Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
►GËZ/ÓHEM jovep., ~ÓVA (u), ~ÚAR 1. vetv. Ndiej gëzim, më mbushet zemra me gëzim. Gëzohem shumë (pa masë). Gëzohet me gjithë shpirt. Gëzohem që u njohëm. Gëzohem që ju shoh. U gëzofsh! (ur.) paç gëzim!
2. vetv. I shoh të mirën a dobinë dikujt a diçkaje; gjej kënaqësi e gëzim pranë dikujt a diçkaje; ndiej gëzim për diçka. I gëzohet djalit (nuses). I gëzohet shtëpisë së re. I gëzohen punës.
3. vetv., vet. v III (me një trajtë të shkurtër të përemrit vetor në r. dhanore) Mbushet me gëzim, kënaqet. Më gëzohet zemra (shpirti). T’u gëzoftë zemra!
4. pës. e GËZÓJ.
✱Sin.: galdohem, ngazëllohem, ngazëllehem, gazmohem, kthjellohem, shkrifërohem, kënaqem.
GËZ/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. kal. I sjell a i ngjall dikujt gëzim, ia mbush zemrën me gëzim; kënaq. Gëzon shokët. Gëzon prindërit. Gëzon fëmijët. Lajm që na gëzon. Të gëzon syrin.
2. jokal. Ndiej gëzim, gëzohem, mbushem me gëzim. Gëzon fëmija. Gëzon për rrobat e reja. Punove-gëzove. (fj. u.) puna është burim të mirash e kënaqësie.
3. kal. I shoh të mirën a dobinë dikujt a diçkaje; i gëzohem. I gëzoi mençurinë. Çfarë i gëzove atij?
4. kal. Mbaj diçka me shëndet dhe i gëzuar, arrij të kënaqem a të shijoj diçka. E gëzoi shtëpinë. Nuk e gëzoi jetën. I gëzofsh rrobat! (ur.) Mos e gëzoftë! (mallk.) (i thuhet dikujt që ka marrë një send që nuk i takon ose që ka grabitur a vjedhur diçka).
5. kal. Kam, zotëroj diçka. Gëzon liri të plotë. Gëzon të drejta të barabarta. Gëzon besimin (dashurinë) e dikujt. Gëzon përkrahjen e dikujt.
6. kal. Përkëdhel, ledhatoj. Gëzoj fëmijën. I gëzoi flokët.
✱Sin.: çel, kënaq, shendoj, shkrifëroj, ngazëlloj, ngazëllej, kam, zotëroj, trashëgoj, përkëdhel, ledhatoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë