Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NXJERR vep., NXÓRA, NXJÉRRË kal. 1. E heq nga brenda, e marr nga brendësia e diçkaje dhe e vë jashtë; e bëj të dalë përjashta; qit; kund. shtie, fut, kall. Nxjerr shaminë (paratë). Nxjerr plumbin. Nxjerr shpatën (koburen). Nxjerr nga xhepi (nga gjiri). Nxjerr nga dhoma. Nxjerr nga pusi (nga gropa, nga hendeku). Nxjerr nga furra (nga zjarri). Nxjerr nga uji. Nxjerr jashtë. Nxjerr ujë me kovë. I zoti e nxjerr (e qit) gomarin nga balta. (fj. u.). Një thumb, njëqind herë ta rrahësh, një majë nxjerr. (fj. u.). Shkoi shyta me nxjerrë brirët e i la edhe veshët. (fj. u.).
2. E shpie jashtë caqeve ose kufirit të diçkaje; e bëj të dalë përtej vijës së sipërfaqes së një sendi; e vë përjashta, në vend të hapur. Nxjerr topin jashtë fushës. Nxjerr kokën nga dritarja. Nxjerr gjuhën nga lodhja (nga vapa). Nxjerr qilimat në diell. Nxjerr në ajër të pastër.
3. Heq prej diku ku ishte ngulur ose ku kishte zënë vend; shkul; lëviz nga vendi i vet i zakonshëm. Nxjerr patatet (panxharin). Nxjerr një gozhdë. Nxori dhëmbin. Nxori krahun (dorën) ndrydhi krahun (dorën). I nxori syrin. E nxorën nga toka. E nxori me gjithë rrënjë.
4. Shtrij përpara; e bëj të dalë përpara ose më lart. I nxjerr dorën një makine. Nxjerr gjoksin. I nxjerr këmbën për ta penguar. Ka nxjerrë bark muri.
5. Lë të dalë, të përhapet, të mbijë, të rrjedhë etj., lëshoj. Nxjerr tym (avull, gaz). Nxjerr ujë (lëng). Nxjerr djersë (lot, gjak). Nxjerr flakë (xixa, shkëndija). Nxjerr bisk (lule, kalli, gjethe). Nxjerr zë (klithma). Nxjerr tinguj (melodi). Nxjerr frymën (ajrin). Nxjerr flluska. Nxjerr bakër ena. Nxjerr helm.
6. vet. v. III E lëshon, nuk e mban, heq. E nxjerr bojën. E nxjerr ujin. E nxjerr tymin (ajrin). Uji ia nxjerr kripën djathit.
7. bised. Heq një veshje, një rrobë etj. nga trupi. Nxjerr pallton. Nxjerr këpucët. Nxjerr maskën.
8. I heq cipën e sipërme a mbulesën; e bëj të duket pa atë që e mbulonte sipër, e zbuloj, e tregoj të zhveshur (edhe fig.) I nxjerr bojën. I nxjerr kallajin. I nxjerr shtresën e sipërme. I nxjerr llërët (supet). I nxori fytyrën e vërtetë. I nxori (i qiti) të palarat.
9. Largoj prej diku; heq, dëboj. E nxorën nga puna. E nxori fishek. E nxori nga klasa. E nxorën në rrugë. E nxorën në pension (në lirim). E nxori vajzën (çupën) e martoi.
10. Marr me vete dhe e shpie diku. Nxjerr në lulishte (në park). Nxjerrin bagëtinë në kullotë. Nxjerr qenin përditë për shëtitje.
11. Shpie në një drejtim, çoj diku. Shtegu na nxori larg. - Ç’të nxori këtu? - Ku të nxjerr kjo rrugë (ky shteg)? - Ku do të na nxjerrësh me këto pyetje?
12. E bëj të duket, të shfaqet diku, të ndodhet diku; e bëj të dalë diku që ta shohin dhe ta gjykojnë të tjerët. Nxjerr në vitrinë (në ekspozitë). E nxorën në rrjetet sociale. E nxorën në gjyq. E nxori para klasës. Nuk ua nxirrnin nusen krushqve. E nxori në dritë (në shesh).
13. E përgatit, e botoj dhe e përhap diçka; vë në qarkullim. Nxjerr një libër (një revistë, një gazetë). Nxjerr pulla poste. Nxjerr një monedhë.
14. Hartoj dhe bëj të njohur; shpall. Nxjerr një ligj (një rregullore, një vendim, një dekret). Nxjerr një urdhër. Nxjerr një lajmërim. Nxjerr rregulla të reja.
15. Prodhoj, jap. Nxjerr qumësht. Nxjerr mjaltë. Nxjerr prodhim të mirë. Nxjerr punë të mirë nga duart.
16. Marr një lëndë ose një prodhim nga diçka; marr nga thellësitë e tokës një xeheror, një mineral. Nxjerr naftë (krom, qymyrguri). Nxjerr nga nëntoka. Nxjerr vaj nga ullinjtë. Nxjerr pishë në pyll.
17. fig. Përgatit duke i dhënë njohuritë e duhura. Nxjerr inxhinierë (teknikë, mjekë, mësues). I ka nxjerrë shkolla jonë.
18. fig. Jap nga gjiri im. Nxjerr njerëz të shquar. Ky fshat ka nxjerrë shumë patriotë. Shqiptarin nuk e ka nxjerrë lokja prej barkut, por huta prej çarkut. (fj. u.).
19. Caktoj prej një grupi dhe e vë të bëjë diçka; grumbulloj, mbledh njerëz për të bërë diçka. Nxjerr punëtorë. Nxjerr roje. Nxjerr vullnetarë. Nxjerr ushtarë. Nxjerr fuqi punëtorë.
20. Siguroj me punë; marr një të ardhur; fitoj; përfitoj diçka. Nxjerr bukën (jetesën, kafshatën e gojës). Nxjerr fitime (të ardhura). Nxjerr me mund (me djersën e ballit). Nxjerr dhjamin nga pleshti.
21. I siguroj dikujt diçka. I nxjerr leje. I nxjerr bursë. I nxorën përkrahje sociale.
22. Marr duke zgjedhur diçka të nevojshme ose kryesore prej diku. Nxjerr të dhëna. Nxjerr material.
23. Arrij në një përfundim pasi bëj llogaritjet; përcaktoj pas një shqyrtimi ose shoshitjeje. Nxjerr shumën. Nxjerr përfundimin. Nxjerr rrënjën katrore. Nxjerr largësinë. Nxjerr evidencën. Nxjerr shkaqet (arsyet).
24. fig. Përfitoj; mësoj nga përvoja. Nxjerr mësime. Nxjerr përfundime. Nxjerr mësim nga pësimi.
25. Parashtroj, paraqit. Nxjerr kërkesa. Nxjerr kundërshtime (justifikime). Nxjerr arsye (shkaqe).
26. I shkaktoj diçka të padëshirueshme; i krijoj rrethana të vështira. I nxjerr pengesa (telashe). I nxjerr bishta (yçkla). I nxjerr ngatërresa. Na nxori punë me qëndrimin e tij.
27. I krijoj kushtet dikujt që të paraqitet në një mënyrë të caktuar; e paraqit në një mënyrë të caktuar pas shqyrtimit e vlerësimit nga disa anë. Na nxori faqebardhë (fitimtare). E nxorën të pafajshëm. E nxorën të dalluar. I nxori të paaftë. E nxori të sëmurë mendor.
28. Plotësoj, kënaq një dëshirë, një ndjenjë; heq, largoj një ndjenjë, një gjendje shpirtërore, shfryj. Nxjerr dufin (inatin). Nxjerr mllefin e grumbulluar vite me radhë. Ia nxori frikën. I nxori gjumin e zgjoi. I nxori pijen e bëri esëll. Nxjerr mallin e vendlindjes çmallem me vendlindjen. Më nxjerr (më heq) mallin e dikujt a të diçkaje më kujton dikë a diçka të dashur, që nuk e kam parë prej shumë kohësh.
29. E bëj që të flasë; e bëj që të tregojë diçka të fshehtë; flas, tregoj. Nuk ia nxorën dot emrat e bashkëpunëtorëve. Ia nxori fjalën me zor (me çengel, me grep, me darë). Nuk e nxori sekretin e besuar. Ai nuk nxjerr gjë. Nuk nxori fjalë nga goja. Ç’ka barku e nxjerr bardhaku. (fj. u.).
30. E shpëtoj nga një gjendje e vështirë ose e keqe. E nxorën ndërmarrjen nga prapambetja. E nxori nga telashet. E nxori nga balta. E nxori nga varfëria.
31. E detyroj të ndërpresë një punë, një veprimtari etj., e bëj të paaftë, të pavlefshëm etj. (zakonisht në disa togje të qëndrueshme). E nxorën jashtë përdorimit. E nxorën jashtë loje. E kishte nxjerrë birërie nuk e quante më për bir a për bijë. Korbi korbit (sorra sorrës) s’ia nxjerr sytë. (fj. u.).
32. E vë në një vend të caktuar kundrejt të tjerëve, i jap një vend në marrëdhënie me dikë a me diçka tjetër. E nxori në krye (në ballë). E nxori në fund. E nxorën në plan të parë. E nxorën në rendin e ditës.
33. Vë për të shitur. E nxorën në shitje (në treg). E nxori në ankand.
34. Riprodhoj nga një gjë tjetër ose sipas diçkaje tjetër. Nxjerr një (disa, shumë) kopje. Nxjerr në fotografi fotografoj.
35. I vë përpara dikujt; e gostit, e qeras. U nxori raki (kafe, duhan, gliko, llokume). Ua nxori përpara. U nxori nga një cigare.
36. Kaloj një periudhë kohe, kapërcej, hedh; i bëj të mundur të kapërcejë një periudhë kohe. I nxorën bagëtitë nga dimri. E nxjerr lopën deri në vjeshtë. S’e nxjerr dot dimrin me këtë pallto. I sëmuri nuk e nxori dimrin vdiq. Me zor e nxjerr muajin.
37. bised. Krijoj, bëj; trilloj. I nxorën një këngë. I nxorën fjalë. Nxirrte thashetheme.
38. E përcjell në një mënyrë të caktuar. E nxori duarbosh (duarthatë). E nxori pa pjesë. E nxori me gisht në gojë.
39. Fitoj ose rifitoj me përpjekje, me mundim një gjë që më takon, por më është mohuar; ia dal të zotëroj sërish diçka timen. E nxori të drejtën e tij. Ia nxjerr lekët një investimi.
✱Sin.: çrras, tërheq, marr, qit, shpie, bie, lëshon, sekreton, sjell, zbarkoj, shkarkoj, shkalis, heq, shkul, lëshoj, jap, shtie, zhvesh, zhvarros, zbuloj, dëboj, përzë, çoj, tregoj, them, përgatis, botoj, përhap, caktoj, qarkulloj, shpërndaj, shmang, hartoj, shpall, prodhoj, shfrytëzoj, mësoj, grumbulloj, siguroj, fitoj, qëmtoj, gjej, zgjedh, përfundoj, vë, vërej, parashtroj, rrezatoj, shpërfaq, paraqit, shfrej, vendos, përftoj, veçoj, ndaj, përfitoj, shtroj, ziej, vështirësoj, plotësoj, kënaq, çliroj, largoj, zbërthej, shfryj, derdh, zbraz, shpëtoj, shkaktoj, riprodhoj, gostit, qeras, kapërcej, hedh, shtrapnjen, del, krijoj, hap, sajoj, stis, trilloj, thur, bëj, gultoj, martoj, thek, mpreh, emeton, vjell.
♦ Të fërkon *kokën e të nxjerr sytë (dikush) keq. Të kruan *kokën e të nxjerr trutë (dikush) keq. E nxjerr në *anë. E nxjerr (e vë) në *ankand (diçka) libr. S’di ku më nxjerr *barka. E nxori nga *bataku (dikë). E nxori (e bëri) *batall (dikë). E nxori nga *binarët (dikë). Nxjerr *bishta (dikush). E nxjerr për *brirësh (diçka). Ia nxjerr *bishtin (diçkaje). Ia nxori *bojën (dikujt) keq. E nxjerr (e qit) në *breg (dikë). Nxjerr *brirët (brirë) (dikush a diçka) keq. Ia nxori (ia qiti) *cifundin (diçkaje a dikujt). Ia nxjerr me *çengel (dikujt). Ia nxjerr (ia shkul) me *darë (dikujt). E nxjerr nga *dera (dikë). E nxori në *diell (dikë). Më nxori *djersët (diçka). I ndeu (i shtriu, i zgjati) *dorën (dikujt). Nxjerr nga *dora (nga duart) (diçka). S’e nxjerr nga dora (diçka). E nxjerr në *dritë (dikë a diçka). E nxjerr nga *dheu (diçka). E nxori në *faqe (diçka). Më nxori *fitilat (dikush). I nxjerr (i gjej) *fundin (diçkaje). E nxjerr në *fushë (diçka). Ia nxjerr me *grep (me grepa) (dikujt). E nxjerr nga *guri (diçka). I nxjerr (i tregon) *gjoksin (dikujt). Nxjerr *gjoksin (përpara) (dikush). Nuk nxjerr gjë në *vijë (dikush). I nxori *gjuhën (dikujt). E nxjerr nga *gjumi (dikë). Ia nxori nga *hundët (nga hunda, për hundësh) (dikujt). (Sikur) e ka nxjerrë nga *hunda (për hundësh) (dikë). Ia nxori *inatin (dikujt). I nxori *jargët (dikujt) E nxori në *jetë (dikë). Ia nxori *kallajin (dikujt) keq. Nxjerr kokë (*krye) (dikush a diçka). E nxori (e qiti) *kokën (kryet) (dikush). Ia nxori *kokërdhokët (dikujt). Nxjerr krye (*kokë) (dikush a diçka). E nxori (e qiti) kryet (*kokën) (dikush). E nxjerr në *krye (diçka). Nuk e nxjerr në *krye (dikush). Nxjerr *kunjin. E nxjerr në *kut (diçka). E nxjerr në *lëndinë (diçka). E nxjerr jashtë *loje (dikë). I nxjerr (i mbledh) me *lopatë (dikush). E nxori (e ngriti) nga *lluca (dikë). E nxjerr në *majë (diçka). Më nxjerr (më heq) *mallin (e dikujt a të diçkaje). E nxjerr *mbanë (diçka). Më nxori (më qiti) *mendtë (dikush). E nxjerr nga *mendja (dikë a diçka). Nxora *merakun (për dikë a për diçka). E nxjerr në *pah (dikë a diçka). E nxjerr në *pazar (në treg) (dikë a diçka) keq. E nxora për *qafe (diçka). I nxori *qumështin e nënës2 (dikujt). E nxjerr në *reliev (diçka) libr. I nxjerr (i zbuloj) *rrënjët (diçkaje). E nxori në *rrugë (dikë). Nxjerr *rrurëza (dikush) keq. Nxjerr në *skenë (dikë a diçka) libr. Është për t’i nxjerrë (për t’i qitur, për t’i kërryer) *sytë (dikush). Nxjerr *sy (syrin) (diçka). I nxjerrin (i qitin) sytë *gaca (dikujt).Ta nxjerr nga *syri (nga sytë, prej syrit) (dikush). Nxora *sytë. I nxori *sytë (dikujt). *Sytë të nxjerrësh! (Le) të nxjerrë *sytë (dikush). Është për t’i nxjerrë (për t’i qitur) *sytë (dikush). E nxjerr në *shesh (diçka). I nxori *shkumë (nga goja) (dikujt). E nxjerr nga shpirti (nga *zemra) (dikë a diçka). Ma nxori (ma pruri) në *shteg (fjalën) (dikush). E nxori në *shteg (dikë). I nxori *tabanin (diçkaje). Më nxori *tëmthat (dikush). E nxjerr në *treg (në pazar) (dikë a diçka). Më nxori *trutë (e kokës) (dikush). Më nxori *thinjat (dikush a diçka). I nxjerr *ujët (dikujt a diçkaje). E nxjerr në *va (dikë). I nxori *vaj (dikujt). Nxjerr *të vdekurin nga varri (dikush). E nxjerr nga *varri (diçka). Nxjerr *veshët (dikush a diçka) keq. Nxjerr (vjell, hedh) *vrer (kundër dikujt). Nxjerr *yçkla (dikush) keq. E nxjerr nga *zemra (nga shpirti) (dikë a diçka). E nxjerr *zinë. Nxjerr (çel) *zogj (dikush) iron. Më nxori (më shkuli) *zorrët (dikush a diçka) keq.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë