Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BISHTÁK,~UII m. sh. ~Ë, ~ËT 1. Enë me bisht të gjatë që përdoret për ujë; lugë e madhe me bisht të gjatë, që përdoret për të ndarë gjellën, qepshe, bishtore. Përdor bishtakun.
2. Pjesa e fundit e parmendës a e plugut që kapet ose mbahet me dorë; dorës. Bishtaku i parmendës. Bishtaku i kthyer si kokë bastuni. I mbërtheu bishtakët.
✱Sin.: bishtore, bishtok, qepshe, garuzhdë, lugëmadhe, luguruzhdë, luhare, lugan.
BISHTÓR/E,~JA f. sh. ~E, ~ET 1. Enë me bisht të gjatë; lugë e madhe me bisht të gjatë për të ndarë gjellën, bishtoke, qepshe, garuzhdë; xhezve. Bishtore gjelle. Ia mbushi bishtoren plot. Vëre bishtoren në zjarr.
2. Copë trualli si bisht në skaj të arës, bishtarak. I mbolli bishtoret me parmendë.
3. Nënbishte, barkonjë. I vuri bishtoren.
GARUZHD/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. Lugë e madhe dhe e thellë, me bisht të gjatë, që përdoret për të trazuar gjellën në tenxhere dhe për ta ndarë atë nëpër pjata; qepshe, lugan. Ndau gjellën me garuzhdë.
2. fig. keq. Njeri që përzien të tjerët, ngatërrestar. Është një garuzhdë që s'e ka shokun.
✱Sin.: qepshe, lugan.
LÚG/Ë,~A f. sh. ~Ë, ~ËT 1. Përdorëse prej metali, prej druri a plastike, që ka një kupë të vogël në trajtë vezake e një bisht të gjatë dhe që shërben për të ngrënë gjellë ose ushqime të tjera, sidomos të lëngshme; sasia e gjellës a e një lënde tjetër sa nxë një përdorëse e tillë. Lugë e madhe qepshe, garuzhdë. Lugë alumini (druri). Lugë gjellë. Lugë kafeje (çaji). Një dyzinë (një teste) lugë. Takëm lugësh e pirunësh. Një lugë sheqer (kafe, miell). Një lugë reçel (mjaltë). Një lugë kosi (përshesh). Vjeshtë e luge kur nis të ftohet moti duhen gjellë të ngrohta. Ha (marr) me luge. Përziej me lugë. I hedh dy lugë kripë. Mori (hëngri) nja dy lugë dhe u ngrit. Nuk hëngri asnjë lugë.
2. Vegël, zakonisht e metaltë, me një pjesë si kupë a si lopatëz dhe me një bisht ose me një zgjatim, që përdoret për të marrë diçka, për të përzier lëndë të ndryshme etj. Lugë pastruese (tek.). Lugë shpimi (tek.). Lugë shënimi (usht.). Lugë lulesh lopatë e vogël për të shkrifëruar dheun e vazove. Lugë këpucësh përdorëse që shërben për të mbathur këpucët, mbathës. Lugë thëngjijsh (gacash) kaci zjarri. Lugë llaçi mistri.
✱Sin.: çape, luhare, lugës, mbathës.
♦ Është bërë *bisht luge (dikush). Është bërë lugë (dikush). 1. shih është bërë kockë e lëkurë (dikush). 2. Nënshtrohet e serviloset shumë. 3. shih fut hundët (hundën) (dikush). Është bërë lugë çervishi (dikush) përzihet kudo, futet në çdo muhabet; është bërë i mërzitshëm duke ndërhyrë vazhdimisht në bisedat e të tjerëve; hyn (futet) si luga në pilaf; fut hundët (hundën). U bë lugë në dhallë (dikush) përb. shih u bë pilaf i ftohtë (dikush) përçm. I ra luga në *hi (dikujt). I bie me lugë të madhe (diçkaje) e harxhon pa kursyer fare, nuk e mban dorën; tregohet tepër dorëlëshuar. I bie maces me lugë (dikush) mospërf. është në moshë ende të vogël, është foshnjë ose si foshnjë; është i papjekur dhe nuk kupton se ç’bëhet, bën veprime prej çilimiu. I ra luga në *mjaltë (dikujt). I ra luga në *qumësht (dikujt). Ia di sa lugë ka në shportë (dikush) e njeh mirë e me të gjitha hollësitë gjendjen e dikujt; ia di të gjitha të fshehtat; ia di lugët e pirunët (dikujt); (e njeh) (me) dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë). Ia di lugët e pirunët (dikujt) di gjithçka për dikë, ia njeh mirë edhe gjërat e imëta të shtëpisë; ia di sa lugë ka në shportë (dikush); (e njeh) (me) dhëmbë e (me) dhëmballë (dikë). Ma ka djegur luga (qulli) *buzën. I fryn lugës së vet (dikush) shikon punën e vet e nuk përzihet në çështjet e të tjerëve, merret vetëm me hallet e veta, rreh të zgjidhë hallet e veta. E fut lugën në çdo gjellë (dikush) përçm. ndërhyn në çdo gjë, merr pjesë me vend e pa vend në të gjitha punët ose ndërhyn në të gjitha çështjet, edhe kur s’është e nevojshme; përzihet atje ku nuk i takon ose ku nuk pritet, fut hundët kudo; në çdo gjellë (hedh) majdanoz iron.; hedh kripë në gjellë të botës; bën shteg në gardhin e tjetrit; kund. i fryn lugës së vet. E gjeti lugën në *pilaf (dikush) keq. Ka ngrënë me *gjysmë luge (dikush) iron. Kam ngrënë me një lugë (me dikë) e kam pasur shok a mik të ngushtë dikë, jam shumë i afërt me të; e njoh prej kohësh dhe nga afër; jam prej një vendi me dikë; kam pirë ujë në një krua (me dikë). Ha me dy lugë (dikush) keq. përfiton nga të dy krahët, nxjerr përfitime për vete duke e pasur mirë me të dyja palët; ha me lugë të madhe. Ka ngrënë me *gjysmë luge (dikush) iron. Ha me lugë të florinjtë (dikush) është në gjendje shumë të mirë ekonomike, s’i mungon asgjë, bën jetë përrallore (për një të pasur). Ha me lugë të madhe (dikush) keq. përfiton nga diçka më shumë nga sa i takon; është lakmitar; ha me dy lugë. Ha me shumë lugë (dikush) keq. shih (është) me dyzet (me njëqind) flamurë (dikush) keq. Hyn (futet) si luga në pilaf (dikush) keq. merr pjesë menjëherë në diçka; ndërhyn shpeh edhe atje ku nuk i takon; është bërë lugë çervishi; fut hundët (hundën). Të jep ujë me *bisht të lugës (dikush). Me lugë në brez keq. 1. Që e ka mendjen vetëm për të ngrënë; që është i gatshëm për të ngrënë kudo e kurdoherë në kurriz të të tjerëve, qelepirxhi. 2. I gatshëm për të përfituar kudo pa u munduar vetë. Për një lugë çorbë për një përfitim shumë të vogël, për diçka fare të vogël; për pesë para spec. Me lugë të kon e me bisht të verbon (dikush) keq. është njeri me dy faqe, shumë i lig e dinak, në sy të ndihmon e pas krahëve të dëmton, ta punon prapa kurrizit. Lugë e larë. 1. Njeri që del i pafajshëm e i papërlyer, ai që nuk është ngatërruar fare në një çështje. 2. Njeri që s’ka asnjë mjet jetese, ai që s’ka gjë prej gjëje, që është shumë i varfër, njeri i këputur. Nuk i merr ujë luga (dikujt) tall. s’i ecën mbarë puna, nuk i vete mirë, s’fiton gjë; nuk i merr ujë lopata. E mat detin me lugë (dikush) nuk i gjen çdo gjëje mjetin e nevojshëm; bën diçka të pamundur, ia hyn një pune shumë të vështirë ose të pamundur; e mat detin me pëllëmbë; e than detin me lugë; i futet (i hyn) detit më këmbë; bën urë me gëzhdalla. S’i mbetet luga *bosh (dikujt). I mbeti luga në pilaf (dikujt) iron. ngeci e u turpërua keq, s’ia doli për diçka e mbeti me turp; nuk ia arriti asaj që donte; i ngeci sharra në gozhdë. I mbeti luga në *qull (dikujt) iron. Mbeti me lugë të zbrazët (dikush) mbeti fare pa gjë, nuk ka ç’të hajë; nuk fitoi asgjë. Mbytet në një lugë (me) ujë (dikush) e humbet toruan shumë shpejt, hutohet edhe përpara një gjëje fare të vogël, ngatërrohet lehtë; mbytet në një gisht ujë; mbytet në një filxhan (me) ujë; mbytet në një pikë ujë; mbytet në lumë pa ujë; mbytet në va. Të ngop me lugë të zbrazët (dikush) të gënjen me premtime të kota, të kënaq pa gjë; të mashtron lehtë, të gënjen pa gjë, të bën të besosh fjalët e premtimet; të jep ujë me shoshë; të ngop me erë; të mban me erë të mollës. Të ngop me *shpinë të lugës (dikush). Për një lugë *trahan gjer në Turan! krahin. tall. M’u njom luga u mëkëmba pak nga gjendja ekonomike, e mora pak veten; kam diçka për të ngrënë a për të jetuar; më zuri luga ujë. S’ia pret luga lugën (dikujt). 1. Ha me nxitim të madh, ngaqë është shumë i uritur. 2. Është shumë i nxituar në një punë, ngaqë mendon se do të ketë përfitim të shpejtë. *Shportë lugësh. S’i thahet luga (dikujt) s’mbetet pa ngrënë, s’i mungon kafshata e gojës, ka kurdoherë diçka për të ushqyer veten e fëmijët, nxjerr aq sa të jetojë; s’i mbetet luga bosh. E than detin me lugë (dikush) iron. merr përsipër një punë të vështirë e mburret se e kryen pa pasur mjetet e nevojshme a pa njohur mundësitë e veta; e mat detin me lugë; e mat detin me pëllëmbë; i futet (i hyn) detit më këmbë; e korr livadhin me gërshërë; bën urë me gëzhdalla. Ia thau lugën (dikujt) ia hoqi bukën e gojës; e la pa gjë fare. Të vë në *bisht të lugës (dikush). Më zuri luga ujë u mëkëmba pak nga gjendja ekonomike, po nxjerr diçka sa për të jetuar; m’u njom luga.
LÚGËS,~III m. sh. ~, ~IT 1. Kuti e posaçme prej druri, që varet në mur dhe shërben për të mbajtur lugët, mbajtëse lugësh, farashë. Lugës druri. Vë në lugës.
2. Lugë këpucësh; mbathësi i këpucëve.
3. Lugë e madhe; qepshe, garuzhdë. E ndau gjellën me lugës.
4. përb. Lugëlëngës, sahanlëpirës.
✱Sin.: lugëmbajtëse, farashë, lugësnik, koçele, kosh, rrikë, shelqe, lugë, mbathës, qepshe, garuzhdë, sahanlëpirës.
NGATËRRESTÁR,~I m. sh. ~Ë, ~ËT Njeri që përzihet në punët e të tjerëve për t’i ngatërruar, ai që shtie përçarje e grindje në mes të tjerëve; intrigant. Është ngatërrestar i madh. Ngatërrestari i futi në grindje dy shokët.
✱Sin.: furacak, futësak, shtiakeq, trazovaç, turbullues, llafazan, ngatërrimtar, intrigant, pishëvënë, pishëndezës, kallëkeq, kunjamadh, grindavec, hundëspec, thumbamadh, spicar, spicëtar, spicëmadh, ndezakeq, fjalëkeq, thumbaxhi, sherrmadh, belamadh, sherrak, sherrxhi, sherrbudalla, sherret, ngallicë, garuzhdë, belaqar, xhagajdur, grifshë, zemërligë, gjarpërushe, nepërkë, xhadë, bisbiq.
SAPLLÁK,~U m. sh. ~Ë, ~ËT [SAPLLÁK/E,~JA f. sh. ~E, ~ET] 1. Enë prej teneqeje, alumini, zinku etj., me vegjë, që përdoret për të pirë a për të marrë ujë a lëngje të tjera. Sapllak teneqeje. Mbushi sapllakun. I shtie ujë më sapllak.
2. Sasia që merr kjo enë. Piu një sapllak qumësht. I dha nga një sapllak ujë secilit.
3. Lugë e madhe me bisht për të ndarë gjellën. Sapllaku i vjetër i shtëpisë. E ndau gjellën me sapllak.
✱Sin.: kokme, safë, kënaçe, kallaje, bishtore, garuzhdë, qepshe.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë