Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
MAKÍN/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Mjet mekanik ose elektrik i përbërë nga një tërësi pjesësh të fiksuara e të lëvizshme, ku secila kryen një rol të caktuar dhe të gjitha së bashku bëjnë një punë të veçantë duke shfrytëzuar transmetimin ose modifikimin e energjisë. Fabrikë për prodhimin e makinave. Inxhinier makinash. Makina bujqësore. Makina udhëtimi. Makinë elektrike (kibernetike). Makinë me avull (me motor).
2. Pjesë e parë e emërtimeve për lloje të ndryshme makinash që kryejnë funksione të veçanta: Makina bluese makinë që shërben për të bluar drithin a diçka tjetër. Makinë grirëse makinë ose pajisje që shërben për të grirë diçka. Makinë fshirëse makinë që shërben për të fshirë rrugët. Makinë për grirjen e mishit pajisje që shërben për të grirë mishin. Makinë korrëse makinë bujqësore që shërben për të korrur prodhimin. Makinë kositëse makinë bujqësore që shërben për të korrur barin, drithin etj. Makinë larëse lavatriçe, rrobalarëse. Makinë llogaritëse pajisje e vogël dore që punon me bateri dhe shërben për të bërë llogaritje me numra. Makinë mbjellëse makinë bujqësore që shërben për të mbjellë farat ose filizat. Makinë ngjyrosjeje makinë që shërben për të ngjyrosur rroba a diçka tjetër. Makinë qepëse makinë që shërben për të qepur rroba. Makinë rroje pajisje e vogël dore që përdoret nga burrat për të rruar mjekrën; pajisje e vogël dore që shërben për të rruar qimet e trupit. Makinë shirëse makinë bujqësore që ndan drithin dhe farat e tjera nga pjesa tjetër e bimës. Makinë shkrimi pajisje tipografike me çelësa që shërben për të shtypur shkronja, numra dhe simbole në një letër të futur në rul. Makinat e tezgjahut makinë tekstile që shërben për të thurur pëlhura. Makinë tharëse pajisje që shërben për të tharë rroba, fruta etj., tharëse.
3. Automobil, veturë, automjet. Makinë e re (e vjetër). Makinë ushtarake (civile). Makinë e hapur (e mbyllur). Makinë e madhe (e vogël). Makina e zjarrfikësve (e ndihmës së shpejtë, e policisë rrugore). Rrotat (gomat) e makinës. Timoni i makinës. Rrugë makinash. Ndez (fik) makinën. Hipi në makinë. Ngas makinën. Udhëtoj me makinë. E zë makina.
4. Pjesë e parë e emërtimit për makinat e zakonshme që përshtaten dhe kthehen në mjete luftarake: Makinë bombë makinë e pajisur me bombë që shpërthen kur aktivizohet me telekomandë. Një makinë bombë shpërtheu në sheshin e qytetit.
5. fig. Tërësi organesh a institucionesh që punojnë si një mekanizëm i vetëm, në mënyrë të rregullt e të bashkërenduar, për të kryer një detyrë a për të zhvilluar një veprimtari të caktuar. Makina shtetërore. Makina e luftës. Makinë propagandistike.
✱Sin.: automobil, veturë, automjet.
MISH,~I m. sh. ~RA, ~RAT 1. Pjesa e tultë e trupit të njeriut a të kafshëve, që përbëhet nga indet e buta të muskujve dhe mbështjell eshtrat. Mishi dhe kockat. Mishi i njeriut (i kafshëve, i shpendëve, i peshqve). Mishi i dhëmbëve pjesa e tultë ku janë ngulur dhëmbët, trysa. Mishi i varfër (bised.) diafragma. Ngjyrë mishi ngjyrë trëndafili e ndezur. Ia nguli gjilpërën në mish. I qëroi (i hoqi) mishin. Më dhëmbin mishrat. E zuri në mish. S’ndahet mishi prej thoit. (fj. u.) përdoret kur flasim për dy vetë që janë të lidhur ngushtë njëri me tjetrin.
2. Copë nga trupi i kafshëve të therura, që përdoret për ushqim. Mish i njomë (i butë). Mish i tharë (i tymosur) pastërma. Mish i hollë mish bagëtish të imëta. Mish i trashë mish bagëtish të trasha, mish gjedhi. Mish i majmë (i shëndoshë, i dobët). Mish i pjekur (i skuqur, i zier). Mish i shijshëm. Mish tul (pa kocka). Mish i grirë. Mish lope (viçi, dashi, qengji, derri, kali, lepuri). Mish pule (pate, rose). Mish gjahu. Mish kutie. Mish me patate (me fasule). Lëng mishi. Thelë mishi. Makinë (grirëse, rrahëse) mishi. Kombinati i mishit. Dyqani i mishit. Çmimi i mishit. Një kilogram mish. Një copë mish. Gjellë me mish. S’e ha mishin. Shumë pupla e pak mish. (fj. u.) dikush fryhet a mburret shumë, por në të vërtetë ka pak vlerë. Dasmë pa mish nuk ka (nuk bëhet). (fj. u.) në çdo luftë, ka edhe të vrarë.
3. bised. Bagëti e therur për të ngrënë ose e caktuar për t’u therur. Mish i therur. Mishra të pjekura. Theri dy mishra. Poqi një mish. Solli një mish për dasmë. Çdo mish (berr) varet nga këmbët e veta (në çengelin e vet). (fj. u.) a) secili përgjigjet vetë për punën e vet, secili i del zot vetes; b) çdo njeri duhet trajtuar dhe vlerësuar sipas veçorive që ka, duhet parë më vete pa e futur në një thes me gjithë të tjerët.
4. Pjesa e jashtme e zbuluar e trupit të njeriut, trupi lakuriq; lëkura. I doli mishi i duket lëkura. E preku në mish. Mbeti në mish mbeti lakuriq. Kish dalë në mish kish dalë lakuriq. E vë (e vesh, e mban) fanellën në mish.
5. bised. Pjesa e tultë e kokrrës së disa pemëve, që mbështjell bërthamën a farat dhe që zakonisht hahet, tul. Mishi i mollës (i dardhës, i pjeshkës, i kumbullës). Mishi i ullirit. Mishi i pjeprit. Ka shumë mish.
♦ Iu bë mish (dikujt) iu gjakos (këmba, dora etj.) nga puna e rëndë a nga të ecurit, nga një sëmundje etj.; i ra copë. U bë mish për hell (dikush) u mundua e u sfilit shumë për të arritur diçka; u bë gjak; i ra mishi përtokë (dikujt); u bë copë; i ranë thonjtë (dikujt). E bëri mish e gjak (diçka) e përvetësoi thellë, e bëri të vetën plotësisht; e bëri gjak. M’u bë mishi *kokrra-kokrra. E bëri mish për poçe (dikë) mospërf. e rrahu fort, e zhdëpi në dru, e dërrmoi; i nxori rripa nga lëkura (dikujt); e bëri lakër; e bëri fërtele; e bëri pelte. Më ra mishi përtokë hoqa e lëngova shumë; u sfilita, u copëtova për diçka; u bëra mish për hell. *Cjapi mish e dhia tavë mospërf. *Copë mishi (me dy sy) përçm. *Çengel mishi përb. *Dhia mish e cjapi tavë mospërf. Gjeti mish të ngordhur! (dikush) mospërf. e trajton keq, ndryshe nga të tjerët, një njeri të pafuqishëm dhe pa përkrahje; e shpërfill, e shkel, e nëpërkëmb, e përdor keq, nuk e do; e merr nëpër këmbë (dikë); e sheh me syrin e njerkës (dikë); e ka bërë shtupë (enësh) (dikë). Hyn mish e del peshk (dikush) tall. nuk mëson asgjë më shumë, mbetet njësoj i paditur, nuk bën ndonjë përparim; hyn kungull e del kastravec. (Janë) mish e gjak janë të lidhur fort njëri me tjetrin, janë një e të pandarë, nuk shqiten nga njëri-tjetri; janë shumë të afërt dhe e duan shumë njëri-tjetrin; (janë) mish e kockë; (janë) mish e thua; u bënë gjak; topi s’i ndan. (Janë) mish e kockë janë të lidhur fort njëri me tjetrin, janë një e të pandarë, nuk shqiten nga njëri-tjetri; janë shumë të afërt dhe e duan shumë njëri-tjetrin; (janë) mish e thua; (janë) mish e gjak; topi s’i ndan. (Janë) mish e thua janë të lidhur fort njëri me tjetrin, janë një e të pandarë, nuk shqiten nga njëri-tjetri; janë shumë të afërt dhe e duan shumë njëri-tjetrin; (janë) mish e gjak; (janë) motër e vëlla; (janë) arkë e dry; topi s’i ndan. S’i ka mish brinja (dikujt) shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). Kam këputur mish jam lodhur aq shumë sa nuk lëviz dot; jam vrarë e jam copëtuar në punë. Sikur ka këputur mish në thembër (dikush) tall. është dembel; hiqet sikur lodhet shumë në punë, bën sikur ka punuar shumë; as mbjell e as kopaçit iron.; ngul hunj e shkul hunj; sillet si pordha nëpër brekë bised. tall. vulg. Kërkon (do) mish pa kocka (dikush) shih kërkon qiqra në hell (dikush). Ia la plumbin në mish (dikujt) shih ia la plumbin në lëkurë (dikujt). Mishi i bardhë libr. vajza e gra që trafikohen për prostitucion. Mish (copë mishi) me dy sy mospërf. njeri i trashë nga mendja, që nuk kupton e nuk vepron, gdhe; i pandjeshëm, kërcu; mish i gjallë; mish pa kocka përçm. Me mish e me gjak i gjallë, i tëri, i plotë; ai vetë, i njëjtë (për dikë që ka lidhje gjaku ose ngjan shumë me një tjetër). Mish i gjallë mospërf. njeri me shëndet të mirë, por i trashë nga mendja; mish (copë mishi) me dy sy. Mish i huaj dikush a diçka që nuk është i përshtatshëm në mjedisin ku gjendet dhe që pengon punën ose zhvillimin e përgjithshëm; trup i huaj. Me mish e me kocka shih me mish e me gjak. Si mishi me kockën (me thuan) i lidhur fort me dikë, shumë i ngushtë me të, i pandashëm, sa nuk mund të shkëputet prej tij. Mish pa kocka përçm. njeri i squllët ose i paqëndrueshëm, që mund ta përpunojnë të tjerët si të duan; tul; mish (copë mishi) me dy sy mospërf.; tul me dy sy përçm. Mish pas lajmësi porosi që shkon dorë më dorë a njeri pas njeriu, porosi që nuk kryhet drejtpërdrejt dhe si rrjedhim nuk është e sigurt ose humbet rëndësinë. Mish në mashë. 1. Krejt i zhveshur e i zbathur, lakuriq, pa asgjë në trup; fare i pambrojtur. 2. Shumë i varfër, i këputur. Mishi i mishit fëmija i fëmijës tim, që është më i dashur dhe më i ëmbël për mua; gjaku i gjakut; mjalti i mjaltit. As mish e as peshk i papërcaktuar mirë, pa tipare dalluese e pa një vlerë të qartë, as kështu e as ashtu; as verë e as uthull. Mishi të piqet e helli të mos digjet (fj. u.) ta bësh një punë me kujdes e mirë, pa dëmtuar dikë a diçka tjetër; ta bësh diçka si duhet, me fitim e pa dëme. Mish me porosi shih mish pas lajmësi. Mish me presh e presh me mish është e njëjta gjë, s’ka ndonjë dallim, barabar është; është njësoj, po ajo gjë a po ai njeri; dhia mish e cjapi tavë mospërf.; cjapi mish e dhia tavë mospërf.; Ali hoxha e hoxhë Aliu. Me mish e me shpirt. 1. Me të gjitha forcat e mundësitë, me sa energji kam, pa kursyer asgjë; me dëshirë të madhe; me gjithë zemër. 2. Fort, shumë. Mish për top libr. keq. njerëz (ushtarë) që dërgohen me forcë a shkojnë verbërisht për t’u vrarë në luftë për interesa të tjetërkujt. M’u ngjeth (m’u drodh, m’u rrëqeth) mishi (mishtë) u trondita shumë, m’u drodh trupi, u tmerrova; u preka thellë në shpirt, u mallëngjeva shumë; m’u ngjeth (m’u rrëqeth) trupi; m’u bë mishi kokrra-kokrra. Pret *thika në mish të botës (për dikë). M’u shkoq mishi prej ashti shih më ra mishi përtokë. Vë (lidh) mish shëndoshem, ngjallem.
THÍK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Mjet i vogël me një presë të gjatë të metaltë e me një dorezë prej druri a prej një lënde tjetër, që përdoret për të prerë bukë, mish, pemë, perime, në mjekësi etj. Thikë e mprehtë. Thikë buke. Thika e duhanit. Thikë operacioni. Thikë me majë. Thikë me dy presa. Thikë sharrë. Doreza (presa, maja) e thikës. Tehu i thikës. Mpreh thikën. E preu (e griu, e theri, e çau) me thikë. I nguli thikën. I ra me thikë.
2. Pjesë e metaltë dhe e mprehtë e një almiseje, e një pajisjeje etj., që shërben për të prerë a për të grirë diçka ose për të lëmuar a për të rrafshuar sipërfaqen e diçkaje. Thikë rrethore. Thikë prerëse (ndarëse). Thika e zdrukthit. Thika e tornos. Thika e parmendës. Thika e makinës grirëse.
3. fig. Vend shumë i pjerrët, që vjen gati pingul. Shkuan nëpër rripa e thika.
4. si mb. Që është shumë i pjerrët; që vjen a që zbret gati pingul. Vend thikë. E përpjetë (e tatëpjetë) thikë. Nëpër faqet thikë të malit (të kodrës). Ishte thikë rruga (bregu).
5. si ndajf. Pingul. Vjen (zbret, ngrihet, bie) thikë.
6. fig. Dhembje e fortë që të pret si thikë, sëmbim i fortë, therje në një pjesë të trupit. Kam një thikë në shpatull. E zuri një thikë në gjoks (në mes, në bark). Më dha një thikë.
7. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për mjete pune. Thikë diskore disk çeliku me rrotullim të lirë, me thep rrethor të rrafshët për prerjen vertikale të tokës gjatë plugimit.
✱Sin.: brisk, biçak, çaki, thikëz, sojakë, latë.
♦ * U bë thikë e pikë (dikush) u inatos shumë; s’e deshi veten për atë që ndodhi; u bë (u nxi) si katëku i pulës përçm. Më ra (më mbeti) thikë në zemër (diçka) më erdhi shumë keq për diçka, më shkaktoi dhembje të madhe; më dëshpëroi pa masë; më vrau rëndë shpirtërisht; e kam thikë në zemër. Si *dhia thikën. I gjeti *rripin e thikës (dikujt). Është në *teh (në presë) të thikës (të briskut, të shpatës) (dikush). Jam në thikë e në pikë (me dikë) jam zënë e jam grindur keq me dikë, i kam acaruar marrëdhëniet sa më s’bëhet, jam bërë armik i papajtueshëm me të; jam thikë më thikë (me dikë); shkoj thikë e brisk (me dikë); jam dhëmb për dhëmb (me dikë). Jam thikë më thikë (me dikë) i kam acaruar keq marrëdhëniet me dikë, jam armik i papajtueshëm me të; jam në thikë e në pikë (me dikë); shkoj thikë e brisk (me dikë); jam dhëmb për dhëmb (me dikë). I dha rripin e kacekut (dikujt) iron. nuk i dha gjë, e mashtroi, ia mori të gjitha; i la bishtin e kandarit iron.; e la me gisht në gojë (dikë). E kam thikën (litarin, lakun, halën) në *grykë. E kam thikë në zemër (diçka) më ka ardhur shumë keq për diçka dhe s’e harroj dot; ndiej dhembje të madhe kur kujtoj dikë a diçka, kam brengë për të; e kam plagë në zemër; e kam gozhdë në zemër; më ra (më mbeti) thikë në zemër. E ndau (e preu) me thikë (diçka) e ndau shumë qartë, e veçoi prerë, e dalloi në mënyrë të prerë një gjë nga gjërat e tjera. I ngul thikën (pas shpine, prapa kurrizit, prapa krahëve) (dikujt). 1. E vret pabesisht dikë. 2. E dëmton rëndë dikë, ia punon tinëzisht e fshehurazi, i bën një të keqe me të pabesë; e tradhton; ditën i lëpin këmbët e natën i ngul dhëmbët. Përpara *rripë e prapa thikë. E pret *lisin me thikë (dikush). I prerë me thikë i vendosur njëherë e mirë, i prerë, që s’mund ta ndryshojë askush. Pret thika në mish të botës (për dikë) dhembja e tjetrit, gjendja e tij e vështirë etj. s’i bëjnë përshtypje dikujt, s’e ndien ai të keqen, por tjetërkush, i dhemb tjetërkujt. I pret thika (vetëm) në njërën anë (dikujt). 1. Sheh vetëm gabimet, mungesat e të metat e tjetrit dikush, por jo të tijat, është i njëanshëm. 2. Nuk ka fuqi të plotë dikush; nuk mund të bëjë gjithçka, i ka të kufizuara mundësitë. Ia preu me thikë (dikujt) shih ia preu me sëpatë (dikujt). Shkojnë thikë e brisk shkojnë shumë keq njëri me tjetrin; i kanë acaruar shumë marrëdhëniet; janë thikë më thikë; janë në thikë e në pikë; shkojnë majë më majë (majë e brisk); (shkojnë) si macja me miun; (shkojnë) si qeni me macen; i kanë (i kanë vënë) gjilpërat majë më majë. (Shkon) si thika në gjalpë (diçka) vete mirë diçka, shkon pa asnjë pengesë e vështirësi, ecën butë e me lehtësi. Me thikë ndër dhëmbë keq. duke kërcënuar, me kanosje e me egërsi. Thikë me dy presa diçka që ka sa të mira, aq edhe të këqija, sa mund të të ndihmojë, aq edhe mund të të dëmtojë; diçka që kërkon kujdes të madh, se përmban edhe fitoren, edhe rrezikun, se mund të jetë njëherazi edhe e dobishme, edhe e dëmshme. Thikë pas shpine keq. goditje që bëhet pabesisht për të dëmtuar rëndë a për të zhdukur një tjetër; goditje e rëndë, e padrejtë dhe e fshehtë që i bëhet dikujt. Thikë në zemër goditje shumë e rëndë shpirtërore, plagosje e shpirtit; therje. Më ka vajtur (më ka shkuar) thika në *heqës. Më ka vajtur (më ka shkuar) thika në *kockë (në asht). Më ka vajtur (më ka shkuar) thika në *palcë. I vë thikën e ther; e vras; e zhduk. E vuri në thikë (dikë) e bëri të zihet keq me dikë; e bëri të theret e të vritet me tjetrin. I vuri thikën në grykë (në fyt) (dikujt) e shtrëngoi a e detyroi dikë me dhunë e me kërcënime që të bënte diçka patjetër, e detyroi me mjete a me mënyra të egra e pa mëshirë; i hodhi (i vuri) litarin në qafë (në grykë); i hodhi (i vuri) lakun në qafë (në grykë); i vuri thonjtë në grykë (në fyt).
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë