Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
ADSORBÉNT,~I m. sh. ~E, ~ET tek. 1. Mjet përthithës, pajisje për të përthithur gazra, avuj etj.; ndajthithës.
2. kim. Lënda që ndajthithet. Adsorbenti i zhurmës lëndë që thith tingullin, duke ulur nivelin e zhurmës në një hapësirë të caktuar.
ADSORBÚAR (i, e) mb., kim. I ndajthithur. Gaz i adsorbuar. Gazra të adsorbuara. Molekula të adsorbuara.
ASPIR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR libr. 1. kal. dhe jokal. Kam dëshirë të madhe për t’ia arritur një qëllimi të lartë; synoj të arrij diçka; përpiqem të arrij një synim. Aspiron për lirinë. Aspiron të rrojë i pavarur.
2. mjek., kal. Thith ose largoj lëngje, gazra ose lëndë të tjera të ngurta nga trupi i njeriut përmes një pajisjeje thithëse ose përmes aspiratorit. Aspiroi gazra nga stomaku.
✱Sin.: dëshiroj, përpiqem, synoj, gjakoj, mëtoj, pretendoj, thith, largoj, heq.
EMETÚAR (i, e) mb. 1. fiz., biol. Që është përhapur apo lëshuar; që është emetuar. Biseda të botuara a të emetuara në radio. Gazra të emetuara nga lëkura. Astronomët kanë llogaritur dritën e emetuar nga yjet.
2. fin. Që është hedhur në qarkullim. Obligacione shtetërore të emetuara me lekë. Obligacione të emetuara përmes pasurisë shtetërore. Mund të zotërojë aksionet e emetuara nga shoqëria tregtare.
✱Sin.: i përhapur, i lëshuar, i çliruar, i nxjerrë, i prodhuar.
GAZ,~II m. sh. ~E, ~ET dhe ~RA, ~RAT 1. Lëndë a substancë, zakonisht pa ngjyrë dhe e padukshme, pa formë dhe pa vëllim të përcaktuar, që përhapet lehtë e mbush plotësisht çdo hapësirë apo enë. Gazi natyror nxirret nga nëntoka dhe përdoret për djegie a për ndriçim. Disa substanca çlirojnë gaz. Gaz i rrallë (fisnik). Gaz i thatë (i lëngshëm). Gaz i plogët gaz që nuk bashkëvepron a nuk lidhet kimikisht me lëndë të tjera. Gaz karbonik. Gaz sulfuror. Gaz metan. Gaz natyror. Gaz i djegshëm (ndriçues). Gaz lotsjellës (helmues). Gazrat e naftës. Gazi i minierave (i kënetave). Gaz pa ngjyrë (me ngjyrë). Vetitë e gazit. Lëngështimi i gazit. Shkëmbimi i gazeve. Ujë me gaz. Balonë me gaz. Stufë me gaz. Pianurë me gaz. Bombël gazi. Ngrohje me gaz. Mbush me gaz. Punon me gaz. Dhoma e gazit dhomë e ndërtuar enkas për ekzekutime masive, ku viktimat futeshin me forcë dhe vriteshin përmes lëshimit të gazrave helmues (hist.).
2. Lënda djegëse e lëngët (benzinë, naftë etj.), e cila futet në trajtë piklash në motorët e ndryshëm dhe digjet aty për t’i vënë këta në lëvizje. I jap gaz (i pakësoj gazin) motorit i jap shpejtësi a fuqi (i ul shpejtësinë a fuqinë) motorit. Shkel gazin shkel një këmbëz të posaçme për t’i dhënë motorit të automjetit më shumë lëndë djegëse.
3. vet. sh. ~RA, ~RAT Lëndë në trajtë të gaztë që dalin nga stomaku a nga zorrët; pordhë. Gazrat e stomakut (e zorrëve). Ka gazra.
4. bised. Vajguri. Llambë (kandil) me gaz. Enë për gaz.
5. krahin. Bishtuk me vajguri. Ndez (shuaj) gazin.
♦ Ia shkel gazit (në dërrasë) 1. Iki me vrap, nis të nxitoj shumë, vrapoj, shpejtoj; ia mbath me të katra; (vrapoj) sa më hanë këmbët; ia jap (ia ther) vrapi. 2. Ngutem shumë në një punë dhe e bëj pa kujdes e keq, nuk vë re për cilësinë; tregohem i nxituar e i pamatur në një veprim. Qet (hedh) gaz në gaca (dikush) shih i hedh benzinë zjarrit (dikush).
KANÁL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Hendek i thellë dhe i gjerë që hapet për kullimin e tokës, për ujitjen e të mbjellave etj.; vijë e thellë uji që krijohet nga shirat; llagëm. Kanal kullimi. Kanali Peqin – Kavajë. Kanali i ujërave të bardha (të zeza). Hap kanal. Bie në kanal.
2. gjeogr. Rrugë detare ku mund të kalojnë anije të tonazhit të vogël, barka etj. Kanal lundrimi. Kanali i Korfuzit. Kanali i Otrantos.
3. anat. Pjesë e një organi në trupin e njeriut dhe të frymorëve që ka trajtën e një gypi të ngushtë, ku kalon gjaku, limfa etj. Kanalet e tëmthit. Kanali i urinës (i veshit).
4. spec. Gyp ose lug i ngushtë, si pjesë e një mekanizmi ku kalojnë gazra, lëngje etj.; vjaskë. Kanal ajrimi. Kanalet e vjaskave (të një vidhe).
5. radio., televiz. Program informues me valë të veçanta; rrjet komunikimi a stacion radioje e televizioni; stacion. Kanali i parë (i dytë) i televizionit shqiptar.
6. edhe fig. Rrugë nëpërmjet së cilës kryhet informimi a ndërkomunikimi; mjet bashkëbisedimi e bashkëpunimi për punë a shërbime të ndryshme. Nëpërmjet kanaleve diplomatike (zyrtare). Kemi krijuar një kanal të ri bashkëpunimi.
✱Sin.: hendek, llagëm, stacion, llagëm, vjaskë.
MBETURINÓR,~E mb., libr. 1. Që ka mbetur si pjesë e një të tëre; që është mbeturinë nga lënda a nga sendet e prodhuara dhe që nuk hyn më në punë. Lëndë mbeturinore. Gazra mbeturinore.
2. Që ka mbetur nga një gjendje a nga diçka tjetër e së kaluarës; që lidhet me një mbeturinë të së kaluarës, e cila shfaqet ose ruhet edhe në ditët tona. Element mbeturinor. Dukuri mbeturinore. Ka karakter mbeturinor.
PÓRDH/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Gaz i barkut me erë të keqe, që i del njeriut a kafshës me zhurmë nga poshtë. Pordhë e madhe gris brekët e reja. (fj. u.).
2. kryes. sh., fig., bised. Fjalë të kota, pallavra, gjepura; punë boshe. Shet (grin) pordhë ai. Nuk i dëgjon njeri pordhët e tij. S’mbahet shtëpia me pordhë. (fj. u.). Nuk skuqen vezët me pordhë. (fj. u.). Ca me kordhë, ca me pordhë. (fj. u.). Kalaja s’mbahet me pordhë, po me dyfek e me kordhë. (fj. u.).
✱Sin.: gazra, pallavra, dëngla, gjepura dokrra.
♦ Ia bëri mendjen pordhë (dikujt) bised. vulg. e turbulloi, e hutoi fare; e trullosi sa s’është në gjendje të kuptojë a të gjykojë; ia bëri mendjen çorbë; ia prishi mendjen; ia mori mendtë. I ka pordhët si të ujkut (dikush) bised. tall. vulg. shih shet pordhë (dikush) bised. tall. vulg. Pesë pordhë një grosh bised. vulg. gjepura, fjalë të kota (për diçka që edhe nuk ka vlerë); diçka me të cilën s’e vlen të merresh ose të cilën s’e vlen ta besosh, diçka fare e kotë. Pordhë me gresë bised. iron. vulg. fjalë a kërkesa të kota, pa vlerë, që s’duhet t’ua vësh veshin; gjepura, broçkulla. Pordhë me rigon bised. iron. vulg. shih pordhë me gresë bised. iron. vulg. Pordhë shakulli bised. iron. vulg. diçka edhe e keqe, edhe e rreme, diçka që s’e merr dot për gjë; dikush që i ngjan diçkaje të tillë. I pret pordha më shumë se kordha (dikujt) bised. tall. vulg. bën zhurmë e bujë të madhe, duke u trimëruar a duke u mburrur, për të arritur diçka, kur në të vërtetë nuk është as i zoti e as trim. Sillet (endet, vërtitet, vjen vërdallë) si pordha nëpër brekë (dikush) bised. tall. vulg. sillet vërdallë pa punë a pa ndonjë qëllim, sorollatet kot; nuk bën asnjë punë; të mërzit duke ardhur vërdallë. Shet pordhë (dikush) bised. tall. vulg. thotë gjepura; mburret kot, është mburravec i madh; shet mend; shet të trasha; shet dëngla.
SHFRY/J vep., ~VA, ~RË 1. jokal. E nxjerr frymën me shumë forcë e me zhurmë, turfulloj. Shfryn e turfullon. Kali (pela) shfrynte.
2. kal. Nxjerr diçka nga goja a nga hundët, duke e fryrë me forcë. Shfryj hundët liroj, pastroj hundët. Shfryj ujin. Hante fara e shfrynte lëvozhgat. Shfrynte tymin e llullës.
3. kal. Zbraz ajrin e ngjeshur pjesërisht a tërësisht nga një send i fryrë, ia zvogëloj vëllimin; kund. fryj. I shfrynë gomat e biçikletës. Shfryj topin e basketbollit. Shfrynë tullumbacet.
4. jokal., vet. v. III Nxjerr me forcë avull a ajër, zakonisht për motorin e një mjeti; gulçon. Shfryn avullorja. Motori shfrynte. Treni shfryu sapo mbërriti në stacionin e fundit.
5. jokal., vet. v. III Fryn me tërbim (për tufanin etj.); ka dallgë të mëdha, tërbohet (për detin etj.); nxjerr jashtë me vrull gazra e hi, shpërthen (për vullkanet). Shfryn stuhia (murrlani, tufani, dimri). Era shfryn furishëm. Shfryn veriu. Deti shfryn tallaze. Shfryn oqeani. Shfryn vullkani. Shiu shfryu.
6. jokal. E rrit vëllimin e vet dhe del jashtë shtratit duke përmbytur vendet përreth (për lumin, përroin etj.), vërshon. Shfryu lumi (përroi). Kishte shfryrë liqeni dhe rrugët qenë mbushur me ujë.
7. kal. Ul plotësisht të ënjturit në një pjesë trupi, e largon pezmatimin; çënjt. Ilaçi që shfryn këmbët. Shfryj dorën me kompresa. Shfryn barkun.
8. jokal., vet. v. III Lëshon sytha, bulon, sython (zakonisht për pemët). Shfryu kumbulla. E fundit shfryu dardha.
9. jokal. edhe kal., fig. Nxjerr jashtë me furi ndjenjat; ia nxjerr inatin a zemërimin dikujt duke i folur rëndë a duke bërë diçka me rrëmbim, shfrej. Shfryu zemërimin (dufin, urrejtjen, mllefin, inatin). U shfryn punëtorëve. Shfryn me të shara. Shfrynte me vete. Shfryn kundër diktaturës. Ia tregoi dhëmbët duke shfryrë. Iku duke shfryrë. Shfryu në lot. Shfryn si bualli për dikë që bërtet shumë.
10. jokal. Rënkon thellë, psherëtin, ofshan. Shfryu thellë. Ç’ke që shfryn?
11. kal., fig. Ul numrin, e reduktoj sasinë, duke lënë vetëm atë që është e domosdoshme; pakësoj, shkurtoj. I shfrynë organikat. I shfrynë nevojat për punë. I shfrynë normat e mësuesve.
✱Sin.: shfrej, gulçoj, shkordh, shkreh, turfulloj, nxjerr, gulfon, sfytyrin, çënjt, shpërthen, vërshon, pakësoj, shkurtoj, zvogëloj, grafulloj, ofshan, bulëzon, shpërthen, çel.
TUB,~I m. sh. ~A, ~AT 1. Gyp prej metali, prej çimentoje, prej qelqi etj., i hapur nga të dyja anët e me gjerësi të ndryshme, nëpër të cilin kalojnë lëngje, gazra, avuj etj.; pajisje mjetesh e aparatesh të ndryshme, që kanë trajtë të tillë. Tub i thjeshtë. Tub thithës. Tub bashkues (ndarës). Tub elektronik. Tub çimentoje (çeliku, eterniti, gize, gome, teneqeje, qelqi). Tub uji (ajri). Tub shkarkimi. Tub i zënë (i bllokuar). Tuba shpimi. Tuba nafte. Tuba sobe. Tubat e ujësjellësit. Tubi i teleskopit. Tubi i shikimit pjesa kryesore e mikroskopit, e cila ka trajtën e një gypi. Reparti i tubave. Tub i ujërave të zeza. Ngjit (bashkoj) tubat.
2. anat., biol. Pjesë e zgjatur me trajtë të tillë në organizmin e njeriut e të kafshëve, nëpër të cilën kalojnë lëndë të ndryshme; gyp. Tubi i frymëmarrjes. Tubi i tretjes.
VJELL vep., VÓLLA, VJÉLLË 1. kal. Nxjerr jashtë nga goja ushqimin që më përzien e nuk ma mban stomaku; nxjerr nga goja një ushqim, vrer ose gjak (kur jam i sëmurë ose kur më vjen ndot). Volli ushqimin. Volli ushqimin fëmija. Volli vrer (gjak). Më vjen për të vjellë.
2. fig., jokal., vet. v. III Nxjerr nga gryka tym, gazra a diçka tjetër me shumicë (për oxhakun, për një armë etj.). Oxhaqet vjellin tym. Pusi villte gaz. Pushka (mitralozi, topi) vjell zjarr (predha, plumba).
3. kal., vet. v. III E lëshon, e nxjerr ngjyrën e mëparshme (për një petk, kur lahet ose kur përdoret). Ajo basmë e villte bojën.
4. fig., keq., kal. dhe jokal. Flas shumë keq për dikë a për diçka, nxjerr gjithçka të keqe që mbaj përbrenda; them fjalë të këqija a shpif për dikë për të nxjerrë inatin, shfryj. Vjell vrer (helm, helm e vrer, zeher) kundër dikujt. E volli atë që kishte në bark. Vollën shumë gojët e këqija.
✱Sin.: villem, pështillem, guskoj, lëshon, nxjerr.
♦ E bëri të vjellë (të përmjerrë) *gjak (dikë) thjeshtligj. Vjell *helm (kundër dikujt). Vjell (nxjerr, hedh) *vrer (kundër dikujt). Më vjen për të vjellë (nga dikush a nga diçka) nuk e duroj dot diçka të ndytë, më vjen ndot; kam neveri
VJÉLLJ/E,~A f. sh. ~E, ~ET 1. Veprimi kur vjell a villem. Vjellja e ushqimit. Vjellja e fëmijës. Vjellja e vrerit (gjakut).
2. fig. Veprimi kur nxjerr me shumicë nga gryka tym, gazra a diçka tjetër (oxhaku, armë etj.); kur lëshon, e nxjerr ngjyrën e mëparshme një petk kur lahet a kur përdoret. Vjellja e oxhakut. Vjellja e pusit (të naftës). Vjellja e mitralozit (e pushkës). Vjellja e perdeve (e petkut).
3. fig. Veprimi kur flasim shumë keq për dikë a për diçka a kur shpifim për dikë për të nxjerrë inatin. Vjellje helmi e vreri kundër tij. Vjellja e gojëve të këqija (të liga).
VULLKÁN,~I m. sh. ~E, ~ET 1. gjeog., gjeolog. Grykë e madhe e hapur, zakonisht në majë të një mali, nga e cila dalin prej thellësisë së tokës gazra të nxehtë, tymra e lavë. Vullkan i shuar. Vullkan veprues (aktiv). Grykë vullkani. Krateri i vullkanit. Shpërthen (shuhet) vullkani. Zien si vullkan. Buçet si vullkan.
2. fig. Rrezik i madh që qëndron i fshehur dhe që kërcënon dikë; vrull i madh që është grumbulluar a që mund të shpërthejë a shpërthen me fuqi. Vullkani i demonstruesve. Vullkani i urrejtjes popullore. Urrejtja zien përbrenda si vullkan. Vullkani i urrejtjes kundër tiranisë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë