Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
GJALLËRÍM,~I m. 1. Veprimi kur gjallëroj dikë e diçka apo gjallërohem; shkathtësim. Gjallërimi i bimës.
2. Përtëritje dhe zhvillim i vrullshëm. Gjallërimi i organizmit. Gjallërimi i jetës. Gjallërimi i ekonomisë. Gjallërimi i kritikës.
3. Jetë; gjallesë, jetesë.
✱Sin.: jetë, jetesë, përtëritje, këndellje, shkundje, shkrydhje, shkrifërim, gjallim, gjallesë, shkathtësim, çndryshkje, rinim.
JÉT/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Tërësia e dukurive që karakterizojnë organizmat e gjallë, që nga më të thjeshtat dhe deri te më të ndërlikuarat e më të zhvilluarat; veti thelbësore e qenieve të gjalla, që lindin, zhvillohen, ndryshojnë e vdesin dhe që kanë dukuri fiziologjike pak a shumë të njëjta e të përbashkëta, pavarësisht nga veçoritë e gjinisë, të llojit etj.; ekzistenca e qenieve të gjalla në lëvizje e në ndryshim të pandërprerë, si formë e ekzistencës së materies në një etapë të caktuar të zhvillimit të saj. Jeta mbi Tokë. Jeta rreth nesh. Trup pa jetë. Lindja e jetës. Ligjet e jetës. Baza e jetës. Gjurmë (shenja) jete. S’ka jetë. Sa të jetë jeta përgjithmonë. Për (në) jetë të jetëve përgjithmonë. Për jetë e mot përgjithmonë. Nis jeta.
2. Gjendja fiziologjike e qenieve të gjalla, organizmi i të cilave ka aftësi të kryejë e të plotësojë funksione të veçanta që në lindje (gjatë rritjes, shumëzimit e zhvillimit) dhe deri sa vdes; të qenët gjallë; kund. vdekje. Jeta e njeriut (e kafshëve, e bimëve). Lufta për jetën. Çështje jetë a vdekjeje çështje me rëndësi vendimtare. Për jetë a për vdekje me ashpërsi të madhe; me vendosmëri për ta çuar deri në fund diçka (luftën, çështjen) pa bërë asnjë lëshim. Jap (fal) jetën bëhem theror, flijohem, vdes për dikë a për diçka. I dhuroi jetën e lindi. I dha fund jetës vrau veten. I dhimbset jeta. E do jetën. E ktheu në jetë. I shpëtoi jetën dikujt. I mori jetën e vrau, e bëri të vdesë. Mbahet në jetë jeton. Vë jetën në rrezik. E dua më shumë se jetën. Jeta ime! i dashuri im!, i shtrenjti im!
3. Koha sa jeton një qenie e gjallë, koha që nga lindja deri në vdekjen e saj; koha gjatë së cilës një njeri jeton e punon në një vend (zakonisht një kohë e gjatë). Jetë e gjatë (e shkurtër). Gjithë jetën. Gjatë jetës. Në fillim (në fund) të jetës së tij. Në lule të jetës. Gjysmën e jetës. Shoku i jetës bashkëshorti. Shoqja e jetës bashkëshortja. Një jetë të tërë. Me jetë të gjatë! (ur.). Çastet më të bukura të jetës. Në jetën time. Jeta në konvikt (në shkollë). Jeta në mërgim. Jeta në luftë. Pati gjashtëdhjetë vjet jetë. E kaloi jetën me punë. I zgjati (i shkurtoi) jetën. Jeta e keqe vit që nuk bëhen drithërat e prodhimet bujqësore për shkak të thatësirës, përmbytjeve etj. Më keq ma ke bërë ti se jeta e keqe. Kemi pasur edhe disa vjet rresht jetë të këqija.
4. Mënyra se si rron një njeri, një grup njerëzish a një shoqëri, tërësia e kushteve në të cilat jeton dikush, jetesë. Jetë e mirë. Jetë e ndershme. Jetë e rëndë (e vështirë, e rehatshme, e zbrazët). Jetë endacake (baritore). Jetë beqari (studenti). Jeta e fshatit (e qytetit). Jeta në qytet. Kushtet e jetës. E bëjmë jetën më të mirë. Ai bën jetë. (bised.) jeton me të mira e gëzime. Ka parë jetë ka jetuar mirë.
5. Tërësia e ngjarjeve që i kanë ndodhur dikujt; puna dhe veprimtaria që ka kryer ai sa ka qenë gjallë; përshkrimi i këtyre ngjarjeve, i kësaj veprimtarie etj., jetëshkrim. Jetë e pasur. Jetë e gjallë (aktive). Jeta e poetit. Jeta dhe vepra e shkrimtarit. Foli për jetën e tij.
6. Mjedisi që na rrethon, sendet, dukuritë, rrethanat etj., në mes të të cilave jeton e punon dikush, realiteti, bota; përvoja e fituar, ajo që ka mësuar, ka njohur a ka përjetuar dikush, praktika. Mosnjohja e jetës. Shkolla (përvoja) e jetës. Lidhja me jetën. E njeh jetën. I përgatitur për jetën. Si të sillemi në jetë.
7. Veprimtaria e një njeriu, e një grupi njerëzish, e një organizate, e një shoqërie etj. në një lëmë a në një fushë të caktuar; tërësia e dukurive, e normave, e parimeve etj. që shfaqen ose që zbatohen në një fushë të caktuar. Jeta ekonomike (politike). Jeta artistike (sportive, shkencore). Jeta shoqërore (familjare, vetjake). Fushat (sektorët) e jetës.
8. Gjallëri, lëvizje; shfaqje force, energjie etj. Qytet (fshat, rrugë) plot jetë. Fytyrë plot jetë. Merr jetë gjallërohet, forcohet. I jep jetë e gjallëron, e bën të jetojë e të zhvillohet.
9. Koha sa zgjat diçka; periudha sa mund të përdoret një gjë, koha derisa del jashtë përdorimit. S’pati jetë (një ngjarje, një dukuri, një lëvizje). Kanë jetë të gjatë (veglat, aparatet). I zgjat jetën (një makine etj.). Jetë e mot përgjithmonë. U trashëgofshin për jetë e mot. Se jeta gjithmonë. Se jeta kështu ka qenë ky vend.
✱Sin.: rrojë, kokë, shpirt, ymër, frymë, të gjallë, gjallje, gjallim, gjallëri, gjallërim, gjallesë, gjëllim, qenie, ekzistencë, jetesë, jetëshkrim.
♦ M’u bë *skëterrë (jeta). M’u bë *varr (jeta). Bëj jetë jetoj në kushte të mira, rroj mirë. Ia bëri *ferr (jetën) (dikujt). E ka bërë jeta *hekur (dikë). Ia bëri (jetën) *sterrë (dikujt). E bie (e sjell) në jetë (dikë). 1. E lind; i bëj kokën (dikujt). 2. E shpëtoj nga një gjendje e mjeruar, e nxjerr nga mjerimi, e bëj të jetojë mirë; e nxjerr (e qit) në dritë. *E Bukura e Jetës arb. folk. Dal (vij) në jetë. 1. Lind; shfaqem; vij në këtë botë; kund. dal (iki, ndahem) nga jeta. 2. Rritem dhe jam në gjendje të punoj e të jetoj më vete, mund të jetoj me djersën time, nuk kam më nevojë që të kujdeset njeri për mua; hyj në jetë; ngrihem (çohem) në (më) këmbë; kund. dal (iki, ndahem) nga jeta. Dal (iki, ndahem) nga jeta. 1. Vdes; iki nga kjo botë; ndërroj jetë; shkoj (vete) në atë botë; kund. dal (vij) në jetë. 2. Largohem nga një punë a nga një veprimtari tjetër për shkak të moshës, të shëndetit etj., nuk jam më për punë; kund. dal (vij) në jetë. Nuk më dhimbset jeta jam i gatshëm të flijohem, të bëj një sakrificë të rëndë a t’ia hyj një rreziku të madh; jam i guximshëm e trim. Ka ngrënë jetën (dikush) është munduar shumë e për një kohë të gjatë për diçka, ka sakrifikuar veten e ka kapërcyer vështirësi të mëdha; shkriu jetën. Hyj në jetë rritem e nis të punoj, arrij moshën që ta përballoj vetë jetën; mësohem me jetën që bëj, marr pjesë gjallërisht në të; dal (vij) në jetë; ngrihem (çohem) në (më) këmbë; kund. dal (iki, ndahem) nga jeta. Hyn në jetë (diçka) bëhet e zakonshme për të gjithë, bëhet diçka e përditshme; nis të gjallojë e të përdoret. Jap (fal) jetën (për dikë a për diçka). 1. Bëhem theror për dikë a për diçka, flijohem, vdes me dëshirë për të; derdh (jap) gjakun. 2. I përkushtohem tërësisht dikujt a diçkaje, vë veten tërësisht në shërbim të dikujt a të diçkaje; lidh jetën (me dikë). I jep jetë (diçkaje) e gjallëron, e bën të zhvillohet e të forcohet. Nuk jep *shenjë jete (dikush a diçka). Në jetë të jetëve shih sa të jetë jeta. Sa të jetë jeta përgjithmonë, përjetësisht; në jetë të jetëve; për jetë e mot; mot e jetë; në shekuj të shekujve libr. Për jetë e mot shih sa të jetë jeta. Jetë qeni keq. jetë shumë e vështirë; gjendje e mjerueshme; pykë në diell; mish në mashë. Për jetë a vdekje në mënyrë të vendosur e të rreptë, me këmbëngulje e me ashpërsi të madhe për ta çuar deri në fund çështjen, me çdo çmim; dhëmbë për dhëmbë; grusht për grusht. S’pati jetë (diçka) nuk zgjati shumë, nuk vazhdoi gjatë; u ndërpre shpejt e pa sukses. I ka kënduar *kaposhi gjithë jetën (dikujt). E kthej në jetë (dikë). 1. E shëroj nga një sëmundje e rëndë, e shpëtoj nga vdekja. 2. E nxjerr nga një gjendje e rëndë e pa shpresë, e bëj të jetojë e të punojë normalisht. Lidh jetën (me dikë). 1. Martohem me dikë; bashkëjetoj me të. 2. I përkushtohem gjithë jetën dikujt, jetoj për të a merrem vetëm me të; jap (fal) jetën (për dikë). Merr jetë (dikush a diçka) gjallërohet e forcohet, bëhet më i gjallë. I mori jetën (dikujt) e vrau, e bëri të vdesë; i shkurtoi jetën; ia preu ditën (ditët). *Mot e jetë. Ndërroj jetë lart. vdes; dal (iki, ndahem) nga jeta; shkoj (vete) në atë botë (në atë dynja). E ngrys jetën kaloj vitet e fundit të jetës në pleqëri, jetoj çastet e fundit të saj. Qofsh me jetë! ur. rrofsh!, paç jetë të gjatë!. M’u nxi jeta m’u bë jeta e rëndë, është e padurueshme të jetoj; u bëra fatkeq; jam shumë i dëshpëruar se humba një njeri shumë të afërt e të dashur; m’u bë skëterrë (jeta); m’u bë varr (jeta); m’u errësua bota; m’u këput peri. Ia nxiu jetën (dikujt) ia bëri jetën të rëndë e të padurueshme, i solli shumë të këqija e hidhërime; e bëri të vuajë shumë; ia mori shpirtin; e hëngri të gjallë (dikë); e futi (e vuri) të gjallë në varr (në dhe) (dikë); ia shkurtoi jetën; kund. ia zbardhi jetën. E nxori në jetë (dikë) e rriti dhe e bëri të zotin e vetes, që t’ia dalë mbanë vetë, të punojë e të jetojë pa përkujdesjen e tjetërkujt; e ngriti (e çoi) në (më) këmbë. Ia preu jetën (fillin e jetës) (dikujt) e vrau; e vdiq; i mori jetën; i shkurtoi jetën; ia preu ditën. Rraha jetën. 1. U përpoqa shumë për të arritur diçka. 2. Nuk lashë vend pa shkuar e pa kërkuar; rraha (çava) dheun. E ka rrahur jeta (dikë) shih (është) i rrahur (i regjur) me vaj e me uthull (dikush). Më soset jeta vdes; marr fund; dal nga jeta; më soset fryma. Shkriu jetën (dikush) është munduar shumë e për një kohë të gjatë për dikë a për diçka, dha të gjitha forcat dhe iu përkushtua i tëri; ka ngrënë jetën. I shkurtoi jetën (dikujt).1. E vrau, e vdiq; ia mori jetën; ia preu ditën (ditët); kund. i zgjati jetën. 2. E hidhëroi a e mërziti tej mase dikë; e mundoi aq shumë sa ia bëri jetën të padurueshme; ia nxiu jetën; kund. ia zgjati jetën. 3. (diçkaje). E përdori keq a e shkatërroi, bëri që të mos rrojë gjatë, e prishi shpejt; kund. ia zgjati jetën. Ka parë jetë (dikush) ka jetuar mirë duke shëtitur shumë, është i bredhur e i kënaqur; ka parë botë (me sy). *Shoku i jetës (shoqja e jetës). Vë në jetë (diçka) kryej; plotësoj; zbatoj. Ia zbardhi jetën (dikujt) ia bëri jetën të këndshme e të bukur, i solli gëzim e lumturi; i zgjati jetën; kund. ia nxiu jetën. Ia zuri *gjak (jetën). I zgjati jetën. 1. (dikujt). E gëzoi shumë dikë, e lumturoi; bëri që të rrojë më gjatë; i zbardhi jetën; kund. i shkurtoi jetën. 2. (diçkaje). Bëri që të rrojë për një kohë të gjatë diçka, të mos prishet e të mos dalë jashtë përdorimit; kund. i shkurtoi jetën.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë