mesi u lodha shumë nga një punë e rëndë.
5. Koha midis fillimit e mbarimit të diçkaje; çasti që ndodhet afërsisht në largësi të barabartë nga fillimi e mbarimi i një kohe. Mesi i ditës mesdita. Mesi i natës mesnata. Mesi javës (i muajit, i vitit, i shekullit). Mesi i janarit (i dhjetorit). Mesi i verës (i dimrit).
6. fig. Pjesa midis fillimit e mbarimit të një pune, të një veprimi etj.; kulmi i zhvillimit të një veprimi a veprimtarie. Mesi i punës (i lojës). Në mes të shfaqjes. Në mes të dasmës. Në mes të duartrokitjeve (të zhurmës, të këngës, të së qeshurave). Në mes të gëzimit (të haresë).
7. vjet. Mjedis, ambient. Mesi shqiptar. Në të gjitha meset.
✱Sin.: qendër, kërthizë, midis, zemër, mjedis, mjedisor, përmjet, anames, bel, ndërmjet, brez, kulm, pishë, palcë, thelb.
♦ *Barkë në mes të detit. E bën shtëpinë në mes të udhës (në *udhë) (dikush). Ra e drejta në mes u bë diçka me drejtësi për të gjithë, pa fituar më shumë e pa humbur më shumë as njëri e as tjetri, u trajtuan të gjithë barabar, nuk u mbajt ana e askujt; secili mori njësoj me tjetrin; doli e vërteta siç është; ra e drejta në shesh; vajti haka tek i zoti. Bie (jam) në mes dy *zjarresh. Hyj (futem) në mes. 1. Ndërhyj për të lidhur a për të pajtuar dy palë ose për të mënjanuar mosmarrëveshjet që kanë. 2. (diçka). Doli papritur, ndërhyri, u shfaq, u shpif. Më këputi në mes (diçka) më dëmtoi rëndë; më fiku; më theu në mes1. E la në mes (diçka) nuk e çoi deri në fund, e ndërpreu; e la në mes të rrugës. E hodhi (e nxori) në *udhë (të madhe) (në mes të udhës, në mes të katër udhëve) (dikë). E këput xixëllonjën në mes (dikush) qëllon në shenjë, ka nishan; ka sy pushke; qëllon në xixëllonjë. E la në mes të rrugës (në mes të udhës). 1. (diçka). Nuk e çoi deri në fund, nuk e zgjidhi, e ndërpreu; e la në gjysmë të rrugës; e la në mes. 2. (dikë). E braktisi a e përzuri dhe nuk i dha asnjë ndihmë, e la pa gjë e pa kujdesje; e la (e nxori) në mes të katër rrugëve (të katër udhëve). Në mes të ditës haptazi e pa frikë; sheshit (kur dikush bën diçka të keqe); në pikë të ditës; në dritën e diellit. Mes për mes tej matanë, duke kaluar nëpërmes; mu në mes. Në mes të tjerave përveç atyre; ndërkaq. *Mëngë në mes të kurrizit. E nis lakrorin nga mesi (dikush) tall. nuk e nis mbarë një punë; i bën punët së prapthi; kthen çerepin, pastaj kërkon miellin (dikush) tall. Përkul (ul) mesin shtrohem në punë, ia hyj punës mbarë e me gjithë forcën; shtroj (ul) kurrizin; i vë shpatullat (diçkaje); përvesh krahët. Rri me *duar në mes (në ijë, në brez, në gji, në xhepa) (dikush). E theu në mes (dikë). 1. E dëmtoi rëndë, i prishi shumë punë; e këputi në mes. 2. E dëshpëroi shumë, i shkaktoi dikujt një gjendje aq të rëndë shpirtërore, sa nuk ngre dot kokë. 3. E rrahu keq dikë, e dërrmoi; ia ndreqi kryqet (dikujt); ia ndreqi samarin (dikujt).Vezë në mes të kulaçit (në *kulaç). Të vjedh *hundën në mes të (midis) syve (dikush). Bie (ndodhet, është) në mes dy *zjarresh. Mesi i artë (e mesmja e artë) keq. shih tek ARTË (i, e). Diç (diçka) luan në këtë mes (këtu) shih te LUAJ.
MËNÝR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Lloj veprimi a tërësi veprimesh e mjetesh që përdoren për të bërë një punë a për t’ia arritur një qëllimi; forma si e qysh bëhet një punë a kryhet një veprimtari; rregullat që ndiqen për të bërë diçka. Mënyrë e re (e vjetër) për të bërë diçka. Mënyra e parë (e dytë...) si mund të veprohet. Kërkon mënyra për të shpëtuar veten. Më duket mënyrë e drejtë (e gabuar). Përdor mënyra të tërthorta (të njohura, të ulëta) për të arritur qëllimet. Njoh mënyrën e punimit (e përgatitjes, e prodhimit, e përpunimit). Vlerësoj mënyrën e drejtimit. Përcaktoj mënyrat e luftimit. I shpjegoj dikujt mënyrën e përdorimit të barnave (të aparatit). Ka disa mënyra për ta zgjidhur këtë problem (ushtrim). I tregoi mënyrën si bëhej. Përdori lloj-lloj mënyrash. Në ç’mënyrë e bëri (e shqiptoi, e tregoi, e priti, e përcolli)? Me çdo mënyrë me çdo kusht, medoemos, patjetër. Në asnjë mënyrë kurrsesi. Në ç’mënyrë? Si? Në këtë mënyrë kështu, pra. Mënyrë prodhimi (ek.) tërësia e marrëdhënieve në prodhim dhe e forcave prodhuese në një etapë të caktuar të zhvillimit të shoqërisë.
2. Rruga ose metoda që ndiqet për të arritur diçka. E gjeti një mënyrë për t’u kthyer në Shqipëri. Cila është mënyra më e shpejtë për të shkuar në park, me këmbë apo me autobus? Njihen disa mënyra për të stimuluar trurin. Studioj mënyrën si janë mbledhur dhe analizuar të dhënat nga gjuha e folur.
3. Tërësia e veçorive të sjelljes a të veprimit të njeriut në raste të caktuara ose tërësia e veçorive të jetesës së tij. Mënyra e sjelljes (e jetesës). Mënyra e të folurit (e të ecurit, e të menduarit). Secili sipas mënyrës së vet.
4. Përdoret me parafjalën ‘në’ përpara një mbiemri dhe formon me të shprehje me kuptim ndajfoljor sipas kuptimit të mbiemrit. Në mënyrë të përzemërt përzemërsisht. Në mënyrë miqësore miqësisht. Në mënyrë të ndershme ndershmërisht. Në mënyrë të gabuar gabimisht. Në mënyrë të hapur haptazi. Në mënyrë të hijshme hijshëm. Në mënyrë të qartë qartazi. Në mënyrë të veçantë veçanërisht. Në mënyrë rrënjësore rrënjësisht. Në mënyrë çnjerëzore. Në mënyrë ritmike ritmikisht. Në mënyrë ushtarake ushtarakisht. Në mënyrë të egër egërsisht. Në mënyrë që... përdoret si shprehje lidhëzore në fjalitë e varura qëllimore; me qëllim që.
5. gjuh. Kategori gramatikore e foljes, që shpreh marrëdhëniet ndërmjet asaj që thuhet dhe realitetit, nëpërmjet trajtash të veçanta që e japin veprimin a gjendjen si diçka që ndodh a është me të vërtetë, si mundësi, si dëshirë, si urdhër etj.; tërësia e trajtave të ndryshme që merr folja gjatë zgjedhimit sipas kohës, numrit e vetës. Mënyra dëftore (lidhore, kushtore, habitore, dëshirore). Kategoria gramatikore mënyrës.
✱Sin.: mjet, formë, rrugë.
PUN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Bëj një punë të caktuar duke përdorur forcën e krahut e të mendjes dhe vegla e mjete pune për të prodhuar diçka, për të ndërtuar, për të krijuar etj. Punon në uzinë (në fabrikë, në kombinat, në arë, në fushë). Punon në arsim (në ndërtim, në bujqësi). Punon edhe jashtë orarit (me orar të zgjatur). Punonte si kalë. Punon mirë (pastër). Punonte shkel e shko. Kemi punuar bashkë. Kush s’punon, dheut i rëndon. (fj. u.). Kush nuk punon, nuk ha. (fj. u.). Punove, gëzove. (fj. u.). Trupi shëndoshet me të punuar, mendja ndritohet me të mësuar. (fj. u.). Do punuar koka, që të japë toka. (fj. u.). Hekuri punon, shakulli gjëmon. (fj. u.).
2. jokal. Ushtroj një mjeshtëri a profesion të caktuar; jam në një punë a në një detyrë të caktuar. Punon si marangoz (si traktorist, si minator, si murator, si shofer, si mësues, si agronom, si llogaritar).
3. jokal. Zhvilloj një veprimtari a kryej një veprim me vetëdije, sillem a veproj në një mënyrë të caktuar; përpiqem për të mirën e dikujt a të diçkaje. Punon me mend në kokë. Punon haptazi (fshehurazi). Ka punuar nën rrogoz (pas shpine).
4. jokal., vet. v. III Zhvillon punën a veprimtarinë e vet, është i hapur dhe kryen shërbime (për një ndërmarrje, institucion, dyqan etj.); funksionon. Dogana ka punuar rregullisht. Biblioteka punon tërë ditën. Libraria punon vetëm paradite.
5. jokal., vet. v. III Është në gjendje pune, nuk është i prishur (për një makinë a një mekanizëm); funksionon, shkon. Makina (motori, ora) punon në rregull.
6. jokal., vet. v. III Kryen punën e vet, është i aftë për punë (për një organ a gjymtyrë të trupit); funksionon. I punon zemra. S’i punojnë sytë (mirë) nuk sheh mirë. S’i punon më dora nuk është më i zoti për punë. Nuk i punonin më këmbët nuk ecte dot më. Sa të më punojë këmba e dora. I punon mendja për shumë gjëra i vete mendja për shumë gjëra. I punon fantazia atij.
7. jokal. Bëj punë edukuese, sqaruese etj. me dikë për ta bindur e për ta ngritur nga ana arsimore, kulturore etj. Punon me pionierët (me fëmijët, me rininë).
8. jokal., vet. v. III (kryes. me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore) Më vete mbarë, më ecën; vepron. I punoi fati (zari). S’na punoi koha (moti) sivjet. Koha punon për ne.
9. jokal., vet. v. III Mbledh qelb, nuk është mbyllur ende (për një plagë). I punonte plaga.
10. bised., jokal., vet. v. III Ka vlerë, ka rëndësi; është i dobishëm, i nevojshëm a i domosdoshëm; të mbaron punë, hyn në punë. Sot punon shkolla (kualifikimi, specializimi).
11. jokal., vet. v. III Shkon e vjen, kalon; përdoret, vihet në përdorim. Atje punojnë kafshët. Në atë rrugë punon treni. Këtej punojnë makinat çdo ditë. Ajo rrugë nuk punon më.
12. bised., jokal. Kam lidhje ose marrëdhënie me dikë a me diçka, marr e jap me të; lidhem. Elbasani punonte me Durrësin. Ne punonim më shumë me Tiranën.
13. kal. Lëroj, rrëmih (për tokën). E punuan arën (tokën) me traktor. Ia punonin tokat argatët. Toka i përket atij që e punon.
14. kal. Përpunoj një lëndë të parë dhe nxjerr prodhime të ndryshme; e përpunoj diçka për t’ia përmirësuar cilësinë ose për ta bërë të gatshme për t’u përdorur. Punon lëkurën (drurin, baltën, hekurin). Punon pemët (ullinjtë, qumështin).
15. kal. Bëj a prodhoj diçka. Punon voza (arka). Punon çorape (triko). Punonin qymyr. Punonte djathë (gjalpë).
16. bised., kal. E vë në lëvizje a në veprim diçka, e përdor, e luaj. Ai punonte rremat (lopatat). E punonte shpatën me lehtësi. S’e punonte dot makinën.
17. fig., kal. Zbërthej e shpjegoj një fjalim, një temë, një artikull a diçka tjetër dhe nxjerr përfundime e detyra. Punoi me nxënësit një temë mbi drogën (mbi alkoolin).
18. kal. E ngre diçka në një shkallë më të lartë, e përmirësoj, e përsos, e përpunoj. Punoi gjuhën (stilin). Punon shijen muzikore.
19. bised., kal. Merrem rregullisht me një punë a me një veprimtari të caktuar; ushtroj. Punon bujqësinë. Punonte mërgimin. Punonte zanatin e vet.
20. bised., kal. E përdor për të kaluar në të, e rrah (një rrugë); jap e marr kryesisht për punë tregtie me një vend. Nuk e punonim më atë udhë. Ai punonte rrugën e Vlorës. Ata punojnë Prishtinën (Tetovën, Ulqinin)).
21. fig., bised., kal. I bëj dikujt një të keqe; e mashtroj dikë, ia hedh; bëj diçka të keqe. I punoi të zezën (qindin). I punoi një rreng (një hile). Ia punoi mirë. Harrove ç’na punoi? Ia punoi prapa krahëve. Të punon atë që s’ta pret mendja!
✱Sin.: funksionoj, shkoj, eci, vete, përdor, lëvroj lëroj, përpunoj, bëj, ushtroj, rrah, hedh, veproj, kryej, rreh, regëtin, edukoj, sqaroj, mbledh, qelbëzon, kaloj, lidh, thur, këpus, rrëmih, prodhoj, lëviz, luaj, zbërthej, shpjegoj, përsos, mashtroj.
♦ Punon nën *dhe (dikush) keq. I punon *goja (dikujt). Punon prapa *gardhit (dikush). Punon nën *gunë (dikush). Nuk më punojnë (nuk më bëjnë) *gjunjët. I punon *koka (dikujt). Punon prapa *krahëve (dikush). Ia punoi prapa *krahëve (dikujt). S’i punon një *kuti (dikujt) tall. I punon *mendja (dikujt). I punoi *qindin (dikujt). I punoi (i luajti) një *rreng (dikujt). Punon nën *rrogoz (dikush) keq. Punon prapa *skenës (dikush) libr. keq. Punon *sot e ha sot (dikush). Ia punoi pas *shpine (dikujt). I punon *truri (dikujt). Më punon *zemra (për dikë a për diçka).
QÁRTË ndajf. 1. Në mënyrë që shihet e dëgjohet pa vështirësi, në mënyrë të qartë; kund. turbull. Vështronte më qartë. Duken qartë edhe gurët e vegjël në fund të ujit. Është shtypur qartë. E dëgjoi qartë. Flet qartë.
2. Në mënyrë të kuptueshme; pa nënkuptime të tjera e pa ngatërresa; në mënyrë të përcaktuar mirë. Del qartë. Tregon qartë. E përfytyron qartë. Ia tha qartë.
✱Sin.: ndjeshëm, dallueshëm, dukshëm, pastër, sheshit, copë, troç, haptas, hapur, haptazi, qartas, qartazi, qartësisht, shkoqur, kuptueshëm, rrjedhshëm, thjesht.
SHFAQ vep., ~A, ~UR kal. 1. E bëj diçka të dukshme për të tjerët, e tregoj haptazi, e zbuloj; kund. fsheh. Shfaq talentin. Nuk e shfaq shumë veten. Sëmundja i shfaqi shenjat e para.
2. Bëj të ditur diçka me fjalë apo me sjellje, ua them haptas të tjerëve, shpreh atë që mendoj a ndiej (një mendim, interes, aftësi, emocion); manifestoj. Shfaq një gëzim të madh (zhgënjim). E shfaqi mendimin para të gjithëve (pikëpamjen). Më shfaqi pendimin e tij me anë të një letre. Shfaqi frikë (dëshirë, zemërim, kënaqësi, pakënaqësi). Shfaq gatishmërinë për ta kryer atë detyrë. I shfaqi dashurinë. Shfaq interes për letërsinë. Nuk shfaqi asnjë emocion kur dëgjoi emrin e vet. Shfaqi njohuritë e veta për artin.
3. Vë në skenë një pjesë teatrale, paraqit. Shfaq një komedi (një dramë, një skeç). U shfaqën dy pjesë.
4. Bëj të dukshëm diçka a dikë me mjete digjitale, e tregoj në ekranin e pajisjes digjitale. Shfaq një video. Shfaq një foto.
5. bised. Zbuloj diçka para të tjerëve, nxjerr përfaqe. Nuk e shfaqi emrin. E shfaqi që ishte e bija. E shfaqi veten.
6. vjet. Paraqit diçka me shkrim a me gojë, parashtroj, përshkruaj. Shfaqi programin për kandidimin.
✱Sin.: zbuloj, manifestoj, shpreh, them, pohoj, dëshmoj, tregoj, vërtetoj, dëftoj, rrëfej, paraqes, pasqyroj, parashtroj, shpërfaq.
►SHFÁQ/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Bëhem i dukshëm para të tjerëve, dal, dukem; kund. fshihem. U shfaq një ylber. Ai u shfaq në galeri me gruan e re. Përpara syve na u shfaq një luginë e bukur. Ajo u shfaq papritur. Nga m’u shfaqe përpara? Ajo nuk është shfaqur prej kohësh. Në makinë u shfaqën kokat e tyre. U shfaqën me të njëjtat rroba. U shfaq së largu.
2. vetv., vet. v. III Shihen shenjat e para, fillon të veprojë; del në pah, shihet qartë, zbulohet. Sëmundja shfaqet me temperaturë të lartë. U shfaqën kërkesa të reja. U shfaqën simptomat e para të sëmundjes. Shfaqet me tërë forcën e vet. U shfaq edhe mendimi saj. Lufta u shfaq në horizont. U shfaq prirja e saj për art. Disa rryma të reja u shfaqën në letërsi.
3. vetv. Shpërfaqem para të tjerëve, shprehem duke treguar atë që ndiej a mendoj; tregohem, dukem. Shfaqem i pakursyer për diçka. Shfaqem haptazi. Nuk shfaqet ai njeri. Zemra nuk shfaqet. Shfaqem i gëzuar (i mërzitur). U shfaq i emocionuar.
4. vetv., vet. v. III Më bëhet sikur e shikoj (në ëndërr), më fanitet si një vegim. M’u shfaq babai në ëndërr. Nuk më është shfaqur akoma në ëndërr. M’u bë sikur m’u shfaq hija e tij.
5. vetv. Paraqitem para të tjerëve për atë që jam, tregohem. Nuk u shfaq si shoqja e tyre. Nuk u shfaq si e bija.
6. pës. e SHFAQ. U shfaqën disa ide nga klasa e parë. U shfaq drama e re nga trupa e të rinjve. Filmi i ri u shfaq në kinema.
✱Sin.: dal, dukem, gjendem, përfaqem, shpërfaqem, jepem, duket, këndohet, shprehet, pasqyrohet, buthtohem, tregohem, rrëfehem, shihet, zbulohet, kuptohet, këndohet, krijohet, përshenjet, përftohet, sajohet, paraqitet, fanitet, përhihet, shpifet.
SIPËRFAQËSÍ,~A f. ~E, ~SË Të qenët i sipërfaqshëm; cektësi. E shfaqën haptazi sipërfaqësinë e tyre.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë