Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
SHIGJÉT/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Një lloj arme me majë të mprehtë e të hollë prej druri a metali që hidhet me hark. Shigjetë me flakë (me helm). Lëshoi një shigjetë. Goditi me shigjetë. Çau si shigjetë. Vrapon si shigjetë vrapon shumë shpejt.
2. Rrip i metaltë, i hollë, i ngushtë e me majë të mprehtë, që rrotullohet rreth një boshti dhe që tregon vlera të ndryshme në një aparat matës, akrep. Shigjeta e orës. Shigjeta e peshores. Shigjeta e busullës. Shigjeta e shpejtësisë në kroskot tregonte shpejtësi mbi normën e lejuar.
3. Shenjë rrugore që tregon drejtimin e një lëvizjeje. Shigjeta orientuese. Sipas drejtimit të shigjetave. Shigjeta tregonte hyrjen. Ndiq shigjetën. Korsi e pajisur me shigjeta.
4. Një figurë lineare që ka një fund në formë pyke, që përdoret në harta për të treguar drejtimin ose vendosjen. Në këndin e hartës shigjeta tregonte veriun.
5. Diçka e hollë, e gjatë dhe e mprehtë, që bie a futet diku. Shigjetë vetëtimash. Shigjetë bregdetare. (gjeogr.) ledh rëre që izolon pjesërisht një gji deti.
6. mat., fiz. Simbol në matematikë a fizikë.
7. kryes. sh., fig. Goditje të drejtuara kundër dikujt a diçkaje, fjalë të mprehta e therëse që thuhen kundër dikujt a diçkaje. Shigjetat e ironisë. Lëshoi shigjeta kundër dikujt a diçkaje. I drejtoi shigjetat kundër saj.
8. kryes. sh., fig. Dashuria me shikim të parë. Shigjetat e dashurisë. Shigjetat e Kupidit.
9. vjet. Pjesa më e mirë e gjahut, të cilën e merrte gjahtari që qëllonte i pari kafshën.
10. zool. (lat. Bothrops atrox) Lloj gjarpri helmues me gjatësi deri në 2 m, që jeton në këneta, në pyje, në fusha etj.
11. zool. (lat. Coluber jugularis, Coluber longissimus, Coluber caspius) Gjarpër i hollë, shumë i shpejtë, me luspa të lëmuara, që gjendet në Ballkan dhe në disa vende të Evropës Lindore; shigjetull. Shigjeta kishte kollofitur një zog. Shpejtësia e shigjetës.
12. zool. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta për lloje të ndryshme të gjarpërinjsh. Shigjeta e hollë (lat. Coluber najadum, Platyceps najadum) gjarpër i hollë johelmues që jeton në mjedise të thata, por edhe në pyje. Shigjeta e shkurtër (lat. Coluber gemonensis) gjarpër i hollë, me luspa, me kokën dhe pjesën e përparme të trupit ngjyrë gri ose kafe në të verdhë e me njolla të errëta, i cili gjendet edhe në Ballkan.
13. bot. (lat. Dactylis glomerata) Një lloj bari shumëvjeçar me tufa të dendura, bari i telishit, këmbëgjel. Shigjetë e gjelbëruar. Fije shigjetash.
14. Mëqiku i vegjës, sovajkë. Ndërroi shigjetën. Shigjeta e avlëmendit.
15. si ndajf. Shumë shpejt, fluturimthi. Nisem shigjetë. Erdhi (iku) shigjetë.
✱Sin.: akrep, gjilpërë, shigjetëz, shigjetull, fluturimthi, vetëtimë.
♦ I ka drejtuar shigjetën (dikujt a diçkaje) e ka përqendruar luftën kundër dikujt a kundër diçkaje, e ka marrë si shenjë kryesore për ta sulmuar e për ta goditur; e ka vënë (e ka) në shenjë (dikë a diçka). Lëshon shigjeta (kundër dikujt a kundër diçkaje) e sulmon dikë a diçka ashpër, me fjalë therëse a me sharje; e thumbon keq, e shigjeton. E ka syrin shigjetë (dikush) shih e ka syrin pushkë (dikush).
SPILÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Mjet për të zënë peshk, në trajtë të një shporte që ka në fund një rrjetë. Peshkatari pa që spilari ishte mbushur me peshq. Kur e nxorën spilarin nga uji panë që ishte mbushur plot.
2. Kurth për zogj. Fëmijët kishin ngritur disa spilarë në të katër anët e fushës. Gjahtari kontrolloi spilarin pranë pemëve dhe gjeti një zog.
✱Sin.: bat, batinë, grackë, dërrasë, rrasë.
►TULÁT/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Mblidhem kruspull nga të ftohtët, nga frika etj.; strukem, fshihem, mbulohem që të mos bie në sy; pulitem. U tulat pranë oxhakut (pas zjarrit). U tulat pas derës. Fëmija u tulat pas nënës. Gjahtari u tulat pas një shkurreje. Bisha ishte tulatur në një zgavër shkëmbi. Ishte tulatur si lepur. Fëmijët u tulatën pa bërë zë. Hëna tulatej pas reve.
2. vetv., vet. v. III Shtypet dhe bëhet më i ngjeshur, ngjishet, rraset, rrasallitet. U tulat dheu.
3. vetv., vet. v. III Nis të shuhet, nuk digjet më me forcë, bie, platitet (për zjarrin); bie, zbutet, qetësohet, nuk ndihet më (për erën); dobësohet, pulitet. U tulat zjarri. Era ishte tulatur.
4. fig., vetv., vet. v. III Humbet forcën a gjallërinë, bie, ulet. Zunë yjet të tulaten. Guximi iu tulat. Optimizmi nisi t’i tulatej. Sherri (grindja) u tulat. Bimët ishin tulatur nga thatësia e madhe.
5. pës. e TULÁT.
✱Sin.: mblidhem, strukem, kruspullosem, fshihem, mbulohem, pulitem, rrëgjohem, tretem, dobësohem, ngjishet, shtypet, rraset, rrasallitet, platitet, zbutet, qetësohet, bie, ulet, struket.
USHÉZ/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Kasolle me degë e me gjethe, ku pret gjahtari gjahun; pritë, pusi. Rri (struket) në ushezë. Zuri një ushezë. Qëlloi nga usheza. Doli nga usheza.
2. Pritë me thupra për të ndaluar ujin a për t’i kthyer drejtimin. Ushezë me thupra. Hapi ushezën. Ndërtuan një ushezë.
3. Kosh për peshkim, me të cilin mbyllin si pritë gjithë rrjedhën e ujit. Zënë peshk me ushezë.
✱Sin.: ushe, pritë, pusi, kasolle, kosh.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë