Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
A pasth. 1. Përdoret për të shprehur habi kur gjendemi para një të papriture; ah. - A, kush na erdhi!
2. Përdoret për të theksuar shprehjen e ndjenjave: gëzim, kënaqësi, dëshirë, miratim etj.; ah. - A, sa e bukur qenka!
3. Përdoret kur shprehim zemërim, urrejtje, qortim, dhembje, keqardhje etj.; ah. - A, sa më bezdis! - A, ç’pikëllim kishte ai!
4. Përdoret për të shprehur mospërfillje, ironi, qesëndi ose kundërshtim, pakënaqësi për dikë a diçka që nuk e miratojmë. - A, mos e thuaj! A, po, ai nuk e pranon gabimin! - A, këtë zgjodhe ti!
5. Përdoret kur i drejtohemi një njeriu zakonisht të afërt a të njohur, me fjalë a shprehje të ngjyrosura emocionalisht. - Mirë, o fatbardhë! Ç’u the, a ua mbylle derën! - Ah t’u bëfsha kurban!
6. Përdoret edhe në rastet kur kujtohemi papritur për diçka gjatë bisedës me dikë; aha. - A, po, më ra ndërmend!
ABANÓZ,~I m. 1. bot. (lat. Diospyros ebenum) Dru i vendeve të nxehta, i çmueshëm, i rëndë e i fortë, me strukturë të larmishme, zakonisht me ngjyrë të zezë, por edhe me nuanca të kësaj ngjyre, me prejardhje nga Kina; shumica e llojeve të tij kanë lule të bardha me erë të mirë; përdoret për orendi shtëpiake, sidomos për orendi luksoze, vegla muzikore e punime artistike. Abanoz i zi (i kuq). Abanoz cejlonez. Abanoz afrikan. Dru abanozi. Dekorime abanozi. Orendi abanozi. Vegla muzikore prej abanozi. Abanozi i malit. I fortë si abanozi. U bë abanoz rroi shumë kohë, jetoi gjatë.
2. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për disa lloje abanozi: Abanozi i malit (lat. Bauhinia variegata) dru gjetherënës në stinët e thata, me lartësi mesatare prej 10-12 m, me gjethe kënddrejta, të gjata, të gjera dhe dyfishe në bazë dhe në majë, me lulet shumë të ndritshme të bardha dhe rozë dhe me disa fara në bishtaja. Abanozi i bardhë (lat. Bauhinia variegata alba) dru shtatshkurtër me gjelbërim të përhershëm, që rritet drejt deri në 6 m në toka pjellore me klimë të ngrohtë e me shumë diell, që çel në pranverë dhe herë pas here edhe në verë, me gjethet dylobëshe, që nxjerr lule të bardha me erë të këndshme të ngjashme me orkidenë dhe me bishtaja që përmbajnë fara ngjyrë kafeje. Park me abanoz të bardhë. Tryezë me abanoz të bardhë.
ABLACIÓN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. libr. Heqje ose largim i diçkaje prej një vendi në vendin tjetër. Ablacioni i pajisjeve.
2. gjeol. Rrëshqitje ose bartje e materialit të thërrmuar shkëmbor nën ndikimin e ujit, të erës, të akullnajave etj.; procesi i zhdukjes së akullit ose borës për shkak të shkrirjes, të avullimit ose të shkëputjes së ajsbergëve. Ablacion i rërës shkëmbore. Ablacioni i akullit (i borës).
3. astr. Procesi i largimit dhe i zhvendosjes së lëndës nga sipërfaqja e një trupi qiellor ose nga një anije kozmike gjatë hyrjes në atmosferë, për shkak të nxehtësisë së skajshme.
4. mjek. Heqje me operacion e ndonjë organi a i një pjese të tij; shkolitje e vetvetishme e një formacioni indor nga tjetri. Ablacion me laser. Ablacion me radiofrekuencë. Ablacioni kirurgjikal. Ablacion i placentës. Ablacion i retinës. Ablacion kardiak.
✱Sin.: heqje, largim, mënjanim, shkolitje, shkëputje, zhvendosje, bartje.
ABSTEN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR jokal. 1. Nuk marr pjesë në një votim, në një vendim ose në një aktivitet të caktuar, nuk shprehem as po, as jo për një vendim që merret me votim; nuk marr pjesë në një punë, në një mbledhje ose në një veprimtari. Abstenoi gjatë votimit. Tre veta abstenuan. Abstenoi nga diskutimi. Abstenuan ndaj komenteve. Abstenoj nga takimi i planifikuar.
2. Shmangem nga diçka për arsye morale, etike ose fetare. Abstenoi nga ushqimi i dëmshëm. Abstenoi nga sjelljet e papëlqyeshme. Abstenuan nga pijet alkoolike.
✱Sin.: përmbahem, vetëpërmbahem, largohem, mënjanohem.
ACEFALÍ,~A f., mjek. 1. Gjendje e rëndë e fetusit kur i mungon koka dhe truri nga zhvillimi jo normal; moszhvillim i pjesës së sipërme të trupit dhe të sistemit nervor qendror gjatë formimit embrional. Kishte acefali. Fetus me acefali.
2. let. Mungesa e rrokjes së parë në një varg ose në një vargëzim që krijon efekt të veçantë ritmik, anakruzë. Strukturë metrike me acefali.
ACEFALÍK,~E mb. 1. mjek. Që i mungon koka ose truri (një fetusi), si pasojë e zhvillimit jonormal gjatë kohës së formimit embrional. Fetus acefalik. Rast acefalik. Gjendje acefalike.
2. let. Që ka të bëjë me acefalinë, që i përket acefalisë, i acefalisë. Masë acefalike. Varg acefalik. Frazë acefalike. Rrokje acefalike.
ACETÁT,~I m., kim. Kripë e acidit uthullor si pluhur i kaltër ose i gjelbër, që tretet në ujë dhe hyn në reaksione me shumë kompozime dh që përdoret si pigment në prodhimin e plastikave, të ngjitësve, të fijeve sintetike dhe të bojërave. Kripërat e acetatit. Acetati i plumbit. Acetati i celulozës. Esterët e acetatit. Acetat bakri cipë e gjelbër që zë bakri ose bronzi në sipërfaqe nën veprimin e gjatë të ajrit e të ujit.
ADITÍV,~I m. sh. ~Ë, ~ËT farm., ind. 1. Lëndë që u shtohet disa prodhimeve ushqimore, farmaceutike, industriale etj. gjatë prodhimit a përpunimit të tyre teknologjik (si konservues të ushqimeve, si vitamina për bukën etj.). për të përmirësuar dhe për të ruajtur cilësinë, shijen, erën dhe qëndrueshmërinë e tyre. Aditivët ushqimorë. Aditivë konservues (ngjyrues, ëmbëlsues, stabilizues etj.). Aditivë i pijeve të gazuara. Aditivë farmaceutikë. Aditivë industrialë. Aditivët e derivateve (të naftës, të benzinës, të gazit etj.).
2. gjuh. Shtesë informacioni ose përforcim kuptimor në një fjali. Funksioni i aditivit. Aditiv me funksion shques. Aditiv i shoqëruar me ndajfolje ose lidhëz.
ADÓKS/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT bot. (lat. Adoxa) Bimë shumëvjeçare mishngrënëse e zonave të buta dhe malore, që lulëzon në fillim të pranverës e gjatë verës, që nxjerr lule shumë të vogla pesëpetalëshe në tufë e me nektar në majë të vezores, që së bashku me gjethet krijojnë kurthe për mizat. Adoksa muskate (lat. Adoxa moschatellina) shkurre kacavarëse e familjes së dorëzonjave me erë myshku, që rritet e kultivohet në vise shkëmbore dhe që përbëhet nga një tubë gjethesh të dhëmbëzuara, të kundërta, me një kërcell të vetëm, me lule katër a pesëfletëshe në tufë e me 2-5 fruta me bërthamë, që ka përdorim të madh në industrinë kozmetike për përgatitjen e parfumeve të ndryshme; adoksa e myshkut.
✱Sin.: lulemustakë, dorëzonjë.
ADSTRÁT,~I m. sh. ~E, ~ET gjuh. Ndikimi i gjuhës së ardhësve (zakonisht e një pakice) mbi gjuhën e një popullsie rrënjëse si gjuhë fqinje, ndikimi i një gjuhe a e një dialekti i një popullsie mbi gjuhën e një popullsi tjetër, me të cilën bashkëjeton për një kohë të gjatë; ndajshtresë. Adstrat i veçantë gjuhësor. Adstrat i përbashkët ballkanik. Adstrat indoevropian.
AEROFAGJÍ,~A f., mjek. Gëlltitje e tepruar e ajrit gjatë ngrënies së shpejtë, gjatë të folurit, gjatë të dhënies gji të të porsalindurit etj., që shkakton vështirësi në frymëmarrje; frymëmarrje me gulçimë; të zënët e frymës. Vuan prej aerofagjisë. Këshilla për të mënjanuar aerofagjinë. Aerofagji e rëndë.
AEROSINUSÍT,~I m. sh. ~E, ~ET mjek. Pezmatim i sinuseve si pasojë e ndryshimeve të mëdha e të shpejta të shtypjes atmosferike gjatë ngritjes dhe uljes së aeroplanit, të një helikopteri, gjatë parashutimit etj. Vuaj nga aerosinusiti. Mjekimi i aerosinusiteve. Diagnostikimi i aerosinusitit.
AEROTERMODINAMÍK/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT fiz. Degë e fizikës që studion ndërveprimin e ajrit me trupat në lëvizje, në kushte kur ka ndryshime të mëdha të temperaturave dhe të shtypjes atmosferike, që studion ndryshimet e temperaturës gjatë fluturimeve ajrore me shpejtësi të mëdha dhe supersonike dhe proceset dinamike që ndodhin, si fërkimi, ngrohja, djegia e sipërfaqes së mjetit lëvizës. Metodat shkencore të aerotermodinamikës. Aerotermodinamika e ngadaltë. Aerodinamika automobilistike. Aerodinamika supersonike (hipersonike).
AEROTROPÍZ/ËM,~MI m., bot. Veçori e një bime, e cila, gjatë rritjes, lakohet ose anohet kah ana që ka më shumë ajër (oksigjen) dhe rrymime ajri. Aerotropizëm pozitiv kthim a anim i një bime nga rrymimet e ajrit. Aerotropizëm negativ kthim a anim i një bime nga rrënjët, kur i mungojnë kushtet e volitshme për rritje. Aerotropizëm rrënjor kthim a anim i rrënjëve të një bime nga rrymimet ajrore. Alga (kërpudha) që shfaqin aerotropizëm.
AFÁT,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Periudhë ose kohë e caktuar për realizimin ose përfundimin e një pune, një veprimi, një qëllimi, një detyre ose një detyrimi; kohë, cak; kohë e folur, e pranuar, e përcaktuar me marrëveshje për përmbushjen e një detyrimi ose kryerjen e një pune. Afat i duhur. Me afat të gjatë (të shkurtër). Afat i shkurtër (i mesëm, i gjatë). Afati i provimeve (i studimeve, i shërbimit). Ka afat. I kaloi afati. Afati u shkurtua.
2. Caku kohor (viti, muaji, dita) që është vendosur për të nisur ose për mbaruar një punë, një veprim ose një detyrim ose për të realizuar një qëllim ose një planifikim; vade. Afati përfundimtar. Afat mujor. Afati i marrëveshjes. Afati i pagesës së borxhit (së kredisë). Afati i regjistrimit të popullsisë. Afati i kryerjes së shërbimit ushtarak. S’i jap afat dikujt e ngut tepër, e shtrëngoj, s’e lë të marrë frymë.
✱Sin.: kohë, cak, datë, kohëzgjatje, vade.
AFÉL,~I m., astr. Largësia më e madhe e një trupi qiellor (planeti, planetoidi, komete etj.) nga dielli në lëvizjen që bën rreth tij; pika në të cilën një trup qiellor i një sistemi diellor, në rrugëtimin e tij elipsor, është më e largëta nga dielli; kund. perihel. Planeti tokë afelin e arrin çdo vit në fillim të muajit janar, ndërsa pikën më të afërt në fillim të muajit korrik. Koha që i nevojitet dritës së diellit të arrijë në tokë gjatë afelit është 8 minuta e 27 sekonda.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë