Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BABÁ,~I m. sh. ~LLÁRË, ~LLÁRËT 1. Burri i martuar kundrejt fëmijëve të vet; burrë që ka ose që ka pasur fëmijë; atë. Babai dhe nëna. Baba e bir. Baba dëshmori. Emri i babait. Babai i kreshnikëve. Baba i gjetur burrë i nënës kundrejt fëmijës, që e ëma e ka lindur me burrë tjetër, njerk. Shtëpia (dera) e babait. U bë baba. Unë s’qava beharë, jo të qaj babanë. (fj. u.). Kur qava nënë e baba, pashë mik edhe vëlla. (fj. u.). Pyetën mushkën cilin ka baba, “Kam dajo kalin”, tha. (fj. u.). Culli me dy baballarë mbetet pa kësulë. (fj. u.).
2. vet. sh. Brezi i mëparshëm, paraardhësit, etërit, të parët. Varret e baballarëve tanë. Në gjurmët e baballarëve. Na e kanë lënë amanet baballarët.
3. vet. sh., vjet., iron. Paria e vendit që e mbante veten si ajka e shoqërisë. Hiqeshin si baballarët e kombit.
4. libr. Themeluesi i një fushe të dijes ose nismëtari a udhëheqësi kryesor i një veprimtarie ose i diçkaje tjetër. Babai i filozofisë (i mjekësisë). Herodoti është quajtur babai i historisë.
5. fet. I pari i një teqeje bektashinjsh. Babai i teqesë. Baba Sadiku.
6. vet. nj. Përdoret për vjehrrin (nga nusja e nga dhëndri) ose para emrit të një njeriu të moshuar, në shenjë nderimi. Baba Petroja.
7. bised. Përdoret për t'iu drejtuar bashkëbiseduesit në mënyrë familjare, të afrueshme e me përkëdheli.
✱Sin.: atë, tatë, lalë, babush.
♦ I bëhem *nënë e baba (dikujt). Bëmë baba të të ngjaj thuhet kur fëmija ngjan shumë me prindin në pamje, në sjellje etj.; dardha nën dardhë bie; hiq e vër atë vetë. Ca të babait e ca të njerkut shih ca të nënës e ca të njerkës. Eja (hajde) baba të të tregoj (të të rrëfej) arat (vreshtin)! iron. shih i tregon (i rrëfen) babait arat (dikush) iron. Ta ha babanë në *vesh (dikush). Me *kalin e babait shaka. Kërkon mushka babanë tall. thuhet për një njeri të drejtë e të çiltër, që s’di dredhi, që është i padjallëzuar; nuk di leqe (dikush); kund. ka lindur përpara shejtanit (dikush) keq. (Që) në *kohën e baba Qemos. Sikur të më ngjallet babai (nga varri) bet. kurrsesi, në asnjë mënyrë; edhe sikur nëna të më ngjallet; sikur edhe vëllai të më lindë! Për *shpirt të babait. I tregon (i rrëfen) babait arat (dikush) iron. i shpjegon një tjetri diçka që ai e di më mirë nga përvoja e vet; përpiqet t’i mësojë një gjë që ai e di më mirë dhe para tij; eja baba të të tregoj arat (vreshtin)! iron.; i shet kastraveca bostanxhiut! iron.; mëson veza pulën! iron.; unë në Stamboll, ti më tregon minaretë!
BABÚN/E,~IA f. sh. ~E, ~ET 1. Enë druri e rrumbullakët dhe me një vesh, që nxë rreth dhjetë kg dhe që përdoret si masë drithi; karroqe. Dhjetë babune grurë. Mat më babune. E ka kryet sa një babune (dikush) është kokëmadh. Ço koshare, ul babune, fiku zoti dy katunde. (fj. u.).
2. Lloj koshi në formë konike të lyer me baltë nga jashtë dhe me një si fole në pjesën e përparme në fund, ku mbaheshin bletët. Hajde e lumja, hyn në babunë, / Se po të këndojnë me gra e me fëmijë, / Hajde, bijë në konak të ri. (folk.).
✱Sin.: dume, koshiqe, sheke.
♦ E bën okën babune (dikush) e shton, e zmadhon diçka jashtë mase, e tepron; e bën mizën (pleshtin) buall; e bën vezën deve. Ia ktheu borxhin me babune (dikujt) ia mori hakun me të tepërt, e shpagoi me të tepërt për atë që i kishte bërë.
BÁLO,~JA m. sh. ~, ~T 1. Qen ose ka me një balë të bardhë në ballë a në turi. Leh baloja. Mbërtheu balon në zgjedhë. Balo ziu qasu pranë, / Hajde të të qaj hallë. (folk.). Baloja i mirë nuk gjuan kërpudha. (fj. u.).
2. bised. Njeri me flokët dhe qimet e fytyrës krejt të bardha, çubardh.
3. përçm. Njeri që e dinë të gjithë se është i keq, njeri me damkë.
♦ Kape *laro, prite balo! tall. Ku lë *laroja të hajë baloja! iron. Rri si baloja në verigë (dikush) keq. është njeri i mbyllur, rri i vetmuar, nuk ka shoqëri me askënd.
BARRÓS vep., ~A, ~UR kal. 1. bised. E ngarkoj me një peshë, i vë një barrë. E barrosi kafshën. - Hajde, barrose mushkën!
2. fig. E ngarkoj një tekst, një mësim etj. me njohuri të tepërta e të vështira për moshën e fëmijëve; mbingarkoj, vështirësoj.
3. I rëndoj me diçka. Balta i barrosi këmbët.
4. bised. I vë dikujt një detyrë, i ngarkoj një barrë, i jap një përgjegjësi; e rëndoj dikë me një detyrim. E barrosi me taksa. Të urtin e barrosin të gjithë. (fj. u.).
BEK/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. fet. I jap dikujt a diçkaje hirin e Perëndisë, zakonisht duke i bërë kryqin dhe duke shqiptuar lutje; e bëj të shenjtëruar me anë të një riti, hirësoj. Bekonte njerëzit (bereqetin, bukën, ujin, shtëpinë). Bekoi martesën. Të më vësh atë kurorë, / Babai yt të ta bekojë. (folk.).
2. I uroj dikujt mbarësi e lumturi; i jap uratën; kund. mallkoj. Bekoi djalin. Bekoi shtëpinë. Bekoj ditën që linde. - Hajde, nënë më beko! (folk.).
3. I shpreh dikujt falënderimin; i jam mirënjohës dikujt a diçkaje, e lëvdoj me mirënjohje. Bekonte fatin (ditën). Brezi i ardhshëm do të bekojë ata bujq dhe mbjellës të mirë.
4. keq., iron. Shpreh miratimin për diçka të keqe; e nxit dikë për ta vijuar diçka më tej. Bekonte paudhësitë e tyre.
BLÉT/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. zool. (lat. Apis mellifica) Mizë me krahë, me trup të vogël e të murrmë, të mbuluar me push të verdhë, e cila mbledh nektarin dhe polenin e luleve dhe bën mjaltin e dyllin. Bashi i bletës ama e bletës, matka. Mizë blete. Mbretëresha e bletëve. Meshkujt e bletëve. Familje bletësh. Thumbi i bletës. Zgjua (koshere) bletësh. Hoje bletësh. Bar blete (bot.). Bukë blete pite dylli. Qumështi i bletëve lëng shumë i ushqyeshëm që nxjerrin bletët punëtore nga disa gjëndra të posaçme dhe që ua japin larvave të tyre. Lule blete (bot.). Zog blete (zool.). Rritja e bletëve. Zukasin bletët. Bletë e egër bletë e pazbutur ose bletë e ikur nga zgjoi që vendoset në ndonjë zgavër druri ose shkëmbi. Bletë mjaltëse bletë e zbutur që prodhon mjaltë dhe dyllë. Bletë punëtore bletë shterpë që mbledh ushqim dhe mirëmban zgjoin. Bletë bij, bletë, bij, / Hajde hyrë në zgjua të ri. (folk.). Ai që ka mizën në kësulë, ka vjedhur bletën. (fj. u). Miza nuk bëhet bletë. (fj. u). Edhe bleta është mizë, po bën mjaltë. (fj. u). Bleta, para se të bëjë mjaltin, bën dyllin. (fj. u.).
2. përmb. Tërësia e këtyre mizave që rrojnë si familje në një zgjua; zgjoi ku rrinë këto miza. Lëshon (roit, hedh) bleta. Pres (mbyt, vras, qeth) bletën. Gumëzhijnë si bleta. Vjen si bletë e plotë.
✱Sin.: mjalcë, mjaltëz, zgjua.
♦ Kur të bëhet grerëza bletë kurrë, asnjëherë; kur të bëhen dy ditë bashkë. Ia bëri bletë (dikujt) e trullosi, duke ia ngatërruar keq diçka; ia mori mendtë; ia bëri lëmsh. Bletë e plotë. 1. Plot, me të gjithë ata që duhen; së bashku dhe të pasur e të lumtur (për një familje etj.). 2. Me shumicë; me bollëk të mirash. Bletë shkëmbi njeri i padobishëm, që nuk jep fryte në punë; kalli pa bukë. Bletë e vjetër njeri me përvojë të madhe në jetë, njeri që vepron me maturi e pjekuri; (burrë) katërqind dërhemë. Bletë e vulosur njeri në gjendje shumë të mirë ekonomike, me shumë kamje, i pasur e i sigurt. Sa çon bleta me flatër shumë pak; sa mban miza me dy krahë; ç’mban gallofi me dy krahë. *Koshere (zgjua) bletësh. S’e marr arëzën për bletë s’e ngatërroj të ligun me të mirin; s’e marr të keqen për të mirë; nuk ma hedh dot dikush, nuk mashtrohem nga diçka; s’e ha (s’e marr) sapunin për djathë. Mbledh me *bar blete. *Zgjua (koshere) bletësh.
BOSTÁN,~I m. sh. ~E, ~ET kopsht. 1. Shalqi; pjepër; përmb. shalqi e pjepër. Bostan dimërak. Bostan i papjekur. Farë (lëkurë) bostani. Dy barrë bostan. Mbjell bostan. Çahet si bostan. Pikaloshja e bostanit (zool.). Bostan i egër (bot.) bimë shumëvjeçare e viseve të ngrohta, me kërcell të gjatë e zvarritës, me tul të hidhur e të fortë, që lidh kokrra të vogla si pjepër; kungulleshë. Dy bostane nuk mbahen në një dorë. (fj. u.). Si babai (i ati) dhe i biri, kungull dhe bostan çairi. (fj. u.).
2. Tokë e mbjellë me shalqi e me pjepër, bostanore; perimore. Ruan bostanet. E rrahën si qenin në bostan e rrahën shumë. Hajde të dalim-o, poshtë o nga bostanet-o....(folk.).
✱Sin.: shalqi, karpuz, imonik, pjepër, bostanore, bostanishtë, perimore.
♦ Të ha bostanin e të gjuan me lëvore (dikush) mospërf. tregohet mosmirënjohës, është bukëshkalë, ta kthen të mirën me të keqe; të ha shalqinin e të rreh me lëkura; ha bukën e përmbys kupën; të ha arrat e të bën varrat (dikush) keq. Mbjell bostan e dalin kastraveca iron. ndryshe mendon e ndryshe i del, përpiqet për të mirë e i del tjetër gjë. (Është) për ta vënë në bostan (dikush) është i rreckosur, është si dordolec; është qesharak.
BUBUZHÉL,~E mb. 1. Që i ka qimet (flokët, leshin) të dendura e të shprishura. Fëmijë bubuzhel. Qenush bubuzhel. Me vetulla (mustaqe) bubuzhele. Një shuk shtupe bubuzhel. Leshrat i kish bubuzhele.
2. keq. Që nuk bën asnjë punë, që është hajde bukë të të ha, hajde ujë të të pi, dembel. Mora burrin bubuzhel, / Sa as te dera nuk del. (folk.).
2. si em. m. e f., fig., keq. Sipas kuptimeve të mbiemrit. - Ç'më je bërë kështu, o bubuzhel?!
BÚK/Ë,~AI f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Ushqim që bëhet me miell drithi të gatuar me ujë e të pjekur në furrë a në saç; një copë e veçantë e këtij ushqimi e gatuar me forma të ndryshme dhe e pjekur; brumë i ngjeshur e i nderë në tepsi për t’u pjekur. Bukë e grunjtë (e misërt, e thekërt). Bukë e pjekur (e papjekur). Bukë e zezë bukë me miell gruri të pasitur; bukë thekre. Bukë e ardhur. Bukë e ndorme bukë pa brumë të tharbtë. Bukë e mbrume bukë me brumë të zënë. Bukë e lashtë bukë që gatuhet me miell të lashtash. Bukë e shuguruar (fet.) naforë. Bukë meli. Bukë himesh. Bukë çerepi (saçi). Bukë shtëpie bukë e gatuar dhe e pjekur në shtëpi. Bukë qeni bukë e gatuar me krunde (për qen etj.). Bukë me brumë. Bukë me qiqra. Bukë me djathë (me gjalpë). Bukë thatë. Kore (thembër, tul) buke. Thërrime buke. Brumë (maja) buke. Vetull buke një copë nga pjesa e anës së një buke të rrumbullakët. Një gjysmë (një çerek) buke. Një copë (një kafshatë) bukë. Thikë buke. Tepsi buke. Magjja e bukës. Dollap buke. Furrë buke. Dyqani i bukës. Fabrika e bukës. Shitësja e bukës. Drithëra buke. Rrezja e bukës cilësia e miellit të bukës. Myku i bukës. Zia e bukës. Për atë bukë! (bet.). Pasha bukën! (bet.). Zë (ngjesh, mbruj) bukën. Vjen buka. Hedh bukët në furrë. Pres (thyej, ndaj) bukën. Bukë derri bimë barishtore shumëvjeçare me gjethe vezake e me lule në ngjyrë trëndafili a të bardha, që rritet nëpër shkurre e çel në vjeshtë. Bukë mali (bot.) një lloj lakre e ëmbël fletët e së cilës bëhen gjellë. Nuk piqet buka me shkarpa. (fj. u.). Buka pa përtypur nuk kapërcehet. (fj. u.). Kush ha bukë, bën edhe thërrime. (fj. u.). Buka që thyhet, s'ngjitet më. (fj. u.). Shpjer gojën te buka e jo bukën te goja. (fj. u.). Më mirë bukë e hi e në shtëpinë tënde, se revani e në shtëpi të botës. (fj. u.). Kush ka turp punën, mbetet pa bukë. (fj. u.). Nuk hahet buka e bardhë me faqen e nxirë. (fj. u.).
2. vet. sh. ~ËRA, ~ËRAT Copa të vogla buke të mbetura ose të thara. Papare (përshesh) me bukëra.
3. vet. nj. Ushqimi që hamë në mëngjes, në drekë a në darkë, të ngrënët; ushqimi i përditshëm. Koha e bukës. Dhoma (shtëpia) e bukës. Tryezë buke. Bukë e pa bukë herë i ngrënë e herë i uritur. Më hahet (ha) bukë. S’më shkon buka. Jam pa bukë nuk kam ngrënë. Shtroj (ngre) bukën. Lë bukën përgjysmë. Jam (ulem) në bukë. Bëj bukën gati. Ngrihem nga buka. E gjeta në bukë. E la pa bukë. Vuanin për bukë. Më gërryen barku (më gërryejnë zorrët) për bukë. S’kishte as një darkë bukë. Buka e mirë e ka gjellën me vete. (fj. u.). Zanati nuk të lë pa bukë. (fj. u.).
4. vet. nj. Drithë nga i cili bëhet mielli; të korrat e një viti; prodhimi i drithit që mjafton për një vit. Buka e re. Buka e vitit. Tokë buke tokë e punueshme. Nga buka në bukë nga një vit në tjetrin, nga një korrje në tjetrën. E bëjnë bukën vetë. Mbledhin (sigurojnë) bukën. E futën bukën në hambar.
5. vet. nj. Lënda që përbën kokrrën e drithit; palca a zemra e disa drurëve, tuli i disa frutave etj. Buka e arrës. Buka e ullirit. Buka e shtogut. Kalli me (pa) bukë. Lidh bukë. Zë (merr) bukë misri (gruri). Ka bukë. Niseshteja bëhet nga buka e kokrrës së grurit. Kalliri me bukë s’i ngre kryet përpjetë. (fj. u.).
6. Ushqim ose një lëndë a send tjetër që ka trajtën e një rrotulle. Bukë dylli pite dylli. Bukë djathi. Bukë dhjami. Bukë fiku. Buka e lules së diellit koka me fara e lules së diellit. Bukë blete (grerëzash) hoje të rrumbullakëta. Bukë dheu plis dheu në rrënjën e një fidani a të një bime të shkulur.
7. fig. Mjetet më të domosdoshme për jetesë. Mezi nxirrnin (fitonin) bukën. I prenë bukën.
8. vet. nj., fig., vjet. Detyra, shërbimi a nëpunësia që jepte mjetet e jetesës; vendi i punës që jepte një pagë sa për të mbajtur frymën. Në bukë të qeverisë. Hyri në bukë të tjetrit. E nxorën nga buka.
9. vet. nj., fig. Përmbajtje e shëndoshë, thelbi i dobishëm i diçkaje; vlera që jep një punë, vlerë, dobi. Punë (mbledhje, fjalë) pa bukë. Shumë fjalë e pak bukë. (fj. u.).
10. vet. nj., fig. Lënda e parë a lënda kryesore që nevojitet për një degë prodhimi. Buka e industrisë qymyri, nafta etj. Buka e ndërtimit (ndërt.) druri, çimentoja etj.
11. fig., bised. Moshë, vit; koha që nga lindja e një njeriu. I hëngri pesëdhjetë bukë. Është tetëdhjetë vjeç e ca bukësh.
12. etnogr. Gosti, tryezë e mbushur plot. Shtroi një bukë të madhe.
13. etnogr. Besë. Ishte në bukë (të dikujt) ishte në besë të dikujt.
✱Sin.: bukëz, drithë, bereqet, palcë, lëndë, zemër, vlerë, dobi, fryt, bulmet, përfitim.
♦ *Arrë pa bukë mospërf. Për një *bark bukë. Iu bë buka *murriz (dikujt). Bëj bukën kam prodhime a të ardhura të mbara; e siguroj jetesën. E bën bukën *gur (dikush) keq. M’u bë zemra bukë. 1. shih m’u bë zemra mal. 2. U mallëngjeva, u preka shumë; m’u zbut zemra. I bie bukës (së mirës) me *shkelm (me këmbë) (dikush). Bukë pa brumë diçka pa shije; njeri që nuk të tërheq, njeri pa lezet; si gjellë pa kripë. Bukë dylli shumë i verdhë. Bukë egjre diçka e pakëndshme, diçka e pashijshme, gjë bajate; bukë me krunde; gjellë pa kripë. Me bukë të ëmbël! ur. me jetë të lumtur!; me dashuri!; me miqësi të mirë! Për bukën e gojës sa për të jetuar, sa për të mbajtur veten gjallë; për kafshatën e gojës; për një kafshatë bukë; sa për të mbajtur frymën. Buka e një gruri shih buka e një mielli. Si buka që ha me siguri të plotë, pa asnjë dyshim. Buka e kripa (e diçkaje) gjëja më kryesore, gjëja më e domosdoshme; thelbi i diçkaje. Me bukë e kripë (e zemër të bardhë) me ç’të më ndodhet, por me dashuri e me bujari të madhe; me zemër të hapur; me krahë hapur. Bukë me krunde shpërf. diçka e pakëndshme a e pashijshme, diçka e shpëlarë; gjellë pa kripë shpërf. Buka e një mielli njerëz të njëllojtë, të një brumi, si njëri dhe tjetri, me të njëjtin formim, me të njëjtat mendime, virtyte a vese; brumë i një mielli; një bathë e një kokërr; janë të një dore. Buka e përditshme. 1. Mjetet më të domosdoshme për të jetuar, gjithçka e nevojshme për të mbajtur frymën gjallë. 2. Gjëja më e rëndësishme, diçka thelbësore a kryesore, për të cilën kemi nevojë vazhdimisht. Bukë mbi pogaçe diçka e mirë mbi të zakonshmen; diçka më tepër sesa i japin a i takon dikujt; diçka që s’bëhet a që s’i takon dikujt që e kërkon; e mirë mbi të mirat; çaçë mbi bukë; thelë mbi bisht; qiqra në hell. Bukë e thyer shoqëri e miqësi e prishur. Buka e verës astr. ylberi; brezi i qiellit; shoka e kumbarës krahin. Bukë e vjetër mik i vjetër, shok i njohur prej kohësh, me të cilin kam kaluar halle e gëzime së bashku. Një *copë bukë. Për një *copë bukë. *Çaçë mbi bukë krahin. Ka dalë në bukë të vet (dikush) është rritur, ka nisur jetën e vet; është martuar, ka krijuar familjen e vet; është i pavarur nga ana ekonomike. Nuk i digjet buka (dikujt) është i shkathët, i zoti e i kujdesshëm në çdo punë, e bën çdo gjë në kohën e duhur; nuk lë t’i dëmtohet diçka. S’më hahet buka (me dikë) nuk shkoj mirë me dikë, s’më pëlqen të rri a të bëj shoqëri me të. Ha bukë. 1. (diçka) Ka vlerë, sjell dobi, shkon; të siguron mjetet e jetesës. 2. (dikush) Punon diku, ia del të punojë. Nuk ha bukë (diçka) nuk shkon më, nuk ka më vlerë, nuk ecën; nuk e do njeri, nuk e pranojnë; nuk pi ujë. I ha bukën (dikujt) i merr diçka që i takon; ia heq diçka të domosdoshme; i hyn në pjesë. Ka ngrënë bukë e gjak (dikush) e ka kaluar jetën me mundime dhe me vuajtje të mëdha; ka hequr lëngun e ullirit; ka hequr pikën e zezë; ka hequr gurin e gjakut. E ha bukën me *lot. Kam ngrënë bukë e mjaltë (me dikë) kam shkuar shumë mirë me dikë, jam puqur me të e duhemi. Ia ha bukën gomari (dikujt) tall. është shumë i ngathët e i mefshtë, s’i jepet për asgjë; ia merr pula (macja) bukën nga dora; ia ha përsheshin macja; ia ha pula qurrat. E ha bukën *kot (dikush) keq. Sikur ha bukën (gjënë) e vakëfit (dikush) keq. është shumë i dobët në trup e i pafuqishëm; i numërohet uji në gurmaz (dikujt); sikur ka ngrënë egjra; sikur ka ngrënë grera; si i varur në hënëz; ta zësh (ta kapësh) për hunde, i del shpirti (dikujt); është bërë kockë e lëkurë. Ha bukën e përmbys kupën (dikush) nuk ta di të mirën, është mosmirënjohës, është bukëshkalë; ta shkel bukën (me këmbë); i bie bukës (së mirës) me shkelm; ha mjaltin e prish kosheren; të ha shalqinin e të rreh me lëkura; këtej të pi verën e andej të shan derën; kund. e ruan bukën ndër dhëmbë. S’e ha bukën me qime (dikush) është njeri me sedër e i ndershëm. Ha bukën time rroj me djersën time e nuk i bie më qafë njeriu; nuk përzihem me të tjerë, shoh punën time. Ha bukë veç (dikush) është më i mirë a më i zoti se të tjerët, dallon shumë nga të tjerët, as që mund të krahasohet me të tjerët. I ka ngrënë gomari *bukën (dikujt) është shumë i mërzitur, i dëshpëruar e i zymtë, sikur i kanë bërë një të keqe padrejtësisht; sikur i ka ngrënë macja (derri) brumin; sikur i ka vrarë demin. E hëngri *të ëmën e bukës (dikush) përçm. E ka ngrënë turpin me bukë (dikush) nuk turpërohet fare për gjërat e pahijshme që bën, është bërë i pacipë; i ka plasur cipa (e ballit) (dikujt). Ha bukën e vet e bën davanë e botës (dikush) mbahet me punën e vet, por qan hallin e tjetërkujt; përzihet në një punë në të mirë të dikujt tjetër, merret me një punë që nuk i duhet e nuk i përket, futet kot në hallet e në punët e tjetërkujt; ha bukën e turkut e bën duanë e kaurit keq. vjet. Ha bukën e turkut e bën duanë e kaurit (dikush) keq. vjet. përzihet në një punë në të mirë të dikujt tjetër, mbron, përkrah a ndihmon jo atë që duhet, por dikë tjetër; futet kot në hallet e në punët e tjetërkujt; ha bukën e vet e bën davanë e botës. S’e ha bukën *thatë (dikush). Kemi ngrënë një *furrë bukë (bashkë). Hajde bukë të të ha, hajde ujë të të pi tall. thuhet për dikë që nuk bën asnjë punë; pret që çdo gjë t’ia sjellin të tjerët, është dembel; është shtromë të fle, shtymë të bie (dikush); shkofsha në arë e mos gjetsha qetë! tall.; i rëndon kapa mbi kokë (dikujt) iron. I hoqi (i preu) bukën e gojës (dikujt) e la pa punë e pa të ardhura për të jetuar; i hoqi (i preu) kafshatën e gojës. Jam bukë e djathë (me dikë) jam i lidhur fort me dikë, jam mik i ngushtë me të; shkojmë gjithnjë bashkë, nuk ndahemi nga njëri-tjetri; bëhem (jam) bark e shpinë (me dikë). Është tetëdhjetë bukësh, veç kuleçëve (dikush) shaka. është i vjetër në moshë, është tetëdhjetë vjeç e disa muaj mbi të. Të jep bukë (dikush a diçka) është burim të ardhurash për të jetuar, të siguron mjetet e jetesës; të ndihmon, të shërben, vlen; të jep dorë. Për një *kafshatë bukë. E kam bukë e djathë (diçka a dikë) e kam shumë të lehtë ta bëj diçka, mund ta bëjë pa ndonjë vështirësi; e mund lehtë dikë; e kam një kafshatë bukë; nuk e kam për gjë; nuk e kam për gajle (diçka). E ke bukë në çerep (diçka) është punë e mbaruar, do të bëhet patjetër; është plotësisht e sigurt, mos ki asnjë merak; i ka vdekur nëna (diçkaje) bised.; e ke në xhep (diçka). E kam bukë e kripë (dikë a diçka) e dua, e dëshiroj shumë, s’rri dot pa të; mezi e kam; jam me shpirt (pas dikujt a pas diçkaje). I ka *dhëmbët me bukën time (dikush). E ka gojën për bukë (dikush) nuk di të flasë a t’i japë përgjigjen e duhur tjetrit, nuk është i shkathët e i zoti i gojës; nuk është i aftë të kërkojë të drejtën e vet a të kundërshtojë një padrejtësi. (E ka) një *kafshatë buke (dikë a diçka). I ka të pakta bukët (dikush) shih i ka ditët të numëruara (dikush). *Kalli pa bukë mospërf. Për një *krodhë bukë krahin. Kthej bukë etnogr. shkoj për drekë a për darkë te krushku, pasi më ka ardhur ai së pari. Nuk e lidh bukën në torbë (dikush) është zemërmirë e bujar; ndan kafshatën e gojës (e fundit) (me dikë); e ndan bukën në zjarr; e ndan bukën në çerep; kund. lidh macen (kur ha bukë) (dikush) tall. Lidh *macen (kur ha bukë) (dikush) tall. Ia merr pula (macja) bukën nga dora (dikujt) mospërf. është i squllët, i ngathët e i humbur; është fare i pazoti; ia ha bukën gomari; ia ha përsheshin macja; ia ha pula qurrat; i shkon miu në mustaqe. E ndaj bukën (me dikë) i pres marrëdhëniet me dikë, e prish miqësinë, prishem me të. E ndan bukën në *çerep (dikush). E ndan bukën në *zjarr (dikush). Nxjerr bukën e gojës siguroj jetesën me punë; fitoj diçka sa për të jetuar; nxjerr kafshatën e gojës. Përziej bukën etnogr. hyj e ha drekë a darkë për herë të parë te krushku i ri. Pjekin bukë në një *çerep edhe keq. Nuk pjek dy bukë në një hi (dikush) vdes shpejt, nuk i zgjatet agonia, s’e zë e nesërmja. E preu në bukë të vet (dikë) e tradhtoi, nuk e mbajti besën, i doli nga fjala; e hëngri fjalën; e preu (e hëngri) në besë; nuk ka besë. (Iu qep) me bukë në torbë (në trastë) (dikujt) iu qep nga pas pa iu ndarë, iu qep me ngulm, i vendosur për t’i bërë diçka. E ruan bukën ndër dhëmbë (dikush) është mirënjohës, s’e harron nderin që i bën; kund. ha bukën e përmbys kupën. Iu sosën bukët (dikujt) keq. është gati në të vdekur, i erdhi fundi, nuk i ka të gjata, po mbaron; i ka të pakta bukët (dikush); i ka ditët të numëruara (dikush). Të shkel bukën (me këmbë) (dikush) tregohet mosmirënjohës, është bukëshkalë, ta kthen të mirën me të keqe; ha bukën e përmbys kupën. Shkon në bukë të vet (dikush) rritet e nis jetën e vet; martohet e ngre familjen e vet. Shpie *gojën te buka. *Thekër pa bukë keq. Ku i thonë bukës bukë ku flitet shqip; kudo ku ka shqiptarë. U thye buka (me dikë) u prish miqësia me dikë, nuk e dua më si më parë (për shkak të një grindjeje, të një pakënaqësie etj.); u thye zemra. Unë me bukë (me grurë) e ti me gurë unë me të mirë e ti me të keq, nuk je mirënjohës. Do vrarë me bukë në gojë (dikush). 1. keq. Meriton dënimin më të rëndë e pa mëshirë. 2. shaka. Është shumë i shkathët, është dreqi vetë; të argëton me ato që thotë a që bën. E zuri buka (ime) (dikë) e pësoi ashtu si e meritonte, pasi më bëri keq ose nuk qe mirënjohës kur unë e kisha mbrojtur, e kisha ndihmuar, i kisha bërë veç të mira. I zë *dhëmbi bukë (dikujt). Të zëntë *sytë buka! mallk.
DE palak., bised. 1. ndajf. (e përsëritur). Hë, hë. De këtu e de atje, asnjë gjë nuk u bë.
2. pj. Përdoret për të shprehur nxitje, padurim, kënaqësi etj.( zakonisht pas foljeve në mënyrën urdhërore ose pas disa ndajfoljeve); pra. - Eja de! -Shko de! - Fol de! - Prit de! - Kape de! - Mjaft de! - Kështu de! - Ashtu de! - He de! - Ku de? - Mirë de. - Lirë de! - Pusho de!
3. pj. Po; pra; siç të thashë. - Të thashë de, ai më ka thirrur.
4. pasth. Që përdoret për të nxitur kuajt e qetë që të ecin. - De, kuqo, de! - De, kazil, de! “De”, s’ecën, “pyh” s’ndalet. (fj. u.).
5. pasth. Përdoret e përsëritur për të përforcuar shprehjen e një habie, të një kënaqësie, të një hidhërimi etj. - De, more, de! - De, more hall, de! - Hajde de (bised.) prapë mirë, s’është keq; ku e gjen të jetë kështu!
DREDH vep., DRÓDHA, DRÉDHUR 1. kal. Rrotulloj disa herë dy a më shumë fije së bashku për të bërë një fill të vetëm më të trashë e më të fortë; përdredh; kund. zhdredh, shpërdredh. Dredh fijet. Dredh telin. Dredh litarin (gjalmin).
2. kal. E bëj fill leshin, pambukun etj. duke e tjerrë; kund. shtjerr. Dredh lesh (pambuk). Dredh me furkë.
3. kal. E kthej dhe e rikthej diçka duke e lëvizur rreth vetes a rreth një boshti; përdredh. Dredh trupin. Dredh hellin. S’dridhen fletët e mullirit, po nuk pati ujë lugu. (fj. u.). Kush e nis vallen, di ta dredhë vetë. (fj. u.).
4. kal. I jap trajtë të valëzuar diçkaje të drejtë, e bëj dredha-dredha ose valë-valë; e bëj diçka me majë të lakuar duke e rrotulluar me majat e gishtërinjve; përdredh. I ka dredhur flokët. Dredh mustaqet.
5. kal. Rrotulloj diçka rreth gishtit; sjell rrotull nëpër gishtërinj, mbledh a mbështjell si rrotull një copë letër a diçka të ngjashme me të. Dredh letrën. Dredh një cigare. - Dridhe njëherë! (bised.) bëj një cigare! Dredh zinxhirin. Dredh tespihet.
6. kal. dhe jokal. Ndërroj a kthej rrugën që kam nisur, kthehem; nuk mbaj drejtimin e mëparshëm, dredhoj. Drodhi udhën. Drodhi tatëpjetë (majtas, djathtas) kur e pa.
7. fig., bised., keq., kal. E hedh fjalën a bisedën gjetiu, për t'i bërë bisht muhabetit, i shmangem me dredhi përgjigjes së drejtpërdrejtë; i shpëtoj diçkaje me dredhi e me mashtrime; ndryshoj me shkathtësi qëndrimin tim të mëparshëm; duke u përpjekur që të mos e marrin vesh të tjerët; veproj e sillem sipas rrethanave e si të ma kërkojë puna a interesi, bëj dredha. E drodhi fjalën (bisedën). E drodhi punën. - E drodhi qerratai! - Do ta dredhë që të humbasë gjurmët. - Shiko se e dredh ai!
8. kal. E bëj dikë a diçka që të dridhet disa herë; e bëj që të rrëqethet. E drodhi elektriku (korrenti). E dridhnin ethet e verës.
9. fig., bised., kal. E tund që nga themelet diçka, e tund a e lëkund fort, e trondit; bëj që të zërë frika dikë e t'i hyjnë dridhmat. E drodhi ai lajm. E drodhi tërmeti. Hajde toska i vogël, drodhe mal e kodër.
10. kal. E nxjerr zërin duke e lëvizur lehtë më lart e më poshtë se toni kryesor, duke e ngritur e duke e ulur pak (kur këndojmë). - Sa bukur e dridhte zërin.
11. kal. Holloj petë. Dredh petë.
♦ E dredh (e lëviz, e luan) *bishtin (dikush) keq. E drodhi (e përdrodhi) *bishtin (dikush) përçm. E dredh (e përdredh) *fjalën (dikush). E dredh në *furkë (dikë). E dredh *gjuhën (dikush). E drodhi *këmbën (i drodhi këmbët) (dikush) përçm. Dredh *leshtë (dikush) keq. Ma drodhi *litarin (dikush). E drodhi (e përdrodhi) *qafën (dikush) përb. Dredh (tund) *shaminë (dikush) keq. Di ta dredhë *shaminë (dikush). Dredh (tund) *zinxhirin (dikush).
✱Sin.: përdredh, spërdredh, tjerr, shalakat, rrotulloj, vërtit, lakadredh, dridhëroj, rrëqeth, ngjeth, trondit, holloj, tëholl.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë