Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
NÁP/Ë,~AI f. sh. ~A, ~AT 1. Trastë prej leshi e endur rrallë, ku hidhet djathi ose gjiza që t'i kullojë hirra. Napë me djathë (me gjizë). Djathë nape. Kulloj gjizën me napë.
2. Copë pëlhure e hollë që përdoret për të kulluar qumështin a çfarëdo lëngu, për ta ndarë atë nga papastërtitë. Kulloj qumështin me napë.
3. Pëlhurë e bardhë dhe e hollë që përdoret nga gratë si shami koke. Hoqi (vuri) napën. Napa e bardhë si dëborë i ndriste mbi flokët e thinjur. Gjyshja mbante gjithmonë napë.
4. Mbulesë. Napë tryeze. Dyshek me napë të bardhë.
5. fig. Perde e hollë, cipë. Napë resh. Napa e mjegullës. Napa e natës. I hoqi (i grisi) napën. Një napë e dendur ngrihej aty për aty.
✱Sin.: mësallë, kullore, lëplungë, napëlungë, kullishte, faqëz, garzë, faqore, farkore, shami, pështjellak, tullupan, vel, mbulesë, perde, trastë, dylben, cipull, maramë, cipë.
PÉC/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Copë pëlhure për të fshirë orenditë, për të pastruar sende e vegla të ndryshme etj. Pece e pastër. Pece e lagur. E fshiu me pece.
2. zakon. sh. Copë pëlhure e butë, që e përdorin zakonisht në vend të çorapeve ushtarët për të mbështjellë këmbët.
3. Rrip i gjatë prej pëlhure të endur rrallë, që përdoret për të lidhur plagët etj. Mbështjell plagën me pece.
✱Sin.: peckë, pluhurfshirëse, mbështjellëse, garzë.
SQÓLL,~I m. sh. ~E, ~ET 1. Vend i posaçëm në një skaj të kuzhinës a në një cep tjetër të shtëpisë, në trajtë të një lugu të ngritur, ku lahen enët, duart etj. Sqollin prej guri e kishin në oborr. Pasi i lau enët, gruaja i vuri enët në sqoll dhe i mbuloi me një garzë të bardhë. Nuk kishin ndërtuar ende një sqoll në atë shtëpi.
2. Dritare e verbër ku mbahen bucelat e ujit. I kishin rreshtuar bucelat pranë sqollit, disa me ujë e disa me verë. Çohu merre pak ujin te sqolli në kuzhinë!
✱Sin.: lajtore, enëlarëse, trapazan, shtonë, abdeshane.
TAMPÓN,~I m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Lëndë e fortë ose e ngjeshur që shërben për të zënë një vrimë, ose për të ndaluar rrjedhjen e një lëngu; tapë, shtupë.
2. mjek. Masë e vogël garze ose pambuku, që shërben për të pastruar gjakun, lëkurën etj.; pambuk, garzë. Tampon i njomur me eter (me jod, me alkool). Tampon me pambuk të ngjeshur. Tampon periodik (higjienik) rrotëz cilindrike e ngjeshur prej pambuku, që përdorin vajzat e gratë gjatë të përmuajshmeve.
3. mjek. Shkopth me garzë a me pambuk të ngjeshur në krye për të pastruar një plagë a për të marrë material për analiza mjekësore (kryesisht në fyt e në hundë); terkishteIII.
4. zyrt. shtypshkr., zyrt. Shtresë pambuku a sfungjeri e njomur me bojë, brenda një kutie plastike a metalike, e cila shërben për për ngjyer vulën me bojë dhe për të vulosur dokumente; shenjë në një dokument zyrtar (në pasaportë, në certifikatë, në vërtetim etj.) Tampon vule. Vë një tampon në pasaportë e vulos. Tamponi i vulës. Ngjyej vulën në tamponin me bojë. Tampon me bojë të zezë (blu, të kuqe).
5. tek. Amortizator. Tamponët e lokomotivës.
6. fig. Zbutës goditjesh, që pengon a që zbut përplasjet midis dy sendeve a dy njerëzve. Shërben (është) si tampon midis dy njerëzve shërben si ndërmjetës, pengon përplasjet mes tyre. Herë-herë, burri është tampon mes nënës dhe nuses. Zonë tampon zonë që pengon përplasjet midis dy shteteve. Kujtesë tampon (e një kompjuteri) (inf.) disk që mbledh përkohësisht të dhëna.
✱Sin.: tapë, shtupë, pambuk, garzë, terkishte, amortizator.
TERKÍSHT/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. bot. Lakër e egër me gjethe të ashpra.
2. Shparcë, furçë cilindrike për të larë enë a pajisje të zgavërta. Pastroj shishen me terkishte. Pastron grykën e topit me terkishte.
3. mjek. Shkopth me një furçë të vogël a me garzë në krye për të pastruar zgavra a për të marrë material për analiza mjekësore (kryesisht në fyt e në hundë); tampon.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë