Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJËM/ÓJI vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. v. III Ushton krisma e vetëtimës; bubullin. Gjëmon moti. Gjëmon për shi. Po gjëmon andej nga deti. Nuk gjëmon po s'vetëtiu (fj. u.).
2. vet. v. III Lëshon një zhurmë të fuqishme, të mbytur e të zgjatur; jehon nga tinguj a nga zëra të fuqishëm; ushton; uturin; buçet. Gjëmojnë malet. Gjëmon deti (vala). Gjëmon traktori. Gjëmon auditori nga duartrokitjet. Gjëmonte shtëpia nga gëzimi. Më gjëmojnë veshët më uturijnë veshët.
3. vet. v. III Dëgjohet gjithandej me fuqi; tingëllon e përhapet me forcë, ushton, buçet. Gjëmon muzika.
4. Flas ashpër me zë të lartë, bërtas. I gjëmoi djalit.
✱Sin.: oshtin, vëngon, bubullon, gjekëtin, bërtas.
MAL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Vend shumë i ngritur mbi sipërfaqen e tokës që ka përreth, më i lartë se kodra, me majë a me kreshtë dhe me shpate zakonisht të pjerrëta, që zbresin në lugina. Mal i lartë (i madh). Mal i veshur (i zhveshur, i thatë). Mal shkëmbor. Mali i Tomorit (i Korabit, i Dajtit). Malet e Shqipërisë. Majë (kreshtë, shpat, faqe, brinjë, qafë, grykë) mali. Rrëza e malit. Rrugë mali. Lule mali. Lëpjetë mali. Shpend mali. Erë mali. Vargu i maleve. Arë (kullotë) në mal. Fshatrat rrëzë (prapa) malit. Mori malet iku në mal, u arratis. Buçasin (gjëmojnë) malet. Iu ngjitën (iu qepën) malit. Zbresin nga mali. Rrofsh (të paçim) sa malet! (ur.) U mbushën malet me borë. Mali me malin nuk piqet, njeriu me njeriun piqet. (fj. u.). Kur s’ke ara në mal, pse bën dava me çakejtë?. (fj. u.). Fusha ka sy e mali (pylli, gardhi, muri) ka veshë. (fj. u.). Goja tret edhe malet. (fj. u.) sado i pasur që të jesh, po u dhe në mënyrë të shfrenuar pas të ngrënave e pas të pirave, mund të mbetesh pa gjë fare. Lepuri në mal e vala (kusia) në zjarr. (fj. u.). U mbars mali e polli një mi. (fj. u.) përdoret kur thuhen shumë fjalë të mëdha ose jepen shumë premtime, por në të vërtetë bëhet pak punë.
2. bised. Krahinë malore, malësi; vendbanim malor. Mali ka klimë më të mirë. Zbriti nga mali në qytet.
3. vjet. Krahinë e vogël në malësi, popullsia e së cilës përbënte një njësi etnografike të veçantë. Mbledhja e maleve. Kuvendi i maleve. Nëntë malet e Dibrës. Nga një burrë për mal.
4. krahin. Pyll. Mal i dendur.
5. fig., bised. Grumbull i madh sendesh të vëna stivë a të përqendruara në një vend. Një mal me gurë. Një mal me orendi.
6. bot. Pjesë e dytë e emërtimeve të disa lloj bimëve: Çaj mali. Rrush mali. Bukë mali.
7. si ndajf. Shumë. Mal i fortë.
✱Sin.: malësi, pyll.
♦ *Arushë mali përk. U bëra mal me fletë shih m’u bë zemra mal. T’u bëftë mali *fushë! ur. M’u bë zemra mal u gëzova pa masë, u mbusha plot me gëzim; u kënaqa shumë; m’u bë zemra kala; m’u rrit zemra; më gufoi zemra; u bëra edhe një herë aq (kaq). I bën malet *fushë (dikush). Ma bëri zemrën mal (bjeshkë) (dikush) më gëzoi shumë, më mbushi plot me gëzim; më kënaqi pa masë. I bie malit me kokë (me krye) (dikush) ia hyn diçkaje të pamundur, që ka një pengesë, që nuk mund të kapërcehet kurrsesi; i futet diçkaje verbërisht, ia hyn pa menduar diçkaje shumë të vështirë; i bie murit me kokë (me krye). Çaj malet jam shumë i fuqishëm, kam guxim e bëj punë shumë të vështira a të pamundura. Del *kodër mbi mal (dikush). I duken malet *fushë (dikujt). I duken malet *shesh (dikujt). *Erë mali. Ha edhe malin me dhëmbë (dikush) shih ha (bren) hekurin (çelikun) (me dhëmbë) (dikush). Të hedh mal më mal (dikush) shih të hedh kodër më kodër (dikush). I dha malin (dikujt) e detyroi të arratiset; e bëri të ikë pa e ditur se ku, e përzuri. Të paçim sa malet! urim. paç jetë të gjatë! Kërkon *peshk në mal (dikush). *Lepuri në mal e kusia në zjarr tall. Mal me borë njeri i fortë e i pavdekshëm; njeri që rron shumë e me shëndet të plotë. Marrsh malet! mallk. u çmendsh! Mori malet (dikush). 1. Iku shumë larg e për një kohë të gjatë a për t’u fshehur; u arratis; mori malin në sy; mori fushat; mori arratinë. 2. U çmend, s’e kontrollon më veten, shkalloi; ka luajtur nga mendja. Mori malin në sy (dikush) shih mori malet1 (dikush). U mbars mali e polli një mi iron. shumë u fol e shumë zhurmë u bë për diçka, por nuk doli ashtu; u fry shumë, por dha pak. Më ndan një mal (i tërë) (nga dikush) shih më ndan një det (i tërë) (nga dikush). Njëri *shpatit e tjetri malit. E pret malin me një sëpatë (me një të rënë) (dikush) shih e pret lisin me një sëpatë (me një të rënë) (dikush). Shemb (përmbys) malet (dikush). 1. Është shumë i fuqishëm, bën punë të rënda; ia del në krye çdo pune, nuk ka pengesë që ta ndalojë. 2. Bën njërën për të arritur diçka, ankohet, çirret e ndërhyn kudo për t’ia arritur qëllimit të tij. Sheh prapa malit (dikush) shih sheh përtej bjeshke (dikush). E shikon malin nga *poshtë (dikush) iron. *Thëllëzë e malit (thëllëzë mali) poet.
MALËSÓR,~E mb. 1. Që banon në malësi ose që e ka prejardhjen nga malësia; kund. fusharak, brigjetak. Popull malësor. Nënë malësore. Femër malësore.
2. Që ka të bëjë me malësinë, që i përket malësisë, i malësisë. Fshat malësor. Vise malësore. Trojet tona malësore. Gjëmonin grykat malësore.
3. Që është krijuar nga malësorët, që është karakteristik për malësorët, i malësorëve. Veshje malësore. Zakon malësor. Tradita malësore. Mikpritje malësore. Shpirti malësor. Shoqëria e lirë malësore.
✱Sin.: malësiak, malar, malacak, malësias, malanjor.
MBÝTSHËM ndajf. 1. Me tinguj të dobët që nuk shqiptohen ose nuk dëgjohen qartë, mbytur, mbyturazi. Bubullimat gjëmojnë mbytshëm. Ia dëgjoja fjalët mbytshëm. Foli paksa mbytshëm. Kambanat jehonin mbytshëm. Marr frymë mbytshëm.
2. Duke e shtrënguar fort, duke mos e lënë të marrë frymë, duke e mbytur. Kollarja po ia shtrëngonte mbytshëm fytin.
✱Sin.: mbytur, mbyturazi.
SÁZ/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Vegël muzikore popullore me dhjetë tela, të ndarë në tre grupe e me bisht të gjatë, e ngjashme me mandolinën. Tingujt e sazes. Rregulloi telat e sazes. I ati i ka rënë bukur sazes. E përcillte këngën me saze.
2. bised. Vegël muzikore e përbërë nga një kuti e vogël me vrima dhe me gjuhëza metalike, së cilës i fryjnë duke e lëvizur nga njëri skaj i gojës te tjetri; muzikë goje. Saze goje. Iu kujtuan gërnetat dhe sazet.
3. vet. sh. Orkestër popullore; vegla muzikore popullore. Do të vinin sazet e dasmës. Në rrugë gjëmonin sazet. Nuk pushuan sazet gjithë natën. Filloi organizimi i festivalit të sazeve.
♦ I ngriti sazet (dikush) tall. filloi të qajë me të madhe.
TMERRËSÍSHT ndajf. Në mënyrë të tmerrshme; jashtëzakonisht shumë Vuajti tmerrësisht. Gjëmonte (bubullinte, vetëtinte) tmerrësisht. E shqetësonte tmerrësisht. Ishte tmerrësisht i lodhur. Ishte tmerrësisht e mërzitshme. Tmerrësisht i madh. Kishte tmerrësisht dhembje.
✱Sin.: jashtëzakonisht, tejet, shumë, tepër.
TOP,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Rruzull me madhësi të ndryshme, zakonisht prej llastiku e i mbushur me ajër, që kërcen kur e goditim ose kur përplaset në një vend të fortë dhe që përdoret për të luajtur. Top llastiku (plastike). Top lecke. Top futbolli (basketbolli, volejbolli). Top tenisi. Top hokei. Top pingpongu. Top fëmijësh. Top dore (këmbe). Topa me ngjyra. Lojërat me top. Luaj me top. Hedh (gjuaj) topin. Iu shpua (u shfry) topi. Kërcen si top. Është si top është i shëndetshëm, është me fytyrë të mbushur e topolak (zakonisht për fëmijët).
2. usht. Armë e rëndë zjarri, me grykë të gjatë e të gjerë, që përdoret në luftë për të hedhur larg predha të mëdha. Top kundërajror. Top kundërtank. Gryka e topit. Shtrati i topit. Qitje me top. Një breshëri topash. Mbush (zbraz) topin. Gjëmojnë topat. Gjuaj (shtie) me top. I ra (e rrahu) me top e qëlloi me artileri.
3. Lëmsh nga një lëndë e butë ose e shkrifët. Top dëbore. Top balte. Top brumi.
4. Një sasi stofi, pëlhure, letre, duhani etj., që mbështillet rrumbullak ose lidhet dëng për ta mbajtur më mirë. Një top letër (karton). Dy topa stof (basmë, beze, fanellatë). Top pambuku. Top duhani. Bleu një top shkrepëse.
5. Shirit a rrip i gjerë në pëlhurën e mëndafshtë, që bëhet gjatë endjes me ngjyrë tjetër ose me fill të ndryshëm nga tjerri. Top i kuq (i zi, i gjelbër). Pëlhurë me topa.
6. si ndajf. Të gjithë së bashku, bashkë, tok; lëmsh, shuk. Erdhën top. Jemi top. E mblodhi peshqirin top.
7. si ndajf., bised. Përfundimisht, plotësisht, krejtësisht; menjëherë, si i vdekur, në vend. E mblodhi (e ndau) mendjen top. Iu mbush mendja top. E bëri mendjen top vendosi përfundimisht për diçka. I është bërë mendja top i është mbushur mendja përfundimisht për diçka. Ra top në gjumë. Ra top në tokë. E la top e vrau me një të goditur. Mbeti top në vend ra e vdiq menjëherë.
✱Sin.: lëmsh, shuk, tokël, përboç, lëmuq, rrotull, vilar, kruspull, topçe, tok, ashkë, shakull, vdekur.
♦ M’u bë mendja top (për diçka) u binda plotësisht dhe jam i vendosur prerazi për diçka, më është mbushur mendja plotësisht, nuk kam më asnjë lëkundje; e bëra mendjen top. T’u bëftë pushka top! 1. ur. T’u rritshin fuqitë e fitofsh! (për dikë që shkon në luftë kundër armikut, në kufi për mbrojtjen e atdheut etj.). 2. iron. Bëj çfarë të duash, nuk ta kam frikën, merr fuqi sa të duash e provoje! E bëj zemrën top e mbledh veten, vendos (për të bërë diçka). T’i biesh me top (diçkaje) është shumë e fortë (buka, lakrori etj.), nuk hahet, nuk kapërdihet diçka. Topat të bien! sado zhurmë e madhe të bëhet (për dikë që e zë gjumi dhe nuk zgjohet nga zhurmat a që nuk dëgjon). I ra me top (diçkaje) e shkatërroi përfundimisht diçka; e harxhoi shpejt e shpejt, duke e përdorur me shumicë. S’e çan topi. 1. (dikë). Është i veshur shumë trashë, nuk do t’ia dijë nga e ftohta. 2. (diçka). Është shumë e fortë dhe e qëndrueshme; u bën ballë goditjeve etj. Gjuan një *zog me top (dikush). E hodhi topin (dikush) iron. foli një fjalë, dha një mendim, mbajti një qëndrim; e kaloi shqetësimin a problemin te të tjerët në bisedë. Ja *hop, ja top. Është në *grykë të topit (dikush). Është *tapë topi (tapë) (dikush) tall. E ka mendjen top (dikush) është i qartë e i kulluar në vetvete, me gjithë moshën e kaluar ose edhe pse është i sëmurë; është i përqendruar; iu mbush mendja top (dikujt); e ka mendjen të kthjellët; e ka mendjen të mbledhur; e ka kokën (kryet) plot. E la top në vend (dikë) e vrau me një të goditur aty ku ishte; e la në vend; e la thes në vend; e la lëmsh në vend; e la pikë e gjallë; ia hodhi potkonjtë në erë (dikujt); e la pykë. S’më lënë topat të dëgjoj pushkët (dyfekët) më ka zënë një e keqe e madhe dhe kam harruar hallet e tjera më të vogla. S’e luan (s’e tund) (as) topi. 1. (diçka). Pikërisht ashtu është, është shumë e sigurt dhe plotësisht e vërtetë, nuk mund të hidhet poshtë a të ndryshohet. 2. (dikë). Nuk e lëviz dot njeri nga një vend, nga një punë etj., ka zënë vend mirë, është ngulur, s’e luan a s’e largon dot; ka rrënjë të thella (të forta) (dikush). Mbeti top në vend (dikush) ra e vdiq menjëherë aty ku ishte; mbeti thes në vend; mbeti lëmsh në vend; mbeti në vend; ra pikë e gjallë. E mblodha (e bëra) mendjen top e vendosa përfundimisht e prerazi për diçka, nuk kam asnjë mëdyshje, jam i bindur plotësisht, nuk lëkundem më; e mblodha mendjen; e ndava mendjen. M’u mbush mendja top u binda plotësisht për diçka, nuk kam më asnjë dyshim e nuk lëkundem; m’u mbush mendja; e kam mendjen top; m’u mbush mendja qyp. *Mish për top keq. Top me dhjamë shumë i shëndoshë. Topi s’i ndan shkojnë shumë mirë me njëri-tjetrin, kanë shoqëri të ngushtë e të pastër; janë shumë të lidhur njëri me tjetrin, s’i ndan e s’i përçan dot askush e asgjë; janë mish e kockë; janë mish e thua; janë mish e gjak. Top lecke mospërf. njeri që e urdhëron a e dërgon dikush ku të dojë, që e trajton si të dojë, që sillet me të si i do qejfi; top llastiku. Top llastiku. 1. Njeri me trup të rrumbullt, të lidhur e të fortë, që rrëzohet e nuk vritet. 2. keq. Njeri që nuk zë vend; njeri i paqëndrueshëm, të cilit nuk mund t’i zihet besë, që kërcen sa andej këtej. 3. mospërf. Njeri, të cilin e urdhërojnë shumë, e dërgojnë gjithandej për punë ose e lëvizin shpesh nga një punë në një tjetër; top lecke. Top sheqeri fëmijë i shëndetshëm, i bardhë dhe i bukur (kryesisht për vajza).
TËRBÚESHËM ndajf. Si i tërbuar, me tërbim, si bishë. Gjëmonte e vetëtinte tërbueshëm. Vrapoj tërbueshëm. Sulmoj tërbueshëm.
✱Sin.: furishëm, vrullshëm, rrëmbimthi.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë