Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJÁT/Ë (i, e) mb. 1. Që ka shtrirje të madhe në hapësirë në përmasën e gjatësisë; që zgjatet shumë nga njëri skaj në tjetrin; me gjatësi më të madhe nga sa duhet a nga sa është e zakonshme ose në krahasim me një tjetër; kund. i shkurtër. Rrugë e gjatë. Fije të gjatë. Me këmbë të gjata. Flokë të gjatë. Këmishë me mëngë të gjata. Valë të gjata (elektr.) valë me hapin e lëkundjes më të madh se 3000 metra. Ecën me hapa të gjatë. I pres drutë të gjata. I rri i gjatë fundi. Është bërë i gjatë. Burrë i gjatë. Bëhet më i gjatë zgjatet.
2. Që shtrihet në një madhësi të caktuar në përmasën e gjatësisë; që ka trup të lartë. Katër metra i gjatë. Një kilometër i gjatë. Sa i gjatë është?
3. Që është me shtat të lartë; kund. i shkurtër. Njeri i gjatë. Plep (lis) i gjatë.
4. Që zgjat shumë kohë, më shumë se zakonisht ose më shumë se një tjetër; që shtrihet shumë në kohë a që kërkon një periudhë kohe pak a shumë të madhe; kund. i shkurtër. Dimër i gjatë. Kohë e gjatë. Pushim i gjatë. Me afat të gjatë. Udhëtim i gjatë. Me jetë të gjatë! (fj. u.). Gjithë ditën e gjatë gjatë gjithë ditës. Gjithë natën e gjatë gjatë gjithë natës. Film me metrazh të gjatë.
5. Që ka vëllim të madh (për shkrime e për vepra letrare); i hollësishëm, jo i ngjeshur. Tregim i gjatë. Artikull i gjatë. Bisedë e gjatë.
6. gjuh. Që zgjatet më tepër kur shqiptohet, që ka gjatësi më të madhe në shqiptim; kund. i shkurtër. Zanore e gjatë. Rrokje e gjatë. Diftong i gjatë.
✱Sin.: i stërgjatë, picigjatë, i largët, gjatosh, gjatush, gjatarush, i zgjatur, i lartë, shtatgjatë, trupgjatë, shtatlartë, shtyllak, i hollësishëm.
♦ S’i bën drutë të gjata (dikush) shih i pret drutë të shkurtra (dikush). S’e bëri të gjatë (dikush) veproi shpejt a menjëherë, e vendosi dhe nisi ta bëjë diçka; i ra shkurt, nuk e zgjati; s’e bëri gjatë. S’ia bëri të gjatë (dikujt) nuk duroi a nuk priti shumë për t’i thënë a për t’i bërë diçka, s’ia zgjati; ia tha diçka copë e prerë; ia preu shkurt. *Gjuhët e gjata janë lodhur tall. E ka dorën të gjatë (i ka duart të gjata) (dikush) keq. 1. shih ka dorë1,2 (dikush). 2. Është i fuqishëm a ka përkrahje për t’u bërë keq të tjerëve; i ka mundësitë të arrijë atë që do, nuk e pengon asgjë; kund. i ka duart të shkurtra. E ka fytin të gjatë (dikush) ha shumë, s’lë gjë pa ngrënë, është grykës i madh; është i pangopshëm; ha me dy gryka. Nuk e ka të gjatë. 1. (dikush). Nuk do të rrojë edhe shumë, po i afrohet vdekja; do të vdesë së shpejti (për një të sëmurë rëndë a për një plak të thyer që është afër vdekjes); nuk e shpie (nuk e shtyn) më gjatë; nuk vete gjatë2; është në grahmat e fundit. 2. (dikush). Nuk do të jetë edhe shumë kohë në atë pozitë a në atë punë që ka, do të largohet a do të bjerë shpejt; nuk vete gjatë3. 3. (diçka). Nuk do të vazhdojë shumë, e ka fundin të shpejtë, nuk duron a nuk qëndron më shumë. E ka gjuhën (llapën) të gjatë (një pëllëmbë, një pash) (dikush) keq.1. Është llafazan i madh, flet shumë; thotë gjëra që s’duhet t’i thotë, flet mbarë e prapë; përflet të tjerët, merret me thashetheme; ka llapë të madhe bised.; s’i pushon goja (dikujt); e ka gojën çorap; e ka gojën kamare; e ka gojën shpellë. 2. Nuk mban dot gjë të fshehtë, i tregon të gjitha; e ka gjuhën lopatë tall.; e ka sqepin të gjatë; s’i vë fre gojës (gjuhës); s’i mban goja arra (dikujt). E ka hundën të gjatë (dikush) është mendjemadh, është fodull; shet mend; e mban hundën lart; e mban hundën përpjetë. E ka sqepin të gjatë (dikush) iron. flet shumë, me vend e pa vend; nuk i rrihet pa folur për çdo gjë e për këdo; e ka gjuhën të gjatë. I ka thonjtë të gjatë (dikush) keq. vjedh; e ka ves vjedhjen, vijon të vjedhë; grabit e rrëmben ç’të dojë; është me thonj; e ka dorën të gjatë (i ka duart të gjata); ka dorë. S’e ka vrapin të gjatë (dikush) nuk ka fuqi a aftësi që të vijojë një punë ose të përballojë një detyrë për një kohë të gjatë; nuk vete larg.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë