Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
FÉRR/Ë,~A f. sh. ~A, ~AT 1. bot. (lat. Rubus plicatus) Emërtim i përgjithshëm për shkurre e bimë të egra me shumë degë dhe me gjemba. Degë ferre. Gjemb ferre. Gardh me ferra. Pres ferrat.
2. bot. Pjesë e parë e emërtimeve të pathjeshta që tregojnë lloje të ndryshme ferrash. Ferra e iriqit (lat. Chaerophylum temulum). Ferra e patës (lat. Sonchus oleraceus).
3. Degë a kërcell nga kjo shkurre; gjemb. Ishte shpuar nga një ferrë.
4. bot. Gjembaç. Gjethet e ferrës.
5. fig. Diçka e keqe ose njeri i keq që na pengon të ecim përpara, që na nxjerr vështirësi e telashe; gjë e keqe; hall i madh. Zhduk ferrat.
6. fig. Njeri që u ngjitet pas të tjerëve e i mërzit, që nuk të ndahet e s'të lë të qetë. I ishte bërë ferrë.
✱Sin.: manaferrë, drizë, gjemb, gjembaç, rrodhe, rrodhëz, rrëgjyrë, gërthje, spicë.
♦ *Bar në ferra. M’u bë ferrë (dikush) përb. m’u ngjit pas sa më mërziti, m’u qep e nuk më ndahet për diçka, nuk më shqitet pa ia përmbushur kërkesën; m’u bë rrodhe; m’u bë këpushë; m’u bë baltë pas këpuce. M’u bë ferrë (*halë) në sy (dikush). E ka ferrë në sy (dikë) shih e ka halë në sy (dikë). I bëhet (i duket) ferra Brahim (dikujt) ka frikë për çdo gjë, trembet për çdo gjë, çdo gjë i duket e frikshme e kërcënuese; i bëhet gogol. Çau ferrën (dikush) iku me të katra, u largua shpejt e për të mos u kthyer më; ua mbathi, u arratis; çau dushkun; ua mbathi (ua dha, u ra, ua theri) këmbëve. Eja ferrë e më gërric! thuhet për dikë që kërkon sherr, që kërkon shkak që të zihet me dikë, që është gati të bëjë sherr në çdo rast; shpie këmbën për gjemb (dikush); kërkon këmbë për gjemb (dikush); hahet me rrobat e trupit (dikush). Ferrë ndër lule keq. njeri i keq, që prish e dëmton, që nuk durohet në një mjedis të mirë. Nga ferra e vogël del lepur i madh fj. u. nga diçka që nuk duket a nga dikush që nuk ta mbush syrin, mund të vijnë rrjedhoja të rëndësishme a të arrihen gjëra të mëdha; në kishën e vogël fle një prift i madh fj. u. E hodhi një gur në ferrë (dikush) shih e hodhi një gur në ujë (dikush). I hynë ferrat (dikujt) filloi të shqetësohet për diçka; i hyri dyshimi e s’është i qetë derisa të sqarohet gjithçka; i hyri krimbi. Nuk i hyn ferrë në këmbë (dikujt) nuk vuan fare, nuk heq keq në jetë; nuk pëson asgjë; s’ka asnjë humbje; nuk i hyn gjemb në këmbë. Jam në (mbi) ferra shih rri në (mbi) gjemba. E kam ferrë nëpër këmbë (dikë a diçka) më shqetëson vazhdimisht, më bezdis e më pengon shumë; s’më ndahet dikush a diçka që s’e dua; m’u bë barrë (dikush a diçka); e kam gjalmë nëpër këmbë. S’ka ku ta kapë ferra (dikë) është shumë i varfër e i leckosur; s’ka gjë prej gjëje; s’ka ku ta zërë (ku ta kapë) qeni. E la *leshin nëpër ferra (dikush). Mori ferrën (diçka) u përhap kudo (fjala, lajmi etj.); e morën vesh të gjithë diçka; mori dheun. E mori ferra uratën mori fund diçka, është prishur a shkon tatëpjetë e nuk ndreqet më; s’ke ç’i bën, s’kthehet më mbrapsht. Mban ferra lakuriq (dikush) bën diçka shumë të vështirë e të mundimshme pa ndonjë arsye; ecën mbi driza. Të mbiftë ferra në derë! mallk. të rëntë një e keqe e madhe e t’u shofshin të gjithë!, mbetsh pa njeri!; të dalshin hithra në vatër!; t’u shoftë pragu!; t’u mbylltë dera (t’u mbylltë)!, edhe shak. I kanë mbirë ferrat (dikujt) keq. ka vdekur me kohë, është harruar; i ka mbirë bari një pëllëmbë; ia ka mbuluar varrin bari; i është bërë bari sa hanxhari keq. Mbjell ferra nëpër këmbë (dikush) krijon pengesa e vështirësi që të ndalojë përparimin e dikujt në një punë; i vë (i fut) shkopinj në rrota (dikujt); i vë gur në rrota (dikujt). Ia mbylli *derën me ferrë (dikujt). *Mëllenjë në ferra keq. (I tregoi) ferrë e përrua (dikujt) i mësoi gjithçka, ia tha të gjitha, nuk i la gjë pa thënë; i zbrazi zemrën. I vuri ferrën (diçkaje). 1. E la krejt, e braktisi, s’kujdeset më fare për të; e mbylli për gjithnjë; i vuri drizën. 2. (dikujt). Nuk i la njeri pas, e shoi me tërë familjen, e fiku krejt, e shkretoi; ia shoi pragun; i vuri (i hodhi) rezen (shtëpisë, derës). I zuri ferra *këmbën (këmbët) (dikujt).
GËRVÍSHT vep., ~A, ~UR kal. 1. Çjerr pak lëkurën me thonj; çjerr pak sipërfaqen e një sendi me diçka të fortë e me majë; gërryej pak duke i hequr shtresën e sipërme, skërfit. Gërvisht lëkurën (fytyrën, dorën, gjurin). Gërvisht enët. Gërvisht murin (derën). Gërvisht tokën. Gërvisht plagën. E gërvishti macja. Gërvisht me thonj. Gërvisht me thikë. Gërvisht me parmendë.
2. fig. I shkaktoj dikujt një shqetësim në veshë, çjerr; e prek dikë thellë në ndjenjat e tij, e prek në zemër, i këput shpirtin dikujt. Na gërvishti veshët. Më gërvishti zorrët. Na gërvishti zemrën (shpirtin).
✱Sin.: çjerr, skërfit, gris, fshik, çukis, gërric, zhvoshk, kruaj, skërmis, prek.
♦ I gërvishti (i ngacmoi) *plagën (dikujt). Më gërvisht në *zemër (për dikë a për diçka). Më gërvisht (më gërryen) *zorrët (dikush a diçka).
SHKARRAVÍT (SHKARRAVÍS) vep., ~A, ~UR kal. 1. Shkruaj keq dhe pa kujdes, shkruaj me shkronja të shtrembra e të palexueshme; bëj vija të shtrembra e pa kuptim (zakonisht për fëmijët e vegjël); mbush muret etj. me shkrime a me vizatime të parregullta, që u prishin pastërtinë e bukurinë, nxij (fletoren). Shkarravit duart. Shkarravit muret. Shkarravit detyrat. Shkarravit në tokë (në rërë).
2. fig., mospërf. Shkruaj punime, vepra a diçka tjetër pa vlerë. E shkarraviti kumtesën. Shkarravit vargje. Shkarraviti ca shifra.
3. fig. Prish, shkatërroj. Ia shkarraviti të ardhmen. Shkarravit historinë.
4. Gërvisht lëkurën me thonj; çjerr. E shkarraviti me thonj. Ia shkarraviti faqen.
✱Sin.: nxij, çjerr, gërric, gris, zhgrap.
VRAZHN/ÓJ vep., ~ÓVA, ~UAR kal. 1. Kruaj, fërkoj lëkurën kur më kruhet, kur më ha; e kruaj me thonj sa e gërvisht, e gërric, e çjerr pak. E vrazhnoi lëkurën duke e kruar. Vrazhnoi fytyrën. Vrazhnoi plagën. Mos e vrazhno varrën! E vrazhnoi macja me thonj. Atëherë na vrazhnonin tirqit vegëve.
2. Gërvisht pak sipërfaqen e një sendi me diçka të fortë. Vrazhnoi fundin e tenxheres. Vrazhnoi enët. Vrazhnoi (murin) derën.
✱Sin.: fërkoj, skërmit, skërfit, gërvisht, gërric, çjerr.
ÇËRM/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. vetv. v. III Rrëmon me brirë dheun para se të sulmojë (për demat).
2. Gërmoj dheun me shat ose lopatë për të hapur një gropë ose lehe etj.
3. Gërvisht, gërric lëkurën. E rishtas çërmoj dregëzat pezmatuese.
4. fig. Hetoj, hulumtoj për të zbuluar ndonjë të fshehtë. Personazhet që ne i çërmojmë për të marrë diç prej tyre. Shkruan pa çërmuar mbi asnjë referencë.
✱Sin.: rrëmoj, gërmoj, gërvisht, gërric, hetoj, hulumtoj.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë