Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJEL,~I m. sh. ~A, ~AT 1. zool. Mashkulli i pulës; këndes. Gjel fushe. Lafsha e gjelit. Mish gjeli. Këndon gjeli. Fryhet si gjel. S’rri gjeli mbi vezë (fj. u.). S’është punë për të, nuk e bën dot ai vetë atë punë. Gjeli s’bën vezë (fj. u.). Ngrihem me gjelat zgjohem herët në mëngjes. Fle (bie) kur këndojnë gjelat fle (bie) vonë; më zë gjumi në të gdhirë.
2. fig., keq. Njeri mendjemadh e kapadai; njeri që fryhet dhe e mban veten për më kryesorin. Gjeli i shtëpisë. Është bërë gjel. I rri gjel (dikujt) krekoset para tij, nuk e ul kokën, i rri kundër.
3. Send në trajtën e këtij shpendi. Gjel sheqeri lëpirëse me ngjyra, e bërë me sheqer të ngrirë në formë gjeli në majë të një shkopi. Gjeli i oxhakut erëtregues në trajtë gjeli, që mbërthehet lart, në oxhak.
4. zool. Pjesë e parë e disa emërtimeve të pathjeshta për shpendë e për peshq. Gjel dallëndyshe (lat. Trigloporus lastoviza) lloj peshku, me gjatësi maksimale 40 cm, që ka dy pendë notuese të mëdha pranë kokës si erashka dhe trup me pulla ngjyrë kafe të çelët; këndesi i detit. Gjel i detit (lat. Meleagris gallopavo domesticus) shpend shtëpiak i madh, i rritur për mish, me pendë të errëta me shkëlqim, me qafë pa pupla, me lapra të mëdha, të varura në gushë, me një tufë qimesh të forta në pjesën e poshtme të saj e me bisht, që hapet si erashkë kur ndjell femrën ose kur mundet me gjela të tjerë. Gjel deti i egër (lat. Meleagris gallopavo) shpend i familjes së fazanëve që mund të fluturojë ulët, deri në 400 m largësi; gjel i egër bishtlirë; gjel i egër i zi. Gjel deti i bardhë gjel deti me pendë të bardha, kryesisht i rritur në ferma; mashkulli i pulës së detit; gjeldet, misërok. Gjel dushku fazan. Gjel i egër (lat. Tetrao urogallos, Scolopax rusticola) shpend i pyjeve, i ngjashëm me këndesin, me pendë të zeza, këmbë të shkurtra e sqep të gjatë e që lëshon zë të çjerrë; gjelegër. Gjel i egër bishtlirë. Gjel i egër i kuq. Gjel i egër i madh. Gjel i egër i sherbelës. Gjel i egër i zi. Gjel ujës (lat. Rallus aquaticus) shpend i egër i ujërave, me qafë e këmbë të gjata, me pendë si të murrme, i ngjashëm me shaptoren, që jeton në vende moçalore dhe ushqehet me peshk; gjelujës. Gjel gri (lat. Eutrigla gurnardus) peshk i cekëtinave detare deri në 300 m thellësi, që lëshon zhurma për të trembur peshqit e tjerë në vendet ku kërkojnë ushqim. Gjel i hirtë. Gjel i kuq (lat. Chelidonichthys cuculus) peshk deti me ngjyrë të kuqërremë, rreth 40 cm i gjatë, me kokë të madhe e me sy të kërcyer dhe që ushqehet me peshq të vegjël, krustace dhe organizma të tjerë të vegjël. Gjel kandili (lat. Trigla lucerna) peshk i vogël, që jeton në cekëtinat bregdetare, me kokë të madhe me thumba, dhe zgjatime në formë gishti që i përdor për t’u zvarritur në fundin e detit; këndes i detit i hirtë. Gjel i tredhur (ushq.) gjel që tridhet për të përmirësuar shijen e mishit. Gjel i vërtetë peshk me rreth 370 lloje, rreth 10 cm i gjatë, me ngjyra të ndryshme, me gojë të madhe dhe me bisht me dy pjesë të holla, që gjuan natën; kuqërrak. Gjel magjyp gjel me trup të vogël, me këmbë të shkurtra e me qafë të gjatë që këndon kohë e pa kohë. Gjel pulastreni gjel deri një vjeç. Gjel pylli (lat. Tetrao tetrix) shpend pylli, me pendë ngjyrë mavi të ndritshme dhe me bisht gërshërë.
5. Kokërr misri e pjekur, që ka plasur në zjarr; pupagjel, gjeldash, kokoshkë.
6. Thelb i ndarë në pjesë; thelë e prerë e një kokrre. Gjelat e arrës. Gjelat e qepës. Gjelat e mollës.
7. Monedhë e vjetër prej ari, flori.
8. bot. Pjesë e dytë e disa emërtimeve të pathjeshta për disa bimë. Lule gjeli lulëkuqe.
✱Sin.: këndes, kaposh, kokosh, gjelkokosh, kapadai, mendjemadh, gjelegër, gjeldet, misërok, gjelujës, kuqërrak, pupagjel, gjeldash, kokoshkë, biban, gjeldet, gjeldetës, qukan, rigash, thelb, flori.
♦ U bë *lafshë gjeli (kaposhi) (dikush) tall. Ia bën gjelit me *sy (dikush). mospërf. I bën *vezë edhe gjeli (edhe këndesi, edhe kaposhi) (dikujt). I dal gjel kaproll (dikujt a diçkaje) i dal përpara një pune, një rreziku etj., i dal ballazi e me guxim; i vë gjoksin; i vë shpatullat. Gjel gollak tall. njeri mendjelehtë e mburravec. Me një gjel (*këndes, kaposh, kokosh) plaçka. Gjel (këndes, kaposh) majë plehut (në pleh) njeri që hiqet si i zgjuar a si trim, duke u mbajtur më të madh, duke u krekosur e duke u mburrur shumë; maçok në thekër. Gjel ndër pula. 1. Në mes të të mirave, si s’ka më mirë; veshkë në mes të dhjamit. 2. Krenar e sundues i të tjerëve; fodull. Gjel në thekër i papërmbajtur në bollëk të ngrënash, si i babëzitur para ushqimeve të bollshme. Gjel mbi vezë dikush që është i shqetësuar e ka frikë të bëjë diçka, se mos e prish a e bën keq; dikush që e ndien që s’është punë për të, që nuk e bën dot atë punë a s’bën ai për atë punë, që diçka nuk shkon. Më këndojnë dyzet gjela (mbi kokë) kam shumë halle, kam shumë punë e telashe, s’di nga t’ia mbaj; më zien (më mizëron) koka; më këndojnë bilbilat iron. Kanë kënduar gjelat ka kaluar koha, tashmë është vonë për diçka. Kur këndojnë gjelat e parë në mëngjes herët, në të aguar dita. I këndon gjeli mbi samar (dikujt) i ecën mbarë çdo gjë, i ka punët mirë; e ka zgjidhur çdo gjë, s’ka telashe e kokëçarje. S’i këndon më gjeli në shtëpi (dikujt) i kanë vdekur të gjithë, ka mbetur fare vetëm; është shkretuar fare, ka humbur gjithçka; iu shua pragu; iu mbyll dera. Ku s’këndon as *pulë e as gjel. Sa kërcen gjeli *tra më tra. Të merr *kokrrën e melit (para gjelit) (dikush). I pjell edhe gjeli (dikujt) shih i pjell edhe mushka (dikujt). Kur të pjellë gjeli iron. shih kur të pjellë mushka iron. S’pyet Muçoja për gjela deti bised. thuhet për dikë që s’ka frikë prej atyre që mbahen si kapadainj; është trim dhe s’do t’ia dijë për të tjerët.
MENDJELÉHTË mb. 1. Që mendon e gjykon në mënyrë të cekët, që sillet e vepron pa i menduar thellë pasojat, i lehtë nga mendja, i përciptë. Është (u tregua) mendjelehtë. Le të rrejnë shoqet mendjelehta, le të tradhtojnë miqtë mendjelehtë.
2. Që nuk është menduar thellë; i cekët, i përciptë. Një kërkesë mendjelehtë.
✱Sin.: i cekët, cakërran, i lehtë, fluturak, hafif, i përciptë, mendjeveri, mendjekarafil, toç, mlysh, lulushan, i papjekur, mendjepulë, gollak, hollokroqe, ciripupe, furfule, fyçkë, muf, mufkë, pufte, karafil, firifiu, kërriç, fyryfyçkë, torolingë.
THÉK/ËR,~RA f. sh. ~RA, ~RAT bot. 1. Bimë njëvjeçare që mbillet si drithë sidomos në zona malore, me kërcell si të grurit, me kokrra të murrme, të gjata e të holla; kokrrat e këtij drithi që përdoren për ushqim. Thekër dimri thekër që mbillet në vjeshtë. Thekër vere thekër që mbillet në mars. Kashtë thekre. Bukë thekre. Arë me thekër. Mbjellin thekër. Është rritur si thekra pa bukë është zgjatur shumë.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje thekre. Thekra e egër drithore (lat. Elymus triticoides) thekër që përdoret kryesisht për stabilizimin e tokës, veçanërisht përgjatë kanaleve ose brigjeve të lumenjve dhe për habitatin e kafshëve të egra në ligatinat dhe mbjelljet bregore. Thekra e egër e kaltër (lat. Elymus glauca) lloj bari i njohur si thekra e egër e kaltër që është vendës në Amerikën e Veriut.
♦ Bën bakllava me miell thekre (dikush). U futa në thekër nuk e mendova siç duhet një punë, gabova; shkela në dërrasë të kalbur. Nuk futet (nuk hyn) në ato thekra (dikush) nuk përzihet në punë të pandershme, u rri larg punëve të papastra e nuk bie në gabime; nuk shkel në dërrasë të kalbur. *Gjel në thekër. E humbi si *lepuri në thekra (dikush). Si *maçoku në thekër. Mbjell thekër e korr grurë (dikujt) i vete mbarë gjithçka, i shkon puna shumë mirë; i del më mirë sesa mundimi që heq. *Pulë në thekër (në grurë, në mulli). S’të pyet me sa e ke thekrën (dikush) keq. nuk të përfill fare, të shpërfill; nuk të llogarit; s’të vë (s’të ka) në hesap; (nuk të pyet) as për osh, as për balosh; nuk të vë në kandar. Thekër pa bukë keq. dikush me trup të gjatë, por që nuk ka mend; gjel gollak tall.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë