Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
PËLC/ÁS vep., ~ÍTA, ~ÍTUR 1. kal. Bëj që të shpërthejë menjëherë, me forcë e me zhurmë një lëndë. Pëlcas minat.
2. jokal., vet. v. III Shpërthen menjëherë, me forcë e me krismë të madhe (për një lëndë si dinamiti, baruti etj.). Pëlciti dinamiti (fuçia e barutit).
3. jokal., vet. v. III Shpërthen një armë zjarri që përmban lëndë të tilla. Pëlciti një bombë. Pëlcisnin predhat.
4. kal. Çaj me shpërthim diçka të fryrë tepër.
5. jokal., vet. v. III Çahet dhe shpërthen me zhurmë a me krismë diçka që fryhet tepër me ajër, me një gaz ose me një lëndë tjetër. Pëlciti kamerdarja (tullumbacja). I pëlciti zorra (stomaku).
6. kal. E çaj diçka, e plasarit, e kris (me të nxehtë, me goditje të lehta etj.). Të nxehtët e pëlcet gotën.
7. jokal., vet. v. III Çahet diçka vende-vende, merr një të çarë; plasaritet (nga nxehtësia, nga goditjet e lehta etj.). Më kanë pëlcitur duart. Edhe guri pëlcet kur nxehet. (fj. u.).
8. bised., jokal., vet. v. III Vërshon a del me vrull nga shtrati i vet (lumi etj.). Pëlciti lumi.
9. fig., jokal., vet. v. III Ndodh menjëherë një ngjarje, shfaqet një dukuri në mënyrë të papritur e me vrull dhe përhapet me shpejtësi, shpërthen. Pëlciti zjarri (shiu). Pëlciti lufta. Pëlciti sherri (grindja). Pëlcitën mosmarrëveshje të rënda.
10. fig., jokal., vet. v. III Del në shesh menjëherë e me vrull diçka që ishte e fshehur, shpërthen diçka e mbuluar. Pëlcitën pakënaqësitë e vjetra. Po pëlcasin hasmëritë.
11. fig., jokal. Kam një dëshirë të madhe e të papërmbajtur për diçka, bëj çmos, s’duroj dot; jepem shumë pas dikujt a pas diçkaje. Pëlcet pas tij, s’ndahet dot. Pëlcet ta bëjë. Pëlcet të vejë atje. Pëlciti, po s’e mori dot. Të pëlcasësh e s’ke për ta gjetur!
12. fig., jokal. Ndiej shumë lodhje nga diçka, më mundon shumë, më këput, ma merr frymën. Po pëlcas nga punët e tepërta.
13. fig., kal. E bëj dikë të vuajë shumë, e mërzit jashtë mase. E pëlcet inati, urrejtja.
14. fig., jokal. Vuaj shumë shpirtërisht nga diçka. Pëlcet nga inati (nga smira, nga zilia, nga marazi, nga urrejtja).
15. jokal. Nuk e përmbaj dot veten nga një ndjenjë zemërimi, inati etj. Më pëlciti ky djalë (ky njeri)! Më vjen të pëlcas kur e dëgjoj (kur e shoh).
16. jokal. Vdes. Të pëlcasë! (mallk.).
17. edhe fig., bised., kal. E hedh dikë a diçka me forcë në tokë ose në një vend tjetër, e hedh me vrull diku, e përplas. E pëlciti si shakull (si thes).
✱Sin.: plas, shpërthej, kris, shkrep, çaj, puf, kriset, plasarit, plasaritet, shpërthen, shfaqet, vërshon, buçet, gajas, digjem, lodhem, rraskapitem, këputem, veremosem, dëshirohem, çahem, gjyfqej, gjyfqehem, vdes, acaroj, përplas, kërcet, shkrehet, del, fillon, lind, sharroj, torturoj, veremos, mërzis, vuaj, hedh, flak, fus, rras.
♦ Ta pëlcet *buzën (dikush a diçka). S’më pëlcet (s’më plas) *bytha (për dikë a për diçka) shpërf. vulg. Pëlcet *derri (diku). Pëlcet (edhe) *derrin (dikush a diçka). I pëlcasin *faqet (dikujt). Pëlcet (edhe) *guri (diku). Pëlcet edhe *gurin (dikush). Pëlcet *gur e dru (dikush). Të pëlcet *mëlçinë (dikush). Më plaçin sytë! bet. Të plaçin (të dalshin) *sytë shar. Më vjen të pëlcas kam shumë inat, nuk e përmbaj dot veten; jam shumë i zemëruar nga dikush a nga diçka e papritur, që s’e duroj dot ose që mund ta parandaloja; më vjen plasje.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë