Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJASHTËMÚAJSH,~E mb. Që ka mbushur gjashtë muaj, që ka një moshë prej gjashtë muajsh. Foshnjë gjashtëmuajshe. Viç gjashtëmuajsh.
SÍPËR ndajf. 1. Në një vend më të lartë në krahasim me një tjetër; në pjesën e lartë të diçkaje; në katin a në katet më lart të një ndërtese, lart; kund. poshtë. U ngjitën sipër në kodër. Rezervuari mund të mbushej nga sipër. Sipër banon një familje punëtore. Trokit më sipër, aty ku është dorëza e derës.
2. Mbi sipërfaqen e diçkaje a mbi trupin e dikujt; kund. poshtë; brenda. Sipër mbi çati, po qëndronin dy pëllumba. I hodhi një mbulesë sipër. E ka adresën sipër, lexoje! Për ta mbuluar shkrimin, i vuri dorën sipër. Nëndetësja doli sipër mbi ujë.
3. Nga ana e sipërfaqes së diçkaje, nga ana e jashtme; kund. poshtë; brenda. Ëmbëlsira sipër ishte e kuqe, siç e kishin kërkuar. Nga sipër është i veshur me gëzof.
4. Në pjesën e mëparshme të një shkrimi a të një ligjërate. Teoria vërtetohet sipas pohimeve që thamë më sipër. U përmend më sipër se problemi nuk është edhe aq i thjeshtë. Vijon si më sipër.
5. Përdoret së bashku me lidhëzën “e” për të shënuar vazhdimësinë e një vargu numrash e madhësish nga një cak i dhënë; e lart. Do të rekrutoheshin të gjithë, nga njëzet vjeç e sipër. Fushata përfshinte vaksinimin e të gjithë popullsisë nga 16 vjeç e sipër. Fëmijët gjashtëmuajsh e sipër mund të hanë edhe pure frutash.
6. Së bashku me një emër të prirë nga parafjala në tregon një veprim që po kryhet. E gjithë zona e plazhit ishte në zhvillim e sipër. Artikulli shkencor ishte në formim e sipër. Idenë e tij ma përmendi në bisedë e sipër. Rruga e re ishte në përfundim e sipër.
✱Sin.: lart, mbi, në, përmbi, përsipër, përpjetë.
♦ Në *ato e sipër. Iu hodh sipër (*përsipër) (dikujt). Është në *rrugë (në udhë) e sipër (diçka). E kam (e mbaj) mbi *kokë (në krye) e sipër (dikë). I ka mbirë bari sipër (dikujt) shih e ka mbuluar bari (dikë). I rri sipër (*përsipër) (dikujt a diçkaje) Në *rrugë (në udhë) e sipër. Sipër e sipër në mënyrë të përciptë, në mënyrë të sipërfaqshme, përciptazi; sa për të shkuar radhën; shkel e shko.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë