Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
HAMULLÓR,~E mb., bujq. 1. Që është e korrur pasi më parë ka qenë e mbjellë me të lashta ose me misër (për arën, tokën). Tokë hamullore. Sipërfaqe hamullore.
2. Që është mbjellë vonë në hamullore, që nuk arrin të piqet dhe që përdoret zakonisht si ushqim i njomë a i thatë për kafshët. Misër (grurë) hamullor. Fasule hamullore. Panxhar hamullor. Njësi hamullore njësi bazë e matjes së punës në punimet e mekanizuara të tokës, e barabartë me lërimin e një hektari tokë në thellësinë 17-20 cm.
MÍS/ËR,~RI m. sh. ~RA, ~RAT 1. (lat. Zea mays) Bimë njëvjeçare me kërcell të fortë e të gjatë si kallam, me gjethe të mëdha heshtore, që nxjerr në majë lule si tufë, bën kallinj të mëdhenj, me koçan të fortë, të mbështjellë me fletë të gjelbra e me kokrra të bardha a të verdha dhe mbillet si drithë. Misër i bardhë (i verdhë). Misër i hershëm (i vonë). Misër hamullor misër që mbillet në toka ku janë korrur të lashtat. Misër i njomë. Misra të zier. Misër mashkull misër që nuk nxjerr kalli. Misër vendi. Misër deti lloj misri jo vendës, që i ka kokrrat të vogla e që përdoret zakonisht për të bërë kokoshka, misër misir. Bima e misrit. Kalli (kallëp) misri. Koçan misri. Kokërr misri. Miell (bukë) misri. Mustaqe misri. Arë me misër. Mbjell misër. Prashit (korr) misrin. Zhvesh (shkoq) misrin. Pjek misra. Fletë misri gjethe misri. Bloza e misrit (bot.) sëmundje që prek misrin. Krimbi i misrit (zool.) lloj krimbi që dëmton misrin. Morri i misrit (zool.) lloj kandrre që dëmton misrin. Zhuzhaku i misrit (zool.) lloj zhuzhaku që rron në misër.
2. Kalliri i kësaj bime; palcar, palcak, shtalp. Nxori disa misra të zier nga tenxherja.
3. Kokrrat e këtij drithi, që bluhen miell për bukë a për gatesa të ndryshme ose hahen të ziera a të pjekura, përdoren si ushqim për bagëtinë, për të nxjerrë prej tyre vaj etj. Bluaj misrin për bukë.
4. bot. Pjesë e dytë e një emërtimi për këlkazën. Misër qyqeje.
✱Sin.: kallamboq, drithë, palcar, palcak, shtalp, gërtuk.
♦ Ia bëri dhëmbët misër (dikujt) keq. shih ia bëri dhëmbët bërsi (dikujt) keq. E ha misrin që në arë (dikush) shih e ha grurin që në arë (dikush). Mbjell misër e korr tallë (dikush) shih mbjell grurë e korr egjër (dikush). Misër në thes e tenxheret bosh (dikush) iron. është shumë dorështrënguar, është koprrac; është i kamur, por nuk i gëzon të mirat që ka, jeton me shtrëngime; ka edhe nuk prish për të jetuar më mirë; mban verë e pi ujë; bën hesap sa ha macja në vit; e lidh lekun me ushkur.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë