Fjalë që fillojnë me...
Fjalë me të njëjtat parashtesa ose tema fjalëformuese.
Mëso si ta përdorësh
<<< Kthehu te kërkimi kryesor në fjalor
BARDHÁÇ,~E mb. 1. Që është i bardhemë në fytyrë; i zbehtë, çehrevrarë. U bë bardhaç në fytyrë.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
✱Sin.: i bardhemë, i zbehur, i zverdhemë, i zbërdhulët, zbehtak, zverdhak, verdhacak, fytyrëzbehtë, fytyrëverdhë, çehreverdhë, çehrevrarë.
FAQEVÉRDHË mb. Me fytyrë të verdhë, i zbehtë; verdhacuk. Iu duk faqeverdhë në fillim.
✱Sin.: i zbehtë, verdhacuk, fytyrëverdhë.
PLLOMACÚK,~E mb. 1. Shëndetdobët.
2. Fytyrëzverdhur, fytyrëverdhë, verdhacuk, verdhan.
POLLOVÉRDHË mb. 1. Fytyrëverdhë, verdhacuk.
2. si em. m. e f. Sipas kuptimit të mbiemrit.
SARITÚAR (i, e) mb., bised. I verdhë, i zbehtë. Djali ishte i sarituar. Po bëhem merak për të se është shumë e sarituar
✱Sin.: zbehtak, i bardhëllemë, i bardhemë, bardhaç, bardhuk, i bardhë, zverdhak, verdhuk, verdhacak, verdhacuk, i zverdhur, i zverdhemë, fytyrëverdhë, fytyrëzbehtë, faqezbehtë, çehreverdhë.
SARKAVÉRDHË mb. Çehreverdhë. Vajzë sarkaverdhë. Fëmijët kishin një pamje sarkaverdhë.
✱Sin.: fytyrëverdhë, i zbehtë, i zbehur, zbehtak, i bardhëllemë, i bardhemë, bardhaç, bardhuk, i bardhë, zverdhak, verdhuk, verdhacak, verdhacuk, i zverdhur, i verdhemë, i zverdhemë, fytyrëzbehtë, faqezbehtë, çehreverdhë.
VERDHACÁK,~E mb., mospërf. Që është i verdhë a i zbehtë në fytyrë a në pjesë të tjera të trupit; që ka marrë një ngjyrë si të verdhë. Fëmijë verdhacak. Fytyrë verdhacake. Lëkurë verdhacake. Me fytyrë (me lëkurë) verdhacake.
✱Sin.: verdhac, verdhacuk, i verdhë, i zbehtë, verdhalaq, fytyrëverdhë, zbehtan.
VERDHACÚK/E,~JA f. sh. ~E, ~ET mospërf. Ajo që ka fytyrë të verdhë, të zbehtë, verdhacake. Ajo verdhacukja ka një fytyrë shumë të verdhë.
✱Sin.: verdhace, fytyrëverdhë, zbehtane.
ZBÉHTË (i, e) mb. 1. Që ka ngjyrë si të bardheme, që i ka ikur a i është dobësuar ngjyra e kuqe e fytyrës; që vjen si i verdhë në fytyrë, që ka marrë një ngjyrë të vrarë, i zbehur, zbehtak, fytyrëverdhë. Fëmijë të zbehtë. Me fytyrë të zbehtë. Me faqe (me buzë) të zbehta. Duket pak i zbehtë. Drita i binte mbi ballin e zbehtë. Ishte më i zbehtë se zakonisht.
2. Që ka ngjyrë të dobët a si të zbardhur, që vjen si i bardhemë a si i verdhemë, i zbërdhulët. Ngjyrë e zbehtë. E kuqe (e verdhë, e kaltër) e zbehtë. Pëlhura (basma) të zbehta.
3. Që ka pak dritë, që nuk ka shumë ndriçim, që ka shkëlqim të dobët; që s'dallohet qartë; i mekur, vagëllues. Dritë e zbehtë. Hënë e zbehtë. Diell i zbehtë. Qiell i zbehtë. Fotografi e zbehtë. Dritëhijet e zbehta të neonit. Kandilët e zbehtë të vajgurit.
4. fig. I paqartë, i dobët dhe pa forcë shprehëse; që nuk ka gjallëri e shkathtësi; që nuk është i plotë e i përpiktë, i paktë, i kufizuar, i pakësuar, i zvogëluar. Vepër e zbehtë. Kritikë e zbehtë. Roman (tregim) i zbehtë. Kronikë e zbehtë për të vërtetat e luftës. Lojë e zbehtë. Kopje e zbehtë e diçkaje. Jetë e zbehtë. Mendime të zbehtë. Në mënyrë të zbehtë. Akuzat janë tepër të zbehta dhe të pamjaftueshme (drejt.).
✱Sin.: i zbehur, zbehtak, i bardhëllemë, i bardhemë, bardhaç, bardhosh, bardhuk, zverdhak, verdhuk, verdhacak, verdhacuk, i zverdhemë, i pagjak, fytyrëzbehtë.
ÇEHREVÉRDHË mb. Fytyrëverdhë, i zbehtë. Çehreverdhë sikur nuk kishte parë diell me sy. Fterriotët janë paksa çehreverdhë. Një shitës i veshur me etiketë, i fishkur e çehreverdhë.
© Akademia e Shkencave e Shqipërisë, 2026 —
Të gjitha të drejtat janë të rezervuara. Çdo riprodhim, i pjesshëm ose i plotë i veprës, qoftë në format elektronik e qoftë në letër, në kundërshtim me ligjin nr. 36/2016 (ndryshuar me ligjin nr. 37/2022, datë 14.4.2022): "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to", do të ndiqet ligjërisht.
www.akad.gov.al
Adresa: Sheshi "Fan Noli", Tiranë