Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
DROG/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E bëj dikë të marrë a të përdorë drogë; e narkotizoj. E droguan pa dijeninë e saj.
2. fig., keq. E gënjej a e mashtroj me fjalë të bukura për të mos zbuluar të vërtetën, e vë në gjumë. E droguan popullin me mashtrime. Ndonjëherë e drogojnë veten me ëndrra idesh të reja.
GAB/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR 1. jokal. Bëj një gabim në të folur a në të shkruar, në lexim, në numërim, në llogaritje etj. nga mosnjohja e rregullave ose nga pakujdesia; bëj diçka në mënyrë jo të përpiktë. Gabon në numërim (në shqiptim, në të shkruar). Gaboi në llogari.
2. jokal. Bëj një veprim të shtrembër në jetë a në punë, sillem në një mënyrë që nuk përputhet me normat a me rregullat morale të vendosura nga shoqëria; kam një ide, mendim a pikëpamje jo të drejtë; bie në gabim, gabohem. Gabon rëndë. Gaboi në punë.
3. kal. Ngatërroj diçka nga mosnjohja, nga padija a nga pakujdesia, e marr tjetër për tjetër; ngatërroj (edhe fig.). Gaboi rrugën. Gaboi derën. Gaboi adresën (drejtimin).
4. kal. Bëj që dikush të bjerë në gabim duke e mashtruar, e bëj të gabohet, e shtie në gabim; mashtroj; gënjej. I gaboi fëmijët. Syri të gabon. Pamja e jashtme (veshja) të gabon.
✱Sin.: lajthis, shkas, rrëshqas, shqepoj, teproj.
♦ Gabon (ngatërron) *adresë (dikush) iron. Më gabojnë (më gënjejnë) *sytë.
►GËNJ/ÉHEM jovep., ~ÉVA (u), ~ÝER 1. vetv. Besoj lehtë, marr për të vërtetë diçka që s’është e tillë; bie në gabim; gabohem.
2. vetv. Merrem me diçka sa për të kaluar kohën ose për të harruar një brengë që më mundon.
3. vetv. Ushqej shpresa të kota, gënjej a mbaj veten me shpresa. Prita, prita, po u gënjeva.
4. pës. e GËNJÉJ.
✱Sin.: gënjehem, gabohem, mashtrohem, miklohem, rrehem, fluturoj.
GËNJ/ÉJ vep., ~ÉVA, ~ÝER 1. kal. I them dikujt diçka që s’është e vërtetë, i them dikujt gënjeshtra për të fshehur me vetëdije të vërtetën ose për ta mashtruar. Gënjejnë njëri-tjetrin. Nuk të gënjej. E gënjeu pa dashje (pa qëllim). E gënjeu sy ndër sy.
2. jokal. Nuk them a nuk tregoj të vërtetën, them gënjeshtra, them gjëra të paqena për dikë a diçka. Gënjen shpesh (pa masë, pa pikë turpi). Pse gënjen? Nuk di të gënjejë. E ka zakon të gënjejë. Mos gënje!
3. kal. Josh dikë me fjalë të bukura a me sjellje jo të çiltra për ta bërë për vete e për të përfituar diçka prej tij; mbaj, ushqej dikë me shpresa të kota e me premtime; ia bëj me hile, ia hedh dikujt; pres në besë dikë, shkel fjalën a premtimin që i kam dhënë dikujt; mashtroj. Gënjej armikun (kundërshtarin). E gënjen me shpresa (me fjalë). Gënjen veten mbahet me shpresa të kota.
4. kal. Bëj që dikush ta marrë dikë a diçka jo ashtu siç është në të vërtetë, bëj që të gabohet, e gaboj. Syri të gënjen. E gënjeu mendja. Na gënjeu pamja. E gënjyen veshët. Të gënjejnë shpresat.
5. kal. I tregoj ose i jap diçka dikujt që beson lehtë (zakonisht një fëmijë) për ta zbavitur, për ta pushuar kur qan etj.
6. sport., kal. E mashtroj kundërshtarin me top për t’iu shmangur ose për t’i kaluar përpara, dribloj.
♦ E gënjen (e rren) *mendja (dikë). Më gënjejnë (më gabojnë) *sytë. Më gënjejnë (më bëjnë) *veshët. Gënjen *veten (dikush).
✱Sin.: gënjej, mashtroj, mbaj, tall, shkel, rrej.
HA vep., HËNGRA, NGRËNË 1. kal. Përtyp dhe kapërdij diçka për t'u ushqyer (zakonisht gjëra jo të lëngshme ose gjysmë të lëngshme). Ha bukë (mish, patate, karota, speca). Ha gjellë (supë). Ha dardhë (banane, rrush, portokalle). Ha ëmbëlsirë (çokollata, tortë).
2. kal. Ushqehem; përdor si ushqim; marr ushqimin në një kohë të caktuar (për drekë, për darkë etj.). Ha në shtëpi (në restorant, në mensë, në shkollë). Ha shumë (pak). Ha shpejt (ngadalë, herët, vonë). Ha mëngjes (drekë, darkë). Ha ushqim tradicional (meksikan, italian) I jap të hajë. Ha bukën time nuk u bie në qafë të tjerëve. Ha bukën e mikut, bën duanë e armikut. (fj. u.) merr të mira nga dikush dhe i shërben dikujt tjetër. Kur s'ke pulën, ha (edhe) sorrën. (fj. u.) kur nuk ke mundësi për diçka shumë të mirë, do të kënaqesh edhe me pak. Ç’i ha goja do ia tregojë boja. (fj. u.) ai që ha shumë, e shfaqe në pamjen e jashtme.
3. jokal. Kafshoj; thumboj, pickoj. E hëngri qeni (ujku, ariu). E hëngri grerëza. E hëngri gjarpri. E ha me dhëmbë. E kanë ngrënë mushkonjat (pleshtat, tartabiqet).
4. kal. E gërryej diçka a e grij pak e nga pak, e brej duke e kruar a duke e fërkuar me diçka ose pas diçkaje; e prish diçka duke e copëtuar grimca-grimca. Ha me limë. Ndryshku e ha hekurin. I ka ngrënë mola rrobat. E ka ngrënë krimbi drurin. Uji ha edhe gurin. E ka ngrënë lumi (përroi) bregun. I hëngri pak anët (qoshet). E ha me dhëmbë perin e këput me dhëmbë.
5. fig., bised., kal. (zakon. me trajtë të shkurtër përemërore) Më mundon diçka përbrenda vazhdimisht, më grin përbrenda pak e nga pak, më bren, s'më lë të qetë; vuaj përbrenda. E hëngri hidhërimi. E hëngri malli për dikë a për diçka. Ha inat me vetveten. Ha veten nga marazi (nga inati). Mua më ha gjetkë më shqetëson diçka tjetër; dyshoj për diçka a për dikë tjetër.
6. kal. Shqiptoj gjysma-gjysma, në mënyrë jo të plotë a jo shkoqur. I ha rrokjet, tingujt. I ha në fund (në fillim).
7. jokal. kryes. v. III (me trajtë të shkurtër përemërore) Më kruhet (trupi, lëkura). Më ha i gjithë trupi (koka, dora, hunda).
8. kal. E prish, e shpenzoj krejt, e shkrij; vet. vet. v. III shpenzon, kërkon, merr, do. E hëngri mallin (pasurinë). I hëngri të gjitha paratë. Ha nga dhjami i vet mbahet me ato që ka, harxhon nga malli i tij. Do të hajë krahë kjo punë. Shtëpia hëngri shumë tulla. Byreku hëngri mjaft gjalpë. Kostumi hëngri tre metra stof.
9. fig., shah., kal. Ia fitoj, ia marr dikujt atë që i takon: marr një ushtar, një figurë a një gur të kundërshtarit (në lojën e shahut, të damës etj.). I hëngri kalin. Ha një ushtar. Ha me damë (me mbretëreshë).
10. fig., bised., kal. E qëlloj me diçka, marr një të goditur. Hëngri një shkelm, një pëllëmbë, një shuplakë.
11. kal. Më futet diçka në trup, marr a pësoj diçka në trup a fizikisht. Hëngri një shi të mirë u bë qull nga shiu. Hëngri plumbin. Hëngri thikën e qëlluan me thikë; e çanë, e operuan. Ka ngrënë goditje të rënda.
12. fig., kal. Vuaj një pasojë a diçka të keqe; përjetoj diçka që nuk më pëlqen, që më pengon të ndihem mirë. Hëngri të shara (vërejtje). E hëngri keq. Pse ta hante ai? E hëngrëm kot tërë këtë rrugë. Hëngrën tre gola.
13. fig., kal. dhe jokal. Përdoret në togje fjalësh (edhe në disa njësi frazeologjike), zakonisht me lidhëzën sa, me kuptimin: “sa arrin caku më i lartë a më i largët, sa mban, sa kap, sa përfshin, sa rrok, sa ka mundësi”. I binte sa i hante krahu (shpatulla). Thërriste sa i hante gurmazi. Fliste sa i hante gjuha. Ishte tepër larg, s'ta hante syri. Ishte aq larg sa ha plumbi (pushka). E ha pushka e arrin plumbi i pushkës, mund ta qëllosh me pushkë.
14. fig., kal. Përdoret në njësi frazeologjike, edhe me pjesëzat mohuese s’ dhe nuk, me kuptimin ‘(nuk) mashtrohem, (nuk) kuptoj, (nuk) pranoj’. S'e ha kilen për okë. S'e ha as qeni (as macja, as derri). E hëngri sapunin për djathë (shapin për sheqer). S'e ha shapin për sheqer. S'e ha helmin për sheqer. S'e ha thatë nuk e gënjejnë dot të tjerët, nuk ia hedh dikush. S'e ha lehtë (kollaj). Nuk ha shaka. Nuk hante arsye (këshilla). S'e ha paranë (peshqeshin, mitën, ryshfetin, bakshishin). S'e ha mikun. S'i ha lajkat.
15. fig., kal. E tregoj më të pakët a më të vogël nga sa është në të vërtetë, e ul a e pakësoj diçka për qëllime të caktuara. Kjo prerje flokësh ia ha fytyrën. Ky kostum ta ha barkun. I ha vitet.
16. fig., kal. Ia heq a ia marr një tjetri diçka që i takon, nuk ia jap atë që i përket; përvetësoj pasurinë e një tjetri, e vjedh duke e mashtruar, e gënjej. I hëngri djersën (mundin). I hëngri hakun (të drejtën). Ia hëngri paratë (mallin, pasurinë). E hëngri në peshë (në kandar, në hesap).
17. fig., kal. Më bren përbrenda, më shkatërron shëndetin, më mundon shumë, më sfilit, më bezdis a më mërzit shumë. E hëngri malli (sëmundja, meraku). Na hëngri shiu (lagështia, vapa). E hëngri kurbeti. I hëngri gërnja. Lakmia e tepërt të ha kokën. (fj.u.) ai që lakmon shumë, e pëson.
18. fig., kal. Më lodh e më mundon shumë; më mbyt, më vdes, më shpie në varr, më asgjëson (përdoret kryesisht në njësi frazeologjike). Na hëngre me këto. S'e ha ndonjë e keqe. S'e ha gjë. E ngrëntë (e hëngërt) flama (kolera, fruthi)! (mallk.)
19. fig., bised., kal. Marr vesh, kuptoj (përdoret edhe në një numër njësish frazeologjike). Nuk ha shqip. Nuk ha me të mirë, e do me të keq. Nuk ha fjalë.
20. fig., bised., kal. Mund ta kryej diçka, jam i aftë për diçka; besoj se e bëj diçka; matem me dikë, ia dal, e përballoj; mendoj, besoj, them se... E ha të përpjetën. S'e ha dot këtë rrugë. S'e hante dot atë punë. Nuk e ha dot me të. Nuk të ha s'është i zoti. Ma ha syri besoj se e bëj diçka. Ma ha mendja mendoj, them se ia dal diçkaje. S'ma ha zemra s'më besohet, s'dua ta besoj diçka.
21. fig., bised., kal. E kaloj, e shkoj kohën (zakonisht me vështirësi e me mundime); më merr, më zë (një kohë të caktuar). Ka ngrënë kurbet. E hëngri jetën udhëve. Ka ngrënë jetën e tij (me një punë). Njeriu e ha më lehtë me shokë. Na hëngri shumë kohë.
22. fig., jokal., vet. vet. v. III Anon, merr a shmanget në një anë. Ha ana. Ha nga e djathta (nga e majta). Pushka ha lart (poshtë, majtas, djathtas).
✱Sin.: përtyp, kapërdij, ushqehem, kafshoj, thumboj, pickoj, gërryej, grij, brej, shpenzoj, prish, shkrij, fitoj, qëlloj, pësoj, vuaj, marr, pranoj, duroj, honeps, mbaj, pakësoj, mohoj, përvetësoj, vjedh, gënjej, asgjësoj, sfilit, kuptoj, përballoj, mendoj, besoj, matem, kaloj, shkel, anoj, shmangem.
♦ E bëri të hante *bar (dikë) përb. Si *buka që ha. Di vetëm të hajë *përshesh (dikush) mospërf. Më ha *ana (më dikë). Nuk ha *arsye (dikush). T’i ha *arrat (dikush). Nuk ia ha dot *arrat (dikujt). Hëngri *baltë (dikush) përçm. Ha *bar (dikush). E hëngri *barin (dikush). Nuk më ha *barku përçm. E hëngri (e preu) në *besë (dikë). S’ha (s’mban) *bodec (dikush). Hëngri botë (dikush) përçm. I hanë *brirët (dikujt). Ha *bukë (diçka a dikush). Nuk ha *bukë (diçka). I ha *bukën (dikujt). Ha (e pi) në një *çanak (me dikë) keq. Ia ka ngrënë *çorbën (dikujt) mospërf. Hëngri *dajak (dikush) tall. S’ha *daltë (dikush). Edhe i ha, edhe i djeg (dikujt) iron. bised. edhe ka qejf dikush për diçka, edhe nuk i pëlqen a nuk i leverdis; edhe do, edhe s’do; edhe i vjen mirë, edhe i mbetet qejfi. I ha *dora (dikujt). Më hanë *duart (për punë). Të ngrënça *drekën! mallk. (Ka) sa të hajë *dreqi. bised. Të ha në *dritë të syrit (dikush). Hëngri (mori) një *dru (të mirë) (dikush). Hëngri *dynjanë (dikush). Hëngri *dhe (dikush) përçm. Të ngrëntë (të përpiftë) *dheu! mallk. E ha me *dhëmbë (dikë a diçka). Sikur ka ngrënë *egjra (dikush). E ha *fjalën (dikush). Sa i ha *fyti. Nuk ha (s’merr) *të gdhendur (dikush). Sa i hëngri *goja. Të ngrëntë goja *mjaltë! (ur.) Nuk i ha ato *gorrica. Ha në një *grazhd (me dikë) përb. Sikur ka ngrënë *grera (dikush). Të ngrënça *grurin! mallk. Hëngri një *grusht (dikush). Sa i ha *gurmazi. E hëngri *të gjallë (dikë). E hëngri *gjarpri (dikë). I ha *gjuha (dikujt). Më hëngri *gjuha. Sa i ha *gjuha. Hëngri (kafshoi, zuri) *gjuhën (dikush) përçm. I hëngri *hakun (dikujt). Të ngrënça (të ndafsha, të bëfsha) *hallvën! mallk. bised. I ha *hijen (dikujt). I hanë *hundët (i ha hunda) (dikujt). Ha *inat (dikush). Ka ngrënë *jetën (dikush). S’e ha as *kalemi (diçka). Ia hëngri *kaptinën (dikujt) bised. E hëngri *karremin (dikush) iron. Ha *kashtë (dikush). Sa i hanin *këmbët. Ha *këmbët e veta (dikush). I ha (i kruhet) *koka (dikujt). Ia hëngri *kokënI (kryet) (dikujt). Ia hëngri *kokënII (kryet) (dikujt). Hanë *kokën (me njëri-tjetrin). *Kokën të hanë! mospërf. I ha *koka për brirë (dikujt). Të ha *kokërdhokun (e syrit) (dikush). Të ngrëntë (të shoftë, të preftë) *kolera! mallk. Hëngri *kopaçe (dikush). Aq i ha *krahu (dikujt). Sa i ha *krahu. E ha (e bren) *krimbi (dikë). Kujt i ha (i *djeg) le të kruhet! Ia hëngri kryet (*kokënI) (dikujt). Ia hëngri kryet (*kokënII) (dikujt). E hëngra *kullotën mospërf. I ha *kurrizi (shpina, rruaza) (dikujt). Ha (rron) në *kurriz (në shpinë) (të dikujt). Të ha pas kurrizit (pas *shpine) (dikush). S’ha *kuvend (dikush). I hëngri *lakrat (dikush) iron. Të ha pa lehur (dikush) keq. shih të ha pas shpine (pas kurrizit) (dikush). I ha (i kruhet) *lëkura (dikujt). E hëngra *livadhin (çairin) mospërf. (Ka) sa të hanë *lopët (nga diçka) bised. Ha *llërët. S’e ha as *macja (diçka). S’më ha (s’më pret) *malli (për dikë a për diçka) iron. I ka ngrënë *mendtë (dikush). Më ha *mendja (për dikë a për diçka). Ma ha (ma merr, ma pret) *mendja. Më ha *meraku se... Nuk më ha *meraku (për dikë a për diçka). Më hëngri *mëlçinë (mushkëritë) (dikush). Ka ngrënë *mjaltë (dikush). Më hëngri mushkëritë (*mëlçinë) (dikush). Të ngrëntë (të marrtë) *mortja! mallk. Të ngrëntë (të rëntë) *murtaja! mallk. Sa i hanë *mushkëritë. Ka ngrënë (ka gëlltitur) *okllainë (dikush) tall. Ia hëngri *orën (dikujt). Nuk i ha *palla (dikujt). Sa i ha *palla (dikujt). Ia hëngri (ia thithi) *palcën (dikujt). Sikur ha *perona (dikush). S’i kam ngrënë *petullat (dikujt). Më ha (më bren, më gërryen) *përbrenda. Ha *përshesh (dikush) mospërf. Nuk i kam ngrënë (nuk i kam thyer) *poganikun (dikujt a diçkaje). Nuk e ha *punën (dikush). Ia hëngri *pupat (dikujt). E hëngri me gjithë *pupla (dikë) bised. Nuk ha (nuk merr) *pykë (dikush). I ha *qafa për këmborë (dikujt). S’e ha as *qeni (s’e hanë as qentë) (diçka). (Ka) sa të hanë *qentë (nga diçka) bised. (Sikur) qeni *qepën të hajë! I ha (i kruhet) rruaza (*kurrizi, shpina) (dikujt). Ha në një *sofër (me dikë) keq. Punon *sot e ha sot (dikush). Ma ha (ma merr) *syri (diçka). Ia hëngri *sytë (dikujt). E ha me *sy (dikë a diçka). Sa të ha *syri (deri ku të arrin syri). Sikur ka ngrënë *shajka (dikush). I ha *sharra (dikujt). I ha (i kruhet) shpina (*kurrizi, rruaza) (dikujt). Të ha pas *shpine (pas kurrizit) (dikush). Ha (rron) në shpinë (në *kurriz) (të dikujt). Më hëngri *shpirtin (dikush). Ia hëngri *shpirtin (zemrën) (dikujt). Ma hëngri (ma nxiu) *shpretkën (dikush). Hëngri *shtatin (dikush). Nuk ha *shqip (dikush). Hëngri (mori) një *shuplakë (një dackë) (dikush a diçka). *Tund e ha (dikush). S’e ha *thatë (dikush). Më ha *zemra (te dikush a te diçka). Hëngri *shtatin (dikush). E hëngra *tagjinë. Të ha (edhe) *trarët (dikush) keq. Më ha *trupi (për punë). Të ngrëntë (të çaftë, të preftë) *ujku! Nuk i ha ato *vadhëza. Më ha *vendi. I hanë *veshët (dikujt). Më hëngri *veshët (dikush). Ha veten me *dhëmbë (dikush). Ha veten nën *lëkurë (dikush). Të shkul *vetullat e të ha petullat (dikush) iron. Më ha (më bren) *zemra (te dikush a te diçka). Ia hëngri zemrën (*shpirtin) (dikujt). S’ma ha *zemra. Ma hëngri *zemrën (dikush). Sa i ha *zëri. Më ha *zorrët (dikush a diçka).
HEDH vep., ~HÓDHA, ~HÉDHUR 1. kal. E lëshoj diçka me forcë a me shpejtësi larg vetes ose në një drejtim të caktuar, flak tutje diçka që kam në duar. Hedh gurin (shkopin, topin). Hedh shigjetën (shtizën, diskun). Hodhi kapelën në erë. E hedh larg (afër, lart, përpjetë).
2. kal. I jap dikujt diçka duke e flakur drejt tij, ia vërvit për t’ia dhënë; i shtie, i jap. I hedh portokallin. I hedh lapsin (fletoren, librin). I hedh kutinë e duhanit (një cigare). U hedh pulave misër. U hedh kafshëve bar.
3. kal. E flak tutje si gjë të panevojshme dhe pa vlerë. Hedh mbeturinat (plehrat). E hedh poshtë diçka. E hedh në zjarr.
4. fig. E përzë dhe e braktis dikë. E hodhi në rrugë të madhe (në mes të katër rrugëve).
5. kal. E shtyj dikë a diçka për ta rrëzuar ose e lë të bjerë, e bëj të bjerë; e lëshoj nga lart poshtë, nuk e mbaj; e lëshoj për tokë. E hodhi nga shkallët. E hodhi jashtë dritares. E hodhi në gropë (në greminë, në hendek, në batak). E hedh për tokë. E hedh poshtë. Hodhën bomba (parashutistë, ushqime) nga aeroplani. I hodhi era tjegullat nga çatia. Hedh farën në arë. Hedh grurë (misër, fasule) mbjell. Po i hedhin fiqtë kokrrat. I hodhën gjethet (lulet) pemët. Kanë hedhur pemët. Hedh grepat për të peshkuar. E hodhi tërmeti shtëpinë. E hodhi lisin për tokë. E hedh poshtë dikë e rrëzoj përtokë; e mund.
6. edhe fig., kal. E shtyj në një drejtim të caktuar, e çoj drejt një vendi të caktuar, e nxjerr diku. E hodhi vala në breg. E hodhi era diku. Atje e hodhi fati.
7. kal. Bëj që të bjerë diçka që është me këmbë, e rrëzoj përdhe. E hodhi tërmeti shtëpinë. E hodhi lisin për tokë. E hedh poshtë dikë e rrëzoj përtokë; e mund.
8. kal. Vërvit drithin përpjetë në erë, e ngre në ajër me lopatë a me një enë dhe e lëshoj për të ndarë kokrrat nga kashta a nga byku. Hedh drithin (grurin, misrin, orizin, fasulet).
9. kal. E marr dhe e vë diçka në një vend për një qëllim të caktuar, e vendos; e shtrij mbi diçka a mbi dikë për ta mbuluar. Hedh pushkën në krah. Hedh shallin në qafë. I hedh mbulesën krevatit. I hedh kalit një velenxë. U hedh shuaj këpucëve. I hedh kupat (ventuzat) një të sëmuri.
10. kal. E lë diçka pa kujdes e pa rregull, nuk e vë në vendin e vet, e vë ku mund andej-këtej. I ka hedhur rrobat nëpër dhomë. I ka hedhur lodrat nëpër shtëpi. I hodhi librat andej-këtej. I hodhi drutë grumbull.
11. edhe fig., kal. E fut diçka diku, e shtie një send a një lëng brenda një ene; shtie një lëng në një lëng, ia shtoj një lëng një lëngu tjetër; e lyej a e spërkat diçka me një lëng. Hedh ujë në gotë. Hedh raki (verë). U hedh ujë luleve ujit lulet. Hedh gjellën në pjatë. Hedh drutë në sobë. Hedh grurin në thes. Hedh bukën në furrë. I hedh kripë (salcë, gjalpë) gjellës. I hedh vaj (uthull) sallatës. I hedh ujë verës. Hedh votën votoj. Hedh letrën në kuti (në postë). E hodhën në burg, bised. e burgosën.
12. bised.. kal. Pi, kthej. Hodhi një gotë raki (verë, birrë). Hodhi një teke.
13. kal. Vë a shtie diçka mënjanë për ta ruajtur për një kohë tjetër; mbledh, grumbulloj diçka. Hedh zahire (dru) për dimër. Hedhin pastërma. E kanë hedhur bereqetin sivjet. Hedh gjethe (bar, dushk) për bagëtinë.
14. kal. Lëshoj a nxjerr diçka; nxjerr, Gjarpri hodhi helmin. Ka hedhur lastarë (gjethe). Hedh shkëndija (xixa). Dielli hedh rreze.
15. fig., kal. Shtroj një mendim, parashtroj. Hedh një mendim. Hodhi idenë. I hedh romuze dikujt.
16. kal. Bëj të lëvizë shpejt, e çoj në një drejtim të caktuar (për një pjesë të trupit). Hedh hapin (këmbët, çapat). Hedh kokën mënjanë. Hedh flokët prapa. I hedh krahët në qafë. Hedh valle kërcej.
17. kal. E çoj dikë a diçka me shumicë e me vrull në një vend të caktuar; e drejtoj diku, e bëj që të veprojë. I hedh trupat në luftë. I hedh të gjitha forcat në beteje. Hedh forcat rezervë.
18. fig., kal. E nxjerr dhe e përhap; e vë. Hedh mallrat në treg. Hedh librin në qarkullim. E hedh në aksion.
19. edhe fig., kal. I vë diçka për një qëllim të caktuar (për ta kapur, për ta penguar a ndaluar, për ta mbyllur, për të marrë diçka prej dikujt etj.). I hodhën prangat (hekurat, zinxhirët). I hedh lakun (kapistrën, frerin, litarin). I hedh llozin (shulin) derës. I hodhën gjobë.
20. bised., kal. Ndërtoj diçka në një vend, bëj; vë. Hedh një kat të ri (në një ndërtesë). I hedh çatinë shtëpisë. I hedh trarët (tjegullat).
21. kal. Shkruaj diçka diku; hedh një mendim në letër a e rishkruaj diçka në një vend tjetër; vë (nënshkrimin etj.). I hedh mendimet në letër. E hedh në regjistër (në fletore, në tabelë) I hedh shënimet në të pastër. Hedh nënshkrimin.
22. kal. E drejtoj diku shikimin, vëmendjen. Hedh sytë diku. I hodhi një vështrim. E hedh mendjen diku. I hedh një sy një teksti.
23. fig., kal. Përqendroj diku a tek dikush diçka. I hodhi shpresat tek ai.
24. edhe fig., bised., kal. E kaloj diçka, i dal matanë; e kapërcej. E hodhi lumin (përruan, vaun, hendekun) i kaloi vështirësitë, e kapërceu pengesën. E hodhi gardhin. E hodhi klasën (provimin). Do ta hedhë edhe këtë herë sëmundjen. E hodhën dimrin. E hodhi lehtë.
25. fig., bised., kal. E çoj me punë në një vend tjetër; e emëroj, e caktoj. E kanë hedhur me punë në një shtet fqinj. Ku e kanë hedhur?
26. edhe jokal. Bëj një fall, një lotari etj. për të provuar diçka; përpiqem të mësoj a të provoj diçka me anë të fallit (sipas paragjykimeve); shtie. Hedh shortin. E hodhi në lotari. Hodhi zaret provoi fatin. Hodhi qiqrat. bised. Shtiu fall.
27. fig., kal. E shtroj diçka para të tjerëve për ta gjykuar a për ta vendosur. E hedh në diskutim. E hedh për gjykim. E hedh në votë. E hedh në provë. E hedh në gjyq e ngre në gjyq, e padit.
28. fig., kal. Krijoj për dikë një gjendje të caktuar, zakonisht të rëndë. E hodhën në dëshpërim. I hodhën në mjerim (në varfëri, në skamje).
29. fig., kal. Ia ngarkoj dikujt, ia vë përsipër (një faj, një gabim etj.). Ia hodhi fajin një tjetri. Ia hedh përgjegjësinë dikujt. Ua hedh gabimet të tjerëve.
30. fig., bised., kal. E gënjej dikë, e mashtroj me dredhi, ia shkoj ujët nën vete. U përpoq t'ia hidhte. Atij s'ia hedh dot. Kujt do t'ia hedhësh?
31. bised., jokal. Roit, shtie (për bletën). Hodhi bleta.
32. bised., kal. Dështoj; shtie (për njerëzit e kafshët). Hodhi delja (dhia). Ka hedhur dy fëmijë.
33. jokal. Bie me shumicë (për borën e shiun). Po hedh borë. Po hedh metale. Po hedh shi.
✱Sin.: flak, nxjerr, lëshoj, vërvit, shtyj, rrëzoj, braktis, përzë, mbuloj, shtie, shtoj, lyej, kthej, grumbulloj, mbledh, shtroj, parashtroj, drejtoj, veproj, përhap, ndërtoj, vë, nënshkruaj, rishkruaj, përqendroj, kaloj, kapërcej, emëroj, caktoj, vendos, gjykoj, krijoj, ngarkoj, ngjesh, kaloj, gënjej, mashtroj, punoj, ngop, roit, dështoj.
♦ I hedh (i vë) një *arnë (diçkaje). Hedh *baltë (mbi dikë a mbi diçka). E hedh në *baltë (diçka) keq. I hodhi *ballgamin (dikujt). Ia hodhi (ia shkarkoi) *barrën (dikujt). Hodhi (vuri) bazat (*themelet) (e diçkaje) libr. Hedh *bishta (dikush) keq. Hedh (lëshon) *bojë. Hedh një *brez (një shtresë). I hodhi *cergën (dikujt) keq. Hodhi *çengelin (dikush). Ka hedhur *çengelat (dikush). Të hedh *degë më degë (dikush). E hedh (e bën, e çon) *dëm (diçka a dikë). I hedh dorashkën (dorezën) (dikujt) libr. I hedh dorezën (*dorashkën) (dikujt) libr. Hedh *dorë. Hodhi *dritë (të re) (mbi diçka) libr. I hodhi *duvakun (diçkaje). E hodhi *dyfekun (dikush) keq. Hedh në *erë (diçka). Ku e hedh *era (dikë). Hedh (shtie) *fall (dikush). Hidh (mbill) *farë e korr farë. E hodhi *fjalën (për dikë a për diçka). E hodhi (e kapërceu, e kërceu) *gardhin (dikush). E hedh me një *gisht (dikë). E hodhi në *greminë (dikë a diçka). I hedh *grepin (grepat) (dikujt a diçkaje). I hodhi *gunën (diçkaje). I hedh *gurë (dikujt). Hedh *hapin. Hedh në *hava (diçka a dikë). E hodhi në *hendek (dikë) përb. E hodhi (e kapërceu) *hendekun (dikush). Hedh *hijeI (dikush a diçka). Hedh *hijeII (mbi dikë a mbi diçka). I hedh *hije (dikujt a diçkaje). I hedh *jorganin (diçkaje a dikujt). Ka hedhur *kanxhat (dikush). Ia hodhi *kanxhat (dikujt). E hodhi *kapërcyellin (dikush). I hedh *karremin (dikujt). E hedh (e vë) *këmbën mbi këmbë. E hodhi *këmbëpërpjetë (dikë) shpërf. I hodhi (i dha) një *kockë (dikujt). Të hedh *kodër më kodër (dikush). E hodhi në *kosh (në koshin e plehrave) (diçka) mospërf. Hodhi *krahë (dikush). E hodhi pas *krahëve (diçka). I hedh *kripë (diçkaje). I ka hedhur *kthetrat (dikujt). E hodhi pas (prapa) *kurrizit (diçka). E hodhi (e kapërceu) *ledhin (dikush). E hodhi (e la) në *ledh (dikë). I hedh *lerë (dikujt). E hodhi *lejlek (dikë). E hodhi *lumin (dikush). Të hedh *mal më mal (dikush). E hedh (e lë) pas *mendsh (dikë a diçka). E hedh *mendjen. Hedh *mjegull (dikush). S’ke ku të hedhësh *mollën (diku). E hodhi *përdhe (dikë). E hodhi *përtej (një punë). E hodhi *përruan (dikush). E hodhi *poshtë (diçka). I hodhi *potkonjtë (dikush) keq. I hedh (i vë) *prangat (dikujt). Hidh e prit duke shkëmbyer thumba me njëri-tjetrin me shaka, duke iu përgjigjur njëri-tjetrit me të qeshur e me shpoti; qesh e ngjesh; me të qeshur e me të ngjeshur. Hodhi një *pushkë (dikush) përçm. (Është) për t’ua hedhur *qenve (diçka). S’i hedh as *qurrat (dikujt) përb. Ka hedhur (ka lëshuar, ka zënë) *rrënjë (dikush). E hodhi *rrjetën (dikush). Ia hedh (ia sjell, ia bie) *rrotull (dikujt). Hodhi (lëshoi) *spirancën (dikush) libr. Hedh *sytë. I hodhi një *sy (diçkaje). Nuk ia hedh (nuk ia shtie) *sytë (dikujt a diçkaje). Hedh *shkelma (dikush). E hodhi pas (prapa) *shpinës (diçka) E hodhi në *shportë (diçka) mospërf. Hedh (lëshon) *shtat (dikush). E hodhi (e flaku) *tej (diçka). Është për t’i hedhur *telat (dikush). E hodhi *topin (dikush) iron. E hodhi *tutje (diçka a dikë). Hodhi (vuri) *themelet (bazat) (e diçkaje) libr. I ka hedhur *thonjtë (dikujt). I hedh (i fut) *thumba (dikujt). E hodhi në *ujë (diçka). Hedh (ngre) një *urë (ura). E hodhi *vaun (dikush). Hedh *vickla (dikush). Hedh (vjell, nxjerr) *vrer (kundër dikujt).
MASHTR/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. E gënjej dikë me qëllim duke përdorur dredhi, lajka, premtime të rreme etj.; e bëj të besojë diçka që nuk është e vërtetë. Gruaja i kallëzoi drejt e nuk e mashtroi. Kishte mashtruar për të marrë paratë. Shitësi mashtronte blerësit.
2. I bëj hile dikujt në një lojë. E mashtroi kundërshtarin.
3. Më jep përshtypjen e gabuar. Pamja e jashtme të mashtron.
4. Më bën që të gaboj, më gënjen. Sytë më mashtrojnë. E mashtroi gjumi (dikë) e zuri gjumi.
✱Sin.: gënjej, rrej, kurthoj, dredhoj, tundoj, blofoj, njimtoj, shpërkëndej, torrloj, lurtoj, laroj.
PROPAGAND/ÓJ vep., ~ÓVA, ~ÚAR kal. 1. Bëj propagandë, merrem me propagandë. Propagandoj teknikën e teknologjinë bashkëkohore.
2. keq. Mundohem t’i mbush mendjen dikujt me fjalë të zbrazëta e të gënjeshtërta. Propagandonin gënjeshtrat kundër luftës çlirimtare të Kosovës.
✱Sin.: predikoj, popullarizoj, popullzoj, shtrij, përhap, mashtroj, gënjej.
►PËRKÚND/EM jovep., ~A (u), ~UR 1. vetv. Lëkundem lehtë, tundem sa andej këtej, kolovitem.
2. fig., vetv. Më pëlqen të rroj me shpresa, me ëndërrime etj., gënjej veten me diçka që më pëlqen. Përkundej në ëndërrime (hamendësime) të kota.
3. pës. e PËRKÚND.
✱Sin.: tundem, nanurisem, lëkundem, kolovitem, gënjehem.
PËRRALLÍS vep., ~A, ~UR jokal. dhe kal. 1. Flas gjëra të kota, pa asnjë bazë të vërtetë, them gjepura, them përralla. Përrallisnin kodra pas bregut. Ç’po na përrallis kështu!
2. Tregoj gjerë e gjatë një histori tërheqëse që nxit kureshtjen e dëgjuesve, i mbaj të tjerët me muhabete për ndodhi interesante. Na përrallisi si kishte ndodhur. Na përrallisi 2 orë rresht.
✱Sin.: përralloj, përrallos, shpërralloj, shpërrallis, përrallisem, dërdëllis, llomotis, tregoj, gënjej.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë