Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
CURRÍL,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Fill uji ose i një lëngu tjetër që rrjedh a del me forcë. Curril uji. Curril qumështi. Curril gjaku. Curril nafte. Shi me currila. Rrjedh me curril. Currilat e rakisë (e verës).
2. fig. Varg i gjatë dhe i pandërprerë (fjalësh, të qeshura etj.) Currilat e fjalëve nuk pushonin.
3. si ndajf. Duke rrjedhur çurg, në trajtë currili.
✱Sin.: çurg, currunar, bisk, fiskajë, pizgë, flashkë, vrushkull, gulfë, cirkatë, cikërr, çikërr, skurrjel.
SHKULM,~I m. sh. ~A, ~AT Dallgë a valë e madhe, valë e turrshme, suvalë (e detit a e lumit); rrjedhë e turrshme në lumë ku nuk mund të kalohet; valë; gulfë. Shkulmat e detit (e lumit). Shkulmat e erës (e stuhisë). Shkulm zjarri. Shkulma gjaku. E rrëmbeu një shkulm. Mori shkulm grosha. I rridhte gjaku me shkulma.
VRER,~I m. 1. Lëng me ngjyrë të verdhë në të gjelbër, shumë i hidhur, që del nga mëlçia e zezë, mblidhet në tëmth e kullon në zorrë dhe ndihmon për të tretur ushqimet; sëmundje që shfaqet me të vjella të shpeshta. Të vjella me vrer. I plasi vreri. Vdiq nga vreri.
2. Helm. Vreri i gjarprit.
3. Lëng i hidhur që kanë disa bimë. Vreri i duhanit. Vreri i shtarave.
4. fig. Hidhërim i madh, pikëllim; helm; urrejtje e madhe, inat. Vrer i madh. Lot vreri. E mban vrerin përbrenda.
✱Sin.: gulçi, gulfë, helm, farmak, zeher, hidhërim, pikëllim, dëshpërim.
♦ M’u bë zemra (shpirti) vrer u hidhërova shumë, u pikëllova, u helmova, u vrerosa; u bëra vrer; m’u bë zemra (shpirti) helm. U bëra (jam) *pikë e vrer. U bëra vrer. 1. U hidhërova shumë, u pikëllova; u helmova, u vrerosa; u mërzita a u dëshpërova shumë; m’u bë zemra (shpirti) vrer. 2. U inatosa shumë, u mbusha me urrejtje, s’përmbahem nga zemërimi. Më bëri vrer (dikush a diçka) më hidhëroi shumë, më pikëlloi; më helmoi, më vrerosi; më mërziti a më dëshpëroi shumë; ma helmoi zemrën. Më pikon zemra vrer kam një dhembje shpirtërore të madhe; brehem nga dëshpërimi, nga zemërimi etj.; jam shumë i brengosur; më pikon në zemër (në shpirt) (për dikë a për diçka). Vjell (nxjerr, hedh) vrer (kundër dikujt) flet shumë keq kundër dikujt, e shan me fjalë të ndyta e shpif kundër tij, shfryn me shpirtligësi, s’lë gjë pa thënë nga urrejtja për të; vjell helm; nxjerr lerë nga goja.
VRÚSHKU/LL,~LLI m. sh. ~J, ~JT [VRÚSHKULL,~A f. sh. ~A, ~AT] 1. Fshikull, vishkull, dru i njomë, i hollë e i gjatë, njëvjeçar. Ishte një pyll i ri me vrushkuj. Vrushkujt e pyllit. Vrushkull i njomë. I ra me vrushkull.
2. Curril i hollë (uji, gjaku etj.). Vrushkujt e ujit (qumështit). Vrushkujt e parë të kulloshtrës. Vrushkull gjaku. Vrushkull lotësh.
3. fig. Djalë me trup të bukur, të hollë e të drejtë. Ky vrushkull nuk është mësuar me punë. Është ende i njomë ai vrushkull.
✱Sin.: fshikull, thupër, shufër; curril, rrëke, çurgë, gulfë, pizgë, rigë, skurrjel, xhuvamë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë